Home

 

I intervistuar nga «Le Nouvelliste» më 14 shtator të 1933, Edouard Herriot[1], me kënaqësi do të deklaronte: «Përshkrova Ukrainën. Mirë! dua të them që e gjeta si një kopsht në lulëzim të plotë. Ju po më thoni se ka zëra se ai rajon tani po kalon një periudhë të vështirë? Nuk mund të flas për ato që nuk kam parë. Sidoqoftë, u kërkova të vizitoja ato vende që thuhej se ishin në vështirësi. Nuk pashë gjë tjetër veçse begati». Po ato ditë, në «Le Temps» u botua një lajm nga Moska: bëhej e ditur se qeveria sovjetike kishte vendosur të përmblidhte në një film me zë të gjitha imazhet që ishin xhiruar gjatë vizitës në BRSS të ish Kryetarit të Këshillit të Ministrave francez, dhe do të prodhonte kopje në anglisht, rusisht dhe frëngjisht. Dy ditë më vonë, po te e njëjta gazetë, i pyetur rishtas mbi lajmet kundërthënëse rreth një zije buke të tmerrshme, Herriot garantonte opinionin publik francez se prodhimi i qumështit në Bashkimin Sovjetik ishte rritur, dhe se vetëm rritja e kërkesës dhe një shpërndarje e keqe kishte bërë që ky ushqim bazik të mos gjendej.
Që Ukraina në vitet 1932-33 ishte goditur nga një zi buke e përmasave të paimagjinueshme, që do të shkaktonte vdekjen e miliona njerëzve, dhe që i gjithë Bashkimi Sovjetik në ato vite vuante urinë njësoj si kishte ndodhur në fillim të viteve njëzetë, edhe pse në vija të trasha  ishte një fakt i njohur, në Perëndim. Përpjekjet e vetëdijshme apo jo për të zvogëluar përmasat e tragjedisë në sytë e opinionit publik, apo edhe për ta mohuar e fshirë nga historia, nuk ishte detyrë vetëm e autoriteteve sovjetike, por përfshinë personalisht vëzhguesit perëndimorë dhe shtypin evropian dhe amerikan në veçanti. Më vonë, Eugene Lyons[2] do të tregonte se mes korrespondentëve të huaj kjo mbahej mend si «shembulli klasik i understatement-it gazetaresk». Në një lajm të 30 marsit 1933, që redaksia e Moskës kishte botuar në «New York Times», Duranty dëlirasi pohonte se: «nuk kishte uri dhe vdekje për shkak të mungesës së ushqimit, por një vdekshmëri e përhapur për shkak të sëmundjeve që lidheshin me kequshqyerjen». Vetëm më vonë, në gusht, korrespodenti i të përditshmes më prestigjioze amerikane, që në 1932 kishte fituar Çmimin Pulitzer për reportazhet «e pasionuar» nga BRSS-ja, do të fliste për «mungesë ushqimesh», shkaktuar nga qëndresa e fshatarëve ndaj kolektivizimit, apo, si u përpoq të saktësonte, «më saktësisht, si rezultat i masave për të mposhtur qëndresën».
Fred Beal, punëtori komunist amerikan që ishte strehuar në Bashkimin Sovjetik për ti shpëtuar dënimit me 20 vite burg dhënë pasi drejtoi grevën e Gastionia-s[3] të vitit 1928, në kujtimet e tij shkruan se në vitin 1933 i kishte kërkuar sqarime presidentit të Republikës ukrainase, lidhur me zërat gjithmonë dhe më të shpeshtë që qarkullonin në fabrikën e traktorëve në Char’kov, ku ai vetë punonte.
I tha: «Shoku Petrovskij zërat që vijnë flasin për miliona fshatarë që po vdesin gjithandej. Të gjithë përreth vetes shohin vetëm varfëri dhe vdekje. Thuhet se këtë vit, deri tani, kanë vdekur pesë milionë njerëz, dhe na e përplasin në fytyrë (ne komunistëve), në formë sfide dhe ofendimi. Çfarë duhet t’u themi?».
«Asgjë mos u thuaj – u përgjigj presidenti Petrovskij – ajo që thuhet është e vërtetë. E dimë që po vdesin miliona njerëz. Ky është fat i keq, por e ardhmja e ndritur e Bashkimit Sovjetik ka për ta justifikuar. Atyre mos u thuaj gjë ».
Edhe pse disa gazeta, duke nisur nga marsi i 1932, këmbëngulnin në cilësimin si dramatike të gjendjes ushqimore, veçanërisht të drithit, dhe flisnin në përgjithësi për dyzetë milionë rusë të uritur, korrespodentët më të rëndësishëm nuk i dhanë shumë peshë fatit të fshatarësisë sovjetike, e cila ishte e shtrënguar në darë nga një varg të korrash të dobëta dhe nga vala masive e kolektivizimit të detyruar. Hapësirë më e gjerë i jepej krizës në bujqësi, flitej për mungesa dhe kequshqyerje të bagëtisë, pranohej se mishi, sheqeri, djathi, gjalpi, qumështi, vezët dhe çaji rrallëherë shfaqeshin në tryezat e fshatarësisë. Këto lajme futeshin në një kontekst më të përgjithshëm, modeluar mbi kritere analoge me ato të përdorura nga autoritetet sovjetike. Duranty[4] shkruante: «në të gjithë vendin po zhvillohet një betejë e madhe morale mes entuziastëve të rrugës së re, që është e rëndë dhe vështirë pasi është e re dhe e pa sheshuar nga koha dhe përvoja, dhe mbrojtësve të sistemit familjar: një betejë mes novatorëve socialistë dhe konservatorëve individualistë, mes të resë dhe të vjetrës». Fischer, në një seri shkrimesh botuar  në fillim të 1933 në «The Nation» pranonte se arritjet e proletariatit në dhjetë vitet e fundit ishin në kurriz të fshatarësisë, por besonte se ishte gati për të nisur një fazë me kah të kundërt. Vështirësitë në agrikulturë ishin pasojë më shumë e burokracisë administrative dhe mekanizmave të ndërlikuar të shkëmbimit mes fshatit e qytetit dhe mes sektorëve të ndryshëm të ekonomisë sesa dështimit në rritjen e prodhimit nëpërmjet kolektivizimit, edhe pse kjo e fundit ishte trajtuar me një autoritarizëm të tepruar. Ajo për çka BRSS-ja kishte nevojë ishte një demokraci më e madhe ekonomike që të nxiste nismën dhe përgjegjësinë e bazës, por pa harruar që «funksioni që historia u ka veshur bolshevikëve është industrializimi i Rusisë. Më shumë sesa gjetjen e tokave të reja për masat fshatare, BRSS-ja synon krijimin e vendeve të reja të punës për ta, në qytet».
Herriot apo Duranty nuk ishin të vetmit që «gënjenin» mbi gjendjen e vërtetë të Ukrainës dhe të agrikulturës sovjetike në përgjithësi. Sir John Maynard[5], që më herët kishte justifikuar metodat bolshevike të kolektivizimit pasi te kjo bolshevikët shikonin një «luftë» ndaj një armiku të brendshëm analoge me atë që luftohet kundër një armiku të jashtëm, në 1933 deklaroi se «çdo sugjerim i prirë të krahasojë fatkeqësinë e sotme me zinë e bukës të viteve 1921-22 është, sipas meje që në qershor-korrik kam vizituar Ukrainën dhe Kaukazin verior, absolutisht i pabazë». Nëse disa udhëtarë pranonin pa kundërshtime e pa bërë pyetje autoritetin e atyre që hiqeshin si «ekspertë» në fushën e agrikulturës sovjetike (si rastet e Webb-it kundrejt Maynard-it), të tjerë besonin statistikat dhe versionet zyrtare dhe mjaftoheshin me atë që autoritetet u shfaqnin përpara syve. Vetë autoritetet sovjetike, me miratimin e shkrimtarit, bënë të njohur sjelljen e Berndard Shaw i cili, sapo kaloi kufirin për në BRSS, për të treguar se nuk u besonte «gënjeshtrave» për zinë e bukës, flaku nga dritarja të gjitha ushqimet që kishte me vete. Ajo çka u mësua, «paçka» censurës së autoriteteve, ishte se për ta mbajtur të bindur mbi bollëkun e ushqimeve, një vagon frigoriferik e shoqëroi shkrimtarin përgjatë gjithë udhëtimit.
«Metoda Potëmkin» (emrin e merr nga kryeministri i carinës Katerina II, i cili ndërtonte fshatra të tërë fals në mënyrë që perandoresha gjatë udhëtimeve të saj të mund të vërente vetëm stabilitet dhe mirëqenie) nuk u përdor vetëm në rastin e Shaw-ut, por edhe në atë të Herriot-it, metodë që si duket funksiononte më mirë me udhëtarët veçanërisht dashamirës të regjimit sovjetik. M. Lang kishte rrëfyer te «Messager Socialiste» se në Kiev kishte qenë dëshmitar i përgatitjes së skenës: mbylljes së dyqaneve kooperativë, pastrimit të qytetit, evakuimin e lypsarëve dhe fëmijëve dhe ndalimin e qëndrimit në radhë: «Kur erdhën, miqtë nga jashtë vështruan çdo gjë dhe u mahnitën. Pas largimit të tyre, skena u çmontua, u zhdukën agjentët mbi kuaj, dyqanet u hapën dhe përpara tyre u formuan radhët e përhershme, të pafundme, të zymta, të dëshpëruara».

 

 

[1] Politikan i majtë, tre herë kryeministër i Francës.

[2] Gazetar komunist amerikan.

[3] Qytet në Karolinën e Veriut, ku gjatë përshkallëzimit të grevës humbi jetën sherifi dhe u plagosën disa zëvendës të tij dhe po ashtu disa grevistë.

[4] Gazetar anglo-amerikan në Moskë. Emri i tij do të figuronte në “Listë Orwell-it”. Në vitin 1990, New York Times do të shkruante se reportazhet e tij ku mohohej zija e bukës, ishin ndër më të këqijat që gazeta kishte publikuar ndonjëherë.

[5] Funksionar publik britanik, mbështetës i laburistëve dhe Shoqërisë Fabian.

 

Marcello Flores, L’immagine della Russia Sovietika. L’occidente e l’URSS di Lenin e Stalin (1917-1956).

 

Përkthimi dhe Shënimet MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s