Në vitin 1989, Wang Nan donte vetëm të shkrepte disa foto dhe përfundoi i vrarë. E ëma, Zhang Xianling, e persekutuar në mënyrë të vazhdueshme, tregon, për faqen tempi.it, historinë e saj: «Ata të partisë janë çnjerëzor».
«Nënë, mendon se do ushtarët do qëllojnë?». «Jo, nuk besoj. Por, ti mos dil». «Pse shqetësohesh? Nuk dal. Mos harro, nesër kur të agojë, të terësh teshat e mia në ballkon».
Zhang Xianling nuk e dinte që i biri, Wang Nan, nuk do ta shihte më agimin dhe se ajo do të ishte biseda e tyre e fundit. Në Pekin ishte mbrëmja e 3 qershorit 1989, kur Xianling dhe djali i saj Nan shkëmbyen ato fjalë. Paçka gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimit, në orën 11 të darkës Nan-i mori aparatin fotografik, i hipi biçikletës, dhe si tregon një shok i tij, u dha pedaleve me shpejtësi drejt sheshit Tienanmen, me qëllim «të shkrepte fotografi historike». Në datë 4 qershor, në orën 3.30 të mëngjesit, Nan-i dergjej mbi asfalt me një vrimë plumbi pas koke. Ishte 19 vjeç.
Nënat e Tienanmenit
Me qindra (ndoshta mijëra) të rinj si Wang Nan, vdiqën atë natë të mallkuar, kur tanket e ushtrisë kineze dolën në rrugë dhe ushtarët hapën zjarr mbi studentët paqësor. Për çdo djalë si Nan-i, ka një nënë që nuk gjen paqe e ngushëllim. Një prej tyre është Zhang Xianling, 77 vjeçe, bashkëthemeluese e lëvizjes «Nënat e Tienanmenit». Cilat janë qëllimet e lëvizjes e shpjegon duke folur nga Pekini për tempi.it: «Ne kërkojmë nga qeveria tre gjëra të thjeshta: të hapet një hetim dhe të bëhet e njohur për të gjithë e vërteta për ngjarjet e 6-4», kështu e quajnë masakrën, duke përmendur vetëm numrin e muajit dhe të ditës. «Duam që të publikohet lista e plotë e viktimave, të kërkohet ndjesë dhe, sipas ligjit, familjeve t’u ofrohet një dëmshpërblim. Së fundmi, kërkojmë që përgjegjësit e masakrës të dalin përpara ligjit».
Letra të hapura drejtuar Partisë
Zonja Zhang, së bashku me Nënat e tjera të Tienanmenit, i kanë dërguar Asamblesë kombëtare të popullit, që mblidhet vetëm një herë në vit, në mars, një varg letrash. Por, këtë vit kanë vendosur të mos shkruajnë. «Duke mos pasur mundësi që përpara se të përgjigjem [këtyre pyetjeve] të konsultohesha me të tjerat, dua që të jetë e qartë se po flas vetëm për veten time dhe jo në emër të lëvizjes», saktëson Zhang. «Është e qartë, si u duk dhe vjet, se këto letra të hapura shpërfillen. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve [në Asamblenë popullore] janë indiferent, imoralë dhe çnjerëzor. Paçka gjërave që thonë, ata nuk na përfaqësojnë».
Arrestime dhe Persekutime
Zhang nuk ka pasur kurrë frikë të thotë atë që mendon për anëtarët e Partisë komuniste. Jo të gjithë janë kështu. Çdo vit, në mars dhe sidomos kur afrohet përvjetori i masakrës, që në Kinë është e ndaluar jo vetëm të përkujtohet por edhe të përmendet, ajo dhe i shoqi kërcënohen nga policia. Një herë edhe i kanë arrestuar, në shumicën e rasteve ju ndalojnë të dalin nga shtëpia, gjithmonë i paralajmërojnë që të mos flasin me gazetarët. Për të qenë të sigurt, agjentë, civilë apo me uniformë, pozicionohen te hyrja e banesës për të mos lejuar që ndokush të hyjë. «Këtë vit u thashë se do të jepja intervista për këdo që do të më kërkonte një të tillë».
Roje përpara derës
Më 5 mars, rreth 3 000 delegatët e Asamblesë u mblodhën në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin Tienanmen. Punimet u mbyllën të dielën dhe Zhang përjetoi të njëjtën histori: «Përpara derës së banesës, në Chaoyang, kanë vënë roje. Nuk lejojnë gazetarët. Nëse dal, agjentë civilë do të më ndjekin».
Ka vetëm një arsye pse në njëzetë vitet e fundit Zhang «nuk ka marrë asnjë përgjigje» nga qeveria për letrat e dërguar: «Nuk duan të pranojnë fajet e tyre». Por faje kanë, dhe që ç’ke me të, historia e të birit «masakruar në lulen e rinisë», flet qartë.
Një grua në gjunjë
Nëntëmbëdhjetë vjeçari Nan po i afrohej sheshit Tienanmen nga krahu jugor, kur në kryqëzimin e rrugës Nanchang u godit nga një plumb. Një grup ushtarësh nuk lejoi civilët e tjerë që ta çonin në spital. Një grua u gjunjëzua përpara ushtarëve të armatosur duke u përgjëruar, por këta drejtuan armët duke i bërtitur «Po vazhdove të flasësh, të vrasim dhe ty». Ushtria bllokoi dhe dy ambulanca që po i afroheshin kryqëzimit, dhe i detyroi të ktheheshin mbrapa. Një mjek u përpoq të binde ushtarët që të merrte Nan-in dhe të plagosurit e tjerë. Më kot.
Është një rebel
Rreth mesnatës, një grup studentësh të mjekësisë që lëviznin rrugëve duke u përpjekur të ndihmonin të plagosurit, e gjetën Nan-in dhe tre persona të tjerë. Pasi panë, te letërnjoftimi, që ishte ende gjimnazist, ushtarët i lejuan studentët të ta mjekonin, por aty në vend, me mjetet që kishin me vete: garza dhe dezinfektues. Në orën 3.30 të mëngjesit, për shkak të plagëve, Nan-i ndërroi jetë mbi asfalt. Studentët u kërkuan ushtarëve që ta dërgonin trupin në spital, për të mundësuar marrjen e trupit nga familjarët. «Është një rebel, nuk mund ta merrni. Largohuni shpejtë ose do t’ju arrestojmë», ishte përgjigja e ushtarëve.
Fat i dyfishtë
Zonja Zhang ka fatin të dijë si vdiq i biri, pasi ata studentët e mjekësisë, duke qenë se mbajtën mend emrin, e gjetën dhe i treguan çdo gjë. Zhang është një prej nënave të pakta që ka dhe një fat tjetër: një varr ku mund të qajë. Rastësia bëri që Nan-i të ketë një varr me emër sipër.
Varr i përbashkët
Në fakt, pas masakrës, Nan-i u gropos nga ushtria, së bashku me djemtë e tjerë, në një lëndinë pranë sheshit Tienanmen, përgjatë shëtitores Chang’an. E gjitha u krye me shpejtësi, për të hequr nga rruga kufomat. Por më 7 qershor, një rrebesh i fuqishëm bëri që terreni të rrëshqiste dhe dhjetëra kufoma, që ishin groposur cekët dhe shpejt e shpjet (aty ku tani, në mungesë respekti kanë mbjellë pemë dhe shkurre), dolën në sipërfaqe. Kundërmimi i tmerrshëm trupave në dekompozim bindi autoritet ti zhvendosnin. Trupin e Nan-it nuk e dërguan bashkë me të tjerët, kush e di ku, pasi duke qenë se sapo ishte kthyer nga shërbimi ushtarak, natën e masakrës mbante të veshur uniformën e vjetër. Kjo mundësoi që familja ta identifikonte.
E ndaluar të kujtosh
Askush nuk di sa veta vdiqën atë natë. Disa flasin për dy mijë njerëz, që Pekini ende sot i quan «kriminelë». Familjet që kërkojnë drejtësi, ose thjesht të vajtojnë bijtë e tyre, persekutohen nga regjimi komunist. Duke mos e duruar dot këtë heshtje, në vitin 2012, Ya Weilin, bashkëshorti i një prej Nënave të Tienanmenti, mbyti veten me litar.
Thoni të vërtetën
Zhang nuk është dorëzuar ende dhe i bën një apel të gjithë Kinës: «Thoni të vërtetën, refuzoni harresën, kërkoni drejtësi dhe zgjoni ndërgjegjen. Në fund të fundit për këtë ju bashkua të tjerave në themelimin e Nënave të Tienanmenit: «Qeveria nuk mund ta fsheh të vërtetën. Si nënë e një prej viktimave, mendoj se Partia duhet të pranojë krimet e veta dhe të kërkojë falje për ata njerëz që vdiqën në Tienanmen vetëm se kërkonin drejtësi».
Leone Grotti, Tempi.it, 17 mars 2015.
Përkthimi MVSK