Vdekja e Diktatorit
Ulet anekand dhënave
ku ndritë hylli i Kremlinit
flamuri prej Pekinit
n’Tiranë mbi çdo ballkon
E prej pêsë kontinentave
ku ka besnikë mizori
qindra miljonësh kori
përmotshëm shungullon
Te buzët e përlotuna
shtanget fjala qi e shpalli.
Por ndritë i anmikut balli,
rreh zemra e kuj âsht rob.
Ndoshta ka qenë orakulli!
ndoshta larg nuk âsht ora
kur rrepët e Zotit dora
rroposë kaq tmerr e kob!
Cili pat për za rruzulli
mban mend, i rí a i vjetër,
aq pushtet, cili tjetër
car a sulltan dhespot?
Qe pejgamberi e idhulli!
Te shtatoret e tija
u përgjunj njerëzia
e bani bé si n’zot!
Njimend ai qe dishepulli,
nji tjetër pati mjeshtër,
atê qi i polli thjeshtër
ligjës kët fé pa zot.
Po jo i padenjë qi shembullin
ndoqi e zbatoi kur ishte
eurasiati ferishte
sa mezi mbahej dot.
Kundërshtarë i kanoseshin,
ujq pleq. Ai, skile, u hodhi
farën ndërmjet e i lodhi,
ktê nxit atê gëdhel.
E u rá e i shqymi e pluhunin
n’erë ua shpërndau mbi turmat,
si mbi t’atyne kuramt
fronit i vû themel.
Kompasin n’dor’ e busullën,
te tjetra testamendin,
ndenji tyrani e rendin
soditi tash qi e kreu.
Por kur te dita e nesërme
u-zhgreh mbi tê prap shqota,
kah flakë u-kall gjithë bota,
s u-dha ky bir Anteu.
Pat humbë… E duel prej dallgave
strateg qi ndër fitore
përcolli madhështore
ushtrinat, derisa
vërsheu!… prej t’epra fjordeve
e n’gjinj t’Adriatikut,
te zemra u-ngul e anmikut
ku dy herë Turku rá.
N’at shenj i shkundi hekurat,
ngrejti krye mbarë Asija.
Shpërtheu nga Indonezija,
te kine gjeti shfrim.
O ahmarrja e tyre! Dridhuni
pushtete! Ai gjysmën mpleksi
nji blok. E andrron tash ndjeksi
veprës me i dhanë mbarim.
Të gjallët tat atyneve
qi t’adhuruen kso bote,
tyran! Por vdekja jote
e Verbit âsht. Qe, u-shkim
e kemit era e avulli
e shkardhat lajka e zhurma.
Çka ngelën syresh gjurma?
Ato për vargun tim.
E drejta e dhuna titullin
këmbejnë te historija.
Gjykon tyranin flija.
Ti ke sa meriton:
Qé ndër forcat e shekullit;
i pashpirt; e ngjadhnjeve.
Por jo n’amshim. E t’treve
u shtohesh epigon.
Burg i Burrelit
Mbramje. Flakrim bishtukësh. Burg. Burrel.
Dy radhë qelash; përmes, nji nevojtore
qi qelbet. Ndër dy krahët, korridore
si ndër trena, pa fund. Nji çel-e-mshel
llozash viganë e drynjsh… dyer me katorore
t’preme n’midis kah dora mezi del.
Çimento qela. N’faqe, lik me bel
nji verigë; nalt, pa xhama, nji dritore.
Nesrejt oborrin njohim: pa nji gjeth.
Nji pus aty, pa grykë, kah enë, gavetë,
llakaçiten për uj tue u-shkapetë.
Nji sharapoll zotnin muret përreth,
nalt me terracë, qi synit shteg i mbyllin.
Përtej veç maje malesh, lik me pyllin.
(Shkruar në Burgun e Burrelit, nëntor 1952 – prill 1956)
Për Kryengritjen Maxhare
Nga zemra e Europës ndër kandet e botës
nji klithëm kushtrimi përhapet zjarmuer.
E gjegjin krejt popujt e shtypun prej rrotës
s’urrejtun t’anmikut t’përbashkët mizuer!
Lavdí ty o popull dëshmuer!
Me flije i rrëfen
ti botës sa vlen
lirija për shpirtin njerzuer!
Kush janë e çka lypin? Studenta, punëtorë,
e popull çdo shtrese, çdo bese, çdo fare.
Me flakën në zemër, me pushkën në dorë
mbarimin bërtasin e shtypjes barbare.
Lirín brohorisin bujare!
për punën skllavnue,
për fén përdhunue,
për sedrën e fyemë kombtare!
Tronditet Kremlini, tërbohet iandit:
Ta shqymim pa u-rritun a ndryshe na shbanë.
O nipa t’Petöfit! stërnipa t’Huniadit:
urimin ju keni prej botës së tanë!
Roposni robnín e viranë
qi vjetë dhe vjete
nën çizmen sovjetike
ju shkelt e ju shtrydhë e ju shkrrân!
Shikoni! Mbi tanksat sulmon camërdhoku!
Nji vashë prej dritares granatën fërfëllon!
Po ngren barrikada xhakoj e te bloku
mashinën ka rrokun poeti e gjëmon:
Kush âsht qi mbas meje ngurron?
Për kombin martýr!
Për shpirtin e lirë!
O burra! për revolucjon!
E shojtën! … ata qi n’at emën u-ngritën
arsyen e vetvetes ashtu tue mbarue.
E shojtën? veç turrin, jo flakën, jo dritën,
qi andej nepër shekuj vazhdon me burue.
E jo veç aty kufizue
ku dhuna e reshti:
Ma gjak Budapeshti
Europa e Bashkueme u-pagzue.
(Shkodër 1956-1957)
Arshi Pipa, Libri i Burgut, EuroRilindja 1994.