Home

Më 8 dhjetor 2018, në Londër u ngrit “Independent Tribunal Into Forced Organ Harvesting from Prisoners Of Conscience in China” (Gjykata për Kinën), një organ i pavarur që synon mbledhjen e provave për mizoritë masive në Kinë. Studime të ndryshme ngrenë dyshime legjitime mbi marrjen me forcë të organeve jetësore, nga ana e autoriteteve komuniste, të anëtarëve të pakicave fetare apo etnike të atij vendi. Veprimet për të cilat dyshohen autoritetet komuniste shkelin parimet e Statutit të Romës dhe normat ndërshtetërore për parandalimin dhe ndëshkimin e Gjenocidit.
Ky organizëm i pavarur kryesohet nga një jurist i nivelit botëror, si Sir Goeffrey Nice, i njohur për rolin e tij në përndjekjen e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviçit.
Ewelina U. Ochab, në një shkrim për “Forbes”, vë në dukje se tani për tani asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk ka juridiksion në territorin Kinez, duke qenë se shteti komunist nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje ndërshtetërore që të mbrojë të drejtat e njeriut me këtë mekanizëm, por Gjykata për Kinën nuk duhet nënvlerësuar, pasi jo vetëm që mund të hedhë më shumë dritë mbi këtë krim, por mund të bëjë shumë për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar duke i dhënë jetë kështu një veprimi të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar krimet kundër njerëzimit të regjimit komunist. [Shën. MVSK]

 

Dëshmitë përpara Gjykatës për Kinën

Në Londër, një Gjykatë e pavarur ka zhvilluar seancën dëgjimore të dëshmive mbi vrasjet në masë të të dënuarve të ndërgjegjes me qëllim marrjen e organeve.

Më 6 dhe 7 prill [2019], rreth njëzet dëshmitarë nga e gjithë bota, mes të cilëve kërkues shkencorë, mjekë, gazetarë dhe të mbijetuar, kanë dhënë dëshmitë e tyre përpara Gjykatës, lidhur me akuzat drejtuar qeverisë së Pekinit për marrjen me forcë të organeve jetësore të të përndjekurve, mes të cilëve dhe praktikuesit e disiplinës spirituale Fulan Gong dhe ujgurët.
Kjo seancë pason atë të mbajtur në dhjetorin e kaluara (që zgjati tre ditë), në të cilën anëtarët e Gjykatës nxorën një vendim të pazakontë ad interim, ku pohohej se në Kinë, fenomeni vijon «në shkallë të gjerë».
Komisioni i përbërë nga shtatë ekspertë,  kryesohet nga Sir Goeffrey Nice (Queen’s Counsel, titull i lartë në fushën e drejtësisë), që në të kaluarën ka drejtuar procesin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare kundër Sllobodan Milosheviçit.
Avokati Hamit Sabi ka bërë të ditur se Gjykata u ka drejtuar ftesa për në seancë edhe përfaqësuesve të regjimit kinez, funksionarëve të lartë të Shëndetësisë dhe atyre të Ambasadës kineze në Londër, por nuk është marrë asnjë përgjigje.

Analiza të dyshimta gjaku

Refugjatët që kanë mundur tu shpëtojnë persekutimeve në Kinë, në dëshmitë e tyre treguan se gjatë periudhës së ndalimit shpesh u janë nënshtruar vizitave mjekësore dhe analizave të gjakut.
Mihrigul Tursin, një grua ujgure që vitin e kaluar ka dëshmuar përpara një komisioni të Kongresit të Shteteve të Bashkuara se gjatë internimit në rajonin veri-perëndimor të Xinjiang-ut është torturuar dhe përdhunuar, nëpërmjet lidhjes video me Gjykatën e Londrës, më 7 prill 2019, pohoi se paçka torturave, të internuarit ishin të detyruar tu nënshtroheshin imtësisht vizitave mjekësore, ndër të tjerave dhe analizave të gjakut dhe ultratingujve.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ekspertë ndërkombëtarë vlerësojnë se regjimi komunist, në një rrejt të gjerë kampesh në Xinjiang,  mban të internuar më shumë se 1 milion ujgurë, kazakë dhe anëtarë të pakicave të tjera myslimane, të cilësuara si «kërcënim ekstremist» që duhet luftuar.
Tursun-i deklaroi se në prill të 2017, për tre ditë rresht i është nënshtruar hetimit dhe torturave; përpara se të fillonte marrja në pyetje e kishin lidhur, vendosur kapuç në kokë dhe transportuar në spital për të kryer analiza mjekësore. «E kuptova që dy herë më morën gjak nga krahu, por nuk di të them sesa gjak morën», pohoi. Ajo tregoi se i kishin matur tensionin e gjakut dhe kishin kryer ekzaminime për të parë shëndetin e saj kardiak. Më pas e kishin zhvendosur në një dhomë të errët, ajo dyshon se ishte kati i nëndheshëm i spitalit; pasi i hoqën kapuçin, prangat dhe teshat, e lidhën me një pajisje për të ekzaminuar zonën e kraharorit dhe më pjesët e tjera të trupit. Në vijim, i kishin lyer ballin, shpatullat, kraharori dhe këmbët me një lëng dhe e kishin futur në një pajisje të qelqtë ku duhet të thoshte me zë të lartë numrat nga njëshi deri te dhjeta. Ajo pohon se brenda pajisjes nuk arrinte të dëgjonte gjë. «Isha e terrorizuar, mendova se do të merrnin organet dhe se atë ditë do të vdisja», pohoi.
Më 7 prill dëshmoi dhe Ethan Gutmann, analist që ka kryer hetime mbi krizën e Xinjiang-ut: «Rreth një milionë e gjysmë të internuar, u janë nënshtruar analizave të gjakut dhe familjet përkatëse kanë humbur çdo kontakt më këta njerëz». Gutmann bëri me dije se provat e fundit tregojnë se regjimi kinez ka vënë në shënjestër edhe ujgurët, se në banesat e tyre po kryhen analizat e ADN-së; gjithashtu është e ditur se regjimi po ngre një varg krematoriumesh në nivel rajonal dhe gjithashtu është ndërtuar një aeroport dhe një korsi e përkushtuar për transportimin e organeve për transplantim.

Burimi kryesor i organeve: praktikuesit e Falun Gong-ut

Në vitin 2016, Gutmann, avokati kanadez David Matas dhe ish sekretari i Shtetit kanadez David Kilgour, përpiluan një raport të detajuar ku vihej re një mospërputhje e jashtëzakonshme ndërmjet numrit zyrtar të transplantimeve (bërë të ditur nga regjimi kinez) dhe numrit të vërtetë të transplantimeve të kryera nëpër spitale. Duke analizuar regjistrat publik të 712 spitaleve në Kinë, ku kryhen transplantimet e veshkës dhe mëlçisë, del në dritë se në Kinë realizohen nga 60 000 deri në 100 000 transplantime në vit, ndërsa të dhënat zyrtare të regjimit flasin për rreth 10-12 mijë të tilla. Kjo mospërputhje, theksohet në raport, është e shpjegueshme me marrjen me forcë të organeve nga të burgosurit e ndërgjegjes, në mënyrë të veçantë nga praktikuesit e Falun Gong-ut (njohur dhe si Falun Dafa), por dhe nga ujgurët, budistët tibetianë dhe disa të krishterë.
Gjatë seancës së dhjetorit dëshmuan dhe disa praktikues të Falun Gong-ut, ku rrëfyen internimin e tyre për shkak të besimit. Përveç denoncimeve për torturat, të gjithë pohuan se u ishin nënshtruar edhe vizitave mjekësore. Feng Hollis, një grua e arrestuar në vitin 2005, në dëshminë e dhjetorit pohoi se gjatë mbajtjes në ndalim, pyeste veten se cila ishte arsyeja e gjithë atyre analizave kur nga ana tjetër e torturonin brutalisht.

Të dhëna të dyshimta

Më 7 prill, dy kërkues shkencorë, që kanë kryer një studim mbi të dhënat zyrtare të transplantimeve nga dhurues vullnetarë, deklaruan përpara Gjykatës se sipas analizave të tyre të dhënat zyrtare ishin në përputhje me një ekuacion matematikor elementar, duke sugjeruar kështu se të dhënat ishin modifikuar. «Vumë re shumë anomali të cilat është e vështirë, në mos e pamundur, të shpjegohen pa një manipulim», pohoi Matthew Robertson, bashkautor i studimit dhe kandidat shkencor pranë Universitetit Shtetëror të Australisë. Në studimin e tyre, Robertson, eksperti i statistikave Raymond Hinde dhe profesori i kirurgjisë Jacob Lavee (i Universitetit të Tel-Avivit), shqyrtuan të dhënat e Sistemit të Transplantimit në Kinë (Cotrs) po ashtu dhe të dhënat e Kryqit të Kuq, duke zbuluar se këto përputheshin me një ekuacion matematikor që prodhonte atë lloj grafiku. «Do të ishte vërtetë jo tipike që numrat të formonin një grafik të atillë, kaq të parregullt», pohon Hinde. Një shembull i të dhënave jo normale, që të shtyn të mendosh për një manipulim të mundshëm, është numri i vullnetarëve të regjistruar, sipas Kryqit të Kuq kinez, në periudhën 30-31 dhjetor 2015, rreth 25 000 të tillë: «Mund të themi që një gjë e tillë është paksa e dyshimtë».
Gjykata e Londrës parashikohet të marrë një vendim përfundimtar më 17 qershor, ku do të përcaktohet nëse janë kryer, apo vijojnë të kryhen krime të nivelit ndërkombëtar lidhur me marrjen me forcë të organeve jetësore në Kinë.

 

epochtimes.it

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s