Për Kubën viti 2018 do të jetë vendimtar, duke qenë se për herë të parë që prej 59 vitesh ishulli i Karaibeve, simbol i komunizmit, nuk do të qeveriset prej familjes Kastro. Që kur revolucioni i mjekroshëve rrëzoi diktatorin e asaj kohe, Fulgencio Batista, vendi është drejtuar në fillim prej Fidel Kastros – 1 janar 1958 deri më 2008 – dhe më pas prej vëllait të tij Raul. Ndërsa i pari tashmë ka vdekur, i dyti, 86 vjeçar, ka vendosur të lërë pushtetin në duar e «dikujt më të ri». Vendimin se kush do të jetë i pari jo Kastro që do të drejtojë vendin do të merret nga deputetët që do të zgjidhen në 24 shkurt të vitit të ardhshëm. Të gjithë do të jenë komunistë duke qenë se janë të ndaluara kandidaturat e partive të tjera. Favoriti i madh duket të jetë 57 vjeçari Miguel Diaz-Canel, një inxhinier dhe zëvendës aktual i Raulit, i cili për arsye thjesht moshe nuk ka qenë i përfshirë në «gjestet revolucionare» në Sierra Maestra dhe as në luftërat afrikane të viteve shtatëdhjetë.
Por, përtej mbiemrit, ka për të ndryshuar me të vërtetë ndonjë gjë? Nëse shikon filmimet e një feste të Partisë Komuniste kubane, publikuar së fundmi nga Miami Herald, kjo gjë ka pak mundësi të ndodhi. Në atë festë Diaz-Canel do të mbronte shpatë zhveshur regjimin monopartiak dhe do të shpaloste planet e tij për ndrydhjen e shtypit të pavarur, sipërmarrjeve dhe grupeve opozitare. «Po marrim të gjitha masat për t’i diskretituar», do të shprehej pasuesi u mundshëm, duke bërë të qartë që modus operandi i diktaturës më të vjetër në Amerikën Latine, nuk ka për të ndryshuar.
Me pak fjalë, ajo që Obama bëri sikur e besoi kur u hap me Raulin, për një tranzicion demokratik në Kubë, ishte vetëm iluzioni i radhës. Ose një gënjeshtër e pastër si puna e ndershmërisë (intelektuale dhe jo vetëm) të një njeriu si Fedel Kastro, ikonë e komunizmit botëror, që duke predikuar barazinë e të gjithë kubanëve, arriti të grumbullonte një pasurit të atillë që trashëgimia për të afërmit përllogaritet në 900 milionë dollarë amerikanë.
Këtë përllogaritje e ka kryer revista Forbes, e cila që prej vitit 2006 e kishte renditur lider maximo-n në mesin e dhjetë politikanëve më të pasur të globit, duke shfaqur kështu një inkoherencë të jashtëzakonshme mes asaj që pohonte dhe asaj që praktikonte diktatori kuban gjatë 50 viteve të pushtetit absolut. Kështu, pas dhjetëra shkrimeve apologjetë, shkruarar nga majtistët që e përshkruanin si një asket i përkushtuar vetëm ndaj «punës së palodhur për revolucionin», veç Forbes-it vjen dhe dëshmia e Reinaldo Sanchez, i cili për 17 vite shërbeu si truproja më e besuar e Fidelit, e që më pas humbi pozitat. Sanchez vdiq në Majami, në vitin 2016, pak pasi përfundoi shkrimin e librit «Jeta sekrete e Fidel Kastros».
Një kryevepër e realizmit në të cilën mësohet se në të vërtetë Fideli, gjithmonë ka gëzuar rehati që më shumë i shkojnë për shtat një «ujku të Wall Street» se sa një ish luftëtari të përkushtuar për mirëqenien e popullit të vet. Si t’ju shpjegosh komunistëve tanë [autori u referohet atyre italianë, pasi këtyre në Shqipëri të mësuar në luksin e apartamenteve dhe vilave, makinave të shtrenjta dhe sallat e hoteleve të modës, nuk është shumë e vështirë – shënim MVSK], e sidomos të rinjve, që në Havanë, ende sot, njerëzit fitojnë 30 usd në muaj, ndërsa Fideli i kalonte ditët në jahtin e tij superluksoz ndërtuar me dru të shtrenjtë angolez, apo në ishullin e tij privat Cayo Piedra, i rrethuar nga delfinët, breshkat e Karaibeve dhe çdo lloj komoditeti? Kur Fideli dilte me jahtin e tij, ulej gjithmonë një poltronë të stërmadhe lëkure, dhe shijonte pijen e parapëlqyer, Chivas Regal on the rocks. Ç ‘mund të thuash për haremin e tij, nga i cili dolën 9 fëmijë, apo për pallatin e stërmadh në Havana, me një fushë bowling në tarracë dhe me një tjetër basketbolli në katin e parë, pa harruar një klinikë mjekësore të pajisur me fjalën e fundit të shkencës? Për të mos folur për vilën me mol privat superluksoz apo për diamantet angolez që me xhelozi ruante në kutitë e purove.
Kush e di se ç’mendojnë shokët, edhe pse më shumë se prej tyre një përgjigje mund ta marrim nga historiani Hugh Thomas në veprën e tij «Cuba or the pursuite of freedom» ku përshkruhet se si që në vitin 1957, pra më pak se dy vite nga revolucioni, Fideli mori mbështetjen e sipërmarrësve më të rëndësishëm kubanë, përfshi dhe Baccardi-t, të cilët ishin lodhur nga mungesa e stabiliteti politik të diktaturës së Batistës.
«Simpatia për Fiedelin – shkruan Thomas – u rrit edhe ndër popullsinë e kamur, aq sa bosi kryesor i sheqerit kuban, Julio Lobo, e financoi me 50 000 dollarë», pothuajse një pasuri e tërë për atë kohë. Për të mos thënë që vetë Fideli, ai që do të bëhej diktatori komunist më jetëgjatë i shekullit XX, në 3 korrik të vitit 1956 në revistën studentore «Bohemia» akuzonte Batistën se ishte komunist! «Ku e gjen të drejtën morale Batista të flasi për komunizëm kur ai vetë në vitin 1940 ishte kandidati për president i Partisë komuniste – shkruante Fideli në vitet kur mohonte çdo prirje majtiste – kur sloganet e tij elektorale fshihen pas drapër e çekanit, dhe kur gjysmë duzine e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë janë anëtarë të Partisë Komuniste?»
Pra, nëse këto janë themelet ideologjike – librat në dorë – të atij që në 50 vitet e fundit u bë një model në kërkimin e njeriut të ri dhe të shoqërisë barazitare të bazuar në marksizëm, nuk habit fakti që Fideli të ketë jetuar si pasha dhe të lërë në trashëgim pothuajse 1 miliard dollarë. Ashtu si nuk duhet të habisë ndokënd lajmërimi i Raulit se pas 60 vitesh Kuba nuk do të qeveriset më nga familja. Pa merak, nuk ndryshon gjë.
Paolo Manzo «Il Giornale», 22.XII.2017
Përkthimi MVSK