Home

Ngjarjet e korrikut ishin goditja më e madhe dhe më e drejtpërdrejtë e rinisë shqiptare kundër regjimit komunist. Ato tronditën thellë raportet e imagjinuara të besimit reciprok mes qytetarëve shqiptare dhe udhëheqjes së tyre mesjetare. Përballë presionit të dyanshëm, nga brenda dhe nga jashtë vendit, R. Alia mori masat e para të ndryshimeve në Byronë Politike dhe në nivele të tjera drejtuese të PPSH-së dhe sigurimit të shtetit. Pas një mbledhjeje të shpejtë të KQ të PPSH-së, më 8 korrik 1990 Alia nxori në pension M. Myftiun, P. Murrën dhe R. Markon, tre nga eksponentët e përhershëm konservatorë të regjimit komunist. Por, ndërsa çdo shqiptar e përshëndeti largimin e tyre, Ali ndërmori hapin e dytë ndryshues.
Me propozimin e tij, vendet vakante të 65 vjeçarëve Marko e Myftiu në Byronë Politike do t’i zinin Kiço Mustaqi e Xhelil Gjoni, dy nga njerëzit më prepotentë dhe eksponentë kryesorë të tentativave për grusht shteti në shkurtin e vitit 1991. Mustaqi dhe sidomos Gjoni në historinë shqiptare të viteve ’90, i përkisnin rrymës më primitive, barbare dhe antinjerëzore. Që në prezantimin e parë publik Xh. Gjoni mori pozitat e njeriut që do të shtypte me gjak çdo pakënaqësi dhe protestë. Për të u bënë refren kërcënimet dhe përbetimet për të përfshirë si element drejtimi mbi popullin e hutuar, ligjin e vdekjes. Duke e ditur dhe duke i vlerësuar pikërisht këto “merita” dhe “aftësi”, R. Alia avancoi më tej agresivitetin e regjimit kur emëroi Xh. Gjonin si pasardhës të tij në Sekretariatin e KQ të PPSH-së dhe Sekretar i Parë të PPSH-së për Tiranën. Ky është hapi dhe momenti historik që përfundimisht e përjashtoi R. Alinë nga shansi për të kontribuuar në zhvillimet pozitive të reformave demokratike në vend. Me këto masa, Alia përfundimisht e rreshtoi veten në krye të humbësve të mëdhenj të tranzicionit shqiptar.
Për të gjithë ata qytetarë, sidomos intelektualë që ende shpresonin dhe besonin tek “reformimi” i R. Alisë, 8 korriku ishte konfirmimi i një zhgënjimi të jashtëzakonshëm. Në pleniumin e 8 korrikut, Alia dhe PPSH përfundimisht iu treguan shqiptarëve dhe botës se nuk kishin ndërmend të rinovoheshin, të ecte drejt reformave demokratike apo të lejonin zhvillimin e tyre. Justifikimet, deklaratat publike dhe demagogjia politike e Alisë se: “kam qenë i vendosur në rrugën e reformave, por më ka munguar thuajse fare mbështetja e bashkëpunëtorëve”, janë vërtetuar si një alibi dhe lojë fjalësh të pavlera. Tentativat e përsëritura të R. Alisë për të akuzuar si pengues të reformave të tij politike, ish bashkëpunëtorët e vet kryesorë dhe kolegët e Byrosë Politike, ngjajnë egoiste dhe të pabesueshme. Duke analizuar zhvillimet politike brenda vitit 1990 dhe deri në mars 1991 nuk është e vështirë të kuptohet se ka vetëm një padron, vetëm një zë që urdhëron dhe dirigjon, vetëm një lider dhe një komandat; ai është Ramiz Alia. Në çdo intervistë të drejtuesve të ushtrisë, policisë, sigurimit, ekonomisë dhe drejtësisë dhe madje edhe të vetë vejushës N. Hoxha apo diktatorit tjetër H. Lleshi, Ramiz Alia citohej vend e pa vend dhe flitet për besnikëri deri në vdekje ndaj tij dhe urdhrave të “komandantit të përgjithshëm”.
Lehtësia me të cilën R. Alia e komandonte regjimin ishte arsyeja themelore që në mesin e vitit 1990 pa asnjë vështirësi t’i mbushte mendjen Rita Markos, Pilo Pelisterit, Prokop Murrës, Pali Miskës, Manush Myftiut, Aranit Çelës, Zylyftar Ramizit, Foto Çamit, Simon Stefanit, Muho Asllanit të dilnin në pension. Alia nuk e pati fare të veshtie ta dërgonte Lenka Çukon nga numri tre i partisë-shtet, një sekretare partie në Fier, apo ta merrte nga fshtarat e Krujës Xhelil Gjonin për ta emëruar zëvendës dhe pasardhës të tij. Alia nuk djersiti shumë për të larguar nga vija e parë drejtuese e regjimit, një grup servilësh injorantë që ai quante “konservatorë”, por problemi themelor është se, Alia nuk ishte aspak më liberal se konservatorët dhe si tillë, nuk kishte ndërmend për të ndryshuar.
Kjo e vërtetë e zakonshme e Alisë, duket lehtësisht në “reformimin” që ai bëri brenda gjashtë muajve të fundit të 1990. Largoi plakun M. Myftiu dhe afroi krushkun e vet Xh. Gjonin, largoi Z. Ramizin dhe afroi K. Mustaqin, largoi H. Çelikun dhe afroi G. Ruçin, largoi nga drejtimi i Frontit Demokratik N. Hoxhën dhe zgjodhi A. Çarçanin, largoi S. Deden dhe afroi dhëndrin e diktatorit B. Kolonecin. Në dhjetor 1990, Alia largoi nga partia kritikuesit liberal të regjimit dhe kaoptoi në KQ të PPSH-së F. Nanon, M. Zeqon, Y. Bufin dhe N. Doklen, figura të komprometuara me akte dhe veprime të padenja intelektuale në vitet e fundit të regjimit. Edhe në shkurt 1991 kur Alia ia arriti lehtësisht të marrë drejtimin ligjor të të gjithë regjimit dhe krijoi shanse për fillimin e procesit reformues të PPSH-së, ai emëroi si besnikë dhe bashkëpunëtorë të tij të afërt në Këshillin Presidencial, njerëzit më agresivë dhe më të urryer nga opozita dhe intelektualët liberalë. Një nga analistët politikë të atyre zhvillimeve, duke u përpjekur të shpjegonte mekanizmin e diktaturës me të cilin Alia drejtoi edhe më 1990, ka konstatuar se: “Diktatura dhe diktatori, për të siguruar besnikërinë e vartësve dhe në veçanti të vartësve të lartë të hierarkisë, shkallën e besnikërisë së tyre e maste me shkallën e implikimit të tyre në krim dhe po me këtë e verifikonte”.
Nëse Alia pengohej prej tyre, atëherë kjo do të ishte e dokumentuar në ndonjë arkiv, mbledhje, dokument sekret apo botim special. Por, në asnjë arkiv shqiptar, në asnjë rast të dëshmive publike, kujtimeve të protagonistëve dhe burimeve të tjera zyrtare të kohës, nuk ka një shenjë ndarëse mes pikëpamjeve të Alisë dhe të të bashkëpunëtorëve të tij. Përkundrazi, pikëpamjet e Alisë vazhdonin të ishin urdhra dhe vendime të gjithë sistemit drejtues të partisë-shtet. Një nga ish-funksionarët e shtypit të PPSH-së e konfirmoi këtë në një libër të tij me kujtime. Ai shprehet se: “gjatë dy viteve ’88-’90 që mora pjesë në mbledhjet e Byrosë Politike të PPSH-së, dhe të Sekretariatit të KQ, nuk pati asnjë rast që pjesëtarët e këtyre forumeve të mos thoshin “amin” për mendimet, propozimet dhe konkluzionet e Ramiz Alisë”. Nëse Alia dëshironte ndryshime ai mund t’u jepte dokumentin e pensionit edhe Çukos, Asllanit, Miskës, etj., por ai nuk e bëri këtë, sepse nuk e dëshiroi. Ai e përforcoi linjën e ashpër në qeverisje, duke afruar pranë vetes dy nga njerëzit më të urryer të Shqipërisë dhe dy nga kundërshtarët më të ashpër të reformave, Gjonin dhe Mustaqin.
Presidenti komunist R. Alia ishte njëherësh edhe numri një i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe i gjithë shtetit shqiptar. Fjala dhe autoriteti i tij ishin politikisht dhe ligjërisht të padiskutueshme. Deri në fillimin e vitit 1990 Alia gëzoi autoritet dhe mbështetje të gjerë ndër radhët romantike të intelektualëve dhe të një pjese joaktive të popullsisë. Një arsye tjetër bindëse se fjala e Alisë ishte urdhër për të gjithë shtetin shqiptar, është fakti se shumica e personave drejtues në postet më të rëndësishme të partisë dhe shtetit, i përkisnin lidhjeve të afërta familjare të Alisë. Vetë Ramiz Aliaishte jo vetëm besniku dhe nxënësi i diktatorit Enver Hoxha, por edhe krushku i tij.
Në Komitetin Qendror dhe në funksione të rëndësishme të PPSH-së dhe shtetit, vazhdonin të militonin bashkëshortet e Enver Hoxhës dhe Hysnin Kapos. Postet më të rëndësishme zyrtare i kishin dhëndurët e Hoxhës, të Kapos, Alisë, Myftiut, Markos, etj. Kryeministri Adil Çarçani ishte njëherësh edhe krushk me zëvendësin e tij Manush Myftiun dhe zv/kryetarin e Kuvendit Popullor Xhafer Spahiun. Myftiu kishte si baxhanak numrin dy të PPSH-së për Tiranën Pirro Kondin i cili nga ana e tij vazhdoi të bëjë karrierë politike duke qenë vëllai i Vito Kapos (bashkëshortja e Hysni Kapos). Pas emërimit të Xhelil Gjonit në KQ të PPSH-së dhe Sekretar të Parë të PPSH-së për Tiranën, zëvendës vijoi të ishte baxhanaku i tij Pirro Kondi. Shumica e sipërpërmendurve, përfshi edhe ministrin Kostandin Hoxha, ishin në lidhje kruqshqie me Gebelsin e regjimit, Sofokli Lazrin.
Brenda qeverisë lidhjet familjare ishin edhe më të forta se në parti. Dy ministrat kryesorë, ai i Jashtëm Riez Malile dhe ai i Drejtësisë Enver Halili ishin krushq me njëri-tjetrin. Reiz Malile ishte njëherësh edhe baxhanak me Ramiz Alinë dhe me numrin një të PPSH-së për Shkodrën Xhemal Dymyljen. Si të mos mjaftonte kjo lidhje, Malile ishte krushke me zëvendësin e Alisë në Kuvendin Popullor, krushkun e kryeministrit A. Çarçani, Xh. Spahiun. Rrjeti i këtyre lidhjeve personave vazhdoi përsosjen me ngritjen e Xh. Gjonit dhe R. Meidanit, të cilië kishin bërë karrierë të gjatë njëri si kunat dhe tjetri si nip i Hysni Kapos. Që nga fillimet e tij të viteve 1942-1943 si komisar politik në zonën operative të Vlorës dhe deri sa vdiq në vitin 1979, Hysni Kapo është njohur dhe vazhdon të njihet si bashkëpunëtori më besnik dhe krahu i djathtë politik i diktatorit komunist Enver Hoxha.
Gjatë viteve ’89-’90 regjimi i Alisë paraqiti përpara opinionit publik të brendshëm dhe të huaj një duzinë “kryeintelektualësh liberalë” të cilët u reklamuan nga mjetet e informimit shtetëror si ajka e pavarur e inteligjencës shqiptare. Njëri nga më të preferuarit e kësaj liste, ishte jurist Luan Omari, nëna e të cilit ishte motra e diktatorit Hoxha. Më 1976, Omari kishte qenë autori kryesor i hartimit të Kushtetutës staliniste shqiptare, dokument i vlerësuar gjerësisht si më krimineli dhe më antinjerëzori në të gjithë botën komuniste të këtij shekulli. Pesëmbëdhjetë vjet më pas, në fillimin e vitit 1991, Omari u emërua nga Alia për hartimin e Kushtetutës demokratike të Shqipërisë. Regjimi bëri të pamundurën për ta bërë të besuar kartën e tipit Omari përpara shtypit të huaj dhe të interesuarve për botime rreth Shqipërisë. Rasti i gazetarëve anglezë M. Vicker e J. Pettifer që në librin e tyre “Shqipëria: Nga anarkia tek një identitet ballkanik” i referohen me konsideratë dhe besueshmëri analistit të pavarur dhe reformatori liberal, nipit të Enver Hoxhës, juristit Luan Omari, tregon se loja mashtruese e Alisë nuk ishte pa rezultat për të.
Ashtu si Omari, regjimi komunist në grahmat e tij të fundit bëri të pamundurën për të paraqitur përpara të huajve si aktivistë të drejtave të njeriut, disidentë dhe analistë të pavarur politik, emrat më të besuar të dinastisë komuniste. Njëri prej tyre, Arben Puto, dy kunetërit e të cilit ishin dy nga njerëzit më të pushtetshëm në Byronë Politike të PPSH-së dhe zëvendëskryeministra në të gjitha qeveritë e Hoxhës dhe Alisë, u vetshpall kryetar i grupimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Në fillim të lëvizjes demokratike, loja e figurave dhe kukullave politike vijoi të ishte më aktive. Javët e para të dhjetorit ’90, me kartën e “disidentit politik” tre nga kritikët më aktivë kundër regjimit, ishin A. Klosi, E. Rama dhe N. Tozaj. Klosi, djali i një prej prokurorëve politikë më të njohur të diktaturës komuniste kishte bërë karrierë duke qenë njëherësh nip i udhëheqësit komunist Ramiz Alia. Babai i Ramës njihej jo vetëm se për vite të tërë kishte milituar si deputet i parlamentin kukull të Hoxhës, por edhe si krijues i busteve të diktatorit Hoxha, që lëvizja studentore e shkurtit ’91 i rrëzoi në mënyrë demonstrative. I treti, Neshati, kishte nërë emër dhe karrierë në zyrat speciale të ekspertizës në sigurimin e shteti me ndihmën e vëllait të tij, Sihatit, që për më shumë se një dekadë ka kryer funksionin politik të zëvendësit të Ramiz Alisë në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Një muaj më pas, këta lloj “disidentësh” u shndërruan në kritikët më të mëdhenj të opozitës, deris një vit më pas botuan një libër dhe disa dhjetëra artikuj kundër opozitës, alternativës dhe lidershipit të saj politik. Me kthimin në pushtet të klasës së fundit politike komuniste të vitit 1990, këta “disidentë” u emëruan në poste të larta shtetërore deri edhe në titullarë të Radio-Televizionit shtetëror dhe të Ministrisë së Kulturës.
I njëjtë ishte afrimi, reagimi dhe dekompozimi i tërë asaj shtese “nismëtarësh” dhe “intelektualësh disidentë” që rrjedhat politike të pas dhjetorit 1990 i panë, i ndërtuan dhe i jetuan ngushtësisht me interesat personale apo lidhjet e vjetra shoqërore e familjare.

Afrim Krasniqi, “Fundi i Siberisë shqiptare”, 1998.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s