Home

Luks, jaht, ishull privat, sipas Forbes-it milioner, shokut Fidel i pëlqente jeta e bukur, atë që populli i tij nuk mund ta kishte, dhe femrat simpatike. Në publik revolucionar i pastër e i rreptë, në jetën private ishte pak a shumë si Titua, diktatori më shumë monark se proletar.

Dritë mbi këtë anë pak të njohur të lider maximo-s u hodh nga një prej pretorianëve të tij, nënkoloneli Juan Reinaldo Sanchez, që i shërbeu si truproje për 17 vite rresht. «Të bënte të mendoje se nuk e zinte gjumi për revolucionin, që shpërfillte dhe përçmonte konceptin borgjez të pushimeve. Gënjente», shkruhet në librin e Sanchez-it «Jeta e dyfishtë e Fidel Kastros». Autori, i arratisur në Majami, vdiq vitin e kaluar, kur libri ishte dërguar në shtypshkronjë. Antikastristët dyshojnë se u helmua nga agjentët e Kubës. Regjimi kishte etiketuar kujtimet e tij si «propagandë të Cia-s».

Sanchez pohon se e ka shoqëruar disa herë Fidelin në Cayo Piedra, një ishull i vogël në jug të Gjirit të Derrave, një «parajsë tokësore», por e ndaluar për kubanët. Njësoj si ishulli i Brionit, që mareshali Tito kishte në brigjet përballë bregut të Istrias. Aty Kastro priste miq si Gabriel Garcia Marquez dhe i pëlqente të lundronte për në ishull me jahtin Aquarama II, i ndërtuar me dru të rrallë angolez dhe që ishte dhuratë e Leonid Brezniev-it. Cayo Piedra, përveç një heliporti dhe vilave luksoze kishte dhe delfinë e breshka, për të argëtuar të ftuar si themeluesine CNN-it, Ted Turner apo udhëheqësin e RDGJ-së Erich Honecker.

Lideri shijonte uiskin Chivas Regal, të vjetëruar 12 vjet, dhe filma si “Lufta dhe Paqja”, por në versionin e gjatë dhe të lodhshëm sovjetik. Në ishull kishte në dispozicion rreth 20 vila dhe përdorte pseudonimin e luftës, Alejandro, si Leka i Madh. «Ishte i bindur që e gjithë Kuba ishte pronë e tij», shkruan Sanchez-i, që i qëndroi pranë deri në vitin 1994. Vila më e njohur e Fidelit ishte Njësia 160 apo Pika Zero, një lloj fortese. Edhe në rezidencën në Havanë nuk i mungonte gjë, duke përfshirë një pistë bowling, një fushë basketbolli, pishina, jacuzzi, sauna dhe një spital i vogël privat. Sanchez-i pohon se nga frika e atentateve të Cia-s, qarkullonte gjithmonë ma nja dy dhurues gjaku që kishin grupin e tij, A negativ.

Revista Forbes e shtoi Kastron në listën e famshme të milionerëve duke e përkufizuar si «një prej më të pasurve ndërmjet mbretërve, mbretëreshave dhe diktatorëve». Futja në listë e xhindosi lider maximo-n. Fideli u lëshua për orë të tëra në televizion, kundër revistës duke pretenduar se, ashtu si shumica e kubanëve, edhe ai jetonte me pak pezos në muaj. Në të vërtetë pasuria vetjake e Kastros vlerësohet në rreth 900 milionë dollarë amerikanë. Vëzhguesit perëndimorë mendojnë se jo vetëm që kontrollonte shumë sipërmarrje shtetërore por edhe një minierë të vogël floriri. Manuel de Buenza, i cili përpara se të arratisej nga ishulli punonte në sektorin e financës në Ministrinë e Brendshme, pohon se shifra e përllogaritur nga Forbes në të vërtetë është vetëm një pjesë e thesarit të Fidelit. Duket se Kastro kontrollonte edhe një bankë në Angli dhe se kishte ngritur rreth 270 sipërmarrje lartë e poshtë nëpër botë.

Veç rehatisë «kapitaliste» Fidelit i pëlqenin dhe femrat e bukura dhe ka pasur disa gra dhe të paktën tetë fëmijë. Sanchez-i, ish truproja, pohon se «ndërsa populli vuante, Fidel Kastro jetonte në rehati të plotë. E njëjta vlen edhe për tetë fëmijët e tij, gratë dhe dashnoret e shumta. E gjitha kjo në sekret të plotë».

 

Fausto Biloslavo
Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s