Home

Massimo Fini

 

Çfarë është në të vërtetë demokracia? Telashet fillojnë kur përpiqesh t’i japësh një përkufizim. John Holmes, një historian dhe teoricien amerikan i liberalizmit, ka shkruar se kritikët e djathtë të demokracisë «vetëpërcaktohen përjashtimisht», në kundërvënie me liberalizmin dhe demokracinë[1]. Ka diçka të vërtetë. Por mund të thuhet, me po aq të drejtë, që demokracia «vetëpërcaktohet përjashtimisht» në kundërvënie me diktaturat, pasi kur përpiqemi ti japim një përcaktim të saktë dhe shterues, përfundojmë në një labirint. Edhe nëse e kufizojmë fushën vetëm te demokracia liberale, që është ajo e cila na intereson pasi është forma e vendosur në Evropë, pra duke lënë mënjanë demokracinë e drejtpërdrejtë, atë socialiste, korporative, apo popullore do të gjendemi përballë një kafshe që ndryshon formë dhe sjellje, një kafshe të zhdërvjellët, të cilës duket gjithmonë sikur je në pikën e kuptimit të thelbit por që gjithmonë na rrëshqet.
Përpara se të nisja këtë punim u kërkova disa të njohurve, të mirë arsimuar, të më thoshin cila ishte, sipas tyre, karakteristika thelbësore e demokracisë; më dhanë përgjigje nga më të ndryshmet: «konsensusi», «liria», «barazia», «përfaqësimi», «zgjedhjet», «parimi i shumicës», «kontrolli mbi veprimtarinë e qeveritarëve».
Por, edhe ndërmjet specialistëve, studiuesve të doktrinave politike, si vërtetohet në librin e Giovanni Sartori-t, të titulluar pikërisht Demokracia dhe përkufizime, qarkullojnë përkufizime të ndryshme dhe pothuajse të pafundme. Asnjë element, i marrë veçmas, nuk duket ekskluziv i demokracisë, pra i aftë për ta përkufizuar. Kështu që Norberto Bobbio, që ka kaluar gjithë jetën e tij të gjatë duke studiuar problemin, duke prerë e shkurtuar është detyruar të jap një përkufizim aq të zbehtë sa të duket thuajse i zhveshur nga kuptimi: «Me regjim demokratik – shkruan – pikësëpari kuptojmë një bashkësi rregullash dhe procedurash për formimin e vendimeve kolektive, në të cilat parashikohet dhe lehtësohet pjesëmarrja më e gjerë e mundshme e të interesuarve»[2].
Le të përpiqemi, si jo ekspertë, të kuptojmë ndonjë gjë të paktën.  Demokracia, nga pikëpamja etimologjike, nënkupton «qeverinë e popullit». Ta harrojmë që populli të ketë qeverisur ndonjë herë ndonjë gjë, të paktën që kur ekziston demokracia liberale. Në ka gjë që në shpirtin e liberalit ndjell një ndjesi tmerri është qeveria e popullit. Kështu që nuk është dhe aq paradoksale të zbulosh se nëse populli ka qeverisur ndonjëherë, kjo ka ndodhur në epokat para industriale, para liberale, para demokratike. Nuk është nevoja të rrëmojmë, si bën Alain de Benoist, në realitetet islandeze Althing-un, një formë vetëqeverisjeje e shfaqur rreth vitit 1000, ku «thing përshkruan njëkohësisht vendin dhe asamblenë ku burrat e lirë, mbajtës të drejtash politike të njëjta, në data të paracaktuar mblidheshin për të nxjerrë ligjet»[3]. Mjafton të vërejmë komunitetin e fshatit evropian, në epokën e Mesjetës dhe Rilindjes, përpara se Shteti nacional të stabilizohej plotësisht duke përthithur të gjithë pushtetin. Asambleja e fshatit formuar nga kryefamiljarët, përgjithësisht burrat por edhe gra nëse bashkëshorti kishte vdekur apo nuk gjendjet aty, vendoste absolutisht për çdo gjë që i përkiste fshatit. Duke nisur nga thelbësoret: ndarja mes anëtarëve të komunitetit të taksave mbretërore dhe të atyre që ushqenin bilancin komunal, dhe pastaj vinte pjesa tjetër: emërimi i kryetarit, i mësuesit, priftit, rojtarëve të të korrave, tagrambledhësve, votonte për shpenzimet, merrte borxhe, zhvillonte procese gjyqësore, vendoste për shitjen, shkëmbimin dhe vendndodhjen e  pyjeve të përbashkët, për riparimet e rrugëve, urave, të kishës, presbiterit dhe kështu me radhë[4].
Por ajo ishte e vjetra dhe e dashura demokraci e drejtpërdrejtë, që as nuk e dinte që ishte e tillë, që nuk kishte as emër dhe as teoricienë, e që në Francë u flak tej, brenda pak vitesh, nga Revolucioni, më 1787, kur nën presionin e përparimit të borgjezisë dhe të padurimit të saj normativ dhe ligjor, me një dekret mbretëror, nën pretekstin e njëjtësimit dhe rregullimit të një veprimtarie që gjithmonë kishte funksionuar shumë mirë, kufizoi të drejtën e votës për banorët që nuk paguanin të paktën dhjetë franga tatime, dhe mbi të gjitha futi parimin – që do të kthehej në themelin e dyshimtë të pushtetit politik në Perëndim – e përfaqësisë (asambleja nuk vendos më drejtpërsëdrejti por zgjedh gjashtë deri në nëntë anëtarë…). Shteti absolut kërkonte për vete të drejtat që ata katundarë të pagdhendur e të pacipë i kishin lejuar vetes të vinin në zbatim. E duke qenë se Shteti nga pikëpamja territoriale është aq i madh dhe aq i ndërlikuar nga pikëpamja juridike, sa që populli të mundet të japë drejtpërsëdrejti mendimin e tij, lindi demokracia përfaqësuese, ku qytetari, formalisht mbajtës i pushtetit, ja delegon dikujt tjetër që bëhet përfaqësuesi i tij, ndërsa i përfaqësuari, i zbritur në rangun e të qeverisurit, në vendimmarrje përfshihet nëpërmjet zgjedhjeve herëpashershme, që bëhen, faktikisht, çasti i vetëm kur ushtron, ose thuhet se ushtron, atë pushtet që është i veti. Kështu që në kuadër të regjimit përfaqësues shtohet pyetja shqetësuese, cili është elementi themelor o demokracisë?
Vallë është konsensusi? Aspak. Konsensusi mund të ekzistojë edhe në diktaturë, ashtu si na mësojnë nazizmi dhe fashizmi, madje shpesh është më i gjerë se ai që mund të fitojnë qeveritarët në një regjim demokratik. Vallë mund të jetë fakti që në demokraci konsensusi është i vetvetishëm ndërsa në diktatura i detyruar. Edhe kjo është e dyshimtë. Nazizmi dhe fashizmi, për një farë kohe, patën një konsensus me siguri të vetvetishëm dhe të vullnetshëm. Me rënien e hegjemonisë së antifashizmit militant, që kishte hedhur një vello mbi të vërtetën e turpshme, sot nuk ka më libër historie që të mos flasë për «vitet e konsensusit» të regjimit musolinian.
Janë, pra, zgjedhjet? Por edhe në Bashkimin Sovjetik, madje edhe në Bullgari, dihet që bëheshin zgjedhje.
Është sistemi shumë partiak? Max Weber thekson – dhe jemi në vitet njëzet të shekullit të kaluar – se «ekzistenca e partive nuk përcaktohet në asnjë Kushtetutë» demokratike dhe liberale[5]. Pra, nuk mund të jenë partitë elementi karakterizues i demokracisë liberale që ekzistonte qysh përpara institucionalizimit të tyre.
Të jetë, si pohojnë disa, «pushteti i ligjit»? Por pushteti i ligjit ekziston edhe në Shtetet autoritare, madje sa më autoritar të jetë një shtet, aq më i fortë dhe i pakapërcyeshëm është ky pushtet. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se në shtetet autoritare ligji është arbitrar dhe bën dallime mes shtetasve. Atëherë, «barazia e të gjithë shtetasve përpara ligjit» qenka thelbi i demokracisë? Por, edhe në shtetet komuniste, të paktën formalisht, qytetarët janë të barabartë përpara ligjit.
Atëherë do të jetë parimi i përfaqësimit? Por, edhe mbreti       «përfaqëson popullin».
Do të jetë, si thotë Popper-i, fakti që demokracia është ajo formë qeverisje e karakterizuar nga një bashkësi rregullash që lejojnë ndryshimin e qeverisë pa përdorimin e forcës. As kjo. Është fakt historik që në aristokracitë qeverisja mund të kalojë nga një grupim te tjetri pa gjakderdhje.
Mund të vazhdohet kështu për faqe dhe dekada me radhë, pa gjetur dot rregullin bazë të demokracisë liberale. Carl Becker shkruante: «demokracia është një fjalë pa referencë, kjo që nga çasti ku nuk ka asnjë gjë apo objekt të saktë e të prekshëm ku njerëzve t’u shkojë mendja kur shqiptohet kjo fjalë»[6].
Demokracia është para së gjithash e mbi të gjitha një metodë. Këtë i pari e vuri re Hans Kelsen (por edhe Schumpeter)[7]. Demokracia përbëhet nga një varg procedurash formale, praktike, pra pa përmbajtje dhe vlerë (duke qenë se ato që shpalosen si të brendshme të sistemit, liria, barazia apo përfaqësimi, sipas Kelsen-it janë fictio iuris, trillime juridike) për të përcaktuar përzgjedhjen e qeverisësve mbi bazën e mekanizim të mbizotërimit të vullnetit të shumicës. Duke qenë se është thjeshtë formë pa përmbajtje vlerash, është thelbësore që të paktën forma të respektohet. Si do të shohim, as kjo nuk ndodh.
Për më shumë, procedurat duke ndjekur parimin e shumicës, mund të ndryshohen dhe ndryshohen me kalimin e kohës, deri në pikën që me mjete demokratike mund të kthehen në një sistem në thelb autoritar. Por, duke qenë se nuk ekziston një thelb i demokracisë, një bërthamë e fortë, një rregull-bazë, nuk ekziston as një vijë e vërtetë kufiri në bazë të së cilës mund të thuhet me bindje se u kalua nga një sistem te tjetri.
Një shembull mund të jetë fenomeni berluskonian në Itali – vend të cilin në këtë pamflet do ta përmendim shpesh, jo sepse na intereson në mënyrë të veçantë, duke qenë se diskutimi ynë është i përgjithshëm, por sepse duke shtyrë në maja hipokrizitë, falsitetet dhe gënjeshtrat e demokracisë, njëkohësisht edhe i demaskon – ku një njeri i vetëm, me anë mjeteve demokratike, ose të paktën pa u mënguar nga procedurat demokratike, arriti të zotëronte një pushtet jashtëzakonisht të madh.
Duke qenë se nuk ekziston, ashtu si pamë, një përkufizim shkencor i demokracisë do të na duhet të mbështetemi te kritere të përafërta, empirike, pragmatike apo, do të thoshte Sartori, “jo perfeksioniste”. Këtu do të shqyrtojmë jo ato që janë, por ato që besohet se janë pikat e forta të demokracisë liberale, ato që demokratët na thonë se janë – dhe ne, falë fjalëve të tyre, besojmë se janë – themelet e demokracisë, pa të cilat, si e pranojnë edhe vetë, nuk kemi demokraci. Pra, ajo që ka rëndësi është popullorçja e demokracisë, ajo që populli, bazuar në atë që teoricienët dhe mbështetësit e saj i bëjnë të besojë, se është demokraci. Në këtë rrafsh pozicionohet edhe Sartori kur shkruan se «jeta e demokracisë në analizë fundore, varet nga popullarizimi i idesë së demokracisë… fati i besohet asaj që elektorati mendon se është demokraci»[8]. Sipas popullorçes elementët e cilësuar thelbësor dhe minimal për ekzistencën e demokracisë janë: 1) vota duhet të jetë e barabartë. Është koncepti që anglosaksonët e shprehin me one man, one vote, një njeri, një votë. Vota e çdo shtetasi nuk duhet të vlejë as më shumë dhe as më pak se ajo e çdo shtetasi tjetër. 2) Vota duhet të jetë e lirë. Duhet, pra, të jetë pasojë e një zgjedhjeje të vetvetishme, të vetëdijshme ndërmjet mundësive vërtet të ndryshme. Qeverisësit duhet të kenë një konsensus të vërtetë nga të qeverisurit. 3) Të qeverisurit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë një kontroll mbi veprimtarinë dhe vendimet e qeverisësve. 4) Këto akte duhet të jenë publike dhe transparente. 5) Respekti për procedurat e paracaktuara. 6) Barazia e të gjithë shtetasve përpara ligjit. 7) Demokracia si pothuajse çdo sistem tjetër, refuzon dhunën si metodë për zgjidhjen e konflikteve politike apo private dhe e zëvendëson, për të parën, me zgjedhjet me të drejtë universale dhe të për të dytën, me forcën e ligjit.
Në demokracinë “reale” asnjë prej këtyre kushteve nuk respektohet, me përjashtim të atij të fundit, edhe ajo në fakt për arsye që nuk kanë të bëjnë me demokracinë por me mbijetesën e sistemit në pushtet.
Vota nuk është e barabartë. Lidhur më këtë, janë thënë gjëra përmbyllëse, asnjëherë të tejkaluara, nga e ashtuquajtura shkollë elitiste e fillimit të njëmijë e nëntëqindës, në mënyrë të veçantë nga Roberto Michels, Vilfredo Pareto dhe Gaetano Mosca[9]. Mosca shkruan: «njëqind që veprojnë gjithmonë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim me njëri-tjetrin, do të triumfojnë mbi njëmijë të marrë veç e veç dhe që nuk kanë asnjë marrëveshje mes tyre»[10].
Vota e një individi, të lirë, të pa grupuar, merr drejtime të ndryshme dhe përhumbet, pikërisht për shkak se është e lirë, ndërkaq aparatet partiake, duke u bërë bllok, vendosin në të vërtetë kush do të zgjidhet. Vota e opinionit, pra vota me të vërtetë e lirë, nuk ka asnjë peshë përballë votës së organizuar. Vetë Bobbio e pranon: «Do të guxoja të thosha që i vetmi opinion i vërtetë është ai atyre që nuk votojnë, pasi e kanë kuptuar, ose besojnë se e kanë kuptuar që zgjedhjet nuk janë gjë tjetër veçse një ritual nga i cili mund të tërhiqesh pa shkaktuar dëme»[11].
Ekzistenca e ligjshme e lobeve dhe partive është ceni më i rëndë dhe vendimtar për demokracinë, pasi mohon që në rrënjë një nga parakushtet themelore: që, të paktën në nisje, të paktën në të vetmin çast që me të vërtetë përfshihet në vendimmarrje dhe që ushtron atë pushtet që formalisht i takon, shtetasi të jetë në të njëjtën vijë me gjithë të tjerët. Nuk është e rastësishme që teoricienët e parë të demokracisë nuk i përmendin partitë dhe, si vinte në dukje Max Weber, deri në 1920 kushtetutat e vendeve demokratike nuk i merrnin as në konsideratë. Ende sot, paçka se partitë zaptojnë çdo hapësirë publike dhe një pjesë të asaj private, Kushtetuta italiane i përmend vetëm një herë, në një nen të thatë: «Shtetasit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në parti për të konkurruar me metoda demokratike për të përcaktuar politikën kombëtare» (neni 49). Ajo që parashikohej si mundësi, si do të theksonte Mosca, e mbarsur me pasoja të rënda për efikasitetin e demokracisë pasi cenon parimin e barazisë së votës, në të vërtetë është kthyer në një detyrim nga i cili nuk mund të lirohesh pa dënuar me një jetë të margjinalizuar. Partitë nuk janë thelbi dhe as qëllimi i demokracisë.

 

Vazhdon…

Massimi Fini,  “Sudditi: Manifesto contro la democrazia”
Përkthimi MVSK

 

[1] Holmes, Anatomia dell’antiliberalismo, f. 9.

[2] N. Bobbio, Il futuro della democrazia, Torino, Einaudi, 1995, f. XXII.

[3] A. de Benoist, Democrazia. Il problema, Firenza, Arnaud, 1985, f. 11.

[4] A. Soboul, La societa francese nella seconda meta del Settecento, Napoli, Giannini, f. 23., L’Ancient Regime, Milano, Jaca Book, 1976, f. 322.

[5] Weber, Economia e Societa, f. 504.

[6] C. L. Becker, Modern Democracies, Yale University Press, 1941, f. 4.

[7] H. Kelsen, Essenza e valore della democrazia, në La democrazia, Bologna, Il Mulino, 1995. J. A. Schumpeter, Capitalismo, socialismo e democrazia, Milano, Etas, 2001.

[8] Sartori, Democrazia e definizioni…, f. 89.

[9] R. Michels, La sociologia del Partito Politico, Torino, Utet, 1912; V. Pareto, Trattato di sociologia generale, Milano, Edizioni di Comunita, 1946; Po ai, Transformazione della democrazia, Roma, Volpe 1975; G. Mosca, La classe politica, Bari, Laterza, 1966; Po ai, Storia delle dottrine politiche, Bari, Laterza, 1976.

[10] Mosca, La classe politica…., f. 54.

[11] Bobbio, Il futuro della democrazia…, f. 155.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s