Avtorkhanov, bashkëthemelues i Radios Evropa e Lirë, ishte duke punuar mbi një studim rreth instalimit të regjimit komunist, kur mësoi lajmin e vdekjes së Stalinit. Po atë ditë shkroi për gazetën të cilën drejtonte, «Svobodnyj Kavkaz» (Kaukazi i lirë) nekrologjinë e mëposhtme për diktatorin sovjetik.
Më në fund Stalini vdiq. Pushoi së rrahuri një zemër bishe dhe së funksionuari një mendje djallëzore. Iku një njeri që në vetvete nuk kishte asnjë gjë njerëzore: as shpirt, as dashuri dhe as mëshirë. Mizoria e akullt e xhelatit dhe instinkti kafshëror i vetëmbrojtjes e bënin që më shumë se llojit njerëzor t’i përkiste llojit të kafshëve të egra.
Iku njeriu që përjetësoi emrin e vet fal miliona të vdekurve, nga më të mirët e njerëzve, në birucat e Çekas, në tajgën siberiane, në minierat e Kolimës, në shkretëtirat e Azisë Qendrore dhe në malësitë e Kaukazit.
Iku njeriu që krijoi, forcoi dhe zmadhoi një sistem të paparë skllavërie shtetërore dhe obskurantizmi të zymtë.
Iku njeriu që rriti, sipas shëmbëlltyrës së vet, një legjion xhelatësh të popullit, që shtrëngohen fortë pas fronit tanimë të boshatisur.
Iku njeriu që krijoi dhe rriti një ushtri mjeshtërish ndërkombëtar të kryengritjeve, revolucioneve dhe luftërave, të gatshëm që për shkak të ideve të gjysmëperëndisë së ndjerë ta shtyjnë njerëzimin drejt një katastrofe të re .
Iku njeriu që për tridhjetë vite, pa i hyrë gjemb në këmbë, lundroi në detin e gjakut të etërve dhe vëllezërve tanë, në lumenjtë e lotëve të nënave dhe motrave tona.
Iku më i mallkuari mes njerëzve që kanë shkelur ndonjëherë mbi këtë tokë….
Një kunj e mbrehtë druri u ngultë mbi varrin e tij.
Mallkuar qoftë përjetë kujtimi i tij,
Luftë shfarosëse trashëgimisë së tij shpirtërore. Ky është vendimi i popujve tanë. Ky do të jetë vendimi edhe për breznitë e ardhshme.
«Svobodnyj Kavkaz», nr. 3 (18), mars 1953.
Shkëputur nga Abdurakhman Avtorkhanov, «Teknologjia e pushtetit».
Përkthimi MVSK.