Home

02.IX.2020/ Vdes xhelati i kuq i Kamboxhias. Cilësohej si më i pamëshirshmi mes kmerëve të kuq si dhe një prej xhelatëve kryesorë të regjimit të Pol Potit. Kang Kek Iew, i njohur edhe si “shoku Duch”, vdiq në një spital të Phom Pehn në moshën 77 vjeçare, duke marr me vete një mal me sekrete mbi gjenocidin ndaj popullit kamboxhian.Nga viti 1975 deri më 1979, gjatë regjimit të kmerëve të kuq, mbi dy milionë njerëz u vranë në kampet e shfarosjes të vendit aziatik. Pol Poti, pas studimeve në Francë dhe anëtarësimit në Partinë Komuniste të Francës, vendosi të tejkalonte doktrinën maoiste dhe të vinte në jetë formulën e vet të marksizmit rural. Me pak fjalë, populli duhet të jetë fshatar, të tjerët ose duhet të përshtaten ose duhet të eliminohen. Për t’ia arritur këtij qëllimi të marrë, mblodhi rreth vetes njerëz të besuar, mes të cilëve dhe “shokun Duch”, që ishte dalluar gjatë luftës civile kundër qeverisë së Lon Nol-it. Në fillim të viteve ’70, Duch vihet në krye të shërbimit të sigurisë të Komitetit Qendror të Partisë dhe ngre burgun e tij të parë (M-13, në pyllin Amleang). Fill pas tij, hapi një tjetër burg, M-99, ku përsosi teknikat e hetimit dhe torturës, të cilat i përdori dhe mbi kmerët e kuq të akuzuar për tradhti. Vitet e terrorit nisën më 1975, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, që mbështesnin Lon Nol-in, dhe marrjes së Phnom Phen nga forcat e Pol Potit. Qytetet boshatisen, kryeqyteti shkretohet.  Regjimi, për të zbuar qytetarët, trilloi mbërritjen e bombarduesve amerikanë. Nisi një eksod mbresëlënës dhe kamboxhianët u detyruan të jetonin në ferma të përbashkëta dhe të edukoheshin kolektivisht. Kush ka ankesa, eliminohet. Ata që nuk janë anëtarësuar në Parti persekutohen, torturohen dhe vriten. Të gjithë ata që kanë një shkollim (të molepsur nga e shkuara koloniale) internohen ose vriten. Edhe thjesht mbajtja e syzeve është e mjaftueshme që të cilësohesh si intelektual dhe të pushkatohesh në vend. Me spastrimet merret pikërisht “shoku Duch”, që emërohet përgjegjës i të gjitha kampeve, mes të cilëve dhe famëkeqit S-21 (Tuol Sleng) në Phnom Penh. Zelli i tij në zbatimin e detyrave shpërblehet me emërimin në krye të policisë politike, famëkeqes Santebal (rojtarët e paqes). Në janar të 1979, pushtimi vietnamez, i jep fund dhe regjimi i kmerëve të kuq dhe Duch, pasi shkatërroi  dokumentet e burgut S-21, morri arratinë. Vetëm në Tuol Sleng u torturuan dhe u vranë mbi 16 000 kamboxhianë. Duch rishfaqet në vitin 1999, kur një fotoreporter arriti ta gjente dhe ta intervistonte. Pak më vonë, ish shefi i policisë politike vendosi të dorëzohej te autoritetet kamboxhiane. Në vitin 2009, nën kujdesin e OKB-së nisi procesi i parë kundër kmerëve të kuq. Të mbijetuarit e kampeve të shfarosjes dalin dëshmitarë dhe për “shokun Duch” ky ishte fundi. Gjatë gjyqit kërkon falje, shprehet i penduar, deklaron se nëse nuk do t’ju bindej urdhrave të Pol Potit do e kishin vrarë  edhe atë.  Më 2010 jepet vendimi: Kang Kek Iew është fajtor për vrasje në masë, torturë, krime kundër njerëzimit dhe dënohet me 35 vite burgim. 

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s