Home

Historia e komunizmit është e mbushur me katastrofa mjedisore të shkaktuara nga dora e njeriut dhe me dëmet e pallogaritshme që këto shkaktojnë. “Metalurgjiku” dhe “pylli i sodës” janë rastet më të njohura për publikun shqiptar, por në nivel botëror, ndër më famëkeqit rreshtohet lufta e Maos ndaj harabelave. “Fushata për shfarosjen e harabelave”, pjesë e fushatës për “eliminimin e katër plagëve”, ku përfshiheshin edhe mizat, mushkonjat dhe minjtë, u zhvillua në kuadër të reformave të thella ndërmarrë nga Kina komuniste, për industrializimin e përshpejtuar të vendit dhe për revolucionarizmin e bujqësisë, që do të duhej të shërbente si financuese e këtij industrializimi. Si rezultat i këtij hovi të madh përpara, sipas vetë udhëheqjes komuniste, Kina për një dekadë, sipas Partisë, do të arrinte standardet e Britanisë së Madhe; qëndrime mjaft domethënëse për nivelin e njohurive ekonomike të udhëheqjes dhe të qasjes ndaj proceseve që përfunduar me autogjenocidin më të tmerrshëm të historisë së njerëzimit.
Kthehemi te harabelat: në vitin 1958 Mao mobilizoi gjithë fshatarësinë për shfarosjen e harabelave, të cilët akuzoheshin se dëmtonin të mbjellat dhe të korrat, duke ulur kështu prodhueshmërinë dhe prodhimin. Fshatarësia u urdhërua që të bënte zhurmë, me çdo mjet edhe duke përdorur kusitë, në mënyrë të atillë që fluturakët të mos arrinin të uleshin në fusha dhe kështu të ngordhnin urie. Më pas u organizuan dhe skuadra gjuetie, që shkatërronin foletë, vrisnin zogjtë dhe thyenin vezët. Mobilizimi i popullsisë ishte i lartë dhe rezultatet ato që Partia priste: zhdukja thuajse e plotë e gjithë harabelave.
Shkencës komuniste ju deshën dy vite për të kuptuar se harabelat, veç kallëzave të grurit, hanin dhe një mori insektesh dhe kandrash, të cilat në mungesë të grabitqarit të natyrshëm u shumuan në përmasa të jashtëzakonshme, duke i shkaktuar të mbjellave një dëm të paimagjinueshëm. Të korrat, pas prishjes së ekuilibrit natyror, ishin katastrofike. Autoritet u përpoqën të merrnin masa duke mobilizuar popullsinë kundër brejtësve, mushkonjave dhe insekteve, u arrit deri në armatosjen e fëmijëve me kobure me pesticide, por atëbotë dëmi ishte i pandreqshëm. Rënia drastike e prodhimit bujqësor thelloi përmasat e asaj që njihet si Uria e Madhe, gjatë të cilës, në një vend, dikur, me kulturë të rafinuar u regjistruan raste të shpeshta kanibalizmi. Përmasat zisë së madhe kineze janë ende për tu përcaktuar, dhe ndoshta nuk do të saktësohen për sa kohë të jetë në pushtet diktatura komuniste, por përllogaritjet flasin për 45 milionë të vdekur (si të zhdukje në harkun e shumë pak viteve gjithë popullsia e Spanjës), të tjera përllogaritje janë edhe më pesimiste.
Sot, harabelat janë kthyer në Kinë, ajo që mbetet, si dëshmi e marrisë komuniste, është mizëria e varreve të të mjerëve që gjetën më të tmerrshmen e vdekjeve, atë nga uria.

A.T.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s