Shkëputur nga “Mësime shpirtërore për samurajët e rinj”, i Yukio Mishima. Botuar në “Nutrika”, nr. 5, Tiranë, 2018.
Kohë më parë, në kinematë tona u shfaq filmi Samuraji me Alain Delon-in. Aty kuptova, jo pa një farë bezdie, se deri në ç’pikë na kanë idealizuar perëndimorët ne japonezëve, vetëm për shkak të emrit. Gënjehemi duke menduar se kultura japoneze njohët mjaftueshëm në Evropë dhe Amerikë, në të vërtetë në mendjet e perëndimorëve japonezi identifikohet pothuajse gjithmonë me samurajin. Edhe pse disa prej romaneve të mi janë botuar jashtë, gjithmonë kam pasur përshtypjen se perëndimorët thjesht për përkëdhelnin në kokë, ashtu si bëhet me fëmijët, duke menduar me njëfarë habie: «Pa shiko! Shkruaka gjëra deri diku interesante, paçka se vjen nga një popull i lindjes së largët!» Nuk më është krijuar kurrë përshtypje se i kam bërë për vete me të vërtetë. Një ditë po flisja për shpatat me një fisnike angleze. Zonja më pyeti: «Si luftohet me një shpatë të tillë?». Atëherë zhvesha shpatën dhe i tregova si. Zonja u zverdh dhe për pak i ranë të fikët. Kuptova se ajo që ju lë mbresa perëndimorëve nuk është letërsia jonë, por shpatat tona. Për ne, japonezët, samuraji është imazhi i një paraardhësi. Për perëndimorët është figura e një bujari të egër. Duhet të ndihemi krenarë që jemi të egër.
Sipas një teze të psikologut Jung, amerikanët duke qenë të pafate të gjejnë te vetja një model tërheqës heroi, e kërkuan dhe e gjetën te indianët kundër të cilëve luftonin. Fjala samuraj të sjell në mendje termin «guxim». Por çfarë është «guximi» dhe kush janë «guximtarët»? Kohë më parë, kur ndodhi incidenti Kinkirō[1], ajo që më habiti më shumë nuk ishte figura e protagonistit apo paniku që u përhap mes njerëzve. Ajo që më goditi më shumë ishin ata të rinj njëzetvjeçar që ishin peng të Kinkirō-s. Ishin, padyshim japonezë, te të njëzetat dhe në kulmin e forcës së tyre. Nga ata që një perëndimor do të mund ti identifikonte si samuraj, por që për katër ditë, sa zgjati pengmarrja, nuk patën guximit të ngrinin dorë ndaj Kinkirō-s, as kur bënte banjë. Jetojmë në një epokë ku njerëzit kanë frikë qoftë dhe nga një gërvishtje e lehtë, dhe ai Kinkirō, që përmbyste perceptimin e përgjithshëm, atë frikën nga plagosja më e lehtë, mu duk si një aktor i shkëlqyer. Ndërsa ata katër të rinjtë, mu dukën si përfaqësuesit tipikë të rinisë moderne japoneze, që druhet dhe nga gërvishtja më e padëmshme. Thuhet se epoka e tanishme Shōwa[2] është e ngjashme me epokën Genroku[3], lidhur me këtë, ja se ç’shkruan Yūzan Daidōji[4] lidhur me figurën e «samurajit frikacak»: «Luftëtari i poshtër mbështetet, mbi të gjitha, te tekat dhe egoizmi i tij. Rri në shtrat deri vonë në mëngjes, i pëlqen gjumi i pasdites, urren studimin. Sa i përket arteve marciale (që sot i quajnë sport), nuk shkëlqen, në asnjë; mburret se është artist, shpërdoron paranë me femra, dreka e darka, lë peng edhe librat e pikturat që do të duhej të mbante me kujdes, me lehtësinë më të madhe harxhon paret e të tjerëve, vështirë se lan borxhet, shkatërron shëndetin e vet, ushqehet përtej masës, pi sasi të mëdha sake-je, ju përkushtohet me furi kënaqësive të seksit; duke vepruar në këtë mënyrë nuk bën gjë tjetër veçse konsumon jetën e tij, bie në një gjendje fizike ku është i përjashtuar çdo sforcim; nuk duron dot më gjë dhe shpirti i tij i dobët dhe frikacak flashket gjithmonë e më shumë». Ky është modeli i samurajit frikaman, të poshtër. Kur paqja zgjat shumë, kujtimet e luftës fshihen, harrohet si sillet burri në raste rreziku. Çështja Kinkirō ishte një ngjarje e vogël, e kufizuar, por ndoshta në të ardhme në Japoni mund të ndodhin gjëra më të rënda dhe të përhapura, dhe të gjithë ne mund të gjendemi në situata si ajo e pengjeve të Kinkirō-s. Sigurisht, ky është një supozim i imi: një fantazi, në Japoninë e tanishme nuk ka shenja që të justifikojnë druajtjen nga ngjarje të tilla. Në fakt, në epokën tonë dominojnë gratë, dhe ato kanë prirjen të ruajnë shoqërinë prej çdo lloj rreziku. Përpjekja për të fshirë dhe idenë e rrezikut është një karakteristikë themelore e mentalitetit femëror: gruaja ka një nevojë absolute për të pasur një fole të qetë, në të cilën të mundet të dashurojë, të martohet, të lind e rrisë fëmijë. Dëshira për të jetuar në paqe është një nevojë parësore në jetën e gruas, për ta plotësuar këtë janë të gatshme për çdo lloj sakrifice. Por, ky nuk është stili i jetesës që i përshtatet një burri. Burri duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur me rrezikun, pasi është forca e tij që do të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për gruan. Por gratë moderne mendojnë se mund të mbrohen me forcat e tyre, ndoshta sepse nuk janë më në gjendje të mbrojnë si dikur, duke qenë se nuk kanë hasur kurrë në jetën e tyre në burrë guximtar. Në Japoninë moderne përshtatja me kriteret e shumicës nuk do të thotë nënshtrim ndaj jetës ushtarake, si ndodh ende në Amerikë, që vazhdon të jetë e përfshirë në mënyrë të pandërprerë nëpër luftëra. Te ne do të thotë vetëm të përpiqesh të mbijetosh me mjeshtri, duke përshkruar rrugën më të volitshme për hapjen e një shtëpie dhe ngritjen e një familjeje. Dhe çdo të thotë të mos përshtatesh me kriteret e shumicës? Një nga shembujt më radikal është ai i Zengakuren[5], lëvizja studentore, kundër të cilës nuk merret asnjë masë serioze. Studentët mund të protestojnë, të sillen si të fortë, të përballen dhunshëm me policinë, e cila reagon me qetësi, si të ishte një lojë sportive, thua se janë edukatoret e kopshtit që kujdesen për fëmijët. Pra, në Japoninë moderne nuk ekziston asnjë mundësi që të dalin në pah sjelljet vërtetë të guximshme, nuk ekziston as për frikacakun frika se mund të zbulohet si i tillë. Në analizë fundore, vlera e një burri shfaqet në çastin kur jeta e tij përballet me vdekjen, por ne jetojmë në një mënyrë të atillë që asgjë nuk na detyron të shfaqim vendosmërinë në përballje me vdekjen. Është e lehtë të deklarosh gatishmërinë për të vdekur, të ofrosh jetën, por jo dhe aq të tregosh se pohimi i përgjigjet të vërtetës. Sa herë rilexoj traktatin e Yūzan Daidōji-nit mendoj se për të gjykuar nëse një i ri është guximtar apo frikacak është nevojshme një vlerësim paraprak. Duhet pra, të përfytyrosh një teori të caktuar veprimi, që rrjedh njëtrajtësisht dhe që përcakton kufirin ndërmjet një gjendjeje të zakonshme dhe një gjendjeje të jashtëzakonshme. Mendoj se është e nevojshme të rigjejmë atë që është themelore në jetën e një burri, një tension shpirtëror të vazhdueshëm në rrjedhën e ngjarjeve të përditshme, tensionin tipik të atij që di të presë me vigjilencë momentin e rrezikut. Kur arsyeja e jetës së një burri është paqeje, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përshtatet me gruan, duke marrë një pozicion vartësi ndaj saj. Por, nëse rreziku është pikëmbërritja ideale, atëherë ai ka nevojë të tendosë, pa u lodhur dhe pa u ndalur, trupin dhe jetën e tij si të ishin një hark. Për fat të keq kam përshtypjen se tani vërdallë me vështrimin e shuar dhe pa tension, por ndoshta frika ime është e tepruar. Kohë më parë erdhi më takoi Moravia, shkrimtari i famshëm italian, dhe më tha: «Qytetet japoneze janë të mbushura me të rinj. Kam vizituar shumë vende të Azisë Lindore, por ajo që më bën përshtypje në Japoni janë gjithë këta të rinj që duken si luftëtarë».
Përkthimi Red. Nutrika.
[1] Më 20 janar 1968, Kinkirō, një korean me banim në Japoni, për katër ditë rresht mbajti peng njëzetë persona brenda një lokali. I dyshuar për vrasje, me gjestin e tij donte të protestonte kundër mënyrës si trajtoheshin koreanët në Japoni.
[2] Kishte nisur në vitin 1925, me hipjen në fron tëperandorit Hirohito.
[3] Një epokë veçanërisht e begatë në periudhën ndërmjet viteve 1688 dhe 1704.
[4] Traktati i tij mbi artet marciale u përpilua ndërmjet viteve 1716 dhe 1735.
[5] Lëvizje komuniste themeluar në vitin 1948.