Home

Massimo Fini

 

Në të vërtetë, asnjë demokraci përfaqësuese nuk është një demokraci, por një sistem pakicash të organizuara që mbizotërojnë shumicën e shtetasve të marrë veç e veç, duke i mbytur, duke u kufizuar rëndë liritë dhe duke i mbajtur në një gjendje pakice. Është një sistem oligarkishë, ose si me druajtje parapëlqente ti quante Sartori, poliarkishë[1].
Ndërmjet oligarkive demokratike dhe aristokracive historike ka një dallim thelbësor. Pjesëtarët e aristokracive të vërteta dallohen pasi zotërojnë disa cilësi specifike, të vërteta apo edhe të supozuara, por në çdo rast komuniteti i beson. Në feudalizmin, perëndimor dhe lindor, fisnikët janë ata që mund të mbajnë armët, në disa epoka të Egjiptit të lashtë profesioni i skribanit të çonte te detyrat publike dhe te pushteti, në Kinë njohuria e shkronjave të shumta dhe të ndërlikuara përbënte bazën e kastës së mandarinëve, komanda në Romën republikane, nëpërmjet një vargu magjistraturash (kuestor, edil, pretor e konsull) u shkonte ekspertëve të drejtësisë, që gjithsesi ishin ushtarakë, në vende të tjera besonin se kasta priftërore kishte dhunti të veçanta me të cilat komunikonte me hyjnitë ose autoritetin e mbanin të moshuarit të cilët cilësoheshin si përçues të urtësisë. Dhe kështu me radhë.
Ata që u përkasin oligarkive demokratike nuk kanë cilësi të veçanta. Klasa politike demokratike përbëhet nga njerëz që nuk kanë element tjetër dallues, dhe tautologjikisht, përveç atij të të bërit politikë. Legjitimimi i tyre gjendjet i gjithi brenda mekanizmit politik që e ka prodhuar. Janë profesionistë të politikës, që jetojnë me politikën e mbi politikën, sipas një analize të prehtë të Max Weberit: «me politikën si profesion jeton kish priret ta kthejë një formë afatgjatë fitimi» dhe shton se origjina historike e këtij tipi qeveritari është «ekskluzivisht perëndimore».
Duke qenë se nuk nevojitet asnjë cilësi para-politike, përzgjedhja e nomenklaturës është vetë referuese, thjesht burokratike, ndodh brenda aparateve partiakë nëpërmjet një lufte të errët, të egër, degraduese dhe shpesh mashtruese. Oligarku demokratik është një njeri pa cilësi. Cilësia e tij është të mos ketë asnjë të tillë. Gjë që i lejon një përshtatshmëri të jashtëzakonshme[2].
Por, do të thotë dikush, në demokraci mediokriteti i qeveritarëve jo vetëm që është i pranueshëm, por edhe i supozuar. E vërtetë. Por nëse në vend të një demokracia në dukje kemi një sistem oligarkik, çështja ndryshon plotësisht shenjë dhe kah. Në fakt, në demokraci pranohet mundësia që qeveritarët të jenë mediokër pikërisht për të mënjanuar prirjet autoritare dhe përqendrimin e pushtetit në duart e elitave të privilegjuara, siç ndodh në regjimet aristokratike. Por, nëse në demokraci faktikisht formohen aristokraci dhe jo në saj të cilësive të caktuara, atëherë mediokriteti bëhet i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm.  Pasi asgjë nuk justifikon superioritetin e tyre; kanë privilegjet e aristokracisë por pa pasur as cilësitë dhe as detyrimet e tyre.
Një aristokraci pa cilësi, si ajo e profesionistëve të politikës, nuk është e respektuar. Tocqueville pohonte: «Në demokraci, shtetasit e thjeshtë shohin një njeri që del radhët e tyre dhe që brenda një kohe të shkurtër pasurohet dhe arrin pushtetin; kjo shfaqje u ngjall habi dhe zili, dhe pyesin sesi një që ishte i barabartë me ta sot ka të drejtën ti udhëheqë»[3]. Qeveritarët tanë i shohim dhe i ndjejmë të ngjashëm me ne ose, me të drejtë ose jo, i quajmë më të këqij se ne dhe i përbuzim. Sartori shkruan se «ne i vlerësojmë njerëzit dhe se refuzojmë ti bindemi atij që përbuzim»[4]. Demokracia tregon që e kundërta është e vërtetë: i bindesh edhe atij që përbuz. Nëse besimi te legjitimiteti i sistemit demokratik mund të qëndrojë aq sa mjafton për ta mbajtur në këmbë, ai te njerëzit që e mishërojnë në praktikë është pothuajse hiç.
Kjo ka pasoja të rënda mbi të gjithë indin social, ashtu si shpjegon Alexis de Tocqueville në dy faqe të shkëlqyera të Regjimit të vjetër dhe Revolucioni, ku nxjerr në pah qasjen e ndryshme ndaj pushtetit që kanë nënshtetasit e sovranit mbretëror dhe qytetarët e lirë të një demokracie: «Duhet të kemi kujdes në vlerësimin e njerëzve bazuar në nivelin e tyre të nënshtrimit ndaj pushtetit sovran, mund të jetë një gjykim jo i saktë. Është e vërtetë që njerëzit në regjimin e vjetër, me hir apo pahir, ishin të nënshtruar ndaj vullnetit të mbretit. Kjo lloj lidhje degraduese gjithmonë ka qenë e njohur… Kishin për mbretin dhembshurinë që njerëzit kanë për atin dhe respektin që kanë për Zotin, u nënshtroheshin urdhrave, edhe atyre më arbitrare,  jo nga shtrëngimi por dashuria, dhe shpesh ndodhte që të ruanin një shpirt krejtësisht të lirë edhe në rastet e vartësisë më ekstreme. Për ta, e keqja më e madhe nuk ishte të bindeshin, por të bindeshin për shkak të një ndjenje servilizmi… Pra, do të ishte një gabim i rëndë të mendohej se regjimi i vjetër ishte një periudhë servilizmi dhe skllavërie. Mbretëronte një liri shumë më e madhe se e ditëve tona; por ishte një lloj lirie e çrregullt dhe me faza… që pothuajse mundësonte të sfidoje si ligjet ashtu dhe abuzimet»[5].
Pra, njerëzit u nënshtroheshin mbretërve dhe fisnikëve pasi besonin te legjitimiteti i udhëheqjes së tyre, nga ana tjetër, nuk ishin të gatshëm ti bindeshin prepotentit të radhës. Ruanin ndjesinë e lirisë vetjake dhe të dinjitetit aq sa mjaftonin për të kundërshtuar abuzimin dhe shtypjen, kur i cilësonin të tilla.
Në regjimet demokratike, ndodh e kundërta, shtetasi duke qenë se u bindet qeveritarëve, për cilësitë dhe legjitimitetin e udhëheqjes të të cilëve ushqen dyshime të forta, fiton zakonin e bindjes ndaj «pushteteve të kritikuara, pak të respektuara, të përbuzura dhe jo legjitime», mjafton që këto të jenë pushtete dhe, si të tilla, «janë të nevojshme ose mund të të dëmtojnë». Në demokraci pushteti i oligarkive, pra i partive dhe aparateve të tyre, vendimtare në sektorë të caktuar të shoqërisë, ndoshta vërtetë nuk është formalisht ilegjitim, por e sigurt që është arbitrar dhe si i tillë perceptohet  nga shtetasit që nënshtrohen jo sepse besojnë në legjitimitetin e tij por sepse i druhen ose sepse nga ai presin përfitime, avantazhe, ndere, klientelizëm. Vilfredo Pareto vinte në dukje: «Tani kemi, në formë të tjetërsuar, një feudalizëm të ri, që pjesërisht riprodhon thelbin e feudalizmit të vjetër. Në kohët e tij, zotërinjtë thërrisnin rreth vetes vasalët për të nisur luftën, nëse rezultati ishte fitorja, i shpërblente me plaçkë. Sot politikanët veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe thërrasin rreth vetes trupat për zgjedhjet, për të kryer akte dhune ndaj kundërshtarëve dhe për të arritur të mirat që pala fituese gëzon»[6]. Por, nëse në feudalizëm bindja ndaj zotërisë dhe në shkëmbim, përfitimi i të mirave që ai shpërndante ishte pjesë e vetë formës që shoqëria kishte marrë (prandaj quhej feudalizëm) dhe për këtë nuk perceptohej, si pohonte Tocqueville-i, si diçka që cenonte dinjitetin, pasi sjellje të tilla ishin legjitime, në demokraci që teorikisht bazohet mbi elementë dhe ideale praktikisht të kundërta, bindja ndaj oligarkive dhe të fortëve të tyre perceptohet për atë që është në të vërtetë: një nënshtrim poshtërues, një shërbim degradues me të cilin duhet të përshtatesh kokulur. Çelësi i vërtetë i shtetasit demokratik nuk është respekti për autoritetet, të cilat i përçmon por dhe u druhet, apo respekti për ligjet, të cilat sapo mundet i shkel, por servilizmi.
Regjimi demokratik, fshehtazi i shndërruar në një sistem oligarkish dhe feudalësh pa prestigj e pa detyrime, është i përshtatshëm për humbjen e dinjitetit dhe për korruptimin moral dhe material të shtetasit.
Korruptimi i qeveritarëve ndërthuret fatalisht me korruptimin e të qeverisurve. Që klasat drejtuese demokratike janë thellësisht të korruptuar është fakt i pranuar botërisht. Natyrisht që edhe diktaturat, autokracitë apo dhe aristokracitë mund të jenë të tilla. Ka gjasa të mjaftueshme, por në demokraci kjo është një nevojë e pashmangshme pikërisht për shkak të asaj që përbën thelbin: gara. Pasi kjo nuk është një garë e ndershme mes shtetasve të veçantë dhe të barabartë, të vendosur pra në të njëjtën vijë nisjeje, por është një luftë e egër për ndarjen e pushtetit mes grupeve të organizuara, që kanë nevojë për struktura, mjete të bollshme, njerëz, shërbëtorë dhe, mbi të gjitha, para. Më përpara, le të themi, përpara arritjeve të demokracisë, klasa drejtuese korruptohej, në rastet kur korruptohej, pasi kishte arritur pushtetin dhe nuk ishte e korruptuar përpara apo gjatë arritjes. Korrupsioni i qeveritarëve rrezatohet fuqishëm te të qeverisurit, në një lojë kundër-pasqyrash, përplasjesh të vazhdueshme, sinergjishë negative, ku korruptueshmëria e njërit inkurajon dhe përforcon atë të tjetrit. Amerikanët në Afganistan ofruan 50 milionë dollarë për atë që do ti ndihmonte në kapjen e mulla Omarit, nga ato anë me atë shifër blen gjithë Afganistanin dhe një copë të Pakistanit po deshe, por deri më tani nuk është gjendur ndonjë i gatshëm për të tradhtuar mullain.  Në demokraci, për ndonjë dollarë apo euro më shumë, shesin edhe nënën.
Fakti është se demokracia, duke qenë një metodë, një enë, nuk përbën një vlerë në vetvete dhe as nuk propozon vlera. Është një thes bosh që duhet mbushur. Por, mendimi dhe praktika liberale dhe laike, që janë terreni ku është rritur demokracia, ndërsa nga njëra anë rrafshuan të gjitha vlera para ekzistuese, nga tjetra nuk u treguan në gjendje, për dy shekuj, ta mbushnin me vlera, përveç atyre sasiore dhe tregtare. Për disa kohë demokracia jetoi me të shtyrë, për inerci, me disa vlera antike, por sot, nuk ka më asnjë të tillë, përveç, tautologjikisht vetveten.
Monarkitë absolutiste, teokracitë, pushteti karizmatik, madje dhe diktaturat propozojnë vlera të forta, të mira apo të këqija qofshin, që përgjithësisht pranohen nga shoqëria, apo një pjesë e mirë saj. Nuk është e rëndësishme që qeveritarët të besojnë me të vërtetë në ato vlera – përgjithësisht nuk besojnë aspak – e rëndësishme është që të qeverisurit të besojnë. Kuptohet që këto vlera nuk ekzistojnë objektivisht, pasi nuk ka një Absolute që të mund të merret si pikë referimi, nga e cila të përpunohet një hierarki mes asaj që është e Mirë dhe asaj që është e Keqe. Janë vetëm besime, iluzione, ëndrra të njerëzve. Por që të ndihmojnë të jetosh. Janë nevoja të thella të natyrës njerëzore, por që demokracia e procedurave, e metodës dhe formulave abstrakte nuk i përmbush dhe nuk i arrin dot.
Për më shumë, ndryshe nga diktatura, demokracia nuk lejon as qartësinë, pastërtinë, kënaqësinë, qoftë të paguar edhe shtrenjtë, me jetë madje, e opozitës, pasi me papërcaktueshmërinë e saj bën që çdo gjë të jetë e luhatshme, rrethon çdo gjë, gëlltit, komprometon dhe në fund, ndot. Nuk ka një dimension epik ku njeriu të mundet të tregojë se me të vërtetë beson te vlerat e tij, apo të bëjë të kundërtën, të shfaqi vogëlsinë e tij[7]. Do të guxoja të thosha se, në të mirë apo të keq, nuk ka asnjë dimension njerëzor.
Korruptimi i të qeverisurve është një çështje që u përket vetëm atyre, dinjitetit dhe moralit të tyre, por ajo e qeveritarëve, që në demokraci përgjithësisht ndodh duke pranuar apo kërkuar para nga oligarkitë e tjera, ato ekonomike, që në një shoqëri të përqendruar te tregu dhe paraja arrijnë të fuqizohen edhe më shumë se oligarkitë politike, ndikon bollshëm në besueshmërinë e të gjithë sistemit dhe prek themelet. Luciano Canfora shpjegon: «Tema e përhershme e korrupsionit politik është… thuajse emblematike. Jo se është vërtetë skandaloze që pushteti ekonomik të “paguajë” partitë… por sepse nuk duhet të merret vesh; ai mister i demokracisë parlamentare, nëse zbulohet, mund të shuajë iluzionin se demokracia parlamentare është apo jo një formë demokratike. Sikleti i klasës politike lind kur del në dritë kjo strukturë e thellë, që mund të ketë pasoja të rënda te konsensusi, konsensus që siç dihet përbën shtyllën e sistemit… Ndërkohë votuesi i thjeshtë pranon të vazhdojë të përdori votën për të dhënë një delegim përfaqësuesve pasi kujton se janë ruajtur bazat e rregullave të përfaqësimit»[8].
Ky diskutim na çon te elementi i dytë që demokracia ka tradhtuar: liria e vërtetë e votës dhe e konsensusit. Vota nuk është e lirë dhe konsensusi është i falsifikuar.
Ne nuk zgjedhim kandidatët për zgjedhjet. I zgjedhin partitë, pra oligarkitë. Populli që teorikisht dhe formalisht zotëron sovranitetin pëson një shpronësim të dyfishtë apo trefishtë. Fillimisht delegon sovranitetin te përfaqësuesit, pastaj u delegon partive zgjedhjen e kandidatëve dhe në fund, duke qenë se aparatet partiake bëjnë bllokadë për kë duan që të zgjidhet, delegon edhe përfaqësuesit.
Sistemi elektoral mazhoritar plotëson shpronësimin dhe e bën të pacipë. Me sistemin proporcional shtetasi, të paktën, ka iluzionin se bën një zgjedhje ndërmjet kandidatëve të caktuar nga të tjerët, me mazhoritarin nuk ka as atë. Mund të votojë vetëm një kandidat, atë të caktuar nga partia. Në zgjedhjet politike italiane të vitit 2001, kandidati për Senat i Forza Italia, Marcello dell’Utri, një njeri me precedentë të rëndë penalë dhe nën hetime të shumta gjyqësore, i dyshuar, me të drejtë apo jo, për raporte me mafian, në Milano, qytetin që vetëm pak vite më herët kishte qenë në krye të revoltimit ndaj kriminalitetit politik, fitoi pothuajse me 50% të votave. Giuliano Ferrara, drejtor i një gazete që mbështeste Forza Italia-n, u shpreh: «Në atë zonë, mund të kishim çuar në zgjedhje edhe një kalë dhe përsëri do të fitonim». Në demokraci është e mundshme ajo që nuk u arrit dot nga perandori Kaligola.
Kreu i partisë (apo sidoqoftë grupi i ngushtë i udhëheqjes që përbën elitën e elitës së oligarkisë) nuk zgjedh vetëm kandidatët, por nëpërmjet caktimit të vendeve të sigurta, zgjedh edhe të zgjedhurit, pra ata që përfaqësojnë popullin sovran. Në një sistem bipolar, pushteti i kryetarit të koalicionit është edhe më i madh, pasi mund të vendosi, deri në një farë mase, po nëpërmjet vendeve të “sigurta”, edhe se në ç’masë do të duhet të përfaqësohen në Kuvend partitë e vogla aleate. Kështu ndodhi në zgjedhjet në Itali, ku Lega, fal marrëveshjeve me Berlusconi-n, fitoi më shumë deputetë sesa i takonin nga votat, që në të vërtetë ishin në kufijtë e 4%. Në sistemin bolshevik pushteti, duke kaluar shkallë pas shkalle, përqendrohej në duart e një njeriu të vetëm, Sekretari i Partisë, në demokracinë përfaqësuese bipolare pushteti kalon nga populli te përfaqësuesit e tij, nga këta te partitë, nga partitë te aparatet, nga aparatet te grupi i ngushtë i udhëheqjes, nga këta te udhëheqësi për tu përmbledhur në fund te kryetari i koalicionit. E vërtetë që këtu, diktatorët janë të paktën dy, një i shumicës e tjetri i opozitës, por dhe kjo, si do të shohim, është një kundërvënie vetëm në dukje.

 

Vazhdon…

Massimi Fini, “Sudditi: Manifesto contro la democrazia
Përkthimi MVSK

 

[1] Sartori, Democrazia e defininizioni..., f.6.

[2] Interesant dhe jo krejtësisht i pakuptimtë është fakti që kjo veçori (e të pasurit si cilësi, mos pasjen e cilësisë) i përkon edhe parasë, një prej përbërësve themelorë të modernitetit dhe të vetë demokracisë liberale. M. Fini, Il denaro. «Stereo del demonio». Venezia, Marsilio, 1998; G. Simmel, Filosofia del denaro, Torino, Utet, 1984.

[3] Tocqueville, La democrazia in America…, f. 230.

[4] Sartori, Democrazia e definizioni…, 96.

[5] Tocqueville, L’Antico regime e la Rivoluzione, …. 136-137.

[6] Pareto, Trattato di sociologia generale,… 277, 278.

[7] Shumë vite më parë, Indro Monanelli, i pështirosur nga butësia e Demokracisë kristiane, që zbuste, përthithte, shkrehte dhe në fund neutralizonte çdo opozitë, duke i hequr çdo kënaqësi dhe dinjitet, më tregoi një fotografi, të vendosur në kornizë argjendi, si të ishte ikonë, që e mbante mbi tavolinën e punës te «Giornale», ashtu si të tjerët mbajnë fotografitë e familjarëve. Me habi vura re se ishte fotografia e Stalinit. «Me këtë, do të kishte lezet të përballeshe», tha.

[8] Canfora, Critica della retorica democratica…, f.83.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s