Matteo Salvini për familjen*
Përgjithësisht nuk më tërheq shumë tema e martesave dhe birësimeve nga ana e gay-ve. Gjithsecili ta jetojë jetën si ti pëlqejë, por më duket e tepërt që kjo të kthehet në faktor politik. Qofsha i gabuar, por mendoj se homoseksualët e përfshirë në betejat ylber përbëjnë një pakicë të politizuar. Besoj se pjesa më e madhe e homoseksualëve, ashtu si edhe e heteroseksualëve, janë më të shqetësuar për rreziqet e shumta, fiskale, burokratike, rrugore, kriminale, ligjore, që mund të ndesh çdo qytetar në Itali.
E njëjta vlen edhe për birësimet: si mundet të thuash, në mirëbesim, se për një fëmijë është njësoj si të rritet me dy prindër të së njëjtës gjini apo me një nënë e një babë?
Refuzoj të shkruaj qoftë dhe një rresht më shumë për të shpjeguar se normale për një fëmijë është që të lindet nga një nënë e nga një baba. Do të ishte sikur ti kushtoje një volum të tërë enciklopedie faktit që dy plus dy bëjnë katër.
Me gjithë respektin për tërësinë e ndërlikuar të jetës dhe veçoritë e papërsëritshme të përvojave të gjithsecilit prej nesh, unë nuk mundem të toleroj përpjekjen për të përçuar si model normal jo vetëm që të ketë dy nëna dhe dy etër, por edhe që mund të merret me qira mitra e një gruaje për të prodhuar fëmijë sipas tekave. Kjo nuk është e majta. Kjo është barbarizëm. Nuk mendoj se e ardhmja e shoqërisë tonë kalon nga mitrat me qira.
Kush thotë të kundërtën dhe nuk e kupton se po shkel një kufi, caktuar nga natyra më herët se nga Zoti, është idiot. Nëse e percepton atë kufi dhe prapë se prapë, shtyrë nga kjo apo ajo teori psikologjike, dëshiron ta shkelë, atëherë do të përfundojë si Ikari që i shtyrë nga krenaria fluturoi shumë afër diellit dhe prandaj u përplas në tokë. Ikari ishte idiot? Dedali (që ishte i ati dhe jo prindi 1) me siguri do e pohonte.
E gjithë kjo historia e të «drejtave ylber» është edhe në funksion për shkëputjes së vëmendjes nga shkaqet e vërteta të krizës së sotme të familjes në Itali.
Shkaqe kulturore, sigurisht individualizmi i shfrenuar nuk ndihmon aspak në këtë drejtim, por mbi të gjitha shkaqe ekonomike: puna e përkohshme, kontrata një mujore, ndonjëherë edhe një ditore, të ardhurat në minimum, mungesë e shërbimeve mbështetëse, shiko çerdhet dhe pas-shkollat. Të fundit që rezistojnë si shtylla të Shtetit social janë gjyshërit, por edhe për sa kohë akoma?
Por nuk është kështu gjithandej. Franca, për shembull, e ndërgjegjësuar për krizën e rëndë demografike ka vënë në jetë politika të forta sociale në mbështetje të lindshmërisë: jo bonusin e bebes, por çerdhe falas. Lega[1] me anë të një projektligji ka propozuar të njëjtën gjë në Itali, por Madhëria e Tij Renzi[2], paçka se kostot mesatare të një familjeje italiane për çdo fëmijë që dërgojnë në çerdhe apo kopsht është rreth treqind euro në muaj, as begenisi ta merrte në shqyrtim.
Propozimi ynë parashikonte krijimin e një «sistemi territorial», thuajse federal për shkak të aftësisë për tu përshtatur më mirë me veçoritë e ndryshme rajonale, që u siguron të gjitha familjeve një shërbim falas, të përshtatur sipas dendësisë së popullsisë, pjesëmarrës në arritjen e objektivave edukues, të ndërlidhur me entet e tjera vendore, me një kujdes të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe, mbi të gjitha, bazuar në përparësinë e rezidentëve të përhershëm për të përfituar shërbimet dhe veprimtarinë didaktike.
Duhet tejkaluar qasja tipike italiane në bazë të së cilës është qytetari që duhet të përshtatet me aparatin publik, duke përshtatur ofertën e shërbimeve me të sotmen: oraret e frekuentimit duhet të rregullohen sipas orareve të punës, jo gjithmonë të rregullt, të shumë prej prindërve, duhen edhe rinovuar plani edukativ dhe pajisjet teknologjike. Duhet marrë shembulli i suksesshëm i modeleve të huaja, sidomos atyre të Evropës Veriore dhe të lehtësohet ngritja e «kopshteve të fqinjësisë» të organizuar drejtpërdrejtë nga familjet, veç e veç ose dhe në shoqata, dhe që kujdesen për fëmijët e fqinjësisë apo të të gjithë lagjes. Rinovim por edhe rikuperim i traditave të mira të shërbimeve sociale italiane, duke krijuar struktura brenda apo në afërsi të vendeve të punës, të bazuar në fleksibilitet organizativ dhe që marrin parasysh veçoritë strukturore të vendeve dhe të nevojave të prindërve punonjës.
Në fund, si element ndihmës për ata që paçka të gjithave nuk arrijnë të shfrytëzojnë këtë «sistem territorial», ligji ynë parashikon futjen e «bonusit të dados», si ndodh në Francë, një çek për të mbështetur familjet në shpenzimet e nevojshme për pajtimin e një asistenteje profesioniste apo të çdo individi tjetër të përshtatshëm, për kujdesin e fëmijës.
Kemi pikasur qindra hapësira publike të braktisura ku mund të ndërtohen gati njëmijë kopshte dhe çerdhe, për të pritur një total prej 28 000 fëmijësh dhe duke krijuar 10 000 vende pune. Bëhet fjalë për një tjetër projektligji, edhe ai i kyçur për kohë të gjatë në sirtarët e deputetëve dhe ministrave.
Nëse këto ligjet tona do të merreshin në shqyrtim, përtej së majtës dhe të djathtës, mendoj se më në fund në Itali do të provonim ndjesinë e të folurit konkretisht për mënyrat e forcimit të familjes dhe do të ishte interesante të debatoje në televizion se cili prej modeleve të rrjetit territorial do të mund të ishte më efikas. Por, përkundrazi, parapëlqejnë të humbasin orë e orë të tëra në diskutime gjithë mend mbi gjininë e engjëjve, bash si bëhej, si thotë legjenda, në Kostandinopojën e rrethuar nga turqit.
Dje, si sot, një hap larg humnerës.
E teproj?
Sipas Institutit të Statistikave, jo. Projektimet për vitin 2050 paraqesin një Itali të ndarë, në vija të trasha, në tre pjesë: një e treta përbërë nga të moshuar, një e treta nga të rinj të huaj dhe vetëm pjesa e fundit do të jetë e përbërë nga fëmijë, adoleshentë, të rinj dhe të rritur italianë, të cilët do të jenë të mbërthyer nga njëra anë nga sistemi i papërballueshëm i pensioneve dhe nga tjetra nga konkurrenca në uljen e pagave nga ana e të huajve. Kjo, pa folur për faktin që transplantimi i një të tretës së popullsisë nga vende të huaja, më së shumti islamike, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme ato liri vetjake që kalorësit e flamurit ylber sot shpalosin me aq krenari.
Po, mendoj se po shkojmë drejt katastrofës. Lajmi i mirë është që kemi ende kohë për të shpëtuar, nëse gjejmë kurajën të ulim këmbët përtokë, të kuptojmë kur dy dhe dy bëjnë katër e të veprojmë për rrjedhojë.
*) Titulli i Redaksisë.
Matteo Salvini, «Secondo Matteo. Follia e coraggio per cambiare il paese».
Përkthimi dhe shënimet MVSK.
[1] Partia e udhëhequr nga Salvini.
[2] Mateo Renzi, kryeministër i Italisë në kohën e paraqitjes së projektligjit.