Home

Richard Pipes
Three “whys” of the Russian Revolution

Disa aspekte të revolucionit rus janë ende të rrethuara nga misteri, kjo pasi për më shumë se shtatëdhjetë vite autoritetet përgjegjëse i kanë mbajtur arkivat e mbyllur për studiuesit e huaj dhe për studiuesit e pavarur rus. Hyrja u lejohej vetëm specialistëve të miratuar nga Partia komuniste dhe që ishin të gatshëm të mbronin versionin e partisë për ngjarjet. Version që rrotullohej te pohimi se revolucioni ishte i pashmangshëm dhe po aq i pashmangshëm triumfi i bolshevikëve. Këto arkiva, me pak përjashtime (si psh. i ashtuquajturi Arkiv presidencial) tashmë janë hapur për të gjithë personat e interesuar, duke bërë të mundur për herë të parë realizimin e një tabloje politikisht të paanshme të ngjarjeve. Kam vizituar disa herë arkivat më të rëndësishëm, si Arkivin qendror të partisë të Institutit Marks-Engels-Lenin, tashmë emërtuar Qendra ruse për ruajtjen dhe studimin e dokumenteve të historisë bashkëkohore. Në këtë arkiv ruhen shkrimet origjinale të të gjitha figurave kryesore të asaj që njihej si lëvizja marksiste-leniniste dhe të organizatave që ishin të lidhura me të, si Internacionalja komuniste. Megjithëse nuk kam gjetur ndonjë gjë mbresëlënëse – në fund të fundit qëllimet e regjimit sovjetik, si të çdo qeverie tjetër, shfaqen në veprimet e veta – dokumentet që tani janë në dispozicion kanë hedhur dritë mbi shumë prej gjërave që lidheshin me mentalitetin dhe lidhjet personale të udhëheqësve të saj, gjëra këto që më herët trajtoheshin si sekret shtetëror.
Mbajtja mbyllur e arkivave nuk është e vetmja arsye për lindjen e shumë keqkuptimeve që lidhen me revolucionin rus. Shkaku kryesor është fakti që regjimi sovjetik deklaronte se legjitimiteti i tij politik rridhte nga historia dhe për këtë arsye e trajtonte historinë si një subjekt me prioritet të lartë politik. Megjithëse me fjalë shprehte ideale të përkryera demokratike, nuk ju nënshtrua kurrë votës popullore. Në të vërtetë, mori pjesë në zgjedhjet për Asamblenë kushtetuese, mbajtur në nëntor të 1917, por duke qenë se partia e Leninit, që në atë kohë ishte në pushtet, fitoi më pak se 1/4 e votave, Lenini urdhëroi shkrirjen e Asamblesë. Në vijim, në Shtetin sovjetik nuk u zhvilluan më asnjëherë zgjedhje, në kuptim serioz të fjalës. Komunistët pohonin se historia i kishte zgjedhur për të kryer kalimin madhështor nga një shoqëri e ndarë në klasa në një shoqëri pa klasa. Për këtë arsye, mënyra si prezantohej dhe mësohej historia moderne ruse, për ata kishte një rëndësi shumë herë më të madhe se sa mund të ketë për çdo shoqëri ku legjitimimi arrihet nëpërmjet mandatit popullor. E gjithë historia ruse, sidomos ajo moderne, ishte e mbizotëruar nga organet ideologjike të partisë, që prisnin fakte dhe interpretimet në mënyrë për ti përshtatur me linjën aktuale të partisë. Kështu, historia u kthye në një degë të propagandës. Literatura ruse kishte nuk lidhej fare me rrjedhën e vërtetë të ngjarjeve dhe pasqyronte vetëm atë që establishment-i donte që njerëzit të besonin se kishte ndodhur. Me kalimin e kohës, fidanët e gjysmë të vërtetave, çerek të vërtetave apo gënjeshtrave të pastra u rritën aq dendur sa historianëve të pavarur u duhet të çajnë rrugën njësoj si udhëtarëve në një pyll tropikal të pa eksploruar. Nuk duhet të habisë fakti që historia moderne ruse tërhiqte në BS vetëm pak njerëz të vlefshëm, dhe askënd me një vizion të gjerë, duke qenë se ishte një fushë ku mbizotëronte ekskluzivisht Partia komuniste.
Për fat të keq, duke nisur nga vitet ’60, shumë nga kjo mënyrë të menduari ka ndikuar dhe te studimet perëndimore, duke i dhënë jetë të ashtuquajturës shkollë “revizioniste”. Ndjekësit e kësaj shkolle në SHBA, Angli dhe Gjermani, për arsye të ndryshme intelektuale dhe personale, në mënyrë spontane i kanë bërë jehonë interpretimit të revolucionit rus që ishte i detyrueshëm në Bashkimin Sovjetik. “Revizionizmi” i tyre synonte zëvendësimin e zbulimeve të pavarura të studiuesve rus në emigracion dhe studentëve të tyre perëndimore të gjeneratës pararendëse, duke bërë të tyret, me pak ndryshime, temat dhe interpretimet e pseudo-studiuesve sovjetikë të periudhës post staliniste që mbizotëroheshin nga partia. Në disa raste, ata që përqafuan revizionizmin e bënë pasi arritën sinqerisht të dyshonin mbi saktësinë e qasjes tradicionale perëndimore që kishte theksin te politika. Të ndikuar pjesërisht nga marksizmi dhe pjesërisht të frymëzuar nga shkolla franceze e analeve, këmbëngulnin se historia duhet studiuar “nga poshtë”, ose në linjë me parakushtin se historia vihet në lëvizje nga konfliktet sociale. Të tjerë, që morën atë drejtim kishin motive vetjake shumë pak të admirueshme: përgjithësisht të pranoje versionin e autorizuar sovjetik u jepte mundësinë të vizitonin arkivat sovjetik dytësor dhe ju siguronte disa përparësi që Moska ishte në gjendje tu jepte. I rëndësishëm është dhe fakti që revizionizmi ka lindur në gjirin e jetës intelektuale moderne që shpërblen zbulimin dhe shpikjen. Studentët e rinj dhe ambiciozë kanë shtysën të hyjnë në mosmarrëveshje me profesorët e tyre – pasi nëse thjesht bien dakord me pararendësit e tyre si mund të bëhen dikush? Në këtë ambient, të thuash apo të bësh diçka të re shpërblehet më shumë se sa saktësia e qëndrimeve.
Të gjithë këta faktorë kanë luajtur rolin e tyre dhe unë nuk jam në gjendje të veçoj njërin si vendimtar. Fakti është se nëse studiuesit perëndimorë që kanë shkruar historinë e Rajhut të Tretë kanë qenë dhe vijojnë të jenë pa pikë dyshimi kundërshtarë të nazizmit, shumica e atyre që në tridhjetë vitet e fundit kanë shkruar për komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik, në shkallë të ndryshme, kanë qenë mirëkuptues ndaj tij. Kanë qenë të prirë për të nënvizuar rezultatet pozitive të Rusisë post revolucionare dhe për të shpjeguar dështimet e saj ose me trashëgiminë e carizmit ose me armiqësitë e jashtme, ose, nëse këto apo justifikime të tjera nuk ecnin, me vështirësitë që lidheshin me ndërtimin e një tipi plotësisht të ri shoqërie mbështetur mbi barazinë sociale dhe drejtësinë. Sipas meje, historianët gjermanë kundërshtojnë në mënyrë të veçantë kritikën ndaj të shkuarës komuniste dhe nxihen nëse sygjerohet çdo lloj paralelizmi ndërmjet nacionalsocializmit dhe komunizmit. Refuzimi i tyre energjik për të marrë në konsideratë lidhje të tilla, sulmi i tyre kundër kujtdo që vë në dukje këto lidhje, të shtysh të mendosh se ata kanë nevojë psikologjike për të veçuar veten nga nazizmi: dhe duke qenë se nazistët ishin antikomunistë, për ta antikomunizmi është i lidhur me nazizmin. Studiuesit anglofonë, që nuk kanë ndjesi faji lidhur me nazizmin, nëse nuk ushqejnë simpati për komunizmin, e kanë më pak të vështirë të trajtojnë drejtë argumentin.
Cilado qofshin arsyet, gjatë tre dekadave të fundit është vënë re një konvergjencë qasjesh mes historiografisë sovjetike dhe asaj perëndimore lidhur me revolucionin dhe pasojat e tij të menjëhershme. Këndvështrimi mbizotërues mes historianëve perëndimorë është se rënia e carizmit ashtu si dhe triumfi i bolshevizmit ishin të paracaktuara, ndërsa konsolidimi i Stalinit si pasardhës i Leninit ishte një lloj aksidenti. Pse u verifikua pikërisht ky aksident, nuk kanë arritur ende ta shpjegojnë.
Pika kyçe ku shkolla revizioniste ka sfiduar versionin tradicional lidhet me ngjarjet e tetorit 1917. Pyetja është nëse marrja e pushtetit nga bolshevikët ishte një revolucion i vërtetë apo një grusht shteti tipik: nëse bolshevikët arritën në pushtet të shtyrë nga vala e mbështetjes popullore, apo e morën pushtetin natën si hajdutë. Historianët perëndimorë – sidomos ata të brezave më të rinj – gjithmonë e më shumë kanë bërë të tyrin këndvështrimin sovjetik, sipas të cilit tetori 1917 ishte me të vërtetë një revolucion ku bolshevikët vepruan në përgjigje të presionit të masave. Teza ime është saktësisht e kundërta e asaj që parashtrojnë revizionistët, e cila në ditët tona pothuajse është kthyer në të detyrueshme në universitete perëndimore. Mbështes faktin që nuk pati gjë të paracaktuar as në rënien e carizmit dhe as në marrjen pushtetit nga ana e bolshevikëve. Në fakt, besoj se kjo e fundit ishte një lloj rast fati, por që, pasi ndodhi dhe makina totalitare u vu në punë, ngritja e Stalinit virtualisht u kthyen në një përfundim të pashmangshëm.
Shkaqet, që janë ato të cilat pyetja “pse?” i drejtohet, janë ana më e vështirë e zanatit të historianit, pasi funksionojnë në shumë nivele të ndryshme. Analogjinë e mëposhtme e kam përdorur dhe në të kaluarën, por meqenëse i përshtatet do t’a përdor për të ilustruar çka nënkuptoj. Nëse shkundim një pemë molle dhe frytet nisin të bien poshtë, cili është “shkaku” i rënies së mollëve? Është shkundja e pemës? Është pjekja e frutave që gjithsesi do i kishte rrëzuar, herët a vonë? Apo është ligji i rëndesës që i rrëzon objektet në tokë? Kur trajtojmë ngjarje njerëzore, gjejmë nivele shpjegimesh të ngjashme, nga më specifiku deri te më i përgjithshmi, dhe është pothuajse e pamundur të saktësosh cili ka përcaktuar rezultatin. Përgjithësisht, si në rastin e mollës, arrijmë në përfundimin se shkaqet veprojnë së bashku në tre nivele të veçanta: në longue durée, gjerësia e ndërmjetme dhe periudha afatshkurtër – në të cilën rastet aksidentale luajnë një rol kryesor.
Longue durée i referohet tendencave mbi të cilat as individët dhe as grupet nuk ushtrojnë kontroll; më shumë se ngjarje janë procese dhe lëvizin vetë shumë ngadalë. Rënia e Romës, për shembull, ishte një ngjarje që askush nuk mund ta parandalonte: dekadenca ishte rrënjosur në sistem, ndryshku u zgjerua ngadalë deri në rënien e sistemit. Më pas, kemi zhvillimet afatmesme ku individët, duke vepruar të vetëm apo në grup, shkaktojnë ndryshimin: më lejoni të citoj si shembull revolucionin amerikan dhe rendin kushtetues që pasoi. Në fund, kemi rastet aksidentale. Në prag të grushtit të shtetit bolshevik, natën e 24 tetorit 1917, Lenini doli nga vendstrehimi ku ishte fshehur që prej korrikut, për ti shpëtuar arrestimit nga policia. Po shkonte në Smolnyi, selia e komandës bolshevike, me fytyrën e fashuar si të ishte duke shkuar te dentisti. U ndalua nga një patrullë kalorësie. Kur i kërkuan dokumentet, Lenini u shtir si i dehur dhe kështu e lanë të ikte. Nëse do ta kishin arrestuar, grushti i shtetit bolshevik fare mirë mund të mos kishte ndodhur, pasi Lenini i ishte forca e tij drejtuese kryesore dhe i vetmi njeri që kishte një plan veprimi. Në të njëjtën mënyrë, nëse Fannie Kaplan – terroristja socialiste revolucionare që i shtiu Leninit në gushtin e vitit 1918 – të mos kishte vështirësi në shikim apo të kishte goditur me pistoletën e saj një milimetër më majtas a më djathtas, ai do të kishte vdekur dhe regjimi bolshevik, që ishte në krizë të thellë, me shumë gjasa do të ishte shembur. Përvoja ime pothuajse gjysmë shekullore në studime, konfirmuar nga dy vite punë në Uashington, më ka bindur se është pothuajse e kotë të kërkosh një shpjegim të vetëm për ngjarjet kryesore. Si një kirurg, historiani duhet të jetë i aftë të opërdorë me shkathtësi të gjitha llojet e pajisjeve nëse dëshiron të zbuloje shkaqet e ngjarjeve jo specifike. Çdo shpjegim me një zë, me siguri do të rezultojë i gabuar.
Nga ana psikologjike është normale të mendosh se çdo gjë që ndodh, duhet të ndodhte. Ky qëndrim shpeshherë kthehet në terma shkencor, nga ata që ndihen të lidhur me të, po në fakt mbështetet mbi një psikologji shumë parake. Për pjesën më të madhe të njerëzve është e vështirë të imagjinojnë që nuk ishte e nevojshme që ngjarjet të ndodhnin ashtu si ndodhën, pasi do i detyronte të përballeshin me pyetjen: «Nëse mund të ndodhte ndryshe, pse nuk ndodhi?» Ky qëndrim fatalist vlen për mënyrën si historianët revizionistë trajtojnë rënien e carizmit. Historianët e majtë u përpoqën shumë të tregonin se rënia e tij ishte e pashmangshme, dhe që do të binte edhe sikur Rusia të mos ishte përfshirë në Luftën e parë Botërore, por ky pohim është logjik vetëm pasi ndodhi. Do të ishte e bukur sikur këta historianë të mundeshin të parashikonin të ardhmen me të njëjtën saktësi që parashikojnë të shkuarën; pasi rastis që asnjë prej mbështetësit e pashmangshmërisë historike kur flitet për rënien e carizmit, të ketë qenë në gjendje të parashikojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Nëse lexohet shtypi rus dhe ai i huaj përpara 1917, apo dhe kujtimet e kohës, do të zbulohet që askush nuk priste që carizmi të binte. Përkundrazi, njerëzit besonin se carizmi do të mbijetonte edhe për shumë kohë. Një nga arsyet pse revolucionarët revolucionarë, madje dhe liberalët, në Rusi vepronin me shpërfillje aq të pakujdesshme ndaj regjimit qëndronte te bindja se ai ishte hipotetikisht i pa shkatërrueshëm. Carizmi a nuk i kishte rezistuar të gjitha sulmeve dhe krizave, madje kishte dalë i paprekur ? Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për revolucionin e 1905, që për një çast u duk se e vuri përpara regjimin. Megjithatë në harkun e dy viteve, në të cilat u bënë disa lëshime politike me Manifestin e tetorit, regjimi restauroi rendin dhe u rikthye të mbante fortë frerët. Mjafton të themi që edhe në janarin e vitit 1917, kur ishte ende emigrant në Zvicër, Lenini parashikonte që ai vetë dhe gjenerata e tij nuk do të mund të jetonin aq sa të shikonin një revolucion në Rusi. Këtë e thotë vetëm disa javë përpara rënies së carizmit. Nëse kishte njeri në Evropë që kishte kuptuar dobësinë e Rusisë cariste, ai ishte Lenini, e megjithatë as ai nuk kishte parashikuar fundin e afërt të regjimit, që ishte aq logjik sipas historianët revizionistë që i shohin ngjarjet ex post facto. Një tjetër element që provon se bashkëkohësit besonin në jetëgjatësinë e carizmit janë dhe të huajt, sidomos francezët por jo vetëm, që investuan shumë në Rusinë cariste gjatë fazës së saj përfundimtare. Miliarda dollarë u shpenzuan për obligacione dhe certifikata ruse, të cilat pothuajse plotësisht shkuan dëm gjatë 1918, kur bolshevikët nuk pranuan të njihnin borxhet e Shtetit dhe u shtetëzuan sipërmarrjet private.
Disa historianë që mbështesin pashmangshmërinë e rënies së carizmit, sjellin si provë për tezën e tyre numrin jashtëzakonisht të lartë të grevave në industri që u mbajtën në Rusi në prag të Luftës së Parë Botërore. Ky argument, gjithsesi, ngec në një vëzhgim serioz. Në fakt, ndërsa në Rusi pati një numër të pa precedent grevash, saktësisht i njëjti fenomen u pa dhe në Angli dhe SHBA. Në të dyja këto vende, në prag të gushtit 1914, u vu re një rritje e shpejtë e bllokimit të prodhimit industrial, e megjithatë në asnjë prej të dyve nuk pati revolucion. Veprimtari në industria rrallëherë ka motivim politik dhe prandaj, pothuajse gjithmonë, nuk është një sinonim i besueshëm i rënies së shpejtë të një regjimi. Grevat në Rusi ishin, pikësëpari, një shfaqje e forcës në rritje të organizatave punëtore. Deri në 1905, carizmi i kishte mbajtur të jashtëligjshme sindikatat dhe kishte shtypur me forcë grevat. Pas 1905-06, sindikatat u legalizuan, po ashtu edhe grevat. Që nga ai çast, bllokimet e prodhimit u verifikuan me një shpeshtësi në rritje, pasi organizatat punëtore luftonin për kushte pune dhe paga më të mira.
Faktori i veçuar më i rëndësishëm që ndihmonte stabilitetit – në çdo rast, për atë kohë – ishte se fshatrat rusë ishin në qetësi. Tre të katërtat e popullsisë së Perandorisë jetonte me bujqësi. Rusia e para 1914, kishte afërsisht 100 milionë fshatarë dhe vetëm 2 apo 3 milionë punëtorë, nga të cilët rreth një e treta ishin fshatarë që me sezone punonin në ndërtim apo mirëmbajtje hekurudhash, dhe për këtë nuk mund të cilësohen «punëtorë» në kuptimin e plotë. Nga këndvështrimi i policisë cariste, edhe pse kishte turbullira në gjirin e punëtorëve, për sa kohë fshatrat ishin të qetë – dhe të tillë ishin në prag dhe gjatë luftës, fal të korrave të bollshme dhe çmimeve të larta për prodhimet bujqësore – situata mund të quhej nën kontroll.
Kam treguar se nuk ishte e nevojshme që carizmi të binte. Tani, lind pyetja pse ra? Për t’u përgjigjur duhet të lirohemi nga nocioni marksist në bazë të së cilit ngjarjet historike përcaktohen nga konfliktet sociale – si shkruhet në Manifestin e partisë komuniste, që gjithë historia është histori e luftës së klasave. Kjo tezë, thjesht nuk mund të mbrohet. Sigurisht, historia njeh shumë raste të konflikteve klasore, por njeh edhe ngjarje që kanë shkaqe shumë të ndryshme: politike, ideologjike, fetare, dhe kështu me radhë. Si thashë më lart, çdo shpjegim me një zë i fenomeneve historike, si ajo marksiste, është i destinuar të jetë fals. Mund të mbrohet vetëm duke shpërfillur ngjarjet që nuk përshtaten me interpretimin klasor apo duke i detyruar të shtrihen, deri sa të përshtaten, në shtratin prokustian të determinizmit ekonomik. Më lejoni t’ju kujtoj revolucionin rus të gushtit 1991. Rënia e Bashkimit Sovjetik, një shtet që dukej po aq solid sa dhe perandoria cariste, nuk erdhi si pasojë e turbullirave sociale: nuk pati një valë grevash, as manifestime masive, as një dhunë të përhapur. BRSS-ja u shpërbë si pasojë e vendimeve politike të marra lartë. Nuk habitem që historianët revizionistë që shohin si shkak të rënies së carizmit turbullirat e pretenduara sociale, nuk aplikojnë të njëjtën metodë për rënien e Bashkimit Sovjetik: nëse do e bënin, do gjendeshin përballë një boshllëku. E kjo do të rrëzonte të gjithë rindërtimin e fakteve të 1917.
Në të dyja rastet – rënia e carizmit në mars të 1917 dhe rënia e Bashkimit Sovjetik në gusht të 1991 – bota u gjend e papërgatitur. Me vetëm një përjashtim, nuk di asnjë perëndimor që të kishte parashikuar rënien e dytë. Përjashtimi i vetëm ishte gazetari anglez Bernard Levin, që në 1979 parashikoi se muri i Berlinit do të binte në harkun e dhjetë viteve. Ai, me të drejtë, është krenar për këtë parashikim. Por duke qenë se nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet pse do të ndodhte, apo në retrospektivë të arsyeve pse ndodhi, dyshoj se ishte një çështje fati.
Jam shumë skeptik rreth gjithë qasjes të socializmit marksist ndaj historisë, në mënyrë të veçantë revolucionare, pasi mendoj se kur të ashtuquajtura masa janë të pakënaqura, frymëzohen nga kërkesa të caktuara të cilat mund të plotësohen në kuadër të regjimit ekzistues. Vetëm intelektualët kanë kërkesa universale: vetëm ata besojnë se asgjë nuk mund të ndryshojë nëse nuk ndryshon çdo gjë. Kjo nuk vlen për popullin në përgjithësi, qofshin fshatarë apo punëtorë. Në pranverën e 1905, monarkia ruse ftoi popullatën të paraqiste ankesat për qeverinë. Qindra cahiers të tillë u dërguan. Sipas një analize të kryer së fundmi, askush nuk kërkonte një ndryshim radikal të regjimit, thënë ndryshe rrëzimin e monarkisë. Fshatarët kërkonin taksa më të ulëta dhe më shumë tokë; punëtorët kërkonin ditën e punës tetë orëshe dhe të drejtën e organizimit; pakicat etnike kërkonin një autonomi më të gjerë. Të gjitha këto kërkesa fare mirë mund të plotësoheshin në kuadër të regjimit ekzistues, nëse qeveritarët do të gjenin kurajën dhe intelligencija do të kishte logjikën e mirë për të ndihmuar në këtë proces.
Studiuesit e revolucioneve kanë vënë re se, zakonisht, ankesat e njerëzve shohin mbrapa dhe jo para. Në vend të kërkojnë të drejta të reja, njerëzit ankohen se padrejtësisht janë privuar nga ato të vjetrat, të vërteta apo të imagjinuara qofshin. Kjo vlente dhe për Rusinë, sidomos për sa i përket tokës, çështja sociale e veçuar më eksplozive. Fshatarët besonin me bindje se zoti kishte krijuar tokën, ashtu si kishte krijuar ajrin dhe ujin, për të mirën e të gjithëve. Mund të përdoreshin por jo të zotëroheshin. Donin ndalimin e pronës private mbi tokën, jo si një akt revolucionar që do të hapte rrugën për socializmin (ashtu si pandehnin gabimisht shumë revolucionarë), por si një rikthim në traditë, te një rend që besonin se kishte ekzistuar në kohë të lashta. Në studiues i Rusisë shkruante se muzhiku (fshatari) nuk mund ta perceptonte një ndryshim regjimi më shumë se një ndryshim klimatik: për atë, cari dhe çdo gjë që lidhej me të, ishte fakt.
Ishin intelektualët radikalë që kanalizuan qëllimisht pakënaqësitë specifike të popullatës në përgjithësi drejt një refuzimi të plotë të sistemit politik dhe social. Kjo ishte taktika e Lidhjes së lidhjeve (mbizotëruar nga liberalët) në 1905, kur zhvilloi strategjinë që u kërkonte secilës për organizatave të shumta profesionale dhe sindikale që ishin të lidhura me të, të politizonin kërkesat e tyre. Kështu, për shembull, një sindikatë kërkonte ulje të orëve të punës apo paga më të larta, intelektualët e Lidhjes së lidhjeve pohonte me siguri se këto objektiva të kufizuar nuk mund të arriheshin nëse i gjithë sistemi politik i vendit nuk shkatërrohej, nëse monarkia absolute nuk zëvendësohej nga një demokraci parlamentare dhe një kushtetutë. Punëtorët nuk mund të ishin më pak të interesuar për një parlament apo kushtetutë, por kjo kërkesë shtohej në peticionet e tyre nga intelektualët liberalë. Kjo ishte saktësisht ajo që ndodhi në kortezhin e famshëm të të ashtuquajturës e diela e përgjakur, në 9 janar 1905, që përfundoi ma masakër dhe shpërthimin e revolucionit të parë rus.
Përpara se të kaloj te intelligencija, më lejoni të flas për dobësinë e madhe të shteti carist, që e nxirrte zbuluar kundrejt sulmeve që ju bënë gjatë vetive të para të shekullit [të kaluar] dhe që ndikuan shumë në rënien e tij. Kur studiohet historia ruse nga këndvështrimi i privilegjuar i historisë evropiane, kuptohet se, që prej themelimit, shteti rus është diktuar nga lartë dhe nuk ka dalë nga poshtë. Popullsia ishte thjesht një objekt për autoritetin shtetëror. Nga ky aspekt, Rusia ishte shumë lindore. Perandoria historikisht është qeverisur nga burokracia dhe fisnikëria, e përforcuar pas 1880 nga një organizëm i policisë politike. Kjo polici politike ishte një shpikje ruse; Rusia ishte vendi i parë që kishte dy sisteme policore, një për të mbrojtur Shtetin nga shtetasit e vet, dhe tjetri për të mbrojtur shtetasit nga njëri-tjetri. Në vijim, kjo strukturë dualiste do të bëhej një karakteristikë thelbësore e shteteve totalitarë.
Duke studiuar historinë ruse nga këndvështrimi i Evropës perëndimore, kuptohet edhe efekti që ka pasur në Rusi mungesa e feudalizmit. Në Perëndim feudalizmi kishte krijuar një rrjet institucionesh politike dhe ekonomike që i shërbyen shtetit qendror, pasi sistemi feudal u zëvendësua si burim mbështetjeje sociale dhe stabiliteti relativ. Rusia nuk njohu feudalizëm, në kuptimin tradicional të fjalës, pasi që me daljen e Principatit moskovit në shek. XVI, të gjithë pronarët e tokave ishin mëkëmbës të Kurorës dhe nënlidhjet feudale nuk njiheshin. Si rezultat i kësaj, i gjithë pushteti ishte i përqendruar te Kurora. Lidhjet e autoritetit ishin nga lartë poshtë; pothuajse nuk kishte lidhje anësore. Fakti që fijet ishin të përqendruara në duart e Kurorës dhe stafit të saj, donte të thoshte se në rast kohë krizash shteti shpërbëhej menjëherë: pasi sapo monarkia të binte, këto fije do të këputeshin dhe nuk do të mbetej asgjë që mund ta mbante vendin.
Kjo ndodhi në 1917, dhe përsëri në 1991. Kur, gjatë mosmarrëveshjeve në gjirin e organeve drejtuese të partisë, frerët e mbajtura vetëm nga Politbyroja dhe Komiteti Qendror u këputën, Rusia u shkërmoq, pothuajse në çast njësoj si carizmi shtatëdhjetë e kateve vite më herët.
Është e habitshme shpejtësia me të cilën u ringrit politikisht Gjermania pas humbjes së 1981. Kajzeri ishte arratisur në Holandë, gjithandej mbinin sovjetët; e megjithatë, në harkun e tre apo katër muajve, u zgjodh në Asamble kombëtare dhe u krijua një qeveri demokratike. Kjo gjë nuk ndodhi në Rusi; pasi ndërsa në shoqërinë gjermane forcat “e bazës” përparuan për të zënë boshllëkun e përkohshëm; në Rusi, kur nuk pati më asgjë në majë, nuk kishte më gjë as në bazë. Vetëm një tjetër regjim autoritar, i vendosur nga lartë, mund të restauronte një shëmbëlltyrë rendi.
Kështu, rreth 1900, kemi një shtet të strukturuar mekanikisht më shumë se sa organikisht, që nuk i lejon popullsisë të ketë zë në qeverisja, e që njëkohësisht pretendon statusin e fuqisë botërore. Kjo aspiratë e shtyn të promovojë zhvillimin e industrisë dhe të arsimit të lartë, që kanë efektin e pashmangshëm të zhvendosjes të shumë nga peshës dhe forcës vendimmarrëse te shtetasit privatë. Carizmi i paa 1905 vuante nga kontradikta të thelle. Një segment i papërfillshëm i popullsisë merrte një edukim shkollor dytësor apo të lartë, duke fituar kështu gjatë këtij procesi qëndrime perëndimore, e që megjithatë trajtohej si të ishte në të njëjtin nivel me fshatarët analfabetë, pra si e papërshtatshme për tu bërë pjesë e punëve të shtetit. Sipërmarrësit kapitalistë dhe bankierët merrnin vendime të rëndësisë më të lartë, vendime që preknin ekonominë dhe punësimin e vendit, e prapë se prapë nuk kishin zë për politikën e atij vendi, kjo pasi politika ishte monopol i burokracisë. Mund t’ju kujtoja se në Rusinë perandorake (ashtu mutatis mutandis në Rusinë sovjetike) duhej një gradë zyrtare, apo cin për marrë pjesë në qeverisje. Kjo metodë përjashtonte pjesëmarrjen e civilëve në administratë, gjë që është e zakonshme në demokracitë perëndimore, duke lënë të gjithë sferën e politikës në duart e zyrtarëve të karrierës. Këta zyrtarë kryenin një betim besnikërie ndaj personit të carit dhe ndaj kombit apo shtetit dhe quanin veten si administratorë të mbretit e jo funksionarë publik.
Rezultati qe krijimi i një situate që Marksi, e kishte parashikuar drejtë, ku forma politike –në këtë rast shumë e centralizuar dhe statike – nuk korrespondonte më me përmbajtjen social ekonomike – gjithmonë më të shtrirë dhe dinamike. Një situatë e tillë nga vetë natyra ka një ngarkesë potencialisht shpërthyese. Në 1982, kur punoja për Këshillin e sigurisë kombëtare, mu kërkua të bashkëpunoja për një shkrim të rëndësishëm që presidenti Reagan kishte programuar të mbante në Londër. Kontributi im ishte një referim i shprehjes së Marksit, sipas të cilës aty ku lind një hendek jo i vogël mes formës politike dhe përmbajtjes social-ekonomike, perspektiva është revolucioni. Por ky hendek kishte lindur në Bashkimin Sovjetik dhe jo në Perëndimin kapitalist. Presidenti Reagan e futi këtë mendimin në fjalimin e tij dhe reagimi në Moskë ishte i furishëm: kjo, sigurisht, ishte një gjuhë që e kuptonin mirë dhe e interpretonin si një deklaratë lufte politike kundër bllokut komunist. Inati i tyre rritej edhe më nga vetëdija se pohimi ishte i saktë, që po qeverisnin në një mënyrë që nuk i përgjigjej më as nivelit ekonomik dhe as atij politik të popullsisë së tyre.
Një diskutim analog vlen edhe për Rusinë e përpara revolucionit. Në tetor 1905, pas humbjeve në luftën kundër Japonisë dhe trazirave që pasuan dhe u përhapën në të gjithë vendin, qeveria cariste u detyrua të bënte disa lëshime, si një miratimi i një kushtetute dhe qeverie. Ky, natyrisht, ishte një hap në drejtimin e duhur që zvogëlonte distancën e madhe krijuar mes politikës dhe përmbajtjes social-ekonomike, veçse kulturore. Por, për arsye të ndryshme, reformat e 1905 dhe 1906 shumë shpejt u zbehën. Kurora, e shtyrë dhe nga grupe reaksionare, nuk i respektoi lëshimet e bëra, duke qenë se dhe i ishin marrë me forcë, ndërsa intelligencija liberale dhe radikale, duke i cilësuar si një paradhomë për demokracinë e vërtetë, refuzonte të vepronte në kufijtë e këtyre reformave. Kështu që çdo protagonist, sipas rolit përkatës, sabotonte rendin kushtetues të 1905-06 dhe tensionet tejçoheshin. Kjo nuk do të thotë se Rusia vlonte nga zelli revolucionar. Nuk gjej prova për këtë. Ajo çka gjej janë ankesa specifike, të cilat gjenden, në shkallë të ndryshme, në çdo shoqëri, por që në rastin e Rusisë kanalizohen në mënyrë të papërshtatshme për gjetjen e një zgjidhjeje. Në demokracitë e arrira, kur akumulohen zgjidhjen e gjejnë me revolucionet e qeta që quhen “zgjedhje”. Në zgjedhjet e nëntorit 1994 për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, zgjedhësit dhanë një shprehën qartë pakënaqësinë duke shkaktuar humbjen e çdo kandidati të Partisë demokratike, që në atë kohë ishte në qeveri. Për pasojë, ndryshoi përbërja e Kongresit dhe pati një ndryshim shumë të shpejtë të sjelljes së Shtëpisë së Bardhë demokrate. Por në Rusinë carisite nuk ekzistonte kjo mundësi. Pakënaqësitë shtoheshin dhe në dimrin 1916-17 ndjenjat e popullsisë urbane, e munduar nga inflacioni dhe varfëria, ishin të acaruara.
Në fund, dua t’ju tërheq vëmendjen mbi problemin e fshatarësisë, që qëndronte si një re e zezë mbi Rusinë sidomos pas heqjes së bujkrobërisë më 1861, dhe që qeveria sovjetike “e zgjidhi” duke eliminuar tokat e përbashkëta dhe duke vrarë miliona fshatarë. E kam fjalën për mos pranimin nga ana e muzhikut rus të njohjes së pronës private mbi tokën. Kjo është një sjellje para moderne, e përbashkët për shumë popuj parak. Në rastin e Rusisë, ky qëndrim i kishte rrënjët në një lloj kujtese kolektive mbi një epokë të artë, kur toka ishte në dispozicion për këdo që i nevojitej, kjo pasi numri i popullsisë ishte i ulët dhe e shpërndarë një territor të pamat. Në kapërcyell të shekullit XX, pjesa më e madhe e rusëve, të arsimuar ose jo, mendonin se nëse do të hiqej pronësia private mbi tokën, do të kishte tokë për mjaftueshme për të gjithë ata që do të donin ta kultivonin. Në të vërtetë, nuk kishte mjaftueshëm. Popullsia po rritej me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, me një raport që shkonte nga 15 deri në 18 /1000 mes lindjeve të gjalla dhe vdekjeve. Kryeministri Peter Stolypin përllogariti se sa hektarë tokë do duheshin çdo vit për të ushqyer këtë popullsi të re dhe arriti në përfundimin se nuk do të mundte kurrë ta siguronte, as duke sekuestruar të gjithë tokën. E vetmja zgjidhje për mbipopullimin do të ishte një rritje e prodhueshmërisë për hektarë dhe industrializimi. Por, nuk kishin në dispozicion shumat e nevojshme për një përmirësim të ndjeshëm, ndërsa industria, megjithëse në ekspansion nuk po rritej me shpejtësi të mjaftueshme për të punësuar tepricën e punëtorëve të bujqësisë. Pasojat ishin një gjendje shpërthyese që programet e Stolypin-it, si riorganizimi dhe kalimi i pronave shtetërore te fshatarët, do të kishin mundur ta qetësonin disi, nëse do të kishte pasur kohë të mjaftueshme dhe nëse intelektualët radikalë nuk do t’i kishin shtyrë fshatarët të merrnin situatën në duart e tyre.
Pra, në fazat e fundit të Rusisë perandorake kishte tensione serioze, shkaktuar si ngurrimi i carizmit për të kryer ndryshime demokratike ashtu si dhe nga klima e gjatë, potencialisht shpërthyese, e fshatrave rusë që nuk mund të siguronin tokë të mjaftueshme për të punësuar të gjithë banorët e tyre. Por faktori me të vërtetë delikat, faktori që transformoi ankesat specifike në një mohim të plotë të rendit publik, ekonomik dhe social ekzistues, ishte intelligencija. Intelligencija ruse, qoftë ajo radikale apo liberale, e tejngopur me idealet utopike që kishte përvetësuar nga burimet letrare perëndimore dhe që nuk kishte pasur mundësi ti provonte në praktikë, qëndronte shumë më majtas se homologia e vet perëndimore. Njerëzit që arrijnë në pushtet me plane të mëdha reformash përgjithësisht shumë shpjet kuptojnë, nëse janë në gjendje ti testojnë në praktikë këto plane, se zakone të ngulitura dhe interesa ekzistuese luajnë rolin e kufizuesit të planeve të tyre. Për shembull, administrata Klinton që erdhi në detyrë me ide disi radikale, të lindura në atmosferën dehëse të viteve ’60, e mësoi shumë shpjete se idetë që në letër duken të mira, nuk ka rëndësi sa fisnike janë qëllimet, mund të jenë pothuajse të pamundura për t’u realizuar në praktikë. Por, nëse disa aspirantë reformator, ambiciozë, nuk kanë mundësi të mësojnë nga përvojat, jo vetëm që bëjnë të tyret idealet utopike por lidhen gjithmonë e më shumë në mënyrë fanatike me to, të bindur se vendosmëri dhe forcë e mjaftueshme do të jenë në gjendje ti bëjnë të funksionojnë.
Radikalët rusë, deri diku të mbështetur dhe nga liberalët, kundërshtonin reformat pasi druheshin se do të pengonin revolucionin, që ishte objektivi i tyre final. Në 1906-07 u bënë disa përpjekje që liberalët të bëheshin pjesë e këshillit të ministrave: në të gjitha rastet nuk pranuan nga frika se mos komprometoheshin. Intelligencija radikale i bënte thirrje popullit që të pengonte në çdo mënyrë qeverinë dhe të mos mbante raporte me të. Kur qeveria nuk bënte gjë, intelligencija e akuzonte për pasivitet; kur bënte lëshime ndjenin se burokratët po tërhiqeshin.
Kështu, kur liberalët fituan zgjedhjet për Dumën e parë në 1906, menjëherë vendosën se Kushtetuta e re ishte krejtësisht e papërshtatshme dhe se ajo që i nevojitej vendit ishte një Asamble kushtetuese që do të duhej të shpallte republikën ruse. Kjo sjellje shkaktoi konflikte pafund të atë që ishte i pari trup legjislativ përfaqësues në Rusi. Thjesht nuk kishte asnjë mundësi që të mund të arrihej çdo lloj kompromisi. Në vijim, qeveria cariste u përpoq të pajtohej me opozitën duke i lënë në dorë, jo ligjërisht por faktikisht, Dumën dhe duke i dhënë fuqinë të miratonte jo formalisht emërimet në ministri. U ndesh me refuzime. Intelligencija çdo lëvizje pajtuese të qeverisë e cilësonte si shenjë dobësie dhe mundësi për të parashtruar kërkesa të tjera.
Këto janë faktorëve afatgjatë dhe afatmesëm që shpjegojnë rënien e carizimit. Tani më lejoni të përqendrohem te faktorët afatshkurtër. Shumë prej tyre lidhen me Luftën e Parë Botërore. Siç e dimë, lufta i detyroi palët ndërluftuese të kryenin sforcime të jashtëzakonshme. Përgjithësisht të gjithë kishin parashikuar se lufta do të vendosej brenda tre apo, maksimumi, gjashtë muajsh, por zgjati më shumë se katër vite. Tensioneve të paprecedent që shkaktoi i mbijetuan vetëm ato vende që u treguan të afta të formonin qeveri uniteti kombëtare dhe ku autoritetet shtetërore dhe politike, të të gjitha bindjeve, lanë mënjanë mospërputhjet përkatëse dhe bashkuan forcat për të punuar për fitoren. Në Rusi, ky lloj bashkëpunimi thjesht nuk ishte i mundur; aty dyshimet reciproke ishin shumë të forta. Qeveria druhej se çdo lëshim që i bëhej intelligencija-s gjatë luftës – si për shembull, e drejta e Dumës për të emëruar formalisht ministrat – pas lufte do u jepte intelektualëve fuqinë të kërkonin drejtimin e qeverisë dhe ta katandisnin Kurorën në funksione thjesht formale. Nga ana e tyre, intelektualët, çdo fitore qoftë ushtarake apo politike të qeverisë e shikonin si forcim të monarkisë dhe burokracisë së saj dhe si të tilla pengonin të ardhmen e demokracisë dhe socializmit. Në Rusi, ndjenjat e unitetit kombëtar, edhe pse thirrjet për patriotizëm kishin shumë efekt, ishin pak të zhvilluara. Bënin përjashtim vetëm fraksione të shkurtra kohe, sidomos nën ndikimin e ksenofobisë.
Nuk di të ketë pasur vend tjetër ndërluftues në Evropë ku tensionet mes qeverisë dhe shoqërisë së arsimuar të ishin aq të larta sa në Rusi, ku dy forcat që kishin në duar fatet e kombit, në vend të bashkëpunonin, hakmerreshin pa pushim me njëra tjetrën. Kjo përplasje në kohë lufte, sidomos gjatë një lufte llogoresh, sigurisht që ishte fatale. Në qeverinë ruse kishte njerëz që pohonin se armiku i vërtetë nuk ishin gjermanët apo austriakët, por liberalët dhe radikalët rusë. Kishte socialistë dhe liberalë – mes tyre dhe deputeti i Dumës Alexander Kerenskij – që shpreheshin se armiku i vërtetë nuk ishin gjermanët apo austriakët, por burokratët caristë. Kur lexon ato fjalime të papërgjegjshme, mbajtur në Dumë gjatë 1915-16, nën imunitetin parlamentar dhe në zjarrin e luftës, nuk mund veçse të habitesh që Rusia qëndroi në këmbë për aq kohë. Besoj se armiqësia e pashtershme mes qeverisë dhe opozitës politike është shkaku më afërt thelbësor për rënien e regjimit. Qeveria, e mundur, bënte lëshime mbi lëshime, e megjithatë nuk ishin të mjaftueshme pasi liberalët dhe radikalët mbrehnin armët për goditjen e mëshirës.
Një tjetër faktor që lidhet ishte dhe përshtypja e përhapur për tradhti të sferave të larta. Ushtria ruse në 1915 kishte pësuar nga gjermanët një humbje poshtëruese, u detyrua të lëshonte Poloninë, Galicinë e sapo pushtuar dhe shumë territore të tjera përgjatë bregut baltik – të gjitha zona shumë të pasura dhe të populluar. Për rusët ishte e vështirë të pranonin se ishin mundur nga forca superiore në një betejë të ndershme; humbja me patjetër duhet të ishte shkaktuar nga tradhtia. Për fat të keq, bashkëshortja e cari ishte gjermane – një grua shumë patriote, e përkushtuar ndaj Rusisë, e megjithatë gjerësisht cilësohej si spiune që i kalonte vendlindjes sekretet ushtarake të atdheut të ri dhe se konspironte për të arritur një paqe të ndarë. Dyshimet për tradhti te sferat e larta u shtuan dhe nga emërimi, nga fundi i 1916, i një kryeministri rus por me emër gjerman, Boris Stürmer. Kemi në dispozicion raportet e policisë së asaj kohe ku përmblidhen letrat e dërguar nga ushtarët në front për familjet e tyre, janë të plot me zëra të tillë. Të gjitha akuzat që u drejtoheshin carinës apo kryeministrit ishin të pabaza; në fakt ishin një rrjet gënjeshtrash ngritur nga politikanë të gatshëm për të përdorur çdo mjet për të vënë në vështirësi qeverinë. Ndjenjat ndaj qeverisë krijuan një aleancë të padëgjuar ndërmjet radikalëve dhe liberalëve, që e urrenin parimisht, dhe nacionalistëve konservator që shtyheshin nga shqetësimi për një tradhti të mundshme. Ky koalicion e la qeverinë pa miq e pa mbrojtje.
Është gabim që revolucionin e shkurtit t’ja veshësh lodhjes nga lufta. E kundërta është e vërtetë. Rusën donin të vazhdonin luftën me më efikasitet, dhe ndjenin se qeveria në fuqi nuk ishte e aftë ta bënte këtë gjë, që strukturat politike ekzistuese kishin nevojë për një rishikim të thellë: të hiqnin carinën jo besnike dhe ti jepnin Dumës të drejtën të emëronte ministrat, e pas këtyre Rusia do ishte vërtetë në gjendje të luftonte si duhet dhe të fitonte. Lodhja nga lufta u shfaq vetëm pas ofensivës së pasuksesshme në qershor 1917, që u lëshua nga qeveria e përkohshme për të rritur prestigjin e saj dhe për të ngritur moralin e kombit. Deri në atë moment, as bolshevikët nuk guxonin të flisnin hapur për paqe, pasi ishte një slogan tmerrësisht jo popullor.
Cari, natyrisht, që do të kishte mundur ta shpëtonte fronin, nëse ky do të ishte qëllimi i tij më i lartë. Do i mjaftonte të nënshkruante një paqe të ndarë, saktësisht si do të bënte Lenini në mars 1918. Nëse do të kishte arritur paqen me gjermanët dhe austriakët – do i gjente plotësisht të gatshëm pasi të dyja fuqitë shpresonin të mbyllnin luftimet në frontin lindor për të mundur të përqendroheshin në atë perëndimor – Lufta e Parë Botërore mund të kishte përfunduar në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Nëse do të kishte bërë këtë, po themi aty nga fundi i 1916, duke kthyer në shtëpi miliona ushtarë të aftë për të shtypur trazirat e brendshme, gjermanët fare mirë do të mund të shpartallonin aleatët në Francë dhe Belgjikë, dhe revolucioni do të ishte mënjanuar. Por duke qenë një patriot rus, i përkushtuar dhe një aleat besnik, as nuk e shkoi ndër mend një veprim të tillë. Dhe kur gjeneralët i thanë se armiqësia ndaj tij dhe bashkëshortes së tij kishin arritur një nivel të atillë sa që për të mbajtur Rusinë në luftë do të duhej të abdikonte, ai abdikoi. E hodhi këtë hap për patriotizëm të pastër. Duke qenë se kam studiuar me imtësi masën e informacionit të lidhet me hapat që çuan në abdikimin e Nikollës II, nuk kam fije dyshimi rreth faktit që ai nuk pati presione popullore për të abdikuar; presionet vinin vetëm nga radhët e politikanëve dhe gjeneralëve që mendonin se për të arritur fitoren ishte thelbësore largimi i tij nga Kurora. Fakti që abdikimi pati efekt krejtësisht të kundërt nga ai i shpresuari, nuk do të thotë gjë lidhur me motivet që e shtynë.
Nuk pretendoj të kem përmendur të gjithë faktorët përgjegjës për rënien e carizimit. Pati dhe të tjerë, disa po i rendis shpejt. Vlen të përmendet humbja e prestigjit të qeverisë cariste për shkak të një vargu poshtërimesh ushtarake dhe diplomatike që pësoi Rusia duke nisur që nga Lufta e Krimesë. Në shekullin XVIII dhe në gjysmën e parë të XIX Rusia kalonte nga fitorja në fitore; pastaj krejt pa pritur, me shpërthimin e luftës në Krime, filloi të pësonte humbje pas humbjesh. Kjo ndikoi për keq në qëndrimin popullor ndaj regjimit. Duke qenë se përgjithësisht mbështetej te forca, nëse carizmi nuk ishte në gjendje të mposhte fuqitë e huaja, atëherë me siguri kishte diçka që nuk shkonte me të. Humbja në Poloni, më 1915, për shumë rusë ishte pika e fundit. Për ta ishte prova përfundimtare që carizmi, ose të paktën cari në fron, ishte i paaftë të kryente misionin e tij më të lartë, që ishte zgjerimi i territoreve të Rusisë dhe mbrojtja nga armiqtë e jashtëm. Kush e di? Ndoshta një ditë, kur të hapen të gjitha arkivat, do të mësojmë se humbjet e Ushtrisë së Kuqe në Afganistan luajtën një roj të ngjashëm në rënien e komunizmit.
Ndërprerja e transporteve gjatë luftës ndikoi në rritjen e pakënaqësisë së popullsisë së qyteteve, pasi pengonte furnizimin me ushqim dhe lëndë djegëse për qytetet e veriut, ku nisën dhe demonstratat e bukës. Në qytete dhe inflacioni pati rolin e vet.

 

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s