Home

Alain de Benoist

 

Moderniteti, i sjellë nga kapitalizmi industrial, u imponua si një lëvizje përmbysëse e shoqërive të rendeve, rentave dhe statuseve. Sot përjetojmë një përmbysje të asaj përmbysjeje. Terciarizimi i shoqërive dhe financiarizimi i kapitalit (dhe pasurive) bëjnë që në thelb pasuria të mos vijë më nga puna lëndore prodhuese: ekonomia është bërë “jo lëndore” dhe pasuria tashmë përhapet nëpërmjet blerjes së aksioneve, dividentëve, lëvizjeve monetare (në Shtetet e Bashkuara, Bill Gates dhe Wall-Mart kanë zëvendësuar Ford-in dhe General Motors). Paralelisht, Shtetet e mëdha shpërndajnë rreth 15-20% të bilancit të tyre në formë rente financiare. Kushdo, në këto kushte, aspiron që ti njihet një status. Nëse deri dje përplasjet sociale shkaktoheshin nga antagonizmat në prodhim, sot, me braktisjen e fushës së luftës së klasave, rrotullohen rreth mbrojtjes së pozitave të fituara dhe pretendimit të të drejtave që rrjedhin nga statusi. Mësuesit, infermierët, bujqit, punonjësit e hekurudhave, të punësuarit me kontratë me afat në fushën e spektaklit, të punësuarit e Airbus-it nuk manifestojnë më për të mbrojtur “të drejtat e punëtorëve” (klasa punëtore), por vetëm për veten e tyre, për të siguruar një punësim apo kushte më të mira pune, thënë ndryshe një status më të mirë.
Këto pretendime, pra, nuk janë më pjesë përbërëse e një sjellje kundërshtuese ndaj rendit mbizotërues, përkundrazi, përforcojnë pushtetin publik ashtu siç është, duke kërkuar nga ai të shpërndajë një fetë më të madhe të bukës që bie nga qielli. Ahmed Henni, shkruan: «Debati nuk bazohet mbi identifikimin e punëtorëve  si prodhues vlerash të cenuara si pasojë e gjendjes së tyre si përfitues të pagës, por zhvillohet rreth idesë që puna, cilado ajo qoftë, është një status që meriton vlerësim dhe respekt […] Nuk luftohet për të dalë nga ai status, por për të qëndruar – për tu mos u pushuar nga puna – dhe për të marrë të drejta që rrjedhin nga ai status, që në të vërtetë nuk kanë aspak lidhje me rregullat apo antagonizmat e kapitalizmit të prodhimit lëndor, as me aspiratat për lirinë vetjake nëpërmjet punës. […] Përgjithësisht, betejat sociale nuk janë më të kufizuara te sfera e prodhimit lëndor apo te synimi për një ndarje më të mirë, mes padronëve dhe punëtorëve, të pasurisë së prodhuar. Ato gjithmonë dhe më pak ballafaqojnë grupet sociale me njëri-tjetrin dhe nga ana tjetër rrisin pretendimet për përmirësimin e grupit që i përkasin, dhe këtë nuk e bëjnë në kurriz të ndonjë grupi tjetër, por nëpërmjet kërkimi të një njohjeje sociale që ju sjell përfitime më të mëdha nga pikëpamja e rentës.»[1]
Sot e majta, e kemi thënë dhe më herët, është e shkëputur nga populli[2]. Ndërkaq që Partia komuniste është bërë social-demokrate, vetë Partia socialiste ka reshtur së vetë përkufizuari si socialiste, duke u mjaftuar me dëshirën për të zbutur shoqërinë e tregut nëpërmjet rritjes së ndërhyrjes publike, ndërsa konceptet klasike lidhur me përbërjen teknike dhe organike të kapitalit (forcë pune, akumulim dhe vlerë e shtuar), nuk hasen më në tekstet dhe veprimtarinë e saj. Pjesa më e madhe e socialistëve, me pretekstin e “realizmit” dhe të nevojave të botës moderne, kanë përqafuar rregullat e ortodoksisë të menaxhimit, politika duke mos qenë gjë tjetër veçse shuma e praktikave dhe e lojërave institucionale me synim marrjen, ushtrimin dhe ruajtjen e një forme pushteti ku qendra ashtu si dhe periferia janë të lëkundshme.
Që me lindjen e saj, social-demokracia, propozonte një aleancë ndërmjet partive punëtore dhe aktorëve të tjerë sociale pasi, bazuar në një analizë të klasave sociale, mendonte se kjo aleancë do të mundësonte një mobilizim më të gjerë për çështjen sociale dhe për reformat demokratike. Sot, socialistët e kanë braktisur këtë pikëpamje, pasi dhe ata janë bërë të paaftë të artikulojnë revoltën individuale dhe mobilizimin social rreth një projekti të vërtetë kolektiv. Roland Guillon, thekson: «të krijohet përshtypja se mendimi drejtues i Partisë socialiste është shkrirë me paradigmat e governances territoriale apo të expertises,   në vend të që të përballet hapur me një anë themelore të çdo realiteti social të lidhur me kapitalizmin: tensionin ndërmjet vetjakes dhe kolektives»[3].
Ajo që mbeti, u plotësua nga rritja e liberalizmit “sipërmarrës”. Duke ju lënë liberalëve dorë të lirë në fushën ekonomike, “e majta me havjar”, sa tolerante në fushën e zakoneve por aq edhe indiferente për çështjet sociale, krijoi distanca nga ambientet popullore te të cilat nuk identifikohet më[4]. Laurent Joffrin do të pranonte se: «E majta me havjar, jetonte gjeografikisht larg shtresave të varfra». «Për më shumë, me anë të një procesi të çuditshëm, ajo vendosi të ndahej politikisht nëpërmjet një operacioni kulturor dhe ideologjik të një mendjelehtësie tragjike: vendosi shmangien e popullit»[5].
Për të përkufizuar këtë Klasë të re, Aleksandr Zinov’ev fliste për një “mbishoqëri”; Ajo sot në Rusi vetëquhet “klasa krijuese”. E vendosur përballë një populli të cilit i druhet dhe njëkohësisht e përçmon, ajo përbën një autoritet oligarkik që para së gjithash mundohet për të ruajtur privilegjet e veta dhe për të siguruar që në pushtet të shkojnë vetëm ata që dalin nga radhët e tyre»[6].
Është e qartë që kjo shpërfillje për popullin ushqehet nga një kritikë për “populizmin” që tashmë quhet i përputhur me çdo formë demagogjie apo “irracionaliteti” të masave. I kthyer në një ofendim politik, populizmi paraqitet si një lloj “sëmundje fëmijërore” të përhershme të demokracisë, në një perspektivë përbuzëse dhe skualifikuese njëkohësisht. Thërritja e “populizmit” ofron kështu një justifikim teorik, madje i një niveli të lartë kulturor, për margjinalizimin e popullit.
Në Francë, futja e një pjese të mirë të klasës së vjetër punëtore në Front National luajti një rol vendimtar në këtë pikë; në fakt i lejoi të majtës të mohonte popullin me justifikimin se “mendonte keq”, ndërkohë që një antiracizëm konvencional, por haptazi mburracak, i jep mundësinë të maskojë tallazet e veta ideologjike. Anti-lepenizmi zëvendësoi anti-kapitalizmin, një alibi e vyer i që mundësonte të nxirrte në plan të dytë çështjen sociale, që në çastin që kjo shfaqej në skenë, me një forcë të dobësuar që prej “tridhjetëvjeçarit të lavdishëm”. Fakti që klasat popullore votojnë FN-në [Frontin Nacional] u mundëson ti cilësojnë si përgjegjëse për rritjen e një partie gjithmonë të etiketuar si moralisht të padenjë dhe politikisht të poshtër. Prandaj, këto klasa, një e nga një mund të skualifikohen. Shkruan Annie Collovald: «vetëm zgjedhësi ilegjitim nga pikëpamja sociale mund të gjejnë veten te idetë ilegjitime të asaj partie»[7]. Nga ana tjetër, borgjezia e lartë, ajo e kamur, e gjen veten të pajisur me certifikatën e politikisht korrektes dhe të epërsisë morale të lidhur me pozicionin e saj klasor: e mbrojtur nga niveli i mirëqenies, dhe larg “ideve të këqija” me të cilat kënaqet populli. Kjo i mundëson njëkohësisht të mos interesohet për pasigurinë kulturore, për mjerimin social, për shpërthimin e pabarazive, për pasojat e tregtisë së lirë, skandalit të stock-options, dhe për “pensionet e arta”.
Kuptohet që kjo sjellje, më shumë se kurrë, maskon frikën e madhe nga “klasat e rrezikshme”: të luftosh populizmin do të thotë të mbrosh elitat nga kërcënimi i atij populli që duhet neutralizuar. Një qasje e tillë, shkruan Jacques Ranciere, «maskon dhe njëkohësisht nxjerr në dritë dëshirën e madhe të oligarkisë: të qeverisi pa popull, ose më mirë pa shtresa të popullit; të qeverisi pa politikë […] Kjo mundëson që çdo betejë kund depolitizimit në emër të nevojave historike të interpretohet si manifestim i një shtrese të prapambetur të popullsisë apo manifestim i një ideologjie të tejkaluar»[8].
Ky përdorim i fjalës “populizëm” si të ishte një «hajmali për të zbuar shpirtin e keq» nuk i ka shpëtuar Laurent Joffrin-it, i cili shkruan: «Një ideje që nuk mbart vulën e estamblishmet-it, në çast i vihet etiketa famëkeqe e “populizmit”. […] Një reagim i çuditshme semantik: duke qenë  se fjala është njëkohësisht e përgjithshme dhe shumë ofenduese, i bie sikur të thuash se çdo kërkesë e popullit është ilegjitime dhe e rrezikshme. Në fakt, është populiste çdo ide që vjen nga populli dhe nuk i pëlqen elitës progresiste»[9].
Prej këtej vjen dhe pyetja e shtruar nga Annie Collovald: «Stigmatizimi i popullore nëpërmjet “populizmit të FN-së” ndoshta vallë mund të jetë shenja e një koniunkture të re intelektuale dhe politike në të cilën elitat e sotme politike (dhe ndihmësit e këshilltarët e tyre) nuk shohin më te grupimet popullore një kauzë për t’u mbrojtur po një “popull pa klasa” i kthyer në një problem që kërkon zgjidhje?»[10].
Dihet se nga pikëpamja liberale, demokracia nuk ka qenë kurrë e karakterizuar si një regjim që mundëson përfshirjen më të gjerë të mundshme të popullsisë: përkundrazi, kjo përfshirje perceptohet si diçka që shkakton më shumë dëme sesa përfitime. Për këtë arsye, mos pjesëmarrja në votime, nuk shihet me sy të keq nga liberalët, të cilët në të kaluarën gjithmonë janë përpjekur të kufizojnë pjesëmarrjen politike të shtetasve, duke ju kundërvënë votës së gjinisë femërore apo duke favorizuar e të drejtës së kufizuar.
Sot ka mënyra të ndryshme për të larguar popullin nga politika. Qartazi, më klasikja është ajo me mjetet e informimit dhe të industrisë së kohës së lirë, televizionit dhe sport-spektaklit, që mundësojnë “shpërqendrimin” në kuptimin paskalian të fjalës. Nga ana tjetër, mjetet e informimit nuk reshtin së lartësuari rendin ekzistues, duke lënë të kuptosh se ne jetojmë, në mos në më të mirën e shoqërive të mundshme, të paktën në atë më pak të keqe nga gjithë të tjerat. Shtetasit shpërqendrohen apo kushtëzohen në mënyrë sistematike për të maskuar faktin e dukshëm se tashmë vendimet merren pa ta[11]. Kështu dobësohet mendimi kritik, duke i hequr arsyen e ekzistencës. Në të njëjtin drejtim shkon dhe njëjtësimi në rritje i mënyrë së jetesës – në momentin që kudo lavdërohet “pluralizmi” dhe “diversitet” – , pasi i shtyn anëtarët e shoqërisë të ndajnë të njëjtat dëshira dhe të njëjtat nevoja, pa u ndikuar tregu nga ndryshimet e fuqisë së tyre blerëse.
Duke u kthyer jeta politike në një treg dhe vota e qytetarëve në një akt blerjeje, demokracia vetvetiu bëhet mbretëria e konsumatorit që kalon nga njëri program politik te tjetri bash si bën me produktet tregtare apo kanalet televizive. Atëherë, përfshirja e individit në politikë nuk bëhet më nëpërmjet impenjimit politik por nëpërmjet përqafimit të një opinion publik të formuar nga mjetet e informimit; formim që i vetëm do të ishte i mjaftueshëm për të treguar zhdukjen e një trupi social të aftë për të bërë, vetë, një interpretim kolektiv të aktualitetit. Ideologjia mediatike shpërndan një përfytyrim të botës sa të njëjtësuar aq edhe politikisht korrekt, që zëvendëson ndërgjegjen sociale të cilësuar “ndërgjegje false” e realitetit. Populli i shtetasve kthehet në «popull spektatorësh pasiv dhe të papërgjegjshëm. Politika-spektakël maskon problemet themelore, zëvendëson programet me personalitetin joshës, mpin aftësinë e arsyetimit dhe të gjykimit në dobi të reagimeve emocionale dhe të ndjenjave irracionale si tërheqja dhe antipatia. Me politikën mediatike, shtetasit “fëmijërizohen”, nuk përfshihen më në jetën botore, bëhen të huaj, manipulohen nga çikërrima dhe imazhe»[12].
Silvio Berlusconi, që ka kryer dy herë detyrën e Kryeministrit të vendit të tij, e kishte kuptuar shumë mirë; ideologjia e tij, përpiluar në sipërmarrjet që zotëron, bazohej në mënyrë të vazhdueshme mbi diskutimin e menaxhimit, pra të një bashkësie besimesh të artikuluara rreth temës së efikasitetit ekonomik dhe njëkohësisht mbi teknikat e televizionit tregtar dhe sportiv që shpërndan ëndrra me çmime të lira. Jo vetëm, me të politika bëhet joshje publicitare e vazhduar me mjete të tjera, dhe duke ju referuar përvojës si sipërmarrës privat ai përpiqej të legjitimohej, para së gjithash, si president dhe drejtor i përgjithshëm i “sipërmarrjes Itali”. Piere Musso, shkruan: «Me hyrjen në politikë, Berlusconi nuk bëri gjë tjetër veçse çoi deri në fund logjikën e tij tregtare, duke e trajtuar shtetasin-zgjedhës si të ishte telespektator-konsumator, pra duke menaxhuar kalimin nga caddy te kabina elektorale nëpërmjet ekranit të vogël»[13].
Një tjetër mënyrë për të shpërqendruar vëmendjen është rishkrimi i problemeve sociale në terma të psikologjisë individuale, për të fshehur kështu përgjegjësitë dhe shkaqet e vërteta. Për Shtetin, humbja e kontrollit mbi veprimtaritë ekonomike dhe financiare mbi të cilat deri dje ushtronte autoritetin do të thotë humbje gjithmonë dhe më e madhe e aftësive për tu dhënë përgjigje kërkesave sociale; prej këtej lind nevoja për “psikologjikimin” e problemeve sociale në terma individual, gjë që i lejon sistemit në fuqi ti trajtojë jo më politikisht por në mënyrë humane dhe morale, të mëshirshme dhe mallëngjyese. Në gjirin e një shoqërie që shpall me aq forcë dashurinë për të skamurit, pasi çdo ditë e më shumë prodhon të atillë, socializmi veprues është kthyer, hap pas hapi, në zëvendësues të mëshirës kolektive apo të apelit për zemërgjerësi private, të higjenizmit ndëshkues apo të recetave të self-management. Atëherë, betejat sociale barazohen me sjelljen viktimizuese, pra të përpjekjes për të marrë dividendin e epërsisë simbolike të gjendjes së viktimës dhe të individit që përpiqet të gjejë përgjegjësit e gjendjes së vet e që, si përfundim, ridërgohet gjithmonë te vetvetja.
Natyrisht që liberalizmi inkurajon këtë subjektivizim të problemeve sociale. Robert Kurz thekson: «Rendi mbizotërues i sistemit social është ngritur [nga ideologjia liberale] në nivel ligji të natyrës, që gjendet përtej çdo gjykimi kritik. Përgjegjësia për çdo përvojë negative nuk mundet të mos bjerë gjithmonë mbi vetë individët dhe mbi kontekstin e tyre të ngushtë të jetesës. Kështu, çdo kush është personalisht përgjegjës për vuajtjet dhe fatkeqësitë e veta. […] sistemi si i tillë nuk mund të jetë kurrë fajtor»[14].
«Shkurt», shkruan Zygmunt Bauman, «njerëzit janë të dënuar të zgjidhin në planin biografik kontradiktat e sistemit»[15].
Jacques Ranciere, në librin e tij për demokracinë, nuk zhvillon vetëm idenë sipas të cilës sot «urrejtja për demokracinë» është tipike e elitave liberale, të cilat me të gjitha mënyrat përpiqen të mënjanojnë fantazmën e një pushteti të popullit që i kundërvihet rendit ekzistues. Me të drejtë, ai shton dhe se kjo urrejtje ushqehet nga një «implus i shfrenuar për të hequr qafe popullin dhe bashkë me të, edhe politikën» dhe që «nën emrin e demokracisë, ajo që implikohet dhe denoncohet është vetë politika»[16]. Për “post-politikë” flet edhe Slavoj Zizek: «Në post-politikë, përplasja ndërmjet këndvështrimeve ideologjike globale të personifikuar nga fraksione të angazhuara është zëvendësuar nga bashkëpunimi mes teknokratëve të iluminuar, ithtarë të multikulturalizmit liberal; nëpërmjet një procesi pazarllëku të interesave arrihet një kompromis në formën e konsensusit pak a shumë universal»[17].
Kjo post-demokraci nuk është gjë tjetër veçse programi i kapitalizmit liberal në modalitetin e tij postmodern. Është projekti i një shoqërie arsyeja themelore e ekzistencës të së cilës është legjitimimi dhe mbajtja në fuqi e rendit mbizotërues, duke krijuar kushtet e përshtatshmërisë sociale të favorshme për shtrirjen planetare të logjikës së forma-kapitalit. Bëhet fjalë për “reformimin” e demokracisë duke e zbrazur nga përmbajtja dhe duke e përshtatur me evolucionin e botës diktuar nga transformimet e kapitalit. Që në vitet shtatëdhjetë, drejtuesit e  Komisionit Trepalësh kishin shtruar problemin, si të luftonin “teprimet e demokracisë”, duke qenë se ideja e përgjithshme ishte se demokracia është e “menaxhueshme” vetëm kur populli nuk ka më mjetet për të bërë që ti dëgjohet zëri. Me këtë detyrë vijojnë të merren ende sot teoricienët e governance-s dhe të rendit të ri liberal botëror, ideali i të cilit është ai i të qeverisurit pa popullin dhe, në shkallë fundore, kundër tij.

 

Alain de Benoist, “Le moment populiste
Përkthimi MVSK

 

[1] Henni, Ahmed, Fin de la modernité? Une mutation capitaliste: le retour des sociétés de statut e de rente, në «Les Temps modernes», shtator-tetor 2006, f. 200-202.

[2] Cit. dosja Mais ou est passée la gauche?, në «Elements», nr. 99, nëntor, 2000, f. 23-44.

[3] Guillon, Roland, Les Avatars d’une pensée diregeante. Le cas du parti socialiste, L’Harmattan, Paris 2005, f. 40.

[4] I njëjti fenomen u vu re në Shtetet e Bashkuara, ku prej disa kohësh përjetohet një transformim i partisë demokratike, që tashmë, i ndikuar nga politikisht korrektja dhe nga një matriakalizëm i shfrenuar, i përkushtohet një life-style politics që është i barasvlershëm me braktisjen e popullit te republikanët.

[5] Joffrin, Laurent, Histoire de la gauche caviar, Robert Laffont, Paris 2006.

[6] Guy Hermet vë në dukje se «sipas këtij këndvështrimi, duhet qëndruar sa më shumë të jetë e mundur më vete, mes personave kompetentë dhe profesionistë, duke përjashtuar shqetësuesit» (Nous sommes en 1775. Gouvernance et apres-democrazie, në «Catholica» verë 2005, f. 12. Cit. edhe Brion, Nathalie, Brouse, Jean, La Bulle. La France divorce de ses elités. La Table Ronde, Paris 2006.

[7] Collovald, Annie, Le populisme: de la valorisation a la stigmatisation du populaire, në «Hermes», nr. 42, 2005, f. 156. Autore e një eseje në të cilën kundërshtohet etiketimi “nacional-populist” për Front National, në mënyrë të veçantë nga Pierre-André Taguiedd (Le “populisme du FN”: un dangereux contresens. Editions du Croquant, Broissieux 2004), Annie Collovald kujton edhe se “populizmi” nga pikëpamja historike, është një rrymë e pozicionuar qartësisht majtas dhe se “thërritja e popullit” në fillesa ishte «një strategji që synonte ti jepte peshë, autoritet dhe dinjitet grupeve sociale që ishin të përjashtuara nga çdo përfaqësim politik dhe, bashkë me to, të dëgjoheshin edhe çështjet sociale e politike që këto mbështesnin» (art. cit., f. 159)

[8] Ranciere, Jacques, vep. cit., f.88.

[9] Joffrin, Laurent, vep. cit.

[10] Collovald, A., Le populisme du FN, cit. f. 159

[11] Cit. Brune, François, De l’ideologie aujourd’hui, Prangon, Lyon 2005, f. 141-145; L’idéal démocratique dévoyé, në «Le Monde diplomatique», maj 1997

[12] Lipovetsky, Gilles, L’Empire de l’éphemere, Gillimard, Paris 1987, f. 236. Në të njëjtat pozita gjejmë dhe Christopher Lasch: «Kur politikanët dhe administratorët nuk kanë qëllim tjetër përveç se ti shesin publikut lidershipin e tyre, nuk është e nevojshme të kenë standarde të kuptueshme për të përcaktuar objektivat për synime të caktuara apo për të vlerësuar suksesin apo dështimin» (La cultura del narcisismo, Bompiani, Milano 1988, f. 93). Mbi argumentin cit. edhe Barraycoa, Javier, Du pouvoir dans la modernité et la postmodernité, Hora Decima, Paris 2005, f. 134-135; Stiegler, Bernard, La télécratie. Lettre ouverte aux représentants politiques, Flammarion, Paris 2006.

[13] Musso, Pierre, Le phénomene Berlusconi: ni populisme ni vidéocratie, mais néo-politique, në «Hermes», nr. 42, 2005, f. 177. Ai shton: «Buzëqeshja e paoksidueshme dhe lëkura përherë e nxirë e Kavalierit» gjithmonë të çojnë te «kultura lozonjare e promovuar nga neo-managment-i»: «Buzëqeshja e tij  fsheh dhe një zi: atë për “seriozitetin e Shtetit dhe të institucioneve, për ndërmjetësimet sociale dhe kulturore të lindura nga kapitalizmi fordist. Ky kult i buzëqeshjes është një nga shenjat e stërvitjes televizive dhe menaxheriale për trupin e përkryer, të ri, sportiv, të lumtur e triumfues. […] Basti berluskonian është pohimi se trupi simbol, në epokën neo-politike, nuk është më ai i Shtetit por ai i drejtuesit të sipërmarrjes dhe të prezantuesit televiziv (po aty, f. 178).

[14] Kurz, R., Avis aux naufragés, cit. f. 47-48.

[15] Bauman, Zygmunt, La Société assiégée, Rodez 2005, f. 271. Cit. edhe Eliacheff, Caroline, Lariviere, Daniel Soulez, Les Temps des victimes, Albin Michel, Paris 2007.

[16] Ranciere, Jacques, vep. cit. f. 89-90.

[17] Zizek, Slavoj, Plaidoyer en faveur de l’intolérace, Climats, Castelnau-le-Lez 2004, f. 39.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s