Home

Me rritjen e kërkesës për partishmëri në letërsi dhe të kontrollit bolshevik në të gjitha fushat e jetës, mjaft autorë rusë e gjetën veten në kushtet e “vdekjes civile”: veprat e tyre, fillimisht të denigruara publikisht, nuk publikoheshin, pjesët e tyre teatrale nuk viheshin në skenë dhe vetë autorët hasnin vështirësi për të siguruar jetesën. Në këto kushte të mjeruara morale dhe financiare, rrugëzgjidhja e vetme mbetej emigrimi. Në një seri letrash, dërguar autoriteteve sovjetike përfshirë dhe Stalinin, të dëshpëruara por asnjëherë të zhveshura nga guximi intelektual, Bulgakovi kërkon me ngulm lejen për t’u larguar në emigrim. Leje që nuk ju dha kurrë. Autori i kryeveprave si “Mjeshtri dhe Margarita” do të vdiste në moshën 48 vjeçare, pa mësuar peshën dhe rëndësinë që puna e tij do të zinte në letërsinë botërore.

 

M.A. Bulgakov letër qeverisë së BRSS-së
I drejtohem me këtë letër Qeverisë së BRSS-së:

***
Qysh kur veprat e mia u ndaluan, mjaft qytetarë të cilët e njihnin veprimtarinë time si shkrimtar, kanë filluar të përhapin zëra me anë të të cilave më japin të njëjtën këshillë:
Të shkruaj një “dramë komuniste” (citimet po i shënoj nën thonjëza) dhe më tej t’i drejtohem Qeverisë së BRSS-së me një letër pendese në të cilën duhet të hedh poshtë idetë që kam shprehur në veprat e mia letrare të mëparshme dhe ta siguroj at që, tani e tutje, do të punoj si shkrimtar shok udhe (1) besnik i idesë së komunizmit.
Qëllimi: të shpëtoj nga përndjekjet, nga mjerimi dhe nga rrënimi përfundimtar i pashmangshëm.
Nuk e ndoqa këtë këshillë. Nuk mendoj se do të dukem në një dritë të favorshme para Qeverisë së BRSS-së duke shkruar një letër false, që do të përbënte një kthim të fletës, pështirosëse, përveç se të pabesueshme. Për sa i përket asaj dramës komuniste, nuk u mundova as ta provoj që ta shkruaj duke e ditur, që në fillim, se nuk do t’ia dilja dot mbanë.
Dëshira që kam menduar me vete për t’i dhënë fund mundimit tim si shkrimtar, më shtyn t’i drejtohem Qeverisë së BRSS-së me një letër të sinqertë.

***
Duke kaluar para syve prerjet e gazetave, kam vënë re se shtypi sovjetik më ka bërë, gjatë këtyre dhjetë viteve të veprimtarisë sime letrare, 301 recenca, nga të cilat 3 të favorshme dhe 298 armiqësore dhe fyese.
Këto 298, paraqesin një pasqyrë besnike të jetës sime si shkrimtar.
Aleksej Turbini, protagonisti i dramës sime Ditë e Turbinëve, është përcaktuar me britma në shtyp si “QEN BIR QENI”, ndërsa autori është paraqitur si një “QEN PLAK, i lajthitur nga pleqëria”. Kanë shkruar për mua, si për një “GRUMBULLUES PLERASH të letërsisë”, që mbledh “TË VJELLAT e një duzine të babëziturish në një zijafet”
Kanë shkruar:
“… MIKELUC Bulgakovi, një i njohuri im dhe, më ndjeni për fjalën, një MENDER SHKRIMTAR, gërmon nëpër KAZANET E VJETRA TË PLEHURINAVE… Ç’dreq hundësh ke, vëllaçko… unë jam i sjellshëm, veçse DO TË DUHET T’JUA THYEJ NJË VAZO NË KOKË… Ne kemi nevojë për Turbinët, ashtu siç ka nevojë QENI PËR BREKË… Por ja që TURBINI na e nxori kokën, AI QEN BIR QENI, QË NUK KA AS SUKSES AS I DUHET DREQIT PËR TA BLERË…” (Zhizn ISKUSTVA nr. 44-1927)
Kanë shkruar “për Bulgakovin, që mbeti ai që ishte, BIÇIM NEOBORGJEZI, që derdh jargët e tij të helmuar, por që klasës punëtore s’kanë ç’t’i bëjnë ato dhe as idealeve të saj komuniste”. (Komsomolskaja Pravda 14/X-1926).
Kanë pohuar se më pëlqejnë “MJEDISËT KU QENTË IA HIPIN NJËRI-TJETRIT, ku fërfëllohet përreth gruas së kuqe të një miku” (A. Lunaçarski, Izvestija, 8/X-1926), e që drama ime “Ditët e Turbinëve QELBET NGA ERA E KEQE”, (relacion stenografik i një mbledhjeje të Agitpropit maj 1927), e kështu me radhë…
Nxitoj t’ju saktësoj se nuk po jua sjell këto gjykime për t’u ankuar për kritikat apo, sidoqoftë, për të hyrë në polemikë. Qëllimi im është shumë më tepër serioz.
Dua t’ju provoj, me dokumente në dorë, sesi i gjithë shtypi i BRSS-së dhe, bashkë me të, të gjithë organizmat e ngarkuar me kontrollin e repertorit, gjatë të gjithë harkut kohor të aktivitetit tim letrar, njëzëri dhe ME KËMBËNGULJE TË JASHTËZAKONSHME, kanë treguar se veprat e Mihail Bulgakovit në BRSS nuk mund të ekzistojnë.
Dhe unë shpall se shtypi i BRSS-së KA PLOTËSISHT TË DREJTË.

***
Nxitja për këtë letër më është dhënë nga pamfleti im, “Ishulli i purpurt”.
E gjithë kritika sovjetike, pa përjashtim, e ka përcaktuar këtë vepër si “pa kripë, të dobët, meskine”… “një satirë therëse kundër revolucionit”.
Por njëzëshmëria u ndërpre befas dhe në mënyrë të habitshme. Në numrin 12 të Repertuarnuij Bjulleten (1928) doli një recension i P. Novickit që e përcaktonte Ishullin e Purpurt “një parodi interesante dhe të mprehtë” mbi të cilën rrëzohet “hija e përzishme e Inkuizitorit të Madh, shtypësit të artit, shkaktarit të STEREOTIPEVE DRAMATIKE SERVILE DHE ABSURDE, TË KËMBËLËPIRËSVE, që e mundojnë personalitetin e aktorit dhe autorit”… Dhe flet, për më tepër, duke komentuar Ishullin e purpurt, “për një forcë të rrezikshme që edukon SKLLEVËR, KËMBËLËPIRËS DHE PANGJERISTË…”
Novicki thotë që në qoftë se kjo forcë e errët ekziston, ATËHERË JANË TË PËRLIGJUR PEZMATIMI DHE SARKAZMA E KËTIJ DRAMATURGU TË ARDHUR NGA BORGJEZIA”.
Le të më lejohet një pyetje: Cila është e vërteta?
Ç’është, së fundi, “Ishulli i purpurt”? “Një komedi meskine dha pa kripë” apo “një pamflet i mprehtë”?
E vërteta qëndron në recensionin e Novickit. Nuk mund të gjykoj se gjer në ç’pikë është e mprehtë komedia ime, por jam i bindur se mbi të bie hija e zymtë e Komitetit të Përgjithshëm për Repertorin. Pikërisht ky Komitet edukon skllevërit, pangjiristët, “shërbëtorët” e frikësuar. Bash ky Komitet e vret mendimin krijues, e mbyt teatrin sovjetik dhe do ta asgjësojë për gjithmonë atë.
Këto ide unë nuk i kam pëshpëritur në ndonjë cep. I kam sjellë në skenë në trajtën e një pamfleti teatror. Shtypi sovjetik, i ngritur në mbrojtje të Glavrepertkomit [Komiteti i Përgjithshëm për Kontrollin e Shfaqjeve dhe të Repertorit], ka shkruar se Ishulli i Purpurt është një skllavëri kundër revolucionit. Kjo nuk ka kuptim fare. Komedia nuk është një skllavëri kundër revolucionit për një seri shkaqesh por, për shkurt, po përmend vetëm njërin: të shkruash “një skllavëri për revolucionin” është NJË E PAMUNDUR, po të marrim parasysh madhështinë e ngjarjes. Një pamflet nuk është një skllavëri dhe Glavrepertkomi nuk është revolucioni.
Por kur shtypi gjerman pohon se Ishulli i Purpurt “është thirrja e parë e lirisë së shtypit në BRSS” (Molodaja Gvardija, nr. 1-1929), ai thotë të vërtetën. Këtë e kuptoj. Lufta kundër censurës, cilado qoftë ajo dhe nën çdo pushtet, është një detyrë e imja si shkrimtar, siç janë thirrjet për lirinë e shtypit. Jam një mbështetës i pasionuar i kësaj lirie dhe e marr me mend se, në qoftë se një shkrimtar – cilido qoftë – mendon të provojë se për të nuk është e nevojshme, kjo do të ishte sikur një peshk të thoshte hapur se ai s’kishte nevojë për ujët!

***
Ja, pra, njëri ndër tiparet e veprës sime, më se e mjaftueshme në vetvete, për t’i bërë punimet e mia në BRSS që të mos ekzistojnë. Por me atë vepër janë të lidhura elementet e tjera që janë të pranishme në tregimet e mia satirike: janë të lidhura ngjyrimet e errëta dhe mistike (UNË JAM NJË SHKRIMTAR MISTIK), që më shërbejnë për të shpalosur monstruozitetet e panumërta të jetës sonë të përditshme, helmi në të cilin është ngjyer gjuha ime, dyshimi i thellë përballë procesit revolucionar në zhvillim në vendim tim të prapambetur, proces ndaj të cilit i kundërvë dhe parapëlqej Evolucionin e Madh dhe, mbi gjithçka, dalja edhe një herë në pah e disa tipareve të errëta të popullit tim të cilat, para revolucionit, ishin burime vuajtjesh të mëdha për mjeshtrin tim, M.E. Saltikov-Shedrinit.
Është e tepërt të them se shtypi sovjetik as që e ka vënë ujët në zjarr për të menduar sadopak për këto, i përkushtuar siç ka qenë, për të mbrojtur gjykimet jo mjaft të besuara për “SHPIFJET” që përmbahen në satirën e M. Bulgakovit. Vetëm njëherë, kur emri im sapo filloi të bëhej i njohur, u vu re me një habi tërë fodullëk: “M. Bulgakovi DO (dëshiron) që të bëhet satiriku i epokës sonë” (Knigonozha, nr. 6-1925).
Ç’fatkeqësi kur ngatërrohen kohët e foljes. Folja “me dashtë” është përdorur gabimisht në të tashmen, ndërsa ajo duhet dhënë jo në atë kohë: M. Bulgakovi ËSHTË BËRË NJË SHKRIMTAR SATIRIK, pikërisht në një kohë kur çdo satirë e vërtetë (që zhytet në zonat e ndaluara) në BRSS, ishte krejtësisht e pa mendueshme.
Nuk më takoi mua nderi që ta shprehja në shtyp këtë koncept kriminal. E ka bërë, me një qartësi të paarritshme, V. Bljumi, në një artikull (Literaturnaja gazeta, nr. 6) kuptimi i së cilës është përmbyllur, me një saktësi të ndritshme, në një formulë të vetme:
çdo shkrimtar satirik në BRSS prek rendin sovjetik.
A mundem unë të ekzistojë në Bashkimin Sovjetik?

 

1) Termi “shok udhe” ishte përdorur për herë të parë nga Trocki në esenë Letërsia dhe revolucioni (1923). Me këtë emër ai kuptonte përfaqësuesit e një arti në tranzicion, “më pak ose më shumë të lidhur me revolucionin”, por jo pikërisht “art i revolucionit” dhe tregonte si shembull, ndërmjet të tjerëve, Eseninin, Pilnjakun, Vsevolod Ivanovin. Përgjithësisht, ky përkufizim, mjaft i gjerë në vetvete, u bë sinonim i “jokomunistit” në kundërvënie me “proletarin” që ishte në përkitje me “komunist”
Bulgakov, Letra drejtuar Stalinit, 55, Tiranë, 2006.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s