«Gjyshi im u rrit në fshat, ku së bashku me të vëllain dhe fëmijët e tij punonin tokën. Fqinji i vet, Petya, ishte një morracak, që ditët i shtynte në verandën e barakës duke fjetur gjumë, ndërsa mbrëmjet i kalonte duke pirë dhe rrahur bashkëshorten e gjorë. Na shikonte me përbuzje kur ne, nën diellin përvëlues, ndërtonim hambarin e ri, apo kur merrnim ndonjë lopë të re. Kur gjërat vështirësoheshin, Petya shfaqej përpara derës tonë dhe lypte ndihmë. Në vitin 1929 u shfaq me një grup të fortësh, veshur me uniformë ushtarake dhe me një kësulë me yll të kuq, deklaroi: “Në emër të Pushteti sovjetik, të urdhëroj të kolektivizosh të gjitha pronat dhe tokat e tua.” Prandaj, gjatë gjithë jetës së tij, gjyshi im e urreu Pushtetin sovjetik.»
(Treguar në Moskë, autorit nga një rus shtatëdhjetë e pesë vjeçar.)
….
Komunizmi i luftës: qëllimet fillestare të themeluesve
Përgjithësisht, Komunizmi i Luftës është interpretuar si një zgjedhje e detyruar për shkak të luftës civile në Rusi[1]. Por, ka prova që e kundërshtojnë këtë interpretim, prova që tregojnë qëllimin fillestar për ngritjen e një shoqërie komuniste pa kaluar nëpër faza përgatitore[2]. Shkrimet e themeluesve të bolshevizmit, përpara dhe gjatë Komunizmit të Luftës, shfaqin vullnetin e qartë për krijimin e një ekonomie të planifikuar dhe ndalimin e pronës private – detyra që i morën përsipër, me entuziazëm, sapo kapën pushtetin. Bolshevikët, teorikisht, shtetëzuan të gjitha sipërmarrjet, përfshirë dhe ato me një apo dy të punësuar, ndaluan tregtinë private, ndaluan monedhën dhe sekuestruan ato që quanin “surpluse bujqësore”. Këto shtetëzime masive nisën në gjysmën e dytë të 1917, përpara shpërthimit të luftës civile, dhe dekreti më i ashpër për shtetëzimet u miratua në nëntor të 1920, pra pasi lufta përgjithësisht cilësohej e përfunduar. Kjo hedh poshtë qëndrimet zyrtare se Komunizmi i Luftës ishte thjesht një reagim ndaj nevojave të gjendjes së luftës.
Komunizmi i Luftës, është përshkruar si “dështimi më i madh në historinë e ekonomisë”[3]. Prodhimi ra në mënyrë drastike dhe qytetet u shpopulluan. Në 1920, prodhimi industrial ishte sa një e pesta e nivelit të para luftës. Nuk është për tu habitur që përpjekja për të ngritur brenda natës dhe në kushte të pa stabilizuara politike, një sistem ekonomik pa monedhë, pa treg dhe pa pronë private, dështoi në mënyrë katastrofike. Ky dështim tregon prirjen e udhëheqjes së re për tu përkulur përpara qëllimeve ideologjike, gjithashtu marrëzinë, naivitetin e tejskajshëm dhe pa përgatitjen për të qeverisur.
Paul R. Gregory, The political economy of Stalin, 27-28.
Përkthimi MVSK
[1] Silvana Malle, The Economic Organization of War Communism, 1918-1921 (Cambridge: Cambridge University Press, 1985)
[2] Paul Craig Roberts, Alienation and the Soviet Economy (Alburquerque: University of New Mexico Press, 1971), kapitulli 2; Peter Boettke, Calculation and Coordination, kapitujt 6 dhe 7.
[3] William Chamberlin cituar në Boettke, Calculation and Coordination, 78.