«Unë jam komisari juaj politik. Detyra ime është t’ju riedukoj. Ju nuk jeni robër lufte, por kriminelë politikë, agjentë të imperializmit të paguar nga amerikanët. Gjendja juaj do të jetë e pashpresë nëse nuk ndërroni mendje dhe nuk përqafoni plotësisht politikat paqësore dhe të miqësisë së mirë të Presidentit Ho Chi Minh» me këto fjalë u drejtohej robërve francezë të Luftës së Indokinës, përgjegjësi i Kampit vietnamez 113.
Kampi 113, dallohej nga kampet e tjera për dy arsye: ishte kampi vietnamez me vdekshmërinë më të lartë dhe përgjegjës për të ishte një bashkëpatriot i të burgosurve, komunisti francez Georges Boudarel.
Georges Boudarel u lind në Saint-Etienne më 21 dhjetor 1926. Data e lindjes nuk do të ishte e vetmja koincidencë me idhullin e tij, Stalinin: ashtu si diktatori sovjetik, në rininë e hershme Boudarel-i do të ndiqte rrugën e studimeve fetare. Më vonë, të burgosurit e Kampit 113, veç mundimeve të tjera, do të pësonin edhe shpëlarjen e trurit me fjalimet e pafundme të Stalinit, lexuar nga Komisari Boudarel. Rrugën kishtare, do ta braktiste në 1946 me futjen e Partisë Komuniste Franceze në qeveri, duke përqafuar dialektikën marksiste dhe duke u bërë një veprimtar i flakët komunist. Më 1948 do zhvendosej në Vietnam, kur fillimisht do të punonte për radion franceze «Zëri i Sajgonit», ku do forconte qëndrimet antikapitaliste. Gjatë Luftës së Indokinës, tashmë anëtar i Partisë Komuniste Vietnameze i ngarkuar për propagandën, Boudarel do të kujdesej për “riedukimin” e ushtarëve francezë.
Në Kampin famëkeq 113, sipas dëshmive të të mbijetuarve humbën jetën 278 njerëz nga 320 të burgosur gjithsej. Kushtet ishin skandaloze, Boudarel, si pjesë e programit të tij të riedukimit, përpiqej që të mbeteshin të tilla. Barnat e dërguara nga Kryqi i Kuq për të burgosurit, ose refuzoheshin ose përdoreshin për ushtarët komunistë. Një prej të mbijetuarve, Rocher Michiels, do të pohonte se infermieria e kampit ishte kthyer në morg, vetëm një prej të burgosurve të shtruar, kishte dalë i gjallë prej andej. Malaria, dizenteria dhe patologji të tjera shkaktuar nga kushtet higjienike, bënin kërdinë mes të burgosurve. Gjendja ushqimore nuk ishte aspak më mirë, shpesh vaktet përbëheshin vetëm një tas me ujë të ngrohtë brenda të cilit notonin disa kokrra orizi. Torturat ishin në rendin e ditës, të mbijetuarit tregojnë si të parapëlqyerën e Komisarit, lidhjen e të burgosurve në gropa me ujë të ndenjur, ku pickimet e insekteve shpesh shkaktonin vdekjen ose çmendjen e fatkeqit.
Në vitin 1967 fshehtazi Boudarel-i, që në vitin 1953 ishte dënuar me vdekje për tradhti të lartë nga një gjykatë ushtarake franceze në Sajgon, do të kthehej në Francë. Mbrojtur nga Partia Komuniste Franceze, e njëjta që në emër të revolucionit botëror kishte sabotuar fabrikat e armëve franceze, duke kontribuar jo vetëm në vdekjen e të rinjve francezë, por edhe në instalimin e komunizmit në një rajon ku kjo ideologji do të shfaqte në mënyrën më çnjerëzore fytyrën gjakatare, Boudarel do të jetonte i pa shqetësuar për krimet e veta deri në vitin 1991, pra deri me shembjen e Bashkimit Sovjetik, që së bashku me Kinën ja kishin dal të fshihnin krimet e përbindshme të komunizmit në Indokinë. Por, nëse komunizmi ndërkombëtar nuk mund ta fshihte më emrin e Boudarel-it – një ish i burgosur arriti ta identifikonte në gjatë një konferenece mbi Vietnamin – komunizmi francez do t’ja dilte ta shpëtonte nga dënimi. Që prej vitit 1991 deri më 2000, Shoqata e ish të burgosurve dhe të internuarve në Indokinë dhe ish i dënuari Wladyslaw Sobanskyi, do të provonin në të gjitha shkallët e sistemit francez dhe atij evropian për ta nxjerrë Boudarel-in përpara një gjykate me akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Boudarel do të vdiste në vitin 2003, duke i shpëtuar, për shkak koklavitjesh procedurale dhe të mbrojtjes personale të Michel Rocard dhe Lionel Jospen, të dy kryeministra të dalë nga radhët e Partisë Socialiste Franceze, çdo gjykimi, duke përfaqësuar kështu një shembull tipik të pandëshkueshmërisë së krimeve të komunizmit dhe të relativiteti moral që karakterizon të majtën.
Për më shumë: Yves Daoudal, Les proces Boudarel, 2001, Editions Remi Perrin.
A.B.