Multikulturalizmi në Evropë*
Në shoqëritë e Evropës Perëndimore shpesh problemet lidhen me emigrantët e brezit të dytë apo të tretë, bash ata që duhet të integroheshin si anëtarë të barabartë të atyre shoqërive rebelohen ndaj vendeve që i kanë birësuar. Arsyet që paraqiten shpesh janë varfëria (2/3 e myslimanëve anglezë janë nga familjet me të ardhura të ulëta), banesat e papërshtatshme, mbipopullimi, getoizimi, papunësia sidomos ndër të rinjtë, mungesa e arsimimit dhe paragjykimet racore të fqinjëve jo myslimanë; thuhet se të gjitha këto çojnë në mungesë të lëvizshmërisë sociale, kriminalitet dhe përgjithësisht në diskriminimin e komuniteteve myslimane. Tërthorazi apo drejtpërsëdrejti pohohet se për këtë gjendje fajtor është Shteti dhe shoqëria. Por myslimanët që kanë pasur sukses në sipërmarrje apo në profesionet e tyre thonë, pothuajse të gjithë pa përjashtim, që identiteti i tyre etnik nuk ka qenë pengesë.
Por sa getoizimi ka qenë i detyruar nga bota e jashtme dhe sa i vetëzgjedhur? Që emigrantët e rinj përqendrohen në zona të caktuara të një qyteti është fakt i njohur. Kjo mund të studiohet në Londër, në lagjet ku tradicionalisht vendoseshin irlandezët (Camden Town), hebrenjtë (Est End e më vonë Golders Green), australianët dhe polakët (pranë Earls Court e Olympia), japonezët (South Hampstead) dhe emigrantët e tjerë. Ishin të shtyrë nga dëshira për të qëndruar pranë njerëzve që flisnin gjuhën e tyre e kishin dyqane me ushqime tipike një grupi etnik, agjenci udhëtimesh, klube apo organizata të tjera. Në Berlin emigrantët rusë, të pas 1920-tës, u përqendruan në Charlottenburg, ndërsa hebrenjtë e Evropës Lindore në zonat lindore të qytetit.
Një proces i ngjashëm u shfaq edhe për emigracionin mysliman, por me një ndryshim themelor: emigrantët e valëve të mëparshme nuk morën asnjë ndihmë për strehim nga Shteti apo autoritetet vendore, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë kjo ishte ligj. Për këtë arsye nuk kishin shtysa për të lënë banesat, edhe pse ishin të papërshtatshme apo të shëmtuara, ato ishin falas. Kur hebrenjtë e Evropës Lindore filluan të vendoseshin në Whitechapel, nga fundi i 1800 fillimi i 1900, asnjë kryebashkiak i Londrës nuk lëvizi për t’i ndihmuar. Atyre dhe emigrantëve të tjerë ju desh t’i përballonin vetë vështirësitë, që ishin pa diskutim shumë herë më të mëdha se ato me të cilat përballen emigrantët e sotëm: për shembull: nuk kishte asnjë lloj asistence mjekësore apo sociale. Emigrantët myslimanë duket se qëndrojnë me bashkëfetarët e tyre më gjatë se çdo lloj bashkësie tjetër, dhe predikuesit e tyre i shtyjnë të veprojnë kështu. Kjo vlen edhe për Indinë, ku ka më shumë getoizim se në Evropë; edhe myslimanët e shtresës së mesme duket se e kanë të vështirë të lënë zonat ku banojnë pjesëtarët e komunitetit të tyre.
Rrethinat e Parisit, ku jetojnë shumë prej myslimanëve francezë dhe ku shpërthyen revoltat e nëntorit të 2005, janë të parehatshme dhe të shëmtuara, por nuk janë si skutat e East End-it të Londrës. Megjithatë pikërisht në ato lagje, si do të shprehej një vizitor i huaj, lindi një antishoqëri e mbushur me urrejtje të flaktë për pjesën tjetër të Francës, një mosbesim i thellë e një ndjesi veçimi (shiko Barbarët në portat e Parisit të Theodore Dalrymple). Kjo urrejtje, sipas Dalrymple-s, shfaqet në dëshirën për shkatërruar çdo gjë, duke shkarravitur mure e duke djegur motoçikleta. Asistenca sociale shton inatin e të rinjve; edhe pse kanë një nivel jetese dhe konsumi shumë më të lartë se në vendet e etërve të tyre, kjo nuk ngjall mirënjohje, përkundrazi përjetohet si një ofendim apo plagë, edhe pse e marrin për të mirëqenë që duhet t’jua japin. “Barbarë” është një fjalë e rëndë, ndoshta raciste, por a është plotësisht e pajustifikuar? Një prej bandave më të rëndësishme të banlieues-ve, që është e përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale e terroriste (si rrëmbimi dhe vrasja e Ilan Halimi-t në janar të 2006), me krenari e quan veten “barbarët”.
Kushtet e strehimit dhe papunësia e moshave të reja, është përmendur si arsyeja kryesore e turbullirave të vitit 2005 në Paris. Papunësia është në nivelet 30 deri 40 për qind në Francë e Gjermani, dhe nuk është më e ulët në Britaninë e Madhe apo Holandë. Një drejtor shkolle në Berlin do të deklaronte: «po ngremë një ushtri të papunësh të përhershëm». Numri i të rinjve që braktisin shkollën është më i lartë mes turqve të Berlinit sesa të vendeve të tjera; është më i lartë mes meshkujve sesa femrave. Në Gjermani vetëm 3% e të rinjve myslimanë shkon në universitet. Niveli i tyre i njohjes së gjuhës vendase është shumë i ulët, gjë që nuk habit duke qenë se në shtëpi flasin turqisht apo arabisht; në shumë familje nuk ka libra dhe përdorimi i gjermanishtes (apo anglishtes) kundërshtohet nga prindërit që shpesh nuk e flasin mirë atë gjuhë. Fëmijët i dërgojnë në shkolla ku mësohet Kurani, por nuk i shtyjnë të studiojnë lëndët e tjera, ndërsa vajzave, shpesh u ndalohet të shkojnë në shkollë pas moshës gjashtëmbëdhjetëvjeçare, për universitet as që bëhet fjalë, pasi aty mund të përballen me ndikime të padëshirueshme. Një shkollë në Berlin që vendosi, pas një konsultimi me nxënësit dhe prindërit e tyre, të këmbëngulte në përdorimin e gjermanishtes në shkollë, u sulmua ashpër nga shtypi turk edhe pse shumica e nxënësve dhe prindërve ishin dakord. Disa prej krerëve vendorë të multikulturalizmit u erdhi ideja e bukur të mbështesnin protestën pasi mendonin që ai vendim ishte i barasvlershëm me shtypje kulturore.
Por a mundet një gjeneratë të rinjsh të përparojnë nga pikëpamja sociale dhe kulturore pa mësuar mirë gjuhën e vendit ku jeton?
Racizmi dhe ksenofobia tregohen si faktorët përgjegjës për rezultatet e dobëta shkollore të të rinjve myslimanë. Por ky shpjegim nuk merr parasysh ecurinë e nxënësve indianë apo nga Lindja e Mesme, të cilët në shumë lëndë marrin nota më të larta se nxënësit e mesëm gjermanë apo anglezë. Nuk shpjegon as përse vajzat janë më mirë me mësime se djemtë. A mund të lidhjet kjo me faktin që vajzat nuk i lënë të dalin në rrugë, ndërsa djemtë aty kalojnë pjesën më të madhe të kohës? Rezultatet e nxënësve indianë janë dy herë më të larta se ato të nxënësve pakistanezë, dhe ata që vijnë nga Lindja e Largët i kalojnë pothuajse gjithë të tjerët.
Ka shumë shpjegime por ideja, që shfaqet herë pas here, se është i gjithë faji është i Shtetit apo i shoqërisë jo vetëm që nuk është e pranueshme por as nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Të rinjve çdo ditë ju thuhet se janë viktima të shoqërisë dhe se nëse dështojnë nuk është faji i tyre. Si rezultat i këtyre dështimeve është krijuar një kulturë urrejtjeje dhe krimi që lidhet pak me fenë. Paçka se shkojnë në shkollat e kuranit (më shumë në Gjermani se në Francë e Britani të Madhe), këta të rinj nuk janë shumë të interesuar për fenë; të premten mund të shkojnë në xhami, por pastaj, përtej kufizimeve fetare, dehen e drogohen. Ndikimin më të fortë te ata nuk e ka familja apo imami, por bandat e rrugës. Prindërit kanë pak autoritet, nuk janë mjaftueshëm të rreptë, punojnë shumë dhe fitojnë shumë pak. Islami tradicional nuk ju intereson shumë; një imam i rëndësishëm në Britaninë e Madhe ka deklaruar: «Po humbasim gjysmat e tyre». Vetëm pak udhëheqës fetar, me karizëm të fortë dhe që predikojnë veprimet e dhunshme, krijojnë disa ndjekës mes të rinjve. Shkolla ka shumë pak autoritet; në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar gjuha nuk paraqet një pengesë të madhe, por në Gjermani nxënësit shpesh, në kuptim e plotë të fjalës, nuk arrijnë të kuptojnë as mësuesit dhe as shokët e klasës që vijnë nga vende të tjera. Shumë mësues nuk arrijnë të vendosin autoritetin e tyre pasi sa herë që guxojnë të ndëshkojnë nxënësit për ndonjë sjellje të keqe apo i detyrojnë të bëjnë ndonjë gjë, menjëherë akuzohen për racizëm dhe diskriminim. Nxënësit që janë shkathtësuar në rrugë janë bërë të zotë për të lozur kartën e racës.
Walter Laqueur, Last days of Europe – Epitaph for an Old Continent.
*Titulli dhe përkthimi MVSK