Robert Service
Në Evropën në lindje të Elbës zienin ndjenjat kundër BRSS-së dhe komunizmit. Në çdo vend kishte njerëz që u kujtohej një kohë tjetër në të cilën kombi, kultura dhe feja e tyre respektoheshin dhe që nuk duronin dot të mbaheshin të izoluar në një enklavë të mirëkontrolluar të kontinentit. Kishin dëshirë të theksonin se vende si Polonia, Hungaria dhe Çekosllovakia ishin zemra gjeografike e Evropës dhe e cilësonin fyese shprehjen «Evropa Lindore», që u ishte veshur me detyrim pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Qeveritë komuniste ishin veçanërisht shtypëse në Rumani, Shqipëri dhe Bullgari, ku regjimet zhduknin që në lindje çdo shenjë kundërshtie. Polonia dëftohej si një shembull i tmerrshëm i asaj që do të ndodhte nëse zbutej shtypja. Qeveritarët e Çekosllovakisë dhe RDGJ-së do të donin të silleshin me të njëjtën ashpërsi por ishin të vetëdijshëm se sa pak përkrahje kishin në vendet përkatëse, dhe nuk mund të hiqnin dorë nga një shkallë miratimi. Intelektualët disidentë arrestoheshin rregullisht, edhe pse rrallë herë ushtrohej dhunë fizike. Në Çekosllovaki Vaclav Havel dhe lëvizja Charta 77 përbënin një grup intelektualësh heterogjen, ku bënin pjesë veprimtarë të krishterë dhe ish komunistë reformatorë. Edhe pas fazës së liberalizimit, vazhduan të ishin aktivë, duke fituar gjithmonë e më shumë besim te vetvetja. Në Republikën Demokratike Gjermane nuk kishte personalitete të spikatura si Haveli por vërehej një gjallërim i ngjashëm i opozitës. Paçka se Stasi infiltrohej në organizatat e reja, nuk arriti ti eliminonte të gjitha. Nuk duhet të habisë fakti që Kremlini nuk u përpoq shumë të shfrytëzonte mundësinë e dhënë pas vdekjes së Titos në vitin 1980. Politbyroja sovjetike ishte tepër e zënë në ruajtjen e autoritetit që kishte dhe ekspansioni i ndikimit sovjetik në Evropën lindore nuk ishte më një perspektivë realiste.
Ndërkohë rriteshin protestat kundër komunizmit polak. Punëtorët, intelektualët dhe përfaqësuesit e klerit u bashkuan kur në korrik të 1980, Gierek-u për të ekuilibruar deficitin në bilanc, rriti çmimet e pakicës. Në gusht, punëtorët e kantiereve detarë të Gdansk-ut, të drejtuar nga Lech Walesa, u hodhën në grevë. Ai me buzëqeshjen dhe mustaqet e dendura u bë simboli i aspiratave polake për pavarësi dhe rrëzim të komunizmit. Ishte një orator i lindur, me zhdërvjelltësi ja dilte të imponohej dhe pa nevojën e një mikrofoni. Gjithashtu ishte dhe një negociator i aftë: në çdo takim dinte ç’të kërkonte, nuk nxehej dhe sillej gjithmonë me edukatë dhe vendosmëri. Gjithmonë këshillohej me intelektualët e Komitetit për Mbrojtjen e Punëtorëve (Kor), konsultohej edhe me përfaqësuesit e Kishës katolike, por arsyetonte vetë. Popullariteti nuk u pengua nga fakti që ishte punëtor, bir i popullit polak. Projekti i tij ishte ngritja e një sindikate jashtë kontrollit komunist, sindikatë që do të quhej Solidarnosc. Kongresi themelues u mbajt në Gdansk në shtator të 1980. Në fillim të vitit 1981, numëronte shifrën e pabesueshme të 10 milionë anëtarëve, praktikisht të gjithë forcën punëtore të vendit, me përjashtim të anëtarëve të partisë (edhe pse disa prej tyre u bënë pjesë e sindikatës).
Gierek-u arrestoi Walesa-n dhe të tjerë drejtues të Solidarnosc-it, por shpejt kuptoi se në këtë mënyrë vetëm sa ashpërsonte kundërshtitë popullore. Dështimi i strategjive ekonomike ishte i pamohueshëm, Partia punëtore e bashkuar polake nuk dinte më ç’masa të merrte. Klasa punëtore polake ishte organizuar për të kundërshtuar Shtetin komunist, shenjë e qartë që komunizmi shtypte «masat punëtore». Politbyroja sovjetike nuk e maskonte shqetësimin dhe nga Gjermania Lindore, Erich Honecker, këmbëngulte që sovjetikët ta trajtonin me vendosmëri gjendjen e krijuar në Poloni. Udhëheqësi gjerman druhej se lëvizjet në Poloni mund të shtriheshin dhe përtej kufirit. Sa herë takohej me Brezhnievin e nxiste të merrte masa më të ashpra. Besimi që Kremlini kishte te Gierek-u u tret përballë rritjes së veprimtarisë së Solidarnosc-it. Brezhnievi dhe Politbyroja kërkonin ndryshime në drejtimin e Partisë dhe stabilizimin e sistemit komunist. Këtë gjë ja besuan një ushtaraku, gjenerali Wojciech Jaruzelski u emërua kryeministër në shkurt të 1981 dhe në tetor Sekretar i Parë i Partisë.
Në dhjetor Jaruzelski shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, si për të shmangur një pushtim të vendit nga trupat e Traktatit të Varshavës ashtu dhe për të rivendosur rendin. Në të vërtetë, Politbyroja kishte vendosur që nuk do të ndërhynte ushtarakisht edhe sikur Solidarnosc-i ti afrohej marrjes së pushtetit, por Jaruzelski nuk ishte vënë në dijeni mbi këtë vendim. Solidarnosc-i u shpall i jashtëligjshëm dhe shumë militantë u arrestuan. Megjithëkëtë grevat dhe demonstratat nuk u ndalën; rrjeti i grupimeve dhe organizatave të lidhura me Solidarnosc-in i mbijetoi sulmeve të dhunshme policore dhe prodhoi fletëpalosje, kartolina e audiokaseta propagande. Piktorët e grafiteve shkruanin nëpër mure slogane si «Dimri është i juaj, por pranvera do të jetë e jona». Klerikët katolikë gjatë meshave mbanin fjalime të ashpra mbi nevojën e besimit fetar dhe patriotizmit. Vetë Jaruzelski stepej në përdorimin e forcës, përtej asaj minimalisht të nevojshme për mbajtjen e rendit, por u gjend përballë një detyre të pamundur. Partia komuniste dhe institucionet që vareshin prej saj – sindikatat, organizatat rinore, rrethet kulturore – përçmoheshin nga populli. Rezultati ishte ngërçi i plotë; Jaruzelski edhe pse ja dilte të mbante një farë qetësie nuk mundej të eliminonte Solidarnosc-in, i cili nga ana e vet, nuk mundej të përmbyste administratën ushtarake. Polonia ishte si një zog i ngecur në rrëshirë. Nuk ishte i mundur asnjë zhvillim politik apo ekonomik i rëndësishëm dhe heqja e gjendjes së jashtëzakonshme dukej ende e largët.
Përpjekja për «normalizim» solli marrjen e vendimeve që synonin rritjen e autonomisë së sipërmarrjeve dhe zgjerimin e mekanizmave të tregut të lirë, të cilat sollën disa ndryshime. Nga viti 1982 deri më 1986 prodhimi industrial u rrit me 20%, ai bujqësor me 12%, por investimet ranë ndjeshëm. Vijonte mungesa në treg e prodhimeve industriale dhe bujqësore, mishi ishte me racion. Edhe pse qeveria ja doli të rinegocionte pagesat e kësteve të borxheve ndaj bankave perëndimore, nga pikëpamja e bilancit vendi gjendej në qorrsokak. Me përkeqësimin e bilancit tregtar me vendet simotra komuniste, Polonia u bë e varur nga mëshira e Bashkimit Sovjetik dhe e vendeve të tjera të Evropës Lindore. Udhëheqja sovjetike, në fillim me Brezhnievin e më pas me Çernenkon dhe Andropovin, nuk dinin ç’të bënin. Kjo ishte e vetmja arsye pse Jaruzelski kishte ende besimin e tyre, ishte e qartë që përfaqësonte shansin e fundit të Kremlinit, përpara një pushtimi ushtarak. Me ardhjen në pushtet, në mars të 1985, Gorbaçovi ndryshoi parimet që qëndronin në themel të raporteve ndërshtetërore të Evropës Lindore. Vëmendja e gjithë botës ishte përqendruar te reformat e brendshme që ai po ndërmerrte, me rindërtimin e partisë, masat për decentralizim ekonomik dhe impulset për një liri më të madhe diskutimi publik. Kujdesshëm ai po përgatitej për ripërcaktimin e lidhjeve të Kremlinit me perandorinë e saj të jashtme. Kur krerët komunistë të Evropës Lindore mbërritën në Moskë për funeralin e Çernenkos, Gorbaçovi, në mënyrë të rezervuar, u bëri me dije se Bashkimi Sovjetik nuk do të ndërhynte më në vendimet e tyre politike. Jo të gjithë pjesëmarrësit në sallë u besuan veshëve; ndoshta ishte vetëm retorikë. Me të vërtetë udhëheqja sovjetike, që në 1956 kishte pushtuar Hungarinë dhe në 1968 Çekosllovakinë, do të linte rajonin në fatin e vet?. Në ato momente Polonia ishte në krizë politike. Ndoshta, pra, Gorbaçovi po fliste vetëm teorikisht, duke ju referuar mundësisë që në të ardhmen ndonjë qeveri e vendeve anëtare të Paktit të Varshavës mund të ngrinte pakënaqësi të kota. Honecker, Husák, Kádár dhe Zivkov u përpoqën t’i mbushnin mendjen vetes se çdo gjë ishte në rregull. Ishin të bindur se kur i riu «Misha» të gjendej përballë realitetit të pushtetit në Evropën lindore do të hiqte dorë nga këto dërdëllitje të bezdisshme. Mundësia tjetër ishte që të mos qëndronte gjatë në pushtet.
Në nivel shtetesh të veçanta, përgjigjet ndaj kërkesave për reforma drastike ishin të ndryshme. Jaruzelski dhe Kádár nuk ishin në të njëjtin nivel me Çausheskun, për sa i përket përdorimit të forcës kundër disidentëve. Husák, Honecker dhe Zivkov parapëlqenin ti trajtonin kundërshtarët me një kujdes të atillë që do të kishte lënë pa fjalë udhëheqësit komunist të Evropës lindore të viteve ’60 – të cilët dhe atë vetë kishin qenë më të butë me kundërshtarët politikë në krahasim me atë që ishte norma në epokën e Stalinit. Është e vërtetë se disidentëve kryesorë u ishin krijuar kushte më të durueshme se sa disa prej mbështetësve të tyre më pak të njohur, por përgjithësisht kishte një prirje për të mënjanuar masat drastike. Në Hungari u provua të ndiqej një rrugë tjetër, duke shtuar lëshimet për disidentët. Károly Grosz, që zuri vendin e Kádár-it në maj të 1988, imitoi Gorbaçovin. Pjesa më e madhe e xhaketave të vjetra të udhëheqjes komuniste e urrenin Gorbaçovin, por në vendet e tyre, njerëzit «e zakonshëm» e adhuronin. Disidentët, qofshin komunistë reformatorë apo antikomunistë të bindur, përfituan nga politika e tij. Të inkurajuar nga ç’po ndodhte në Moskë, gjithmonë e më shumë vunë në jetë taktikën polake, duke kundërshtuar regjimet me çdo mjet që mund të kishin në dispozicion.
Ndërkohë, Gorbaçovi kishte vendosur supremacinë e vet dhe tregoi se dinte ç’thoshte kur u ishte drejtuar udhëheqësve komunistë të Evropës lindore më mars të 1985. Donte që në atë zonë të kryheshin me shpejtësi reforma të thella, si ato që po zhvilloheshin në Moskë, dhe nëse skilet e vjetra nuk përshtateshin, patjetër që do të gjendeshin të rinj reformatorë që do u zinin vendin. Gorbaçovi dëshironte të respektonte formën e raporteve mes vendeve simotra, dhe ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk sillej si padron: çdo vend duhet ta zgjidhte vetë udhëheqjen komuniste. Nuk këshilloi Kádár-in dhe Husák-un të dorëhiqeshin dhe nuk pranoi kërkesën e gjeneralit Militaru për mbështetjen e një grushti shteti kundër Çausheskut. Udhëheqësve komunistë u tha ato që ai mendonte si të nevojshme për të kryer, përgjithësisht u shtirën sikur ishin dakord – Zivkov-i ishte mjeshtër në këtë taktikë. Ndërkohë, duke u përpjekur për të mos rënë në sy, përpiqej të nxirrte rajonin nga status quo-ja. «Pravda» dhe të përjavshme të ndryshme u bënë zëdhënëse të nevojës për reforma, kopje të këtyre periodikëve mund të gjendeshin me lehtësi në kioskat e vendeve të perandorisë së jashtme. Vetë Gorbaçovi ndërmori një turne vizitash në Evropën lindore. Gjatë vizitës në Pragë, mars 1988, dhe në Berlin më tetor të 1989, deklaroi impenjimin e tij serioz në reformën themelore të komunizmit sovjetik. Gjatë këtyre daljeve publike, turma entuziaste e përshëndesnin me thirrjet dashamirëse «Gorby! Gorby!». E përdornin si flamurmbajtës në marshimet kundër abuzimeve që komunizmi kishte kryer në Evropën lindore që prej 1953.
Në Poloni, efektet e fushatës së Gorbaçovit u dukën në gjestet e afrimit të shprehura nga Jaruzelski dhe të ministrave të tij kundrejt Solidarnosc-it. Në shtator të 1986 gjenerali Kiszczak liroi të gjithë të burgosurit politikë dhe Walesa, pa cenuar antikomunizmin e tij, deklaroi: «dialogu duhet institucionalizuar» Në qershor të 1987, papa Gjon Pali II vizitoi përsëri vendlindjen e tij. Mizëria e njerëzve mbante banderola të Solidarnosc-it dhe ekspozonte simbole të besimit katolik. Ishte vetëm çështje kohe dhe i gjithë vendi do të shpërthente. Në vitin 1988 minatorët dhe punëtorët e kantiereve detarë u hodhën në grevë. Qeveria nisi bisedimet dhe Jaruzelski emëroi si kryeministër Mieczyslaw Rakowski-n, një komunist i moderuar por që aftësitë bindëse të së cilit nuk ishin të mjaftueshme për ti shtyrë jo komunistët që të bëheshin pjesë e qeverisë. Komiteti Qendror i partisë ishte gjithmonë dhe më shumë i përçarë. Negociatat me Solidarnosc-in filluan në shkurt të 1989, dhe i dhanë jetë një marrëveshjeje të ndërlikuar, në bazë të së cilës do të mbaheshin zgjedhjet duke i rezervuar Partisë Komuniste dhe aleatëve të saj një numër të bollshëm deputetësh. Forcat antikomuniste u treguan të forta. U shtyp një manifest që paraqiste Gary Cooper-in në filmin High Noon, ku në vend të yllit të sherifit mbante një medaljon të Solidarnosc-it. Qeveria u shpartallua në zgjedhjet e 4 qershorit 1989, Solidarnosc-i fitoi 160 nga 161 vende në senat. Në çfarëdo lloj tjetër sistemi politik Jaruzelski do të duhej të jepte dorëheqjen, por ai vazhdoi, i mbështetur vetëm nga presidenti amerikan George H. Bush, i cili vizitoi Poloninë në korrik. Jaruzelksi, me mbështetjen e Solidarnosc-it, u bë president, por drejtimin e qeverisë e mori Tadeusz Mazowiecki, një veprimtar i rëndësishëm katolik, që në shumicën e ministrive caktoi eksponent të Solidarnosc-it.
Kishte ndodhur një revolucion i qetë, bash në ditën kur në Pekinin e largët, në sheshin Tien An Men, tanket e Ushtrisë Popullore Çlirimtare shtypnin protestat paqësore të studentëve (regjimi i Honecker-it u shqua në përgëzimet ndaj autoriteteve komuniste kineze). Nëse Polonia ishte me fat kjo i detyrohej faktit që prej vitesh kishin punuar për të qenë të tillë. Kishin përthyer dhe rrëzuar komunizmin pa kryengritje apo luftë civile. Fushën ekonomike, qeveria e Mazowiecki-t ja besoi një ekonomisti liberal, Laszek Balcerowicz, i cili kishte për detyrë futjen e kapitalizmit. Ekonomia shtetërore do të çmontohej. Për momentin çështja kufizohej në një vend të vetëm, por mjetet e informacionit të Evropës Lindore, duke shfrytëzuar hapësirat më të mëdha që ishin krijuar, e pasqyroi mjaftueshëm kështu që çdo kush mund të mësonte ç’kishte ndodhur. Diga e mori krisjen. Komunizmi kishte pranuar të hapte krahun në një vend të një rëndësie të jashtëzakonshme gjeostrategjike për BRSS-në – dhe ushtria sovjetike nuk kishte ndërhyrë.
Rënia e regjimit komunist në Poloni zhbëri dhe magjinë që shumë mendje i mbante të nënshtruara. Nëse polakët mund të liroheshim, atëherë të njëjtën mund të bënin dhe kombet e tjera. Udhëheqësit komunistë ranë pre e nervozizmit. Tensioni ishte në rritje, po ashtu edhe ndjesia se në vende përplasja përfundimtare do të ndodhte nga çasti në çast. Në Rumani dhe Shqipëri policia vijoi të trajtonte me brutalitet kundërshtarët. Tanimë që Gorbaçovi po sulmonte parimet e vjetra të politikës sovjetike, Çaushesku nuk ishte më i parapëlqyeri i politikanëve perëndimorë, dhe thirrjet për të ndërmarrë reforma ranë në vesh të shurdhër. Në Çekosllovaki, Gjermani Lindore dhe Bullgari dallga opozitare po rritje, por jo aq sa për të rrëzuar muret e sistemit komunist. Në Hungari, Grosz-i u rreshtua me fushatën për reforma të thella dhe ju desh të përballej me pakënaqësitë publike për efektet që shkaktonin. Megjithatë, kudo kishte një atmosferë pritshmërie. Ishte e vështirë të mendoje që situata mund të përmbahej për një kohë të gjatë. Në verën e 1989, Gorbaçovi ishte rrëzuar dhe do të ishte i vështirë mobilizimi i trupave të Traktati të Varshavës kundër vendeve rebele në Evropën lindore. Pas një kohe shumë të gjatë, ku kërkesat e popullsisë ishin mbajtur me forcë të zhytura, më në fund kishin dalë në sipërfaqe.
Camrades. A history of world communism.
Përkthimi MVSK