Home

Të dhënat  e trajtuara nga Dikötter tregojnë se gjatë Urisë së Madhe në Kinë (1958-1962) rreth 45 milionë njerëz humbën jetën. Në këtë syth autori trajton kontrastin mes skamjes, mjerimit, zisë së bukës dhe shpërdorimeve, abuzimeve dhe teprimeve, sidomos të kuadrove komunistë.

 

Barazia mund të ketë qenë një nga shtyllat e ideologjisë komuniste, por në praktikë të gjitha shtete komuniste ngritën sisteme me rend hierarkik mjaft të përpunuar. Një nga arsyet ishte fakti që shumica e këtyre regjimeve jetonin në frikën e përhershme të armiqve, të vërtetë apo të imagjinuar, duke justifikuar kështu organizimin e shoqërisë në aradhe ushtarake, ku çdo njësi vartëse duhet tu bindej urdhrave pa bërë pyetje: “Çdo zyrtar është kudhra e shefit të tij dhe çekani i vartësve të vet”[1]. Tjetër arsye ishte fakti që në ekonominë e centralizuar, të mirat dhe shërbimet shpërndahen në bazë të nevojave dhe jo kërkesave të grupeve të ndryshme, dhe partia u caktonte përparësi të ndryshme, në vartësi të mbrojtjes së mbretërisë nga fuqitë imperialiste apo të ndërtimit të së ardhmes komuniste. Në Republikën Popullore përfitimi i ushqimit, të mirave dhe shërbimeve, në pjesën më të madhe, varej nga sistemi i regjistrimit të familjeve – një kopje e papastër e pasaportës së brendshme që u fut në përdorim në dhjetor të 1932 në Bashkimin Sovjetik. Në qytet ky sistem nisi të përdorej në vitin 1951, në 1955 u shtri edhe në fshat dhe u ligjërua në vitin 1958, bash atëherë kur fshatarët po shtyheshin me forcë të futeshin në komuna[2]. Kjo i ndau njerëzit në dy botë të veçuara duke i klasifikuar si “qytetarë” (jumin) dhe “fshatarë” (nongmin)[3]. Statusi i caktuar nga sistemi i regjistrimit ishte i trashëgueshëm nga nëna, pra edhe nëse një vajzë fshati martohej me një djalë nga qyteti, ajo dhe fëmijët e saj do të mbeteshin fermerë.
Sistemi i regjistrimit të familjeve ishte pikë kyçe e ekonomisë së planifikuar. Duke qenë se Shteti ishte i ngarkuar me shpërndarjen e të mirave i duhej të kishte një ide të përafërt për nevojat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Nëse flukse të mëdha njerëzish lëviznin lartë e poshtë vendit në liri të plotë, kuotat e prodhimit dhe grafikët e shpërndarjes, përpunuar nga komisionet e planifikimit nuk do të ishin më të vlefshme. Një tjetër funksion i atij sistemi ishte dhe lidhja e kultivuesit me tokën, duke garantuar që krahu i lirë i punës të ishte gjithmonë në dispozicion të fermave kolektive, surpluset e të cilave merreshin për të paguar industrializimin. Fermerët trajtoheshin si një kastë e trashëgueshme dhe ishin të zhveshur nga privilegjet që gëzonin qytetarët, privilegje që përfshinin banesa të subvencionuara, racione ushqimore, shërbim shëndetësor, shkollim dhe pensione invaliditeti. Në mes të zisë së bukës, Shteti i la fermerët të gjenin vetë mënyrat për tu kujdesur për vetveten.
Një mur u ngrit mes qytetit dhe fshatit, por një hendek po aq i madh ndante njerëzit e zakonshëm me anëtarët e partisë. Por edhe brenda partisë – dhe ushtrisë – një sistem i brendshëm e i ndërlikuar hierarkie përcaktonte privilegjet që gëzonte gjithsecili, duke nisur nga sasia e drithit, sheqerit, vajit të gatimit, mishit, pulave, peshkut, frutave dhe deri te cilësia e të mirave, banesave, shërbimit shëndetësor dhe mundësisë për informacion. Madje edhe cilësia e cigareve ndryshonte në vartësi të kategorisë. Në Guangzhou, në vitin 1962, kuadrot e kategorive tetë dhe nëntë përfitonin dy kuti në muaj me cigare të zakonshme, kuadrot e kategorive nga e katërta te e shtata përfitonin dy kuti të një cilësie më të mirë, ndërsa tre kategoritë më të larta, ku përfshiheshin intelektualët e lartë, artistët, shkencëtarët dhe udhëheqësit e partisë, përfitonin tre kuti të cilësisë më të mirë[4].
Në majë të partisë gjendej udhëheqja, që banonte në rezidenca të veçanta të mbrojtura nga mure të larta, me shërbim sigurie të përhershëm dhe me makina me shofer. Për ta dhe familjarët e tyre kishte dyqane speciale ku me çmime të ulura shiteshin produkte të rralla. Ferma të posaçme prodhonin perime të cilësisë së lartë, mish, pula dhe vezë, të cilat analizoheshin për freskinë dhe provoheshin për helme të ndryshme, vetëm pas kësaj, ushqimet i shërbeheshin udhëheqjes në kryeqytet apo provinca[5]. Mbi të gjithë qëndronte Mao, që jetonte në luks pranë Qytetit të Ndaluar, ku dikur ishin vendosur perandorët, me dhomën e tij të gjumit sa një sallë vallëzimi. Vila pasanikësh, të kompletuara me shefa kuzhine dhe shërbyes përgjatë gjithë vitit, ishin në dispozicion të tij në çdo qytet të madh të vendit[6]. Në shkallën më të ulët qëndronin milionat e njerëzve të internuar në kampet e punës të ngritur në pjesët më të ashpra të vendit, nga i ftohti i hidhur i Manchuria-s deri te shkretëtirat e thata të Gansu-s. Pa asnjë vendim ligjshëm, ishin të detyruar të thyenin gurë, gërmonin për qymyr, mbartnin tulla apo të punonin shkretëtirën për vite të tëra.
Me përparimin e zisë së bukës, radhët e të privilegjuarve u frynë. Paçka spastrimeve të vazhdueshme, numri i anëtarëve të partisë u rrit, nga 12.45 milionë në vitin 1958 në 17.38 milionë në vitin 1961[7]. Anëtarët e partisë dinin si të kujdeseshin për veten. Një mënyrë për tu  gostitur gjatë zisë së bukës ishte pjesëmarrja në takimet e shpeshta, ku çdo gjë sigurohej nga Shteti. Në Shangai, në vitin 1958, u mblodhën 50 000 zyrtarë, në vitin 1960 ky numër u dyfishua, duke shkuar 100 000 zyrtarë. Ata qëndronin në hotelet shtetëror dhe darkonin në banketet e shtruar nga Shteti. Strofulla e parapëlqyer ishte Hoteli Donghu, ish rezidenca e gangsterit të famshëm Du Yuesheng, e cila ishte ndër të paktat ku paçka menysë së përzgjedhur dhe gamës së parfumeve që ofroheshin në tualet, nuk paguaje gjë. Disa prej këtyre konferencave zgjasnin edhe mbi një muaj. Në vitin 1960, thuajse çdo ditë të vitit u mbajt nga një konferencë e nivelit të lartë, kjo me një kosto shumë të lartë për qytetin[8].
Kuadrot e nivelit të ulët gostiteshin në takimet lokale. Në Nayong, në provincën Guizhou, të goditur rëndë nga uria, 260 kuadro kaluan katër ditë duke konsumuar 210 kg. biftek, 500 kg. mish derri, 680 pula, 40 kg. proshutë, 130 litra verë dhe 79 kuti me cigare, pa llogaritur male me sheqer dhe ëmbëlsira. Këtyre u shtoheshin çarçafë të cilësisë së parë, jastëkë luksoz, sapunë të parfumuar dhe të mira të tjera, blerë enkas për konferencën. Nga fundi i vitit 1960, një fabrikë automobilash në Beijing shpenzoi më shumë se 6 000 yuan për të argëtuar vizitorët në hotele të nivel të lartë[9]. Një tjetër taktikë ishte “kontrolli i cilësisë së produkteve”. Në Yingkou, Liaoning, në mars të 1960 mbi njëzetë kuadro, vendosën të testonin prodhimet vendase, duke nisur nga cigaret për të vazhduar me konservat e mishit, frutat dhe biskotat, e gjitha e shoqëruar me porcione të mëdha orizi dhe vere. Në fund të ditës, tre prej kontrollorëve, të nginjur e të pirë, i zunë të vjellat[10].
Organizoheshin edhe udhëtime për qejf. Në shkurt të 1961, rreth 250 kuadro lundruan në bordin e një anijeje luksoze përgjatë Jancesë, duke shijuar gatime të shijshme dhe admiruar kodrat gëlqerore, panoramën karstike, grykat e vogla dhe me raste, duke lënë rehatinë e kabinave, zbrisnin në tokë për të vizituar qendrat kulturore. Qindra shirita fotografik u përdorën. Aroma e vajrave aromatik, të pozicionuar me kujdes në bord, përhapej në të gjithë anijen. Një grup kamerieresh me taka të larta dhe uniforma të reja, ishin gjithmonë të gatshme për të shërbyer pjatat njëra pas tjetrës. Një bandë muzikore luante në sfond. Nuk u pyet për shpenzimet. Vetëm karburanti dhe stafi, gjatë njëzetepesë ditëve të lundrimit, kushtuan 36 000 yuan, të cilave u shtoheshin 5 tonë mish dhe peshk, dhe sasi të panumërueshme cigaresh dhe alkooli. Duhet të ketë qenë një pamje hipnotizuese, lundrimi nën dritën e hënës i anijes të ndriçuar si ylber nga llamba shumëngjyrëshe. Tingulli i të qeshurave, bisedave, i trokitjes së gotave që përhapej mbi ujërat e Jancesë, të rrethuar nga bukuria mahnitëse e peizazhit të cenuar nga zija e bukës[11].
Gjatë zisë së bukës, gostitë dhe të pirat (dachi dahe) që zhvilloheshin në takimet e partisë, në qytete e në fshatra, ishin burim i përhershëm ankesash. Zyrtarët çakej shpesh quheshin “Kuadrot Derra”, sipas personazhit të novelës së famshme, të periudhës së dinastisë Ming, “Udhëtim në Perëndim”[12], i cili ishte gjysmë njeri e gjysmë derr, i famshëm për përtacinë, grykësinë dhe epshin e tij[13]. Por, edhe jashtë partisë, njerëz të thjeshtë kishin mundësi të gostiteshin. Stafi i mensave kolektive shpesh abuzonte me pozitën e vet duke zhvatur ushqime. Në një fabrikë pambuku në Zhengzhou, kryeqyteti i Henan-it të uritur, drejtuesit shpesh mësynin magazinën duke e përdorur si të ishte qilari i tyre. Në një rast, kuzhinieri brenda një dite gëlltiti njëzetë vezë të konservuara në kripë dhe të tjerët u përgjigjën duke ngrënë kile të tëra mishi të konservuar. Makaronat dhe petullat haheshin natën, ndërsa mishi, peshku, perimet e caktuara për mensën ndaheshin mes tyre gjatë ditës. Punëtorëve të zakonshëm u duhej të mbijetonin me tre tasa llapa në ditë të cilës ndonjëherë i shtohej pak oriz i thatë ose papare. Shumica nuk kishin fuqi të punonin.
Fshatarët jo gjithmonë qëndronin pasivë përballë plaçkitjeve. Në një komunë në Guangdong, ku kuadrot lokalë, nëpër bankete dhe gosti për festimin e bollëkut, kishin ngrënë dy të tretat e derrave, fermerët paralajmëruan: “Ju kuadrot vidhni hapur, ne anëtarët e komunës grabisim fshehurazi”[14]. Një vorbull therjesh përfshiu fshatin gjatë vitit 1958, kur fermerët therën gjithë shpendët dhe bagëtitë e tyre, në formë qëndrese ndaj komunave popullore. Të shtyrë nga frika, zërat që qarkullon por edhe nga ajo që shikonin, parapëlqyen të hanin frytet e punës së tyre, apo të krijonin rezerva mishi, apo dhe të shisnin të mirat që kishin në tregun e zi për të rritur kursimet, sesa të hiqnin dorë nga çka ju përkiste. Hu Yongming, në një fshat kodrinor në Guangdong-un veri-lindor, hëngri të gjitha kafshët e tij shtëpiake, duke therur njëra pas tjetrës, në një kohë shumë të shkurtër, katër pula, tre pata, qentë, këlyshët madje dhe macen. Familja e tij u dend me mish[15].
Edhe pas ditëve të vrullshme të 1958, fshatarët vazhduan të gjenin mënyrat për tu sajuar, ndonjëherë edhe me bashkëpunimin e heshtur të udhëheqësve lokalë. Në Louding, një zonë e gjymtuar nga udhëheqës gangsterë, një brigadë arriti të festonte “Ditëlindjen e Partisë Komuniste”, një justifikim i mirë që çdo familje të kollofiste katër pata[16]. Gjatë Vitit të Ri kinez në vitin 1961, në rajonin Zhanjiang, mijëra krerë bagëti u therën nga fermerët e irrituar, ndërsa në zona të tjera të Guandong-ut, në formë proteste  bënë të mundur që të mos gjendej mish derri për gatimet tradicionale me rastin e festës së vitit të ri hënor[17].
Tjetër arsye për gostitë e herëpashershme ishte fakti që pak njerëz, duke parë shpronësimet dhe normat e inflacionit, gjenin arsye për të kursyer. Chen Liugu, një zonjë e moshuar, mjaft kursimtare, kishte arritur të hiqte mënjanë 300 yuan, por në fillimin e verës së 1959, me kapadaillëk qeraste në restorant dhjetëra njerëz që zellshëm konsumonin tasat me supë peshku. “Tani nuk ka kuptim të kursesh të hollat dhe unë kam vetëm nja njëqind yaun të hequr mënjanë për të blerë arkivolin”[18]. Rezidentët e huaj në Bejing vunë re se restorantet, dikur të qeta, në 1959 gumëzhinin, kjo pas përhapjes së fjalëve se do të ngriheshin komunat qytetëse dhe banorët kishin filluar të nguteshin për t’ju shitur orenditë e tyre në dyqanet shtetërore. Përfitimet shpenzoheshin nëpër restorante me pjata të përzgjedhura[19].
Njerëzit e zakonshëm, ndonjëherë, arrinin të hanin bollshëm pasi kishin fatin të ishin nën kujdesin e kuadrove që përdornin aftësitë politike për t’i kthyer njësitë e tyre në bastione bollëku në mes të zisë së bukës. Në Xuhui, Shanghai, disa mensa ishin relativisht luksoze dhe kishin dyer xhami dhe llamba fluoreshente, të tjera kishin radio, ndërsa një në Putuo kishte ndërtuar dhe një akuarium për peshqit[20]. Nga ana tjetër, mbikëqyrja e dobët e zinxhirit të furnizimit me ushqime bënte që, me raste, në disa njësi qytetëse, punëtorët të kishin ushqim me bollëk. Një hetim në Hebei nxori në dritë se ndonjëherë punëtorët lëviznin nga njëra mensë në tjetrën duke ngrënë një seri vaktesh njëra pas tjetrës. Në një mensë, tavolinat mbusheshin aq shumë sa produktet binin përdhe. Pas vaktit, kur u mblodhën të mbeturat, tre nga katër lavamanët u mbushën plot me ushqime. Secili prej tyre mbante rreth 5 kile. Në një rast tjetër, shpërdorimi, disa punëtorë morën ushqimin me vete në fjetore, por shumë prej tij nuk u konsumua asnjëherë. Dyshemeja u mbulua nga një shtresë e verdhë dhe njerëzit shkelnin mbi ushqime të flakura[21]. Në Shijingshan, afër Bejing-ut, furnizimet ishin aq të bollshme, sa punëtorët hanin vetëm mbushjen e panineve dhe pjesë tjetër e flaknin[22].  Në mensat e Fabrikës së madhe të Veglave në Shanghai, orizi shpëlahej në atë mënyrë që çdo ditë kile të tëra përfundonin në tubat e shkarkimit. Më pas nxirrej dhe u a hidhnin derrave për ushqim. Kontrolli i dobët lejonte që punëtorët e turnit të natës të dendeshin me ushqim, madje disa bënin dhe gara kush hante më shumë: një kampion i vërtetë mund të hante rreth dy kile oriz me një të shtënë[23].

 

Frank Dikötter, Mao’s Great Famine.

Përkthimi MVSK

[1] Jammes R. Townsend dhe Brantly Womack, Politics in China, Boston: Little, Brown, 1986, 86.

[2] Komunat popullore, njësi e lartë e ekonomike e organizmit kolektiv socialist në Kinë gjatë Hovit të Madh. [Shën. MVSK]

[3] Tiejun Cheng and Mark Selden, “The construction of spatial hierarchies: China’s hukou and danwei system” në Timothy Cheek dhe Tony Saich (eds), New prespectives on State Socialism in China, Armonk, NY: M. E. Sharpe, 1997, 23-50.

[4] Guangdong, 15 March 1962, 300-1-215, 205-7.

[5] Li, Private life of Chairman Mao, 78-9.

[6] Fu Zhengyuan, Autocratic Tradition and Chinese Politics, Cambridge: Cambridge University Press, 1993, 238.

[7] Lu, Cadres and Corruption, 86.

[8] Shanghai, 1961, B50-2-324, 15-24.

[9] Neibu cankao, 25 Nov. 1960, 11-12.

[10] Neibu cankao, 6 March 1961, 5.

[11] Neibu cankao, 22 Feb. 1961, 13-14.

[12] Xiyou Ji, në anglisht Journey to the West, publikuar në shekullin XVI [Shën. MVSK]

[13] Guangdong, 5 Sept. 1960, 231-242, 72-7.

[14] Guangdong, 10 Dec. 1960, 217-1-643, 44-9.

[15] Po aty, 45.

[16] Guangdong, 25 July 1959, 217-1-497, 61-3.

[17] Guangdong, 1961, 217-1-116, 48.

[18] Guangdong, 26 June 1959, 217-1-69, 33-8.

[19] PRO, London, 15 Nov. 1959, FO371-133462.

[20] Shanghai, 8 Oct. 1960, A20-1-10, 19.

[21] Hebei, 8 May 1959, 855-501758, 97-8.

[22] Bejing, 14 Feb. 1959, 1-14-537, 65.

[23] Shanghai, 27 Jan. 1961, A26-1-246, 9-17.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s