Vladimir Sorokin
- Shok, ju jeni i fundit?
- Ndoshta, por pas meje është një grua me pallto blu.
- Atëherë unë jam pas saj?
- Po. Kthehet shpejtë, ndërkohë ju rrini këtu pas meje.
- Ju do rrini?
- Po.
- Jo se doja të shkëputesha për nja dy minuta, po fiks nja dy minuta.
- Shiko, më mirë prit sa të vijë ajo. Se po erdhën të tjerë çfarë t’u them. Prit. Tha se nuk vonohej shumë.
- Mirë, do pres. Keni shumë që jeni në radhë?
- Jo dhe aq…
- Dini gjë sa tesha japin për person?
- Kush e di… As nuk pyeta. Dëgjo, ju dini sa japin për person?
- Sot nuk e di, dëgjova se dje jepnin dy.
- Dy?
- Po, në fillim jepnin katër, por tani dy.
- Sa pak, nuk ja vlen as të mbash radhën…
- Po ju bëhuni dy veta, ata që vijnë nga jashtë bëhen edhe tre.
- Tre?
- Po.
- Kështu na bie të rrimë gjithë ditën në radhë.
- Po ç ‘thua, këtu ikën shpejt.
- Nuk e besoj, nuk ka ecur fare…
- Po ngaqë u kthyen ata që ishin shkëputur nga radha. Janë shumë…
- Shkëputen dhe pastaj kthehen e bëhet pirg.
- Ç’të bësh, po ec se tani do lëvizi më shpejtë…
- Ju e dini sa japin për person?
- Tre, thonë.
- Jo keq. Afër Stacionit Savelovskij jepnin vetëm nga një.
- Atje nuk ka kuptim të japësh më shumë, ata nga jashtë përlajnë çdo gjë.
- Po dje kështu ishte radha?
- Pothuajse.
- Ju ishit.
- Po.
- U vonuat shumë?
- Jo dhe aq…
- Ishin shumë të zhubrosura?
- Në fillim nuk ishin keq, pastaj.
- Edhe sot, e sigurt, më të mirat do i marrin dhe neve do na ngelin më të këqijat.
- Janë të gjitha njësoj, i pashë.
- Vërtetë?
- Po, të dëmtuarat i heqin.
- Ata të heqin! Prit se ke për ti parë!
- Janë të detyruar ti heqin e tërheqin fare nga tregu.
- Po boll! Të detyruar! Ata aty e kanë fitimin!
- Ja do e shohim, nuk ka kuptim të debatojmë…
- Ja ku erdhi ajo gruaja. Ju jeni pas saj.
- Ajo e gjata atje?
- Po.
- Pra, unë jam pas jush?
- Kuptohet, dhe unë jam pas atij qytetarit.
- Atëherë unë jam pas jush.
- Dhe unë pas jush.
- Dhe ju pas meje, mirë. Tani mund të largohem pak?
- Patjetër.
- Dy minuta punë, duhet të marrë disa të brendshme… këtu afër.
- Sot janë hapur deri në gjashtë?
- Kështu thuhet…
- Atëherë unë po vete pastaj…
- Mos patë, kishin nxjerrë gjë lakra atje?
- Jo, po mbajnë radhën për portokall, lakra nuk kishte.
- Pastaj, janë dhe të prishura, nuk ka kuptim ti blesh.
- Te Bulevardi Lenin i kanë të freskëta, shumë të mira.
- Futja kot, vetëm gjethe ishin.
- Të freskëtat të zgjidhin punë.
- Shiko si futen pa radhë, sa të pafytyrë. O lale pse i lë të kalojnë? Ne ça jemi që rrimë gjithë ditën në radhë. U futën, u futën…
- Në radhë ishin që qëparë, po u shkëputën pak…
- Po ça radhe, nuk ishin në radhë!
- Po, e kishte zënë radhën, ça ke që bërtet.
- Nuk e kishit zënë radhën, unë kam që në mëngjes.
- E kishin zënë, edhe unë që në mëngjes kam dhe i pashë…
- Po mo po, zënë radhën dhe pastaj vijnë vërdallë gjithë ditën.
- Për mua, nuk e kishin zënë. Unë nuk i kam parë.
- E kishin zënë.
- E kishin zënë, e kishin zënë…
- E kishin zënë, qetësohu!
- Qetësohu ti!
- E mirë, nuk ja vlen të zihemi për idiotësira. Ishin në radhë, pastaj lëvizën, nuk ka ndodhur gjë…
- E merr vesh njeri pse punon aq avadh ajo…
- E sheh?
- Pak.
- Ajo kokëkuqja nuk merr vesh nga puna, shiko si lëviz si patë.
- Vetëm një është?
- Jo, janë dy.
- Nuk i shoh.
- Afrohu pak më këtej. Këtu duken.
- Ah, po, dy. Ajo tjetra duket si më e shkathët.
- Ajo brunia u jep duarve.
- Jo mo, të dyja normal punojnë, po ka shumë njerëz.
- Gjithmonë ka shumë njerëz.
- Shiko, ata dhe po i zgjedhin.
- Po pra, dhe radha nuk lëviz fare…
- S’ka problem, tani do fillojë të eci më shpejtë.
- Sikur të paktën të jepnin nga tre.
- Ashtu do bëjnë, po hë.
- Vetëm të mos vonohen…
- Për ne do ketë.
- Dje kur mbaruan, di gjë?
- Nuk më kujtohet…unë ika….
- Më falni, unë jam pas jush?
- Jo, para.
- Ah po! Unë jam pas jush.
- Po, pas meje.
- Erdha fiks.
- Pse, do e mbyllin më shpejtë sot?
- Pas meje nuk futën njeri tjetër.
- Ça ti bësh, ashtu duhet.
- T’ju pyes: gjalpin e morët andej?
- Jo, në qendër.
- Në mëngjes shitej me tre rubla e gjysmë, por nuk gjen më.
- Zakonisht gjen në pasdreke…
- Ndonjë herë e sjellin dhe në mëngjes… Po tani ça bëjnë? Rrinë një orë në radhë e pastaj!
- Erdhën prapë gjeorgjianët… ja shiko, shiko si i bie shkurt ai. O lale. Mos i lër të kalojnë! Të pacipët!
- Marrin nga njëzetë për kokë dhe pastaj i shesin vetë.
- Merret vesh ajo punë. Ndiqe dhe atë tjetrin aty!
- Di gjë, ai pastrimi kimik është i mirë?
- Për mua po, vetëm se janë të avashtë.
- I vonojnë shumë?
- Po, një muaj.
- Shumë. Po kështu nuk është se i humbasin gjërat?
- Ndonjëherë.
Përkthimi MVSK
“Radha”, pasi qarkulloi në formë klandestine në rrethet intelektuale, u botua për herë të parë në fundin e viteve tetëdhjetë. Përshkruan atë situatë karakteristike të kolapsit shkaktuar nga regjimet komuniste: radhët e pambarimta përpara njësive tregtare. Ngjarjet zhvillohen në Moskë, por romani fare mirë mund të ishte i ambientuar në Kiev, Bukuresht, Varshavë, Tiranë, Durrës apo çdo qytet të Shqipërisë.