Home

Ankimet nihiliste kam përbuzur,
Ankimet: ah, si s’qepen brekët me dantella,
Ankimet: ah, kursimi shpinën na ka kërrusur,
Ankimet: ah, si s’dola prapë jashtë shtetit,
Ankimet: ah, si s’ka fabrika kozmetike,
Ankimet: ah, ku janë hotelet e bregdetit,
Ankimet: ah, si s’bëjnë lisat bukëfike!

Të verbër!
Ne s’jemi aq të krisur, aq të leshtë,
T’i zëmë gjërat në fillim nga bishti,
T’i mbjellim pemët fletëtatëpjetë,
Këtë s’e bënte dot as Jezu Krishti!
Të verbër!
Si thoni ju, të mbetej Komani dhe Fierza,
Metalurgjiku dhe uzina e bakrit që tjerr tela
Dhe të ndërtonim vrap fabriçka për ca erëza,
Fabriçka për ca brekë me dantella?

Dritëro Agolli, “Antimikroborgjezi”, 1984.

 

 

Në reagimin e shtypit të majtë për dekorimin e 67 shqiptarëve, të supozuar anëtarë të Partisë Balli Kombëtar, ekzekutuar nga ana e krerëve komunistë, duket se fshihet diçka më serioze dhe shumë përtej (turbo)folkut.
Nuk mund të mos cilësohen (turbo)folk reagime të tipit «komunistët ishin nacionalist» (sic!), «ballistët do të kishin bërë të njëjtën gjë», apo «ishte veprim vetjak i “arrogantit” Mehmet Shehu». Lidhur me «veprimin vetjak» është mirë të kujtojmë që PK nisi një fushatë të egër propagande kundër BK që me daljen në skenë, si organizim i mirëfilltë politik, të këtij të fundit. Për PK-në, Balli ishte një krijesë e Jakomonit në të cilën u bashkuan dhe “trockistët e Zjarrit”, duke mos humbur rast për shpallur këtë gjë. Pra, “përgjegjësia vetjake”, në këtë rast përbën një deformim të ngjarjeve historike; kemi të bëjmë me përgjegjësi objektive.

Të kthehemi te seriozja, pra te fjalët e shpenzuar për të mbajtur larg përgjegjësinë objektive. Pika ku të gjithë të majtët duket se bien dakord është te fakti që PK-ja nuk e mirëpriti masakrën, madje mori masa të rrepta kundër autorit… duke i dhënë “vërejtje të rëndë me paralajmërim” edhe duke ja kujtuar ngjarjen, autorit, herë pas herë. Kaq! Një “vërejtje” dhe rruga për tu bërë kryeministri më jetëgjatë i vendit duket të jetë e hapur.
Në sistemin ku jetojmë, në sistemet ku Shqipëria bën pjesë, pra të Shtetit të së drejtës kushtetuese dhe ekonomisë së tregut, ky lloj arsyetimi është thjesht i papranueshëm. Jurisprudenca perëndimore njeh raste të ndëshkimit jo vetëm të personave që vepronin jashtë ligjit, por edhe në zbatim të plotë të tij, dhe këtë bazuar në norma ligjore apo morale që nuk ishin në fuqi në çastin e kryerjes së veprës kriminale. Madje njihen dhe raste të “dënimit moral” duke ndaluar veprat e personave mbi të cilët vetëm pas vdekjes është hedhur dyshim mbi përfshirjen në strukturat diktatoriale.
Në Shqipëri ndodh e kundërta. Në Shqipëri ngrihen lartë vlerat artistike të propagandës, dekorohen “inxhinierët” e të ashtuquajturit “njeriu i ri”, madje po lind dhe një debat për ri-ri-shkrimin e historisë (paçka se shumë nga ne – për shembull ata që kanë studiuar në shkollat publike “Qemal Stafa”, “Jordan Misja”, “Konferenca e Pezës”, “Ali Demi”, “Vasil Shanto”, “Sabaudin Gabrani”, “1 Maji” apo “Shkolla e Kuqe” – nuk e kanë kuptuar kur u “rishkrua” për herë të parë); e gjitha kjo shoqërohet me një përpjekje të vazhdueshme për të lidhur fenomenet negative me vetë esencën e sistemit të tanishëm.
Ky lloj qëndrimi nuk mund të mos cilësohet si një refuzim, një refuzim i Shtetit të së drejtës kushtetuese dhe ekonomisë së tregut, pra i vetë Rendit kushtetues.

Ky refuzim, kjo gjendje mendore, nis që me rënien e Diktaturës, ku më të përkëdhelurit dhe të dobëtit e përjetuan si tragjedi (pa harruar ta shprehnin) dhe sot shfaqet haptazi e shtrirë në shumë fusha të jetës, duke nisur nga arsimi, ku Shteti nuk hoqi dorë kurrë nga e ashtuquajtura e drejtë studimi apo në trysninë që ushtrohet mbi studentët me prirje të djathta; në art, ku vepra teatrale paraqitur si më e rëndësishmja e vitit krahason fabrikat, e sotme, shqiptare me kampet e përqendrimit nazist dhe sipërmarrësit si kriminelë e përdhunues; në urbanistikë ku qytetet po kthehen në “atelie” të bindjeve politike; në ekonomi, ku politikat fiskale çuan në atrofizimin e sektorëve të caktuar (dikush këtu mund të flasë dhe për teatër propagande), ku shfaqet kufizimi i lirive ekonomike dhe ku çdo gjë shoqërohet me paragjykimin si evazor, pra kriminel, të çdo sipërmarrësi, të madh a të vogël; padyshim shfaqet në politikë ku mos përmirësimi i jetesës bëhet në emër të një të ardhmeje, të lëvizshme por të “ndritur”. Shfaqet haptazi dhe në shtyp, një shtyp që i buzëqesh fetusit politik kur i vetëkënaqur krahasohet me Diktatorin.
Zgjerimi i refuzimit ka ndryshuar dhe përdorimin e tij, nga patericë elektorale në levë për një sistem të ri, hibrid, kuptohet hibrid, gjithmonë e më të ngjashëm me të vjetrin.

Në këtë kuptim, refuzimi duhet të shërbejë si një paralajmërim, edhe për faktin që në Shqipëri historia prek më shumë të ardhmen së të shkuarën, një e ardhme që duket e prirë të justifikojë çdo veprim me motive politike.

 

Bardhyl

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s