Waldemar Gurian
Për të kuptuar zhvillimin, sukseset dhe rreziqet e lëvizjes komuniste bolshevike, do të duhet ta konsideronim si një fe politiko-shekullare. Në të vërtetë, ai nuk është i interesuar ekskluzivisht vetëm në marrjen e pushtetit dhe në ndryshimet politike dhe sociale; ai synon mbizotërimin absolut në çdo sferë të jetës, qoftë shpirtërore qoftë shekullare. Regjimi sovjetik nuk e cilëson veten thjesht si një prej regjimeve të shumtë të mundshëm, por si një regjim të bazuar mbi doktrinë të caktuar që përkon me një zhvillim të nevojshëm të historisë dhe shoqërisë. Për rrjedhojë, kjo doktrinë është e vetmja drejtuese e vërtetë i veprimeve, e vetmja doktrinë e përcaktuar të arrijë drejtësinë mes njerëzve dhe të trupëzojë gjithë dijen dhe sjelljen njerëzore. Atributet që besimtarët e feve tradicionale i japin Zotit, pra atë që të krishterët i japin Jezu Krishtit dhe Kishës, bolshevikët ja atribuojnë ligjeve pseudo-shkencore të zhvillimit shoqëror, politik dhe historik, të cilët vetëm ata i njohin dhe zotërojnë, të formuluara në doktrinën e ngritur nga Marksi dhe Englesi, Lenini e Stalini.
Pranimin e këtyre ligjeve doktrinare, dhe të politikës së kërkuar për të vënën në jetë atë që ata cilësojnë si evoluimin e nevojshëm të shoqërisë drejt socializmit dhe kapitalizmit, mund ta përcaktojnë si një fe shekullare; dhe në të vërtetë ekzistenca tokësore dhe lufta për ta perfeksionuar janë të vetmet qëllime të jetës njerëzore dhe të historisë botërore.
Bolshevizimi gjithmonë ka këmbëngulur mbi faktin që doktrina e tij bazë – i ashtuquajturi marksizëm dialektik, paraqitur në formën e tij zyrtare, përfundimtare dhe të detyrueshme nga vetë Stalini – është e vetmja që mund të ofrojë të vërtetën rreth universit, njerëzve, historisë dhe shoqërisë, e vetmja që përmbledh zhvillimet. Bolshevikët cilësojnë të gjitha doktrinat dhe mendimet e tjera si gabime dhe herezi që duhen flakur dhe luftuar, si shprehi të një rendi social tashmë të tejkaluar që përkrah mbizotërimin egoist të një klase të vetme, si burim paragjykimesh kundërshtuese dhe si një vetëdije shkencore objektive.
Mohimi i ekzistencës së Zotit është themelore për bolshevizmin. Qëllimi i njeriut dhe i njerëzimit është zbatimi, në këtë tokë, i një «shoqërie pa klasa» të vetëmjaftueshme, e organizuar në mënyrë të përkryer dhe efikase. Vetëm në këtë shoqëri njeriu mund të shpalosë plotësisht natyrën e tij dhe të përdorë aftësitë e tij potenciale. Në këtë shoqëri, çdo fe e bazuar mbi besimin në zot do të zhduket si e tepërt, pasi feja, duke pranuar Zotin, paraqet, sipas bolshevizmit, vetëm shprehinë e një rendi shoqëror jo të përkryer dhe mohimin e arsyes. Bolshevikët, me Marksin, pohojnë se të shfrytëzuarit, ende jo të vetëdijshëm për arsyet e vërteta të shfrytëzimit të cilit i nënshtrohen, me dëshirë strehohen në një botë ëndrrash fetare, dhe zëvendësojnë drejtësinë tokësore (e cila u mohohet dhe për të cilën ende nuk duan të luftojnë) me një drejtësi qiellore pas vdekjes. Nga ana e tyre, shfrytëzuesit, përdorin besimin në Zot si mjet për të droguar masat, për t’i mbajtur në terr mbi gjendjen e vërtetë të shoqërisë, duke mënjanuar kështu që të luftojnë për drejtësinë mbi tokë. Feja, pra, është një turbullues, opium apo, si thoshte Lenini, një «sivuschka» (pije alkoolike me cilësi të dobët).
Urrejtja që bolshevizmi ka për fenë – shprehur, për shembull, që përpara Luftës së Parë Botërore, në letërkëmbimbin mes Leninit dhe Gorkit – tregon që vetë bolshevizmi është një fe që hyjëzon një zhvillim shekullar imanent i kulluar, një fe që zëvendëson një Zot mbinatyrshëm me një rend politik dhe social: shoqëria pa klasa. Gjithë historia shkon drejt kësaj shoqërie, që i jep kuptim çdo zhvillimi social dhe politik.
Mbizotëruesit bolshevikë nuk i ndaluan të gjitha organet fetare njëherazi, pasi besojnë se falsiteti dhe besëtytnia që përmbajnë fetë mund të zhduken vetëm me konsolidimin e një shoqërie të përkryer pa klasa. Për sa kohë shoqëria nuk është e përkryer dhe qëllimi i historisë nuk është arritur, fetë tradicionale duhet me doemos të ekzistojnë, pasi rrënjët i kanë në prapambetjen sociale dhe politike. Ateizmi është një nga fetë e shumta politiko-sociale të kohës tonë, që hyjëzojnë forcat e ndryshme të historisë dhe të rendit social. Një forcë tokësore dhe një rend tokësor gjenden në qendër të të gjitha këtyre feve shekullare, që ose mohojnë haptazi (si bën bolshevizmi) çdo pranim të një rendi të mbinatyrshëm, apo duke interpretuar rishtas fetë tradicionale si një mjet për të përforcuar një nënshtrim të pakufizuar ndaj një force imanente, si raca veriore. Nazizmi hyjëzoi mbizotërimin e racës së epërme si qëllim i shoqërisë dhe i historisë, dhe të çdo veprimtarie politike; këtu feja përcaktohet nga karakteri racial dhe zhvishet nga çdo dinjitet dhe mëvetësi.
Bolshevism. An introduction to soviet communism (1953)
Përkthimi MVSK