Home

Në një fjalim drejtuar Komsomol-it, Lidhjes së Komunistëve të Rinj, në vitin 1920 Lenini sqaronte:
A ekziston një gjë e njohur si etika komuniste? A ekziston një gjë e njohur si morali komunist? Pa tjetër që po. Shpesh herë thuhet se ne nuk kemi një etikë tonën; shpesh herë borgjezia akuzon ne komunistët se refuzojmë të gjithë moralin. Kjo është një metodë për të mbjellë pështjellim, për të hedhur hi syve të punëtorëve dhe të fshatarësisë.
Në ç’kuptim ne flakim tej etikën [tradicionale], flakim moralin?
Në kuptimin që këtyre u jepet nga borgjezia, që e bazon etikën mbi urdhëresat e Zotit. Në këtë pikë ne, sigurisht, themi që nuk besojmë në Zot dhe që e dimë shumë mirë se kleri, pronarët e tokave dhe borgjezia thërrasin emrin e Zotit për të vijuar me shfrytëzimin… Ne nuk besojmë në një moral të përjetshëm dhe u çjerrim maskën përrallave mbi moralin… Ne flakim tej çdo moral të bazuar në një këndvështrim mbi-njerëzor, mbi-klasor. Ne themi që kjo është një rreng, një mashtrim, një tallje me punëtorët dhe fshatarësinë në interes të pronarëve të tokës dhe kapitalistëve… Nuk ekziston një moral që qëndron jashtë shoqërisë njerëzore; është një dredhi…
Morali ynë është plotësisht në vartësi të interesave të luftës së klasave të proletariatit. Morali ynë buron nga interesi i luftës së klasave të proletariatit. Moral është çka nevojitet për të shkatërruar shoqërinë e vjetër shfrytëzuese dhe për të bashkuar të gjithë punonjësit rreth proletariatit i cili po ngre një shoqëri të re, atë komuniste[1].
Nuk ishte e rastësishme që Lenini, në konferencën e Lidhjes së Komunistë të Rinj, të fliste kaq hapur. Marksi, në Manifestin Komunist, bënte thirrje për zhdukjen e familjes. Sipas tij ishte familja që përcillte te brezat e rinj konceptet kundërrevolucionare të borgjezisë. Mendjet e vjetra ishin më të vendosura dhe më të vështira për tu ndryshuar, ato më të rejat mund të formësoheshin. Familja duhej përmbysur. Vëzhguesit perëndimorë, të ngacmuar nga lirshmëria e moralit seksual që rridhte nga kjo, injoruan përfundimet drithëruese të moralit të ri,  të shpjeguar me aq detaje në një prej publikimeve, edhe në perëndim, të vetë Komsomol-it: The Young Guard: the Life of Komsomol (1927):
Ne jemi kundër Zotit, që mbron shfrytëzimin në të gjitha format e tij… “Nuk do të vjedhësh” e biblës së shfrytëzuesve prej kohësh është zëvendësuar nga formula etike e Shokut Lenin: “vidh atë që të kanë vjedhur”.
[Lidhur me urdhëresën “ndero atin dhe nënën tënde”] Jo!… Ne udhëzojmë të rinjtë të nderojnë vetëm etërit që kanë pikëpamje të revolucionit proletariat, ata që me vetëdije dhe me forcë mbrojnë interesat e klasës së proletariatit; prindërit e tjerë duhen edukuar nga fëmijët komunistë.
[Lidhur me “nuk do të vrasësh”] Kjo urdhëresë për borgjezinë ishte një rregull fanatik. Proletariati është e vetmja klasë në histori që nuk ka ushtruar fanatizëm. Nëse një individ është tepër i dëmshëm, nëse është i rrezikshëm për luftën revolucionare, keni të drejtën ta vrisni, duke ju bindur urdhrit të organit tuaj klasor[2]. Në çaste rreziku është e kot të pengosh atë urdhër. Vrasja e një armiku të pandreqshëm të revolucionit është një vrasje e ligjshme dhe etike, një dënim me vdekje i ligjshëm, pasi komunisti nuk e njeh vlerën metafizike të ekzistencës njerëzore[3].
Analiza klasore si baza e drejtësisë u kthye në shenjën dalluese të Terrorit të Kuq. Nuk ishte e rastësishme, por e qëllimshme. “Terrori i Kuq është një armë e përdorur kundër një klase të caktuar, që është e dënuar me shkatërrim por që nuk do të zhduket” do të shkruante Trotsky  në vitin 1922[4]. Martin Latsis, një oficer i lartë i Cheka-s, policia sekrete, pajtohej me:
Ne kemi dalë për të shkatërruar borgjezinë si klasë. Prandaj, kurdoherë që një borgjez është nën vëzhgim, hapi i parë nuk duhet të jetë përpjekja për të zbuluar provat materiale që i akuzuari, me vepra apo fjalë, ka kundërshtuar Qeverinë sovjetik, por shtrimi i tre pyetjeve për dëshmitarët: “Ai çfarë klase i përket?”,  “Cila është origjina e tij?”, “Ç’edukim, arsimim dhe profesion ka?”. Dhe fati i tij do të përcaktohet vetëm në përputhje me përgjigjet[5].
Keqkuptimi i amoralitetit të etikës sovjetike verboi syleshët perëndimorë për vite të tëra. Politikanë laburistë britanikë, që me optimizëm bisedonin me shokët e tyre rusë për marrëveshje tregtare apo diplomatike, do të kishin bërë mirë ti vinin veshin fjalëve të Trotsky-t:
Morali zyrtar është fre për shtypurit. Në rrjedhën e luftërave klasa punëtore ka përpunuar një moral të vetin revolucionar, i cili nis me shfronësimin e Zotit dhe të gjitha normave morale absolute. Por ne e kuptojmë [moralisht] ndershmërinë… e fjalëve dhe qëllimeve përpara klasës punëtore, të kontrolluar nga qëllimi i lartë i lëvizjes dhe luftës tonë: lirimi i njerëzimit nëpërmjet revolucionit social.
Ne nuk themi që njeriun nuk duhet të mashtrojë apo të mos jetë dinak, apo që të dojë armiqtë e vet, etj… Ne urrejmë apo përbuzim armiqtë tanë, sipas asaj që meritojnë; i rrahim apo mashtrojmë sipas rrethanave, madje, dhe kur arrijmë një mirëkuptim me ta, nuk përfshihemi nga ndonjë valë dashamirësie… Njeriu mund të bëjë lojë të dyfishtë me armiqtë e proletariatit, por jo me proletariatin vetë[6].
Ky naivitet shkaktoi disa nga pohimet më qesharake të bëra nga vizitorët. Një prej tyre, Lord Marley, i cilin gjatë një fjalimi për laburistët në Dhomën e Lordëve, e sfiduan me faktin që disa prej të dhënave sovjetike, që po përdorte gjatë debatit, mund të ishin të pavërteta. U përgjigj se ishte e pamundur: “Mendoni sa turp do të ishte për Qeverinë sovjetike nëse të dhënat e saj do të dilnin false”[7].
Të gjitha citimet ruse që kemi përdorur në këtë kapitull i përkasin periudhës përpara se Stalini të merrte pushtetin. Stalini shpesh fajësohet nga komunistët perëndimor për korruptimin e parimeve “të pastra” të Leninit. Ky qëndrim është një mënyrë e volitshme për të shpëtuar sado pak nderin e komunizmit sovjetik dhe të Revolucionit, prej atyre që dimë për gulagët dhe Terrorin e Kuq, por është një marifet që nuk qëndron dot në këmbë. Solzhenitsyn-i këmbëngul mbi përgjegjësitë e Leninit dhe Trotsky-t në vdekjen e miliona njerëzve në Rusi, po këta cilëson si arkitektët e Revolucionit të antimoralitetit (që shpërtheu në vrasje masive) dhe të Stalinit, i cili veproi në përputhje me këto parime.

Giles Udy, Labour and the Gulag.

Përkthimi MVSK

 

[1] Lenin, “The Tasks of the Youth Leagues” (speech at The Third All-Russia Congress of the Russian Young Communist League, 2 tetor, 1920).

[2] Organ, shtetëror, rajonal apo lokal, i autorizuar të përfaqësojë proletariatin – një këshill vendor, sovjeti i punëtorëve, gjyqi i punëtorëve, etj.

[3] The Young Gard: The Life of Komsomol citohet sipas A Challenge to Christendom –  Facts about the Russian Persecutions and the Communist Attitude to Religion (London: Christian Protest Movement, 1930). LPL, Canon J. A, Douglas Papers, vol. 42, f. 211. Molodaya Gvardiya (Roja e Re), themeluar më 1922, ishte revista e Komsomolit, organizata politike rinore sovjetike. Supozohet që “Life of the Komsomol” ishte një artikull në revistë.

[4] Trotsky, Dictatorship vs Democracy, f. 64.

[5] Solzhenitsyn citon Latisis sipas S. P. Melgunov, The Red Terror in Russia (London: J. M. Dent & Sons, 1925), i cili komenton: “Latsis nuk ishte origjinal, thjesht parafrazonte Robespierin: “Për të ekzekutuar armiqtë e Atdheut është e mjaftueshme të përcaktosh identitetin e tyre. Nuk nevojitet ndëshkim, por eliminim.” (Alexander Solzhenitsyn, Dvesti let vmeste (“Two Hundret Years Together”), f. 140-41. Autoriteti i Melgunov-it rridhte nga fakti që ishte një socialist rus që e ndoqi Revolucionin nga afër, dhe më pas në 1922 u arratis. Libri i tij i parë u botua në Berlin me titullin “Krasnyj terro v Rossii 1918-1923”.

[6] Trotsky, Between Red and White. A Study of Some Fondamental Questions of Revolution (1922), kap. 4.

[7] Bullard, ditari, 11 shtator 1932. Bullard e dëgjoi komentin nga Goeffrey Wilson.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s