Home

Shtegu ekzistencial i Vladimir Bukovskit fatkeqësisht u ndërpre më 27 tetor 2-19. Për shkak të një ataku kardiak të papritur, por rrugëtimi i tij historik ka një forcë të atillë që i mundëson të qëndrojë i fortë, madje të forcohet në proporcion të drejtë me kohën që kalon, pasi shtresimet e mendimeve dhe dëshmia e jetës së tij përforcon kujtesën e punës së tij historike, kulturore dhe politike, një punë që ju përkushtua kërkimit dhe pohimit të së vërtetës mbi çdo objektiv apo nevoje tjetër.
Dhe në të vërtetë jeta e tij intelektuale dhe politike gjithmonë u shënua nga nevoja për të vërtetën, nga ajo kërkesë që përpara se të jetë shkencore apo kulturore është etike, mbi të gjitha kjo vlen në rastin e tij, jur filloi të denonconte, duke qenë i vetëdijshëm për kundërpërgjigjet që e prisnin, atë sistem të tmerrshëm shtypjeje, dhune dhe liri-mohuese që regjimi sovjetik kishte ngritur në këmbë.
E arrestuan, sapo kishte kaluar të njëzetat, pasi kishte organizuar lexime poezish, lexime të paautorizuara poezish të ndaluara: një akuzë absurde, që sot duket surreale, por që në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, 1963, përfaqësonte një aktakuzë serioze, pasi lidhej me refuzimin mendor të mekanizmit ideologjik dhe social të komunizmit, ajo formë qëndrese që organet e kontrollit të socializmit të vënë në jetë i druheshin më shumë, më shumë se asaj fizike apo materiale, pasi ishte forma më e rrezikshme e mospajtimit dhe e mundësisë së ngjizjes së një shpirti liridashës në mendjet e nënshtetasve të perandorisë së madhe sovjetike. E arrestuan për përhapjen e farës së poezisë.
Nga ai çast, deri në lirim-dëbimin më 1976, për të nisi tragjedia e burgimeve të vazhdueshme, via crucis i burgjeve në të cilën burgjet klasike alternoheshin me spitalet psikiatrike, nga ata të egrit, çmendina kriminale ngritur, me një sadizëm ideologjik, me qëllim jo për të shlyer dënimin apo rehabilituar,, por për të anuluar mendjen e të dënuarit. Por, Vladimiri nuk ishte as i çmendur dhe as kriminel, por thjesht një njeri i lirë, që donte të jetonte si njeri i lirë brenda një sistemi që dhe vetë fjalës liri i druhej, pasi ajo lidhej me një tjetër fjalë të tmerrshme dhe të pashqiptueshme: «vërtetësi». Këto dy fjalë, për të cilat do të duhej një këqyrje e mirë psikoanalitike, ishin në qendër të çdo diskutimi zyrtar.
«Liri», svoboda, ishte tymnaja me të cilën mbulohej çdo krim i regjimit, çdo ligësi e ideologjisë: liri nga zgjedha e kapitalizmit dhe imperializmit, dhe për rrjedhojë ngritjen asaj parajse lirie dhe barazije që do të duhej të ishte shoqëria komuniste, ishte objektivi i epërm që justifikonte çdo veprim, çdo kafshëri, madje dhe gjenocidin. «Vërtetësi», pravda, ishte fjala e parë që çdo nënshtetas lexonte (apo duhej të lexonte) që në mëngjes, sepse ishte titulli me germa të mëdha i të përditshmes zyrtare të partisë komuniste, një gazetë me detyrim edhe pse thuajse nuk kishte të tjera.
Liri dhe vërtetësi që për Bukovskin ruanin kuptimin e tyre të vërtetë, të pa gërryer nga ideologjia e të pa kalbur nga hipokrizia e Shtetit. Dy fjalë që janë si armë, por në duar tepër të brishta për të mposhtur kontrollin e kudogjendur të gjuhës dhe shtypjen e çdo kritike, tepër njerëzore për t’u përballur me pushtetin çnjerëzor sovjetik. Pra e dënuan për keqpërdorim, që në të vërtetë ishte mirë-përdorim, të lirisë dhe vërtetësisë.
Në mënyrë stoike, le të themi edhe heroike, ai ju kundërvu atij regjimi kriminal me të gjitha forcat e mendore dhe morale, por nuk e dimë edhe sa mund ti rezistonte atij presioni të padëgjuar psiko-fizik që zgjati deri kur fati, në mënyrë metaforike, kryqëzoi rrugët e antikomunistit Bukovski me ato të antikomunistit Pinoçet; një intelektual i burgosur në gulagët sovjetikë për shkak se tha të vërtetën, dhe një ushtarak i përçmuar nga intelektualët perëndimorë për shkak se mori përsipër detyrën e rëndë të mbrojtjes së lirisë në vendin e tij, liri e sulmuar nga internacionalja komuniste e frymëzuar dhe ushqyer, në radhë të parë, pikërisht nga Bashkimi Sovjetik. Liria e Bukovskit qe rezultat i një marrëveshjeje shkëmbimi kokë më kokë mes Sekretarit të përgjithshëm të PKBS-së, Brezhnievit, dhe gjeneralit Pinoçet: Bukovski për Luis Corvalán, një disident gjithmonë dhe më i bezdisshëm për kreun e komunistëve kilian, që prej dy vitesh e gjysmë mbahej i burgosur për shkak të organizimit të kryengritjes së armatosur. Shkëmbimi në dhjetor të 1976, në Cyrih, nga ku Bukovski u nis për nga Angli, Kembrixh, në qytetin e universitetit të famshëm dhe si i tillë simbol i përjetshëm i asaj lirie dhe vërtetësie që për të, më në fund, rifituan kuptimin origjinal: semantik, filozofik,,historik, shkencor, pragmatik dhe etik.
Liria vetjake për të përfaqësonte dhe çlirimin e fjalës, gjuhës, nga zinxhirët e burgut mendor komunist, liri të plotë shprehjeje, kështu mundi t’i përkushtohej studimeve, shkrimeve, kujdesit për kujtesën dhe vijimit të betejës kundër gënjeshtrave të një diktature që kishte nënshtruar gjysmën e Evropës dhe që kishte marrë peng gjysmën tjetër (në fakt perdja e hekurt ishte një lak që nuk shtrëngonte vetëm fytin e të pengjeve në Evropën Lindore, por kërcënonte edhe jetët e perëndimorëve), që kishte degëzime shtetërore në gjysmën e botës dhe kishte shtrirë kudo, në gjithë botën, nën formën partive, lëvizjeve, gazetave dhe qendrave kulturore, kolonën e pestë.
Me këtë udhëtim, për fat të mirë pa kthim prapa, nga qendra e ferrit komunist drejt zemrës së lirisë moderne, Bukovski nuk forcoi bindjet apo vullnetin e tij, që ishin të fuqishme qysh më parë, por rriti peshën e denoncimeve të tij, pasi më në fund gjeti atë solidaritet dhe atë mbështetje që më parë i vinin të zbehta, të filtruara nga diktatura, të transportuara nga botimet samizdat-et apo mesazhet verbale që nuk mund të përgjoheshin. Dhe ai vijon të tregojë, përshkruajë dhe denoncojë, me forcë dhe autoritet në rritje, vijon të kërkojë mbështetje për shembjen (si një David i ri kundër një gjiganti pafundësisht më të fuqishëm se Golia) e asaj forme perversiteti çnjerëzor dhe antinjerëzor që mishërohej në regjimin komunist.
Bukovksi ishte viktimë dhe një prej akuzuesve më të mëdhenj të asaj bote me kokë poshtë dhe skëterre që Solženicyn e quante «Arkipelagu Gulag», ishte një prej studiuesve kryesor me përvojë të drejtpërdrejtë: i internuar për dymbëdhjetë vite (jo radhazi) në burgjet psikiatrike, rrethe jo imagjinare si ato të ferrit dantesk, por pamëshirshëm të vërteta, në të cilat jeta isnte një ëndërr e keqe nga e cila nuk zgjoheshe dot, nuk mund të zgjoheshe dot, pasi ishte vetë realiteti.
Ajo që Bukovski quante «sistemi i kriminalizimit të çdo mendimi që ndryshon nga ai mbizotërues», ishte mekanizmi për shkatërrimin sistematik të çdo energjie që mund të përbente kërcënim për pushtetin komunist, ishte një mjet për zhdukjen me themel, ishte, si do të pohonte gjatë një konference mbajtur në Berlin më 2005, «mënyra për të riformuar gjithë indin shoqëror, të gjitha shtresat e popullsisë eliminoheshin dhe ripërpunoheshin deri në vdekje nëpër gulage. Dhe normalisht ishim njerëzit më të mirë, për shkak të diktaturës komuniste, humbëm bujqit më të mirë, punëtorët, artizanët, intelektualët më të mirë, humbëm më të mirët e çdo profesioni të çdo fushe të jetës. Ishte një gjenocid; nuk ka fjalë tjetër për atë që ndodhi».
Bukovski fjalën gjenocid e përdor jo vetëm për të treguar eliminimin fizik por edhe për të përshkruar vullnetin për të zhdukur ndërgjegjen, pasi një popull eliminohet edhe duke i shpërbërë ndërgjegjen, duke i shkatërruar identitetin. Ky është kuptimi i vërtetë i gjenocidit komunist, e keqja që fshihet që në hallkën e parë të zinxhirit gjenetik të ideologjisë së tij. Ky është kuptimi i vërtetë i kampeve të internimit. Kjo është e keqja që Bukovski bëri të njohur dhe luftoi, dhe në këtë sforcim titanik qëndron madhështia morale, më shumë se kulturore apo politike, e veprimtarisë dhe ekzistencës së tij. Në këtë pikë ai ishte sokratist dhe realist njëkohësisht: e mira nuk arrihet thjesht duke e vënë në jetë, por edhe duke kundërshtuar të keqen, dhe duke qenë se kjo e fundit nuk ka skrupuj moral ta luftosh përfaqëson një akt moral të epërm, pasi është shprehje e një drejtësie universale, e cila vetë është shprehje e thelbit ideal të jetës shoqërore dhe të qenies njerëzore në përgjithësi.
Gulagu, pra, ishte një makineri eliminimi dhe shndërrimi, e ngadaltë por e pandalshme, që funksionoi për të paktën gjysmë shekulli: eliminim fizik dhe modifikim mendor. Gulagu nuk është një majë staliniste e aparatit shtypës bolshevik, por është i lindur bashkë me strukturën teorike marksiste-leniniste, mos të harrojmë që Lenini, që prej 1918, krahas pushkatimeve në masë, kishte urdhëruar dhe ngritjen e kampeve të përqendrimit për kundërshtarët politikë dhe për të gjithë ata që thjesht nuk donin të bëheshin pjesë e sistemit sovjetik. Në teorinë komuniste (dhe atë sovjetike në përgjithësi) qëllimi dhe mjeti janë të pandarë: edhe pse sa i përket qëllimit komunizmi nuk është në vetvete i përbindshëm, kampet e internimit janë mjeti i tij i drejtpërdrejtë dhe i pashmangshëm.
Ata intelektualë të pështirë, nuk janë as të pakët, që dhe ende sot lartësojnë mirësinë e brendshme të qëllimeve të komunizmit dhe flasin për gabime pa dashje lidhur me përfundimet negative të eksperimenteve të aplikimit të tij, që flasin për qëllimet pozitive të idesë komuniste dhe për pashmangshmërinë e mjeteve të dhunshme, do të duhej të përjetonin përvojën e Bukovskit, ose të paktën të lexonin veprat e tij dhe të shumë disidentëve të tjerë të persekutuar nga regjimet e ndryshme komuniste, nga ato që u shembën e nga ato që ende janë në këmbë.
I ashtuquajturi «socializëm real» nuk është, si pohojnë këta intelektualë, një dështim i teorisë marksiste-leniniste, apo forma institucionale e karakterit diktatorial të stalinizmit, por është forma politiko-shtetërore me të cilën ajo teori, logjikisht dhe domosdoshmërish, do të vihej në jetë. Pra, kritika ndaj socializmit real, ndaj Bashkimit Sovjetik, dhe shteteve satelite (por edhe ndaj të gjitha qeverive të tanishme që frymëzohen nga kjo teori) duhet të përfshijë, që nga fillimi dhe deri në fund, kritikën ndaj ideologjisë komuniste. Por duke qenë se kjo e fundit nuk j shkatërrua nga shembja e atyre regjimeve, të mbash pozita të dyfishta apo dhe thjesht neutrale kundrejt kësaj tragjedie historiko-politike, do të thotë ti japësh zë (dhe forcë) një ideologjie që është shfaqur vdekjeprurëse për të gjithë popujt që patën fatin e keq ta provonin.
Bukovski ishte aq i bindur për këto të gjitha sa në atë konferencë në Berlin, kushtuar kujtesës së totalitarizmit, më rrëfeu idenë e tij për një Nuremberg të komunizmit, që të arrihej një dënim historik dhe moral të ngjashëm me atë që përjashtoi nazizmin nga bota e qytetëruar.
Fisnikëria e kësaj ideje i absolutisht e dukshme dhe mbeti e pandryshueshme, kështu që pak muaj më parë, me rastin e tridhjetë vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, së bashku me Vladimirin vendosëm ta rishpalosnim, si një nismë të nevojshme për pastrimin e ndërgjegjes historike kolektive nga helmet që ideologjia komuniste ka shpërndarë gjithandej dhe për të rivendosur në ekuilibër ndërgjegjen morale të botës perëndimore, asaj bote që shumë shpesh, sa nga përtesa e sa nga keqdashja, fsheh të vërtetën mbi komunizmin, duke maskuar thelbin kriminal të një ideologjie ende të gjallë dhe vdekjeprurëse.
Ky është motivimi, moral përpara se të jetë historik dhe politik, për një Nuremburg të komunizmit, që tashmë është dhe një detyrim moral ndaj ideatorit të tij. Nga ai vendim kaluam te veprimi, duke përpiluar një dokument (që do të paraqitet në mënyrë të koordinuar në qytete dhe vende të ndryshme dhe që do të bëhet publik gjatë një konference për shtyp në Romë) dhe brenda pak javëve na u bashkuan rreth 200 personalitete nga e gjithë bota, përfaqësues të partive ndryshme por edhe persona të papërfshirë në politikë, muzikantë, shkrimtarë, studiues, docentë universitarë, gazetarë, intelektualë, sipërmarrës, menaxherë dhe përfaqësues të profesioneve të tjera. Tani, edhe në kujtim të Vladimir Bukovskit, vazhdojmë në rrugën e tij.

 

Renato Cristin

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s