Home

Marrja e Berlinit u shoqëruar me një shpërthim të shfrenuar të dhunës seksuale nga ana e ushtarëve sovjetikë. Në një memorandum të 19 korrikut 1945, Ambasadori Robert Murphy do të shënonte se “bazuar në vlerësime të besueshme… shumica e popullsisë femërore” raportohet se është përdhunuar. Ka mundësi që vlerësimi i Murphy-t të jetë i ekzagjeruar; për shembull, disa raporte të shërbimeve sekrete tregojnë se megjithëse përdhunimi në ato ditë ishte fenomen i zakonshëm, “nuk ishte aq i përhapur sa shfaqet në disa burime”. Në çdo rast, ka aq shumë raporte që tregojnë për dhunën sistematike ndaj grave të Berlinit, sa serioziteti i problemit nuk mund të anashkalohet. Kur futeshin në bunkerët ku gjermanët ishin fshehur për tu shpëtuar luftimeve të ashpra, ushtarët sovjetikë vringëllinin armët dhe përdhunonin gratë në sytë e fëmijëve dhe burrave. Në disa raste, ushtarët i ndanin gratë sipas shijeve të tyre. Në të tjera raste, gratë përdhunoheshin në grup. Përgjithësisht, ushtarët përdhunonin pa bërë dallime, pa përjashtuar të moshuara në të shtatëdhjetat, apo vajza të vogla. Kryetari i parë antifashist i Bashkisë së Charlottenburg-ut do të shkruante: “Fillimisht, rusët plaçkitën në shkallë të gjerë; vodhën individët, depot, dyqanet dhe shtëpitë. Çdo ditë kishte raste të panumërta përdhunimesh. Gratë mund ti shpëtonin përdhunimit vetëm nëse qëndronin të fshehura… Është e vështirë të rrokësh shtrirjen e plotë të përdhunimeve”.
Përdhunimi në bunkerë u pasua nga plaçkitjet dhe përdhunimet e pandalshme në apartamentet dhe banesat e Berlinit. Ankesa të pafundme u përpiluan drejtuar autoriteteve lokale. Raporti i mëposhtëm, dërguar policisë së Rathaus Spandau-t dhe përcjellë Komandantit sovjetik të Spandau-t, është tipik (Në dosjen arkivore, emrat janë fshirë)
Natën e 6 majit, 1945, në 2:30 të mëngjesit, tre ushtarë rusë hynë në korridor nëpërmjet dritares. Njërin prej banorëve e zvarritën jashtë që të hapte derën. Në këtë pikë, të gjitha apartamentet e ndërtesës filluan të kontrolloheshin nga tre ushtarët, supozohet me urdhër të komandës. Arritën deri në katin e dytë e më pas u kthyen aty ku po flinin dy gra të reja dhe një bebe. Ushtarët u ulën mbi shtrat së bashku me Frau [A] dhe Frau [B], të dyja njëzetë e katër vjeçare, dhe me beben gjashtë muajsh, duke tymosur cigare dhe duke kërkuar që ato të flinin me ta. Njëra prej grave u përpoq të bërtiste, por [ushtarët] e kërcënuan me pistoletë. Frau [A] thërriti nënën e vet, ushtari i tretë u përgatit dhe kur ajo erdhi e mbylli në një dhomë tjetër ku e mbajti me kërcënimin e automatikut. Aty ai kontrolloi të gjitha valixhet dhe mori vetëm një mbajtëse penash. Ndërkohë, dy ushtarët e tjerë përdhunuan dy gratë e reja. U larguan nga apartamenti pak pas orës katër pa çerek të mëngjesit. Me vete morën dhe një fizarmonikë nga apartamenti i familjes [C]. (Nënshkruar nga lutësit dhe katër dëshmitarë).
Ndonjëherë ngjarjet ishin më të dhunshme, si në rastin e peticionit të 28 korrikut 1945, për Berlin-Reinickendorf.
Natën e 4 dhe 5 majit të këtij viti, bashkëshortët [A] dhe Frau [B] u sulmuan në apartamentin e tyre nga dy rusë të dehur. Gjatë [sulmit], unë – bashkëshortja gjashtëdhjetë e dy vjeçare – u përdhunova nga të dy [ushtarët] dhe im shoq, 66 vjeçar, u qëllua [për vdekje] pa ndonjë arsye. Gjysmë ore pasi u larguan ushtarët, erdhi një i tretë, dhe me mua u abuzua përsëri, kjo ndodhi në apartamentin e një qiramarrësi që ndërkohë më kishte çuar në…. Theksoj: im shoq nuk ka qenë pjesë e asnjë organizata naziste dhe kërkojë dëgjesë me Herr Komandantin. (nënshkruar nga lutësit dhe katër dëshmitarë).
Banesat me oborr, në periferi të Berlinit, shpesh natën bëheshin shënjestër e sulmeve, plaçkitjeve dhe përdhunimeve. Në një prej tyre, Mäckeritzwiesen në Tegel-Jug, veprimtarët lokalë të Partisë Komuniste u përpoqën të siguronin armë për tu mbrojtur nga grabitësit. Në apelet e tyre drejtuar udhëheqjes së PKGJ-së theksohej: “Pushtimi i Ushtrisë së Kuqe është kthyer në një plagë të vërtetë. Nuk ka ditë apo natë që banditë në uniformën e Ushtrisë së Kuqe, të mos sulmojnë, madje dhe në formacione luftimi, plaçkitin apo përdhunojnë banorët.”
Imzot G. B. Montini, përfaqësuesi i Vatikanit në Berlin, gjithashtu raporton shtrirjen e gjerë të përdhunimeve, paçka se mund edhe të ketë dyshime – si në rastin e Robet Murphy-t – për ekzagjerime lidhur me përmasat e terrorit. Megjithëkëtë, raporti i tij në tetor të 1945, është ngjethës.
Janë përdhunuar femra nga mosha 10 deri në 70 apo 75 vjeç; si rrjedhojë ka pasur shtatzëni, aborte dhe 80% e femrave janë infektuar nga sëmundje veneriane… Krimet më të rënda kanë ndodhur në zonën e Kurfürstendamm-it, në prezencë të të afërmve (bashkëshortë, etër, nëna, vëllezër). Në Franziskus Sanatorium, paçka se mbanin teshat fetare, janë përdhunuar murgeshat… Profesor Schüler i Rittberg-Krankenhaus në Lichterfelde, duke mos duruar peshën [e përdhunimit të tyre] vrau të shoqen, vajzat dhe më pas veten. Shumë gra, për tu shpëtuar rusëve, me javë të tëra jetojnë në tarracat e ndërtesave.
Gazetari zviceran, Max Schnetzer në ditarin e tij shkruan se nuk mund të fajësohen të gjithë ushtarët rusë për përdhunimet, megjithatë, në dëshmitë e tij okulare mbi ditët e para të pushtimit rus të Berlinit, hedh dritë mbi shtrirjen e dhunës. Si u sollën rusët, pyeti Schnetzer-i një koleg gazetar, që përshkroi luftimet në Wansee: “Një pjesë si derra e një pjesë si engjëj… Në apartamentet e ndarë, shpesh ndodhnin skena të egra me gratë dhe vajzat. Një grua vdiq nga abuzimet e ushtarëve. Në banesa të tjera, rusët silleshin më miqësisht. Janë si breshëri që shkatërron vetëm një pjesë të të mbjellave.”
Nga raportimet e Schnetzer-it, gjendja në Dahlem dukej se ishte më serioze:
Pati një rast, babai u përpoq të mbronte fëmijën e tij, një vajzë të vogël. Mongolët [termi i përgjithshëm për sovjetikët e Azisë Qendrore] i ngulën bajonetën shtizë në bark. Me dhjetëra rusë rinin në radhë përpara një femre të vetme. Nga padurimi, as nuk e vinin re që ato [femrat] ishin duke vdekur, ndoshta nga që kishin gëlltitur helm apo dhe nga hemorragjia e brendshme e organeve. Shumë femra përpiqeshin të mbroheshin, duke kafshuar dhe çjerrë, por goditeshin në kokë me qytën e armëve. Burrat përpiqeshin të hidheshin mbi ushtarët, por menjëherë qëlloheshin me armë. I ndjekin gratë dhe vajzat nëpër parqe dhe rrugë, ndiqeshin edhe në majat e çative nga ku përpiqeshin të hidheshin. Gratë i grumbullonin nëpër dhoma. Ushtarët u hapnin gojën me forcë dhe i detyronin të pinin.”
Ellen Gräfin Poninski, nga kënd vrojtimi i banesës së familjes së saj në Potsdam, mbajti një ditar të javëve dhe muajve të parë të pushtimit rus. Ashtu si Schnetzer-i, theksonte ekstremet në sjelljen e ushtarëve rusë kundrejt gjermanëve të mundur, nga më brutalet dhe çnjerëzoret te bujaria e mirësjellja e pabesueshme. Ajo shkruante:
“Pothuajse nuk kalonte natë në të cilën të mos dëgjoje të grithma mëshire nga gratë që sulmoheshin në rrugë apo në banesat që rrinin gjithmonë hapur. Të gjitha këto tmerre janë të mirënjohura. Ndoshta në zonat [e pushtimit] më me fat, mund të mendohet që këto janë ekzagjerime. Për fat të keq, realiteti ishte dhe më i keq dhe unë nuk do të përsëris këtu torturat që vuajtën femrat nga 10 deri në 80 vjeç.”
Ashtu si të tjerë që mbajtën ditarë apo kujtime në atë periudhë, Poninski e krahason sjelljen e ushtarëve sovjetik me atë të fëmijëve primitivë, që mund të ishin shumë të sjellshëm, sidomos me fëmijët, por edhe tmerrësisht të egër. Peter Bloch, që javët e para të pushtimit jetoi në Kleinmachnow, në periferi të Berlnit, lidhur me rusët shkroi: “Ishin të paparashikueshëm, brutalë si hunët, të pafajshëm si fëmijët. Nuk e kuptoje ç’qëndrim do mbanin. Me qetësinë më të madhe mund të ekzekutonin njerëz e përdhunonin gra; apo tu jepnin çokollatë fëmijëve dhe të qeshnin e argëtoheshin përpara një gardhi me këlyshë lepujsh.” Madje dhe oficerët e shërbimeve sekrete amerikane kishin vështirësi të lidhnin historitë e “përdhunimeve, grabitjeve dhe sulmeve” me raportimet e shumta për sjellje të mirë dhe korrekte.
Sovjetikët e dinin mirë që gjermanët në Berlin ishin të frikësuar prej tyre. Gjeneralmajor I. V. Shikin, komandant i GlavPURKKA[1], theksonte se kur gratë gjermane përballeshin me ushtarët sovjetikë, “ngrinin duart lartë, qanin e dridheshin nga frika”. Sipas Shikin-it, kur këto gra kuptonin nuk kishte për tu ndodhur gjë dhe se nazistët kishin gënjyer mbi natyrën e vërtetë të ushtarëve sovjetikë, çdo gjë shkonte mirë. Në një intervistë pas perestrojkës, zëvendësi i Shikin-it, Gjeneralmajor M. I. Burtsev, ish drejtori i Seksionit të Shtatë të GlavPURKKA-s, do të pohonte se historitë e përdhunimeve ishin ekzagjeruar. Veç kësaj, shtoi duke u zgërdhirë, shumica rasteve ishin sikur gratë i ishin ankuar se i kishin përdhunuar në dysheme dhe jo në dhomën e gjumit.

 

Norman M. Naimark, The Russian in German, A history of the Soviet Zone of Occupation, f. 79-83.

 

Përkthimi MVSK.
 

[1] Administrata Politike e Ushtrisë së Kuqe (Shën. MVSK).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s