Sipas Solzhenitsyn-it, kampet e para për internimin e kundërshtarëve politik në vendin tonë [Rusi] fillojnë të çelen që më 1918. Kjo, ndryshe nga sa pohojnë kundërshtarët e tij, nuk është një shpifje. Solzhenitsyn citon telegramin që Lenin i dërgoi Evgenija Boš-it, presidente e komitetit krahinor në Penza, ku i sugjerohej «internimi i të dyshuarve në kampe (lager) përqendrimi të pozicionuara jashtë qyteteve» (Polnoe sobranie sočinenij, vol. L, Moskva 1965, f. 143-144). Por ai mund të kishte cituar edhe dokumente të tjera zyrtare si dispozitën speciale të Sovnarkom-it[1] të Republikës Socialiste Federale Sovjetike të Rusisë, të datës 5 shtator 1918, ku tekstualisht shkruhej: «… është domosdoshmëri mbrojtja e Republikës sovjetike nga armiqtë e klasës, duke i internuar këta të fundit në kampe përqendrimi» («Eženedel’nik Ck»,n. 1, shtator 1918, f. 11). Në shkurt të 1919, Sokol’nikov, që ishte anëtar i i Čk[2] të Rkv(b) dhe i Rvs[3] në frontin jugor,kundërshtoi direktivën e Čk për «çkozakizimin» (pushkatimin në masë të kozakëve që kishin mbështetur Krasnov-in[4] apo që kishin shërbyer në ushtrinë e bardhë) dhe propozoi përdorimin e tyre për punë sociale në pellgjet qymyrmbajtëse, në për ndërtimin e hekurudhave apo përpunimin e bitumeve. Për këtë qëllim, ai me linjë telegrafike kërkoi «fillimin e menjëhershëm të punimeve për ngritjen e kampeve të përqendrimit» (Cpa[5], 17, 4, d. 53,1. 54). Kampet e përqendrimit gjatë kohës së luftës civile ishin ngrehina të thjeshta dhe, rregullorja e të cilave ngjante pak me ato të lagerave në vitet tridhjetë. Ndonjëherë, të burgosurit i vinin të punonin, dhe ndonjëherë, sidomos në zonat e frontit, thjesht rrethohej një fushë jashtë qytetit dhe «elementët e dyshimtë», që mbaheshin aty, nuk punonin, por familjarët dhe të afërmit u jepnin ushqime nga matanë rrethimit. Sipas dokumenteve të Čk, nga fundi i viteve njëzetë, pjesa më e madhe e të burgosurve në këto kampe ishin arrestuar si «spekulatorë». Me përfundimin e luftës civile, shumë prej kampeve u mbyllën dhe të burgosurit u dërguan në shtëpi. Duket se kur nisi Nep-i, lagerat për të burgosurit politikë u mbyllën gjithandej (me përjashtim të kampit special të Solovkit-t dhe të disa kampeve ku izoloheshin të dënuarit politikë).
Roy Medvedev
Përkthimi MVSK
[1] Këshilli i Komisarëve të Popullit të Bashkimit Sovjetik, prej vitit 1923 deri më 1946 ishte organi kolegjial ekzekutiv dhe administrativ në Bashkimin Sovjetik. (Shën. Përkth).
[2] Čk – Ceka, Komisioni i jashtëzakonshëm (për luftën ndaj kundërrevolucionit dhe sabotimeve), policia e parë politike sovjetike.
[3] Përkatësisht, Komisariati ushtarak krahinor (bolshevik) dhe Sovjeti ushtarak revolucionar.
[4] Peter Krasnov, prijës i kozakëve të Donit, udhëheqës ushtarak në radhët e të bardhëve gjatë luftës antibolshevike, dhe më tej organizator i trupave kozake të Boshtit, që u përfshinë në operacionet antipartizane në Jugosllavi. Në përfundim të luftës së dytë botërore, britanikët e dorëzuan te sovjetikët, të cilët e dënuan me vdekje. (Shën. Përkth.)
[5] Arkivi Qendror i Partisë pranë Institutit të marksizëm-leninizmit, në Bashkimin Sovjetik.