Home

Marksi fitoi dhe jeton mes nesh. Kjo nuk është një batutë apo paradoks, është e vërteta. Marksizmi, i shkëputur nga komunizmi – i shkëputur nga utopia e profecisë së tij – përfaqëson shpirtin e kohërave tona. Ne jetojmë në epokën e marksizmit..

Nuk e kam fjalën për krizën e tanishme ekonomike dhe as për fenomenin e parashikuar nga Marksi, e që tani po verifikohet, pra atë të përqendrimit të pasurisë në duart e pak njerëzve, një pakicë gjithmonë më e vogël dhe më e pasur dhe një shumicë gjithmonë më e gjerë dhe e varfër. Duhet të ribëjmë llogaritë me Marksin, dhe jo vetëm sepse u formuam gjatë një epoke ku – si shkruan Dürrenmatt – «të jesh marksist është një farë detyrimi» – një detyrë të cilën nuk e zbatojmë. Por sepse e sotmja është e mbarsur me marksizëm. Te Manifesti, Marksi shkruante: «Të gjitha marrëdhëniet që nuk zhvillohen më dhe që kanë zënë ndryshk, së bashku me përfytyrimet dhe me pikëpamjet që i shoqërojnë e që koha i ka shenjtëruar, shkatërrohen, të gjitha ato që lindin rishtazi vjetrohen pa arritur ende të zënë vend. Çdo gjë që nuk zhvillohet më, çdo gjë që ka të bëjë me kastat mesjetare, tani zhduket, çdo gjë e shenjtë profanohet, dhe njerëzit, më në fund, e kuptojnë se duhet t’i shohin kushtet e veta të jetesës dhe marrëdhëniet e veta reciproke ashtu siç janë»[1] . Është parashikimi më si saktë për epokën tonë globale, të paqëndrueshme dhe internacionaliste.

Marksizmi ishte anatema më e fuqishme lëshuar kundër Zotit dhe të shenjtës, atdheut dhe rrënjosjes, familjes dhe lidhjeve me traditën; një teori që u kthye në praktikë të gjerë. Realizimi i tij në vende para moderne ku mbizotëronte ekonomia bujqësore dhe blegtorale, si Rusia, Kina, Kamboxhia apo Kuba, ishte një devijim. Ndryshe nga sa mund të mendohet, marksizmi nuk u arrit në vendet që përqafuan apo vuajtën komunizmin, ku në të vërtetë dështoi dhe u mbajt në këmbë nga forca policore e totalitarizmit; por brendia e tij u arrit aty ku lindi dhe aty të cilit i drejtohej, më Perëndimin e kapitalizmit të përparuar. Nuk e shkatërroi sistemin kapitalist, por u bë mbështetësja sociale dhe kulturore e kalimit të shoqërisë së vjetër kristiano-borgjeze në neokapitalizmin nihilist dhe global, nga liberalizmi i vjetër te shpirti i ri liberal. Shoqëria e konsumit, e dëshirave dhe e botëve virtuale përmbushi, në liri, detyrën dhe përkufizimin që Marksi i jepte komunizmit: «Është lëvizja që zhduk gjendjen e tanishme». Utopia marksiste u realizua në nivel planetar, por në rrafshin vetjak dhe jo atë kolektiv. Nën shenjën e individualizmit të masës dhe jo të komunizmit, duke zhdukur Shtetin, pronën private dhe pabarazitë. Të mos duket i habitshëm ky interpretim individualist i Marksit. Ai te Ideologjia gjermane do të shpallte se qëllimi përfundimtar i komunizmit «është çlirimi i gjithsecilit prej individëve» nga kufizimet lokale, kombëtare, familjare, fetare, ekonomike dhe pronësore. «Njerëzit» , shkruan Marksi «janë pjesë e shoqërisë si individë». Jo komunitetet, familjet, traditat, vetëm individët. Marksi i ri nderon vetëm një shenjtor dhe martir: Prometeun, individin heroik dhe çlirimtar. Ndër të parët që zbuluan thelbin individualist nën lëkurën e kolektivitetit marksist, ishet Luis Dumont te Homo aequalis, i cili nënvizonte apoteozën e individualizmit në zemër të marksizmit. Një rrënjë e vjetër protestante del në marksizmin perëndimor, të shkëputur nga bolshevizmi «aziatik»

Te Dorëshkrimet ekonomike-filozofike, Marksi është filozofi që shpreson në ardhjen e ateizmit praktik. «Të gjitha misteret që çojnë teorinë në misticizmit», shkruan në Tezat mbi Fojerbahun «gjejnë zgjidhjen e vet racionale në praktikën e njerëzve dhe në të kuptuarit e kësaj praktike». E famshme mbetet fraza te Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës: «Feja është psherëtima e krijesës së shtypur […] ajo është opium për popullin. Heqja e fesë, si lumturi iluzore e popullit është kërkesa e lumturisë së tij të vërtetë». Për Marksin, çlirimi nga Zoti dhe feja është çlirim nga marria dhe rikthen lumturinë në tokë. Spektakli i sotëm i një shoqërie ateiste por depresive, të pafe por të marrë, të nënshtruar ndaj opiumeve të tjerë tokësor, përgënjeshtron hedonizmin marksisto-perëndimor. Utopia e një shoqërie të lirshme, ku secili kryen veprimtarinë e tij «kur ja ka qejfi», që rrëzon çdo besnikëri, edhe atë bashkëshortore, dhe futjen e «një përbashkësie zyrtare dhe të qartë të grave», më shumë se e maskuar në hipokrizinë borgjeze, e bën Marksin një pararendës të shoqërisë së lejueshmërisë.

I njëjti parim barazimtar, në mungesë të eskatologjisë komuniste, realizohet si uniformizim dhe mohim meritash, aftësish dhe dallimesh. Në mungesë të fuqisë së saj profetike, barazitizmi kthehet në njëjtësim dhe standardizim. Aktuale janë dhe disa parashikime të tij mbi «kalbëzimin e shtresës së mesme», për të cilën shkruan në prezantimin e esesë mbi filozofinë hegeliane të së drejtës dhe te Manifesti, ku parashikon «proletarizimin e mikroborgjezisë»; gjë që po ndodh sot, por për shkaqe që nuk varen nga «konkurrenca», siç mendonte Marksi, por për shkak të spekulimeve të kapitalizmit financiar, të rritjes së numrit të pensionistëve dhe nga faktorë të paimagjinueshëm në kohën e tij.

Shoqëria kapitaliste globale, edhe pse duke i deformuar, ka realizuar premtimet kryesore të marksizmit: te globalizimin është arritur internacionalizmin kundër atdheut; te uniformizimi dhe njëjtësimi ka bërë të vërtetë barazinë dhe nivelimin universal; te mbizotërimi global i tregut ka pa pranuar përparësinë e ekonomisë pohuar nga Marksi; te ateizmi praktik dhe mungesa e fesë ka realizuar ateizmin praktik marksist dhe kritikën e tij ndaj fesë; te përparësia e raporteve materiale, praktike dhe utilitariste kundrejt vlerave shpirtërore, morale dhe tradicionale ka përqafuar materializmin marksist; në lirimin nga çdo lidhje organike dhe natyrale ka realizuar prometeizmin e Marksit në sferën vetjake; te shoqëria e lirshme dhe e lejueshmërisë ka realizuar çlirimin marksist nga lidhjet familjare dhe martesore; dhe, ashtu si Marksi donte, realizoi përparësinë e praktikës ndaj mendimit. Shoqëria perëndimore ka dekretuar përparësinë e të ndryshuarit ndaj qenies, të mutacionit ndaj natyrës, të shkeljes ndaj cakut. Marksizmi si aparat shtypës në Lindje dështoi, por u arrit, duke u shkëputur prej komunizmit antikapitalist, mesianik dhe profetik, si radikalizëm lirshmërie në Perëndim. Ekziston prirja që të arrihet edhe në Azinë Juglindore, në Kinë dhe në Kore, në formën e mao-kapitalizmit, komunizmit të tregut. Shtypje politike dhe liberalizëm tregu.

Shtysa ideologjike e marksizmit kondensohet në formë mentaliteti; pararoja intelektuale merr kontrollin e pushtetit kulturor, si një sekt jakobin që vigjilon mbi konformitetin ndaj politically correct; ndërsa në raportet sociale dhe ekonomike, marksizmi i bashkëngjitet shoqërisë globale dhe neokapitaliste të masës. Deri sa arrin të bëhet Roja e saj e Kuqe, në llogoren e zhdukjes së traditës dhe rendit natyral. Në Perëndim shpirti i marksizmit u arrit duke u bërë radikal në pikëpamjen ideologjike, liberal në atë ekonomike dhe gjenetikisht i modifikueshëm. Ka humbur tonet e dhunshme të marksizmit – luftën e egër të klasave dhe diktaturën e proletariatit – duke ja lënë këto revolucioneve të Botës së Tretë dhe fraksioneve ekstremiste në Perëndim; bashkë me këtë ka zbutur dhe aspiratën për drejtësi sociale dhe shtrirjen te proletariati dhe te klasa punëtore. Shoqëria e masave në Perëndim përmbushi parashikimet e Marksit: proletarizimin e shtresave të mesme pas borgjezimit të proletariatit. Borgjezia si stil dhe model jetese universalizohet por ky zgjerim përputhet me uljen e statusit të saj social-ekonomik në rangun proletar. Në vitet 1858-1861 Marksi boton një varg shkrimesh në «New York Tribune», që më pas u përmblodhën nga e bija Eleanor dhe u botuan me titullin The Eastern Question, toni i të cilave ishte antirus, filoamerikan dhe perëndimor. Dalja e Rusisë nga prapambetja përshkruhet si të flitej për kalimin e regjimeve komuniste në liberalizëm, duke uruar vendosjen e tregut të lirë dhe të mendimit të emancipuar.

Caku i fundit i proletariatit gjendet në pritjen dhe përkujdesjen ndaj emigrantëve, te të cilët marksizmi mund të luajë, në forma katoliko-humanitare, rolin e tij për kalimin e masave të çrrënjosura nga vendet e origjinës për të çrrënjosur ata vetë popullsitë e mbetura të Perëndimit. Ajo që quajnë integrim është, në kuptimin uruellian, shpërbërja, nën shenjën e shoqërisë globale, e identitetit popullor. Por vështirësitë e integrimit dhe bashkëjetesa e keqe rrezikon të ringjallë shpirtin kafshëror të të huajve dhe të vendasve, dhe të rigjallërojë fanatizmin fetar të vendeve të origjinës te të parët, ndërsa te të tjerët, si reagim, nacional-egoizmin e shoqërive të mbyllura. Nuk përjashtohet as dyshimi se pritja e që me forcë mbështet nga marksistët e rinj të jetë jetë në funksion të një kapitalizmi të ri, që është në kërkim të masave të reja të çrrënjosura me qëllim nënshtrimin e tyre.

Marksi parafytyron dy skenarë: vdekjen e filozofisë, e shprehur te Tezat mbi Fojerbahun, ku mendimi përfundon me veprimin, dhe fundin e historisë, pas apoteozës së progresit. Sipas Marksit historia përfundon me arritjen e komunizmit, edhe pse historia që i paraprin këtij triumfi deklasohet në rangun e prehistorisë. Kjo ndodhi në Perëndim: shoqëria takniko-kapitaliste cilësohet si non plus ultra, model i patejkalueshëm, si dëftimi i historisë. Me të drejtë Gentile në rininë e tij, te Filozofia e Marksit, kishte vënë re se materializmi historik nuk ishte mundur, pasi historia është një veprimtari shpirtërore e pandalshme, dialektike dhe dinamike, që ndalet aty ku mbizotëron materializmi: «Ky materializëm», shkruan Gentile, «për të qenë historik është i detyruar që të mohojë themelet e ngrehinës së vet spekulative: të mos ketë realitet tjetër përveç atij të prekshmit dhe të mohojë kështu karakterin thelbësor të çdo intuite matarialiste». Nga ana tjetër, vetë Marksi te Ideologjia gjermane kishte vënë re: «Për sa kohë Fojerbahu është materialist, për të historia nuk shfaqet dhe për sa kohë merr në konsideratë historinë nuk është materialist. Për të, materializmi dhe historia janë dy gjëra të krejtësisht divergjente». Analizë e përkryer, ka vetëm një “për të” më shumë nga ç’duhet. Në shoqëritë perëndimore, materializmi triumfoi por u shkëput prej tensionit historik dhe shpirtëror: aty ku fiton materializmi historia ndalet dhe politika neutralizohet («Pushteti publik do të humbasë karakterin vet politik», parashikonte te Manifesti).

Marksi nuk kishte parashikuar që zhgënjimi, shekullarizimi dhe ateizmi nuk do të kursenin as komunizmin dhe mesianizmin e tij profetik. Komunizmi i Lindjes u mposht nga marksizmi perëndimor, që me materializmin e tij praktik, me afetarizmin e tij dhe me përparësinë e ekonomisë ka çrrënjosur, më shumë se në shoqëritë komuniste, farën jetësore të parimeve dhe traditave. Duke u arritur në Perëndim, marksizmi përmbysi bazat e komunizmit, kjo në bazë të asaj ligjësie vikiane që Wund dhe Del Noce e quajnë «heterogjeneza e qëllimeve» ndërsa Monnerot e quan «heterotelia». Nuk qe rastësi që marksistët në Perëndim përqafuan shpirtin radikal dhe liberal, individualizmin, tregun dhe lirinë seksuale duke lënë mënjanë çështjet sociale. Lufta e klasave i ka lënë vendin luftës së bioklasave në emër të antiseksizmit dhe antiracizmit. Edhe mbrojtja barazimtare e të varfërve është zëvendësuar nga përparësia e mbrojtjes të «të ndryshmëve». Markizmi mbetet aktiv me emër dhe identitet të ndryshuar, thuajse në formë trans-gjenetike, si shpirti shpërbërës i realitetit dhe caqeve të tij, të së shenjtës dhe strukturave mbi të cilat është themeluar shoqëria tradicionale. Fundi i marksizmit, shpallur prej kohësh, është një rast vdekjeje në dukje. Marksi me pasaportë amerikane, poshtë mjekrës, buzëqesh tinzërisht.

 

Marcello Veneziani

 

Përkthimi MVSK

[1] Është parapëlqyer, që për lehtësi studimi, frazat e Marksit cituar në artikull të riprodhohen si janë përkthyer në shqip, në botimet e 1975 dhe 1979. (Shën. Përkth)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s