Home

… me çizme*

 

Shkëputur nga Victor Sebestyen, 1946: The making of the modern world.

 

[…] Veç «dëmshpërblimeve zyrtare» u krye dhe plaçkitja informale në shkallë të gjerë, të cilën ushtarët rusë e vijuan dhe gjatë fundit të pranverës së vitit 1946. «Sovjetikët nuk silleshin aspak si bolshevikë asketë, por si konkuistador në kërkim të plaçkës», do të komentonte një historian rus. Vetë komandantët madhorë jepnin shembullin e keq. Mareshali Zhukov i ktheu shtëpitë e veta në muze: sipas një raporti të mëvonshëm të NKVD-së, në daçian e tij në periferi të Moskës gjendeshin «dhjetëra kuti me argjendari dhe kristale, 44 tapetë, 55 piktura klasike të paçmueshme, 323 peliçe, 400 metra mëndafsh […] E gjithë vila ishte e mobiluar me gjithfarëlloj objektesh luksi që vinin nga jashtë […] Një tablo gjigante që paraqiste dy femra lakuriq» qëndronte mbi kokën e krevatit të mareshalit. Përveç tapetit të këmbëve të dera «nuk kishte asnjë objekt të vetëm që të ishte prodhuar në Bashkimin Sovjetik». (1)

Stalini jo vetëm që ishte në dijeni të këtyre ngjarjeve, por dhe i miratoi heshturazi kur nxori një urdhër që lejonte oficerët të dërgonin në atdhe, pa i deklaruar deri në 5 kg. mallra. Oficerët madhorë, kuptohet, e tejkaluan dukshëm këtë kufi. Gjatë Konferencës së Potsdamit, vetë shefi i truprojave të tij, gjenerali Nikolaj Vlasik, gjeti rastin të merrte ca «dëmshpërblime lufte» personale: u kthye në Moskë me një servis porcelane përbërë prej rreth 100 copësh dhe dhjetëra vazo dhe gota kristali. Në vijim do të pohonte se të gjithë oficerët sovjetik me shërbim aty kishin marrë servise porcelane të ngjashme, por do ta kishte pak më të vështirë të shpjegonte se si në shtëpinë e prindërve të tij, në Bjellorusi, kishin përfunduar një kalë, një dem dhe dy lopë.

Mareshali i aviacionit, Aleksandr Golovanov çmontoi, pjesë pas pjesë, vilën në fshat të Gëbelsit dhe me aeroplanë e transferoi në Rusi. Shefi i NKVD-së në Gjermani, Ivan Serov, bëri të vetin një thesar të vërtetë ku mesa duket përfshiheshin dhe xhevahiret e Kurorës belge. Një inventar i «brigadave të trofeve» vërteton se gjatë vitit të parë të pushtimit zyrtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Kuqe dërguan nga Gjermania Lindore për në Bashkimin Sovjetik 100 000 vagonë plot me «materiale ndërtimore» dhe «objekte shtëpiake» të llojeve të ndryshme, 6 000 piano, 495 000 radio, 188 000 tapetë, rreth 1 000 000 «orendi», 264 000 orë muri, 6 000 vagonë me letër muri dhe 588 objekte porcelani dhe objekte të tjera tavoline, 3 300 000 palë këpucë, 1 200 000 pallto, 1 000 000 kapele dhe 7 100 000 «veshje, këmisha dhe të brendshme». Sipas një zyrtari gjermane, për sovjetikët «Gjermania ishte një qendër tregtare gjigante në të cilën nuk paguanin» (2)

 

 

*) Nëntitull i Redaksisë
1) RGASPI 6888. 53. 277
2) Zubok, Inside the Kremlin, f. 365.

 

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s