(…) Ç’do të thotë saktësisht «të jesh i djathtë»?
1) Të jesh i Djathtë do të thotë, në radhë të parë, të pranosh karakterin përmbysës të lëvizjeve që dolën nga revolucioni francez, qofshin liberalizmi, demokracia apo socializmi.
2) Të jesh i Djathtë do të thotë, në radhë të dytë, të njohësh natyrën dekadente të miteve racionaliste, progresiste, materialiste që hapin rrugën e qytetërimit plebe, mbretërisë së sasisë dhe tiranisë së masave anonime dhe të përbindshme.
3) Të jesh i Djathtë do të thotë në radhë të tretë, ta konceptosh Shtetin si një tërësi organike ku vlerat politike mbizotërojnë ato ekonomike dhe ku thënia «gjithsecili të vetën» nuk do të thotë barazi, por një pabarazi e drejtë cilësore.
4) Në fund, të jesh i Djathtë do të thotë të bësh tëndin atë shpirt aristokrat, besimtar dhe luftëtar që shënoi qytetërimin evropian, dhe – në emër të këtij shpirti dhe të vlerave të tij – të pranosh luftën kundër dekadencës së Evropës.
Është interesante të vësh re se në ç’masë kjo vetëdije e djathtë ka dalë në pah në mendimin evropian bashkëkohor. Ka një traditë antidemokratike që përshkruan të gjithë shekullin e XIX dhe që – në formulimet e dekadës së parë të shekullit të XX – përgatit nga afër fashizmin. Mund ta quajmë të nisur nga Reflections on the revolution in France në të cilin Burke, i pari, i heq maskën farsës tragjike jakobine dhe paralajmëronte se «asnjë vend nuk mund të mbijetojë gjatë pa një trup aristokratik, të një natyre apo të një tjetre».
Në vijim, kjo lloj publicistike u përpoq të përkrahte Restaurimin me shkrimet e romantikëve gjermanë dhe reaksionarëve francez. Le të kujtojmë aforizmat e Novalisit, me reaksionizmin e tyre që fekste nga risitë dhe revolucioni («Burke hat ein revolutionäres Buch gegen die Revolution geschrieben») , dhe paralajmërimet mbresëlënëse dhe profetike: «Ein grosses Fehler unserer Staaten ist, dass man den Staat zu wenig sieht… Liessen sich nicht Abzeichen und Uniformen durchaus einführen?». Le të kujtojmë Adam Müllerin dhe polemikën e tij kundër atomizmit liberal të Adam Smithit, kundërvënien ekonomisë kombëtare ndaj asaj liberale. Të kujtojmë Gentzin, këshilltar i Metternichut dhe sekretar i Kongresit të Vjenës, apo Gorresin, Baaderin dhe vetë Schellingun. Përkrah tyre qëndron një Schlegel me interesat e tij të shumëfishta, revista Europa, manifest i reaksionit evropian, lartësimi i Mesjetës, studimet e para mbi origjinën indoevropiane, polemikat me liberalët italian rreth patriotizmit të Dantes, patriot i «Perandorisë» dhe jo nacionalist i vogël. Të kujtojmë De Maistren, këtë mjeshtër të kundërrevolucionit që lartësonte xhelatin si simbol të një rendi burrëror dhe pozitiv, viskontin De Bonald, Chateaubriandin, shkrimtar i madh dhe politikan reaksionar, radikalizmin e Cortesit: «Vërej ardhjen e epokës së mohimeve absolute dhe të pohimeve sovrane». Por, kritika thjeshtë reaksionare kishte kufizimet e veta, që shfaqeshin hapur në mos pranimin e atyre forcave nacionaliste dhe borgjeze që synonin të themelonin një solidaritet të ri përtej mohimeve iluministe. Arnd, Jahn, Fichte, por edhe Hegeli i Filozofisë të së drejtës, për shkak të këndvështrimit nacionalsolidarist të Shtetit, paçka se nuk bien dakord me dogmatizmin legjitimist, i përkasin horizontit kundërrevolucionar. Mos pranimi i forcave nacionaliste (edhe kur gjenden në pozita antiliberaliste, si në Gjermani), është kufiri i politikës së Aleancës së Shenjtë. Me rënien e sistemit të Metternichut, për shkak të miopisë në themel të këndvështrimit (të luftosh revolucionin me polici, dhe të restaurosh një ligjshmëri të njëmijë e shtatëqindës), kundërrevolucioni u nda në dy degëzime: njëri qëndroi gjatë në pozita thjesht legjitimiste, besimtare, të paracaktuara për tu shkatërruar, tjetri në kërkoi rrugë të reja dhe një logjikë të re. Carlyle polemizon kundër shpirtit të kohërave, utilitarizmit mançesterian («nuk është se u pasurua qyteti i Mançesterit, u pasuruan disa nga individët më pak simpatik të qytetit të Mançesterit), humanizmit të Giuseppe Mazzinit («ç’janë gjithë këto broçkulla ngjyrë rozë?»). Ai kërkon tek Heronjtë çelësin e historisë dhe te demokracia shikon një eklips të përkohshëm të shpirtit heroik. Gobineau publikon në vitin 1853 të famshmin Essai sur l’inegalité des races humaìnes, duke themeluar idenë e aristokracisë mbi bazat e saj raciale. Vepra e Gobineaut do të gjejë vijimësi në shkrimet e gjermanëve Clauss, Günther, Rosenberg, të francezit Vacher de Lapouge e të anglezit H. S. Chamberlain. Nëpërmjet saj koncepti i «farefisit», themelor për nacionalizmin, i merret sferës së miteve të ndryshme nacionale dhe i futet në idealin nordikoindoevropian si masë objektive e idealit evropian. Drejt fundit të shekullit, maja e përparimit të së Djathtës është polemika e Nietzches kundër qytetërimit demokratik. Nietzche, edhe më shumë se Carlyle e Gobineau, është krijuesi i një të Djathtë modernisht «fashiste», të cilës i dhuroi një fjalor të vetëtimtë mohimesh revolucionare. Niçiane është ironia agresive ndaj kundërshtarit, gatishmëria për sulm, trimëria revolucionare («was fällt, das soll man auch [noch] stossen») . Fjalët e Nietzsches do të rimerren në Itali nga Mussolini dhe d’Annunzio, në Gjermani nga Jünger dhe Spengler, në Spanjë nga Ortega y Gasset. Ndërkohë edhe në gjirin e nacionalizmit pati një «ndryshim kahu». Që në formulimet e romantikëve gjermanë, kombi nuk më masa jo organike, nationi jakobin, por shoqëria standich, me organet e veta sociale, me traditat e veta, me bujarinë e vet. Një shoqëri – na mëson Schlegeli – sa më shumë të jetë e lidhur me doket, me gjakun, me prijësit e saj, elementë që përfaqësojnë vijueshmërinë në histori, aq më shumë do të jetë kombëtare. Në fund të shekullit, me frymën e konservatorizmit, bëhet dhe një ripërpunim i nacionalizmit. Maurras dhe Barrés në Francë, Oriani dhe Corradini në Itali, pangjermanistët dhe «lëvizja rinore» në Gjermani, Kipling dhe Rhodes në Angli, i dhanë një vulë tradicionaliste dhe autoritare idesë nacionale. Nacionalizmi i ri në thelb është një element i rendit.
Adriano Romualdi
Botuar në “Nutrika”, nr. 4, Tiranë, 2017. Përkthimi Redaksia.