Më 27 nëntor 1947, Partia Komuniste në Shqipëri nënshkroi Konventën Ekonomike me R.F.P. të Jugosllavisë, ku mes të tjerash parashikohej dhe bashkimi doganor (pa mekanizëm kompensimi) mes dy vendeve, njësimi i lekut me dinarin dhe vendosja e sistemit jugosllav të çmimeve, duke i hapur kështu udhën aneksimit të Shqipërisë nga Federata jugosllave.
Artikulli i mëposhtëm shpreh pikëpamjet dhe interpretimin që Komisioni i Agit-Propit të Komitetit Qendror të PKSH-së i bënte Konventës.
Konventa ekonomike midis R.F.P të Jugosllavisë dhe R.P. të Shqipërisë bazë e shëndoshë për forcimin e bashkimit të popullit t’onë me popujt e Jugosllavisë së re
Më 10 Dhjetor 1946 botohej njëkohësisht në Beograd e në Tiranë, komunikata mbi nënëshkrimin, më 27 Nëndor t’atij viti, të Konventës Ekonomike midis Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë.
Kjo datë shënon një nga evenimentet më të rëndësishme të jetës së popullit t’onë dhe të popujve të Jugosllavisë, të rrugës së tyre të përbashkët të filluar që në kohën e luftës N.Çl dhe njëkohësisht të së ardhmes së tyre të përbashkët. Veçanërisht për popullin t’onë konventa ekonomike është ngjarja me rëndësi të madhe sepse shënon perspektiva të sigurta për ndërtimin e një t’ardhme më të mirë.
Në mesazhin e 1 Janarit 1946 drejtuar popullit Shoku Komandat kështu tregonte rëndësinë e madhe dhe kuptimin e thellë të Konventës Ekonomike midis Republikës s’onë Popullore dhe R.F.P. të Jugosllavisë:
«Marëveshja që u nënëshkrua këto kohët e fundit me Jugosllavinë dhe që për qëllim koordinimin e planeve ekonomike të dy vendeve, unifikimin e monedhës dhe zhdukjen e doganave dhe taksës doganale është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vendit t’onë. Marëveshjet me Jugosllavinë, të domosdoshme dhe jetike, na i sigurojnë këtë ndihmë të madhe për të cilën ka nevojë vendi jonë ashtu sikundër ato mbrojnë dhe sigurojnë independencën, integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Marëveshje të tilla arrihen dhe realizohen me sukses vetëm n’ato vende sikundër janë vendet t’ona, ku regjimet janë thellësisht demokratike dhe ku populli e ka krejtësisht fuqinë në dorë».
Konventa ekonomike e Republikës s’onë Popullore me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë, nuk ishte një gjë e rastit por një rezultat llogjik i bashkëpunimit dhe vëllazërimit që u çelnikos gjatë luftës N.Çl. midis popullit t’onë dhe popujve të Jugosllavisë së Re. Prandaj që të kuptojmë mirë rëndësinë dhe kuptimin e Konventës Ekonomike me Jugosllavinë duhet të njohim thellë lidhjet e ngushta vllazërore që ekzistojnë midis popullit t’onë dhe popujve të Jugosllavisë.
Popujt e Jugosllavisë dhe populli i jonë t’udhëhequr prej Partisë Komuniste e shokve Tito-Enver, luftuan për pesë vjetë me radhë kundra fashizmit italo-gjerman dhe tradhtarve të brendshëm, kundra të njëtëve armiq për të njëjtin qëllim. Kjo ishte një rrugë e përbashkët që do t’a çonte popullin t’onë dhe popujt e Jugosllavisë, ashtu siç i çoj në çlirimin e vendeve t’ona dhe në vendosjen e pushteteve popullore. Kjo luftë dërmoi një herë e për gjithmonë të gjitha klikat reaksionare e anti-popullore që jo vetëm bëheshin pengesë për marrëdhëniet e drejta reciproke midis popujve t’anë por shkaktonin keqësim sa më të thellë midis popullit t’onë dhe popujve fqinjë të Jugosllavis, në dëmin e të dy palëve dhe n’interesat meskine të atyre që sundonin dhe të imperialistave të huaj që e ruanin Ballkanin si «vozën e barutit» për lodrat e tyre të rrezikshme e grabitqare.
Në luftën N.Çl. ku bijt e popullit t’onë përzienë gjakun e tyre me bijt e popujve heroikë të Jugosllavisë u hodhën dhe u forcuan themelet e një bashkimi dhe vëllazërimi kaq të thellë; sa për kohën e ndërtimin paqësor rruga e jonë e përbashkët ishte e kjart dhe me baza të shëndosha reale. Ajo siguronte jo vetëm bashkimin e vëllazërimin e të dy popujve në të gjitha fushat e marrëdhënieve të tyre, por bëhej një faktor me shumë rëndësi për ruajtjen e forcimin e paqes e demokracisë në Ballkan e n’Europë.
Gjatë luftës së dytë botërore, flamurin dhe peshën e së cilës e mbajti Bashkimi i Math Sovjetik duke dërmuar maqinën luftarake të Gjermanisë naziste pararoje e imperializmit agresor, popujt e Jugosllavisë me Partinë e tyre Komuniste dhe të udhëhequr nga Mareshalli Tito me luftën e tyre legjendare u bënë simboli dhe kështjella e rezistencës së popujve të robëruar të Ballkanit e t’Europës dhe e luftës së tyre çlirimtare.
Nga lufta heroike e popujve të Jugosllavisë ne patëm një ndihmë të madhe dhe nxorëm mësime të çmueshme:
«As mund të zhvillohej lufta e jonë në atë mënyrë si u zhvillua, pa mbështetjen, përkrahjen, ndihmën e madhe të luftës së popujve vëllezër të Jugosllavisë. As lufta e jonë as populli i jonë nuk mund të kishin jetën të gjatë pa një bashkim pa një vëllazërim me luftën dhe me popujt e Jugosllavisë së Re. Të dy popujt t’anë i lidhi lufta, i bashkuan qëllimet, i bashkoi jeta. Populli i jonë kishte fatin e madh të kishte në kufi të Veriut një aleat të fuqishme e besnik që e shpëtoi nga reziku, që e ndihmoi në rezikun më të math, që lidhi me të për jetë fatet e tij.»
Kështu ka thënë Komandanti ynë Shoku Enver Hoxha në Mesazhin e tija drejtuar popullit me rastin e festës së madhe të 29 Nëndorit.
Pas luftës së dytë botërore Jugosllavia dhe Shqipëria fituan lirinë, independencën dhe sovranitetin e tyre të plotë. Ata nuk ishin më lodra e imperialistëve dhe e klikave që sundonin e shtypnin popujt e këtyre dy vendeve duke krijuare në të njëjtën kohë një hendek ndarjeje që s’ishte aspak n’interesin e të dy popujve. Vendet t’ona t’udhëhequra prej Partisë Komuniste e Shokve Tito-Enver u shkëputën definitivisht nga zgjedha e imperialistëve dhe përmbysën një herë e për gjithmonë të gjitha klikat anti-popullore agjente natyrale të imperializmit. Siç ishte e natyrshme dhe llogjike popujt e Jugosllavisë së Re dhe populli shqiptar ngritën në vendet e tyre pushtete popullore, kurorëzim i shkëlqyer i luftës së tyre N.Çl. duke hedhur kështu bazën kryesore për të ecur përpara drejt fitoresh të reja në lëmin e ndërtimit të gjithanshëm të vendeve të tyre. Prandaj ish i domosdoshme dhe vitale për të dy demokracitë e reja popullore që bashkimin dhe vëllazërimin që i lidhi të dy popujt gjat luftës çlirimtare t’i forcojnë akoma dhe t’u hidhnin baza konkrete reale në situatën e re të periudhës së ndërtimit të pas-luftës.
Ku duhej të mbështetej dhe cilat do të ishin bazat e këtij bashkëpunimi të ngushtë? Cili do të ishte vazhdimi llogjik i rrugës së përbashkët të luftës çlirimtare, tani në kohën e paqes?
Forcimi i bashkimit dhe vëllazërimit të të dy popujve duhet të kishte pa tjetër baza të forta dhe të zhvillohej nga të gjitha anët. Të dy popujt kishin pësuar konseguenca të rënda nga agresioni fashist italo-gjerman. Lufta e tyre i hodhi patjetër në pozita të kundërta me agresionin dhe imperializmin agresor në çdo formë që mund të çfaqej, i hodhi në pozita anti imperialiste dhe kundra luftës e nxitësve të saj. Të dy popujt të dalë nga një luftë e gjatë dhe e përgjakshme ishin për një paqe të shëndoshë, për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e lirisë, independencës dhe sovranitetit të plotë të vendeve të tyre kundër çdo agresioni. Këto janë arsyet e thella të traktatit të miqësis dhe të ndihmës reciproke që u lidh midis Republikës s’onë popullore dhe R.F.P. të Jugosllavisë. Ky traktat përbënte njëkohësisht një gur të shëndoshë në ndërtimin dhe forcimin e paqes dhe të siguris në Ballkan dhe n’Europë. Veçanërisht për vendin t’onë të vogël aleanca e sinqertë me popujt vëllezër të Jugosllavisë së Mareshallit Tito, të provuar për dashurinë e madhe dhe sakrificat e pa shembullta karshi popullit t’onë gjatë luftës, formon një garanci të sigurtë dhe shumë të madhe për lirinë, independencën dhe integritetin e Atdheut t’onë. Pa këtë aleancë rreziqet që e kërcënojnë vendin t’onë do të bëheshin realitet dhe ekzistenca e jonë si Komb e si demokraci popullore do t’a kishte jetën e shkurtër. Le të supozojmë për një moment sikur në kufit t’ona Veri-Lindore të kishte një Jugosllavi të tipit të Greqisë Monarko-Fashiste. Vendi i ynë do të ishte i rrethuar në të katër anët prej fashizmit dhe do të zhdukej me një herë me anën të forcës. Në qoftë se neve sot në vendin t’onë gëzojmë lirinë dhe kemi një demokraci popullore të pa-prekshme nga lakmit e imperializmit agresor, kjo i detyrohet ekzistencës së Bashkimit Sovjetik dhe njëkohësisht Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, ndihmës dhe përkrahjes së pa-kursyer që na jep kjo në çdo rast ashtu siç na i dha gjatë luftës për çlirimin t’onë nacional. Pa një Jugosllavi Federative Popullore të fortë nga çdo pikpamje do të ishte në rrezik qenia e jonë si popull i lirë.
Provat e kësaj aleance të fortë e të sinqertë, Jugosllavia e Mareshallit Tito i ka dhënë dhe i jep vazhdimisht. Shoku Komandant ka thënë:
«Mbrojtja e Eduard Kardeljit dhe fjalët e Mosha Piades drejtuar Konferencës së Paqes: «Me Shqipërinë ne kemi një pakt miqësije dhe alenace dhe ne jemi nga ata që i mbajmë premtimet deri në fund» e përmbledhin gjith kuptimin e miqësisë që na lidh me popujt vëllezër të Jugosllavisë».
Duhet të kuptojmë mirë se imperializmi sot nuk bën ndërhyrje t’armatosur ndër vendet që janë shkëputur prej hallkës së tija, jo se ay ka ndruar mendim dhe ka hequr dorë nga taktika e vjetër, por sepse është në pamundësi praktike që t’a bëjë nga fakti se demokracitë e reja popullore paraqiten si një forcë e organizuar nga të gjitha anët dhe në gjendje që t’i bëjnë ballë çdo agresioni brutal, me mjete materiale dhe politike. Kjo nuk do të thotë se imperializmi nuk ndërhyn me armë po pa se në filan vend pozitat e popullit janë aqë të dobta sa kjo inisiativë do t’i siguronte atij një sukses. Imperializmi s’ka hequr dorë nga ndërhyrjet e armatosura. Ndërhyrjet e imperializmit qoftë dhe në forma tentative ose provokacioni i kemi provuar shumë herë neve në vendin t’onë; shembëll kemi provokacionet e vazhduara në kufijt t’ona të jugut, kemi tentativën e Shtatorit 1946 në Shkodër si dhe përgatitjet dhe aksionet e izoluara të t’arratisurve kriminelë lufte. Gjatë gjyqeve të popullit është zbuluar haptazi dora e imperializmit. Këtë ndërhyrje ne e shohim sot në Greqi, Kinë, Hindonezi e në vende të tjera. Por çdo tentativë e imperializmit në cilëndo formë qoftë ka dështuar dhe do të dështojë plotësisht në vendin t’onë ashtu edhe në vendet e tjera sepse kundra qëllimeve dhe planeve të imperializmit qëndron i fortë kamp anti-imperialist dhe demokratik me Bashkim Sovjetik në krye; sepse vendi i jonë midis të tjerave është i lidhur dhe i bashkuar në mënyrë të pathyeshme me popujt heroikë të Jugosllavisë së Re. Prandaj traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke me Jugosllavinë dhe përgjithësisht lidhjet dhe marrëdhëniet t’ona me popujt e Jugosllavisë janë gjithë jeta e jonë, ekzistenca e jonë si popull.
Por aleanca midis popullit t’onë dhe popujve të Jugosllavisë veç bazave morale dhe politike duhej të gjente bazën e saj të shëndoshë materiale që konsiston në fuqizimin material të të dy vendeve, në forcimin e ekonomisë dhe fuqisë mbrojtëse të vendit t’onë. Të kërkosh të fuqizohesh ekonomikisht dhe nga të gjitha anët e tjera në mënyrë t’izoluarë pa marrëdhënie të ngushta reciproke, pa një bashkim të të gjitha mjeteve dhe mundësive materiale kjo do të thotë të mohosh gjakun e derdhur së bashku, të mohosh vijën e drejtë të luftës së përbashkët kundra të njëjtit armik, të harrosh qëllimet e kësaj lufte, të vesh në rrezik të pa evitueshëm objektivat e përbashkëta, rrugën e socjalizmit, jetën dhe ekzistencën e përbashkët, të tradhtosh detyrat historike që nga ngarkohen si popull që bëjnë pjesë të vendosur në kampin anti-imperialist dhe Demokratik.
Konventa Ekonomike midis Republikë Federative Popullore të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë është, pra, mbështetja materiale dhe plotësimi i traktatit të miqësisë dhe ndihmës reciproke, është vazhdimi logjik i rrugës së përbashkët që ndjekim ne dhe popujt e Jugosllavisë së Re, forcimi i kësaj rruge dhe baza për realizimin e aspiratave të mëdhaja të popujve t’anë. Konventa Ekonomike ishte një nevojë historike për popujt Jugosllavë dhe për popullin t’onë në rrugën e përbashkët të rindërtimit dhe ndërtimit të vendit. Veçanërisht për popullin t’onë Konventa Ekonomike me Jugosllavinë ishte e domosdoshme. Vendi i jonë i varfër dhe i prapambetur ekonomikisht, i shkatërruar nga okupacioni fashist nuk mund t’i bënte ballë me forcat e veta problemeve të mëdhaja të rindërtimit. Fitoret e mëdhaja të luftës N.Çl., pushtetin popullor, lirin dhe independencën e tija populli i jonë duhej t’i forconte dhe t’i siguronte duke ndërtuare një ekonomi të zhvilluar duke zhdukur mbeturinat e ekonomisë feudale e kapitaliste çfrytëzonjëse, duke krijuar kondita materiale për një jetë më të mirë për masat e gjera popullore. Për t’i plotësuar këto detyra populli i jonë kish nevojë për një mbështetje të fortë, për një përkrahje vllazërore dhe konkrete. Këto mbështetje dhe përkrahje ja siguronte popullit t’onë bashkimi dhe vëllazërimi që ay kishte vendosur me kohë me popujt vëllezër të Jugosllavisë.
Në komunikatën e përbashkët që u lëshua nga të dy qeveritë më 10 Dhjetor 1947 thuhet:
«Me këtë konvension R.F.P. e Jugosllavisë merr barrën për t’i ofruar një përkrahje të gjerë dhe një ndihmë të konsiderueshme në fushën e mjeteve të prodhimit dhe të tjera R.P. të Shqipërisë me qëllim ngritjen ekonomike të kësaj më të shpjet dhe më efikase.»
Konventa Ekonomike me Jugosllavinë Federative Popullore, ndihma e saj shumë e madhe krijuan për vendin t’onë konditat për ndërtimin e një ekonomie me plan, për kryerjen e realizimeve të mëdhaja. Pa Konventën Ekonomike, pa ndihmën e Jugosllavisë Federative Popullore, Shteti i jonë nuk mund të ndërtonte një plan për zhvillimin ekonomik të gjithënashëm të vendit t’onë. Konventa Ekonomike dhe ndihma e madhe e popujve të Jugosllavisë shumëfishuan forcat e popullit t’onë dhe krijuan kështu mundësitë që në vendin t’onë të ndërtoheshin vepra që vetë me forcat t’ona do të ishte e pa mundur që t’i kryenim.
Ka një vjet që kur populli i jonë dhe popujt e Jugosllavisë kanë punuar së bashku për realizimin e Konventës Ekonomike, në rrugën e zbatimit të planeve të tyre të përbashkëta. Sukseset e këtij viti në fushën e ndërtimit të vendit t’onë janë korrur në sajë të ndihmës së madhe të popujve të Jugosllavisë së Re dhe si rezultat i realizimit të Konventës Ekonomike me R.F.P.J. Me realizimin e plotë e të vazhdueshëm të Konventës Ekonomike me R.R.P.J. vendi i jonë do të përparojë, ekonomija do të zhvillohet, pushteti do të forcohet dhe do të krijohen kondita për një jetë më të mirë për popullin t’onë. Fuqija politike dhe ekonomike e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë është një garanci e madhe për zhvillimin e forcimin e Republikës s’onë. Republika Federative Popullore e Jugosllavisë ka ecur shumë përpara në rrugën e rindërtimit dhe ndërtimit të vendit. Plani 5 vjeçar është një fitore e madhe e popujve të Jugosllavisë, ay tregon forcën e tyre, rrugën e drejtë dhe udhëheqjen lark-pamëse të Partisë Komuniste e të Mareshallit Tito. Realizimet dhe sukseset e vitit të parë të planit tregojnë se popujt e Jugosllavisë janë të fortë e të vendosur në rrugën e tyre dhe se ata e kanë të sigurtë realizimin e planit 5 vjeçar. Realizimet e planit pesë-vjeçar të R.F.P. të Jugosllavisë janë njëkohësisht suksese për vendin t’onë, sepse forcimi ekonomik i Jugosllavisë Federative Popullore do të thotë garanci për forcimin ekonomik të vendit t’onë.
Bashkimi dhe vëllazërimi sa m’i thellë me popujt e Jugosllavisë së Mareshallit Tito do të thotë sigurimi në mënyrë të pathyeshme i të arthmes s’onë, i vetë ekzistencës s’onë. Ky është kuptimi që duhet t’i japë çdo anëtar i Partisë dhe çdo qytetar i Republikës Popullore marrëdhënieve t’ona vllazërore me popujt e Jugosllavisë së Re. Kjo është vija e Partisë s’onë të udhëhequr prej shokut Enver Hoxha, që ka drejtuar dhe luftuar n’interes të popullit.
«Këtë vijë Partija e jonë – tha shoku Koçi Xoxe në fjalën e tija të mbajtur me rastin e hapjes së shkollë së I-rë të Partisë më 2 Dhjetor 1947 – përcaktoi kjartë dhe kthjellët në konstatimet e pleniumit të zgjeruar të Dhjetorit të kaluar ku në lidhje me Konventën Ekonomike me Jugosllavinë, në mes të tjerash theksonte se: «Konventa Ekonomike plotëson ndihmën e madhe që popujt e Jugosllavisë i japin popullit Shqiptar për t’a forcuar Pushtetin, për t’a siguruar të arthmen dhe për të qenë një forcë përparimtare në Ballkan.
Partija duhet të kuptojë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Jugosllavinë, rëndësinë e zbatimit të këtij akordi dhe të kuptojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej tij.
Konventa Ekonomike është konsekuente e vijës së Partisë s’onë. Partija e jonë ndërmori veprën e madhe për mobilizimin e masave të popullit në luftë kundra fashizmit dhe për shkatërrimin e pushtetit të vjetër. Marrëdhëniet me popujt e Jugosllavisë kanë qenë të shëndosha gjatë luftës N.Çl. se rruga në të cilën ecnin këta ishte e shenjtë dhe në këtë rrugë inspiroheshin nga Bashkimi i Math Sovjetik. Fitorja e këtyre dy popujve u arrit se në krye të masave ishin Partitë t’ona Komuniste. Popujt t’anë mbas çlirimit ndoqën të njëjtën rrugë për forcimin dhe konsolidimin e pushteteve popullore dhe me këta pushtete popullore popujt t’anë shkuan drejt një bashkimi të fortë që u konkretizua me aleancën t’onë të madhe dhe me Konventën Ekonomike e cila plotëson këto marrëdhënie».
Saktësin e kësaj vije të Partisë s’onë e vërtetoj koha dhe zhvillimi i situatës ndërkombëtare dhe të brendshme.
Të luftosh gjithnjë për realizimin e jetës së kësaj vije do të thotë të zbatosh si duhet detyrat karshi Partisë, karshi popullit dhe karshi kampit anti-imperialist e demokratik; do të thotë të punosh për demokracinë popullore dhe paqen e shëndoshë, dhe për triumfin e socjalizmit në vendin t’onë dhe në botë. Po të flasësh për këtë vijë dhe në praktikë të mos zbatosh do të thotë të bësh demagogji kundrejt Partisë dhe Popullit, karshi kauzës së madhe të socjalizmit. Në fjalimin e tija me rastin e hapjes së shkollës së I-rë të Partisë shoku Koçi Xoxe ka thënë:
«Çfarë nuk është bërë ose penguar në këtë frymë në këtë drejtim gjatë këtij vjeti duhet të dimë se kjo ka qenë në dëm të Demokracisë dhe të Socjalizmit në vendet t’ona dhe në botë.»
Armiqt e popullit t’onë, imperialistat grabitqarë agjentët e tyre, njerëz që nuk e duan dhe nuk punojnë për interesat e popullit janë përpjekur dhe përpiqen vazhdimisht të shtrembërojnë kuptimin dhe të nënvleftësojnë rëndësinë e bashkimit të popullit t’onë me popujt e Jugosllavisë së Re. Ata përpiqen t’i paraqesin këto marrëdhënie me ngjyrën e errët të marrëdhënieve imperialiste. Por ata nuk kanë mundur dhe nuk do të mundin kurr çfarëdo taktike që të përdorin për t’i cenuar popullit t’onë bashkimin dhe vëllazërimin e tija me popujt e Jugosllavisë. Aleanca, Konventa Ekonomike dhe përgjithësisht lidhjet dhe bashkëpunimi i popullit t’onë me popujt e Jugosllavisë kanë marrëdhënie të shëndosha se janë të tipit të ri thellësisht vllazërore dhe demokratike që nuk mund të ekzistojnë midis vende kapitaliste.
Vullneti dhe dëshira e popullit t’onë për një bashkim dhe vëllazërim sa më të plotë me popujt e Jugosllavisë manifestohet dita ditës. Detyra e çdo anëtari të Partisë në radhë të parë është që të vërë të gjitha forcat për realizimin total të këtij bashkimi dhe vëllazërimi në mes të popullit t’onë dhe popujve të Jugosllavisë ku mund të themi «nuk ekziston asnjë pengesë as natyrale (kufitë) as politike.
Ku qëndrojnë praktikisht këto detyra për anëtarët e Partisë dhe për popullin t’onë? Ato qëndrojnë në shkrirjen e të gjitha energjive për forcimin e pushtetit t’onë popullor, për realizimin e planit të Shtetit të koordinuare me atë të Jugosllavisë, në përfitimin dhe në realizimin konkret të ndihmës së çmuar që na jep Jugosllavia Federative Popullore për ndërtimin e vendit, në zbatimin praktik në jetën t’onë të përditshme të Konventës Ekonomike me Jugosllavinë në forcimin e të gjitha marrëdhënieve t’ona të ngushta me popujt e Jugosllavisë dhe në zhvillimin e forcimin e vigjilencës kundra armiqëve reaksionarë. Kështu bashkimi dhe vëllazërimi ynë me popujt heroikë të Jugosllavisë do të bëhet i pathyeshme në interesin t’onë, atë të dy palëve dhe në interesin e Demokracisë së vërtetë dhe të paqes së qëndrueshme në Ballkan e në botë. Këto detyra janë të lidhura ngushtë me kauzën e kampit anti-imperialist dhe Demokratik në krye të të cilit qëndron Bashkimi i math Sovjetik. T’i shkëputësh këto detyra nga lufta kundra tentativave të imperializmit dhe të nxitësave të luftës për një Demokraci popullore dhe një paqe të qëndrueshme do të thotë të harrosh rolin që duhet të lozim ne si popull me një demokraci popullore dhe me një Parti Komuniste në krye, në luftën për dështimin e planeve agresive të imperializmit dhe shërbëtorëve të tyre. Bashkimi dhe vëllazërimi i popullit t’onë me popujt e Jugosllavisë së Re, një bazë e shëndoshë e të cilit është Konventa Ekonomike, nuk është vetëm garancia e padiskutueshme e jetës dhe të arthmes s’onë më të mirë, por gjith’ashtu një gur i shëndoshë në ruajtjen dhe forcimin e paqes e të demokracisë popullore në Ballkan e në botë.
M.T.
«Agitatori», Nr. 7/1947, f…