Home

“Mos mendo më kështu, se ndryshe do të të rrasim brenda”, i thanë në qershor të 1969, agjentët e KGB-së Vladimir Borisov-it, në atë kohë kryetar i Bashkimit të të rinjve të pavarur. Borisovin e internuan në spital psikiatrik dhe me forcë i injektuan substanca të rrezikshme si aminazina, duke i shkaktuar gjendje “shoku”, më vonë e shpallën mendërisht të paaftë. Më 1 maj të 1970 Borisovi u vetëvar në infermierinë e burgut të Butyrki-t në Moskë.
Si ky ka dhe shumë raste të tjera, qindra, mijëra burra dhe gra u internuan në spitale psikiatrike pasi kundërshtonin regjimin sovjetik. Ka një libër, ku dokumentohen mirë këto raste: “Të dënuar me çmenduri”, i A. Artemova, L. Rar dhe M. Slavinskij. Ngjarjet prekin vitet ’60-’70, kur pushteti sovjetik përdor rregullisht metodën e represionin psikik. Këto masa mund të godasin çdokënd, për shembull, mjafton të zotërosh një libër të papëlqyer për autoritetet (zotërim letërsie antisovjetike), që të dënohesh me 7 vite kamp përqendrimi. E njëjta masë mund të merrej “për këdo që shpreh gojarisht pakënaqësinë për aspekte të ndryshme të jetës socialiste” (“shpifje”), apo që mbante shënime “sektariste” (shprehja e parapëlqyer e policëve), në formë ditari apo forma të tjera (“shkrime antisovjetike”).
Në thelb, për regjimin sovjetik quheshin subversive të gjitha botimet e jashtme me karakter filozofik dhe historik, po ashtu dhe pjesa më e madhe e veprave letrare dhe sidomos librat me përmbajtje fetare. Prandaj, “ në Bashkimin Sovjetik rruga që të çon pas hekurave është e hapur për të gjithë individët mendues”.
Por pse u arrit në përdorimin e kësaj metode? Metodat tradicionale: puna e detyruar, burgu dhe internimi; nuk mjaftonin më. Sipas autorëve të librit, autoritetet komuniste përdorën armën psikiatrike për shkak “të vetë natyrës së lëvizjes së re opozitare që nuk deklarohej armike e pushtetit sovjetik dhe nuk synonte marrjen e pushtetit. Vështirësia për të formuluar aktakuza konkrete, nuk la zgjidhje tjetër veçse shpalljen si të sëmurë mendorë të personave kundërshtarë të regjimit”. Ky libër përbën dokumentimin e parë sistematik të represionit psikik në Bashkimin Sovjetik. Studiuesit kanë përzgjedhur shumë raste, disa që u përkasin dhe personave të njohur. Aty gjen përmbledhje të detajuara, rrëfime dramatike, dëshmi, tregime, apelime; një dokumentacion të gjerë që i jep librit interes të madh. Gjenden dhe disa dokumente si letra e hapur e Solzenicyn-it dhe dëshmi të nxjerra nga samizadt-et (botimet klandestine).
Studiuesit kanë vendosur të tregojnë për internimin e disa njerëzve, mes më të njohurve është dhe biologu Juares Medvedev, i cili u internua si skizofren pasi veç biologjisë merrej dhe me problemet politike dhe sociale. Tjetër personazh i njohur është Vladimir Bukovskij, i mbyllur disa herë si në burgje ashtu dhe në çmendina. Në libër gjenden dhe intervistat, apelimet dhe letrat e tij. Për “pacientët” e këtyre spitaleve shkruhet: “Për ti izoluar dhe ndëshkuar, damkosen si të çmendur dhe si të sëmurë mbyllen në psikiatri-burgje”. Aty punojnë gardianë profesionistë burgjesh, që sipër uniformës veshin këmishën e bardhë, ndërsa infermierët janë të dënuar ordinerë që shpesh mllefin e tyre e shfryjnë mbi pacientët. Regjimi në këto spitale ishte mjaft i ngjashëm me atë të burgjeve. Interesante është dëshmia u Bukovskij-t, mes njohjeve të bëra në spital ishin edhe një komunist francez e një komunist australian, të dy kishin besuar për mrekullitë e jetës në Bashkimin Sovjetik për të cilat shkruanin autorët sovjetik, dhe kishin vendosur të emigronin. “Francezi i neveritur nga rroga e punëtoreve të një fabrike këpucësh në Moldavi, i kishte nxitur këta të hidheshin në grevë. Komunizmi nuk do të sulmojë kurrë klasën punëtore që lufton për të drejtat e veta, thoshte. E dënuan me tre vite në çmendinë”. Ndërsa australiani i zhgënjyer nga jeta në Moskë, thjesht kërkoi të kthehej në shtëpi. Për shkak të këmbënguljes që tregoi, e mbyllën në çmendinën e Leningradit.
Në këto spitale kishte tre lloje ndëshkimesh, me e keqi i të cilëve ishte ai mjekësor: injektonin substanca që shkaktonin dhimbje dhe temperaturë deri në 40°. Një tjetër substancë shkaktonte gjumë dhe trullosje. Kjo vazhdonte dhjetë ditë dhe pastaj zgjoheshe në gjendje vegjetale. I treti ishte “fashimi”; i burgosuri lidhej me fasha të lagura që fillonin të shtrëngoheshin teksa thaheshin. Ky trajtim zgjaste dy, tre orë.
Pas rastit të Bukosvkij-t, autorët, paraqesin rastin e A. Esenin-Volpin, shkencëtar me famë botërore në fushën e logjikës matematikore. E arrestuan sepse mori pjesë në një manifestim kundër dënimit të A. Sinjavskij-t. E mbyllën në spitalin psikiatrik nr. 5, në stacionin Stolbojava pranë Moskës. Në një letër që i dërgoi Solzenicyn-it flet për vrasjen shpirtërore të të gjithë atyre që padrejtësisht i kanë mbyllur në çmendina. Ankohet për pamundësinë për të shkruar, për të pasur libra apo dhe thjeshtë letër. “Kam përshtypjen se nëse do të ishte e mundur, pacientëve do t’ua kishin hequr gjuhën dhe arsyetimi i spitaleve psikiatrike do të ishte krejtësisht mjekësor dhe i pakundërshtueshëm”.
I rëndësishëm është edhe rasti i Viktor Fajnberg, që më 25 gusht 1968, së bashku me të tjerë, doli në Sheshin e Kuq për të protestuar kundër pushtimit të Çekosllovakisë. Domethënëse është thirrja që ai i bën botës perëndimore nga spitali psikiatrik special i Leningradit. Thirrje e botuar nga Bukovskij. Fajnberg shpreson se OKB-ja mund të bëjë të detyrueshëm respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu shpreson se lexuesit e thirrjes së tij të ngrenë zërin kundër shtypjes në BRSS. Edhe autorët e librit u kërkojnë ndihmë lexuesve që të përpiqen të lehtësojnë qëndrimin e Fajnberg-ut në spitalin burg dhe për lirimin e tij. Këtu do të ishte me vend të hapnin kllapa të hidhura për të ashtuquajturën botë perëndimore të asaj kohe, pasi shumë prej njerëzve të kulturës, gazetarë apo dhe klerikë paçka se në atë kohë ishin në dijeni të gjërave që ndodhnin në gulagun sovjetik, nuk lëvizën një gisht për lirimin e aq shumë disidentëve të shtypur nën thundrën komuniste.
Në apelin e tij Fajnberg-u përshkruan me detaje jetesën në këto spitale. Që në çastin e parë mjekët të vendosin përpara një zgjedhjeje: ose internim pa afat ose mohim i qëndrimeve. Fajnberg tregon dhe për dhunën e ushtruar mbi të burgosurit: “përparimi në karrierë i gardianëve ishte proporcion të drejtë me sasinë dhe cilësinë e dajakut që jepnin”. Më tej, në vitin 1971, krejt papritur e liruan dhe i dhanë vizë për në Izrael.
Të tjerë persona të njohur, që janë “trajtuar” në këto psikoklinika speciale janë poetesha Natalja Gorbanevskaja dhe gjenerali i moshuar Petr Grigorenko. Edhe për këta, në libër paraqiten të dhëna të bollshme. Interesante janë dhe skedat e disidentëve të tjerë, si ajo e filologut Mal’cev, që donte të hiqte dorë nga shtetësia sovjetike dhe të emigronte në Itali pasi nuk e lejonin të ushtronte veprimtarinë letrare. Këtu në BRSS jam i dënuar me vdekje shpirtërore, do të pohonte. E si mund të përfundonte një si Mal’cev-i që refuzonte parajsën komuniste? Si gjithë të tjerët, në pavijonin nr. 5 të spitalit psikiatrik Kascenko.
Skulptori Michail Aleksandrovic Narica, ish burgosur në kampet sovjetike, dërgoi në Perëndim autobiografinë e tij, madje një kopje ja dërgoi dhe Hrushovit; në dhjetor të 1961 autoritetet e shpallën të paaftë mendërisht dhe e transferuan në një spital burg. Historia e tij është interesante; sulmohet nga fqinjët e vet, e shpallin të çmendur dhe e internojnë. Po aq interesante është historia e shkrimtarit Valerij Jakovevlic Tarsis. Ai i ndan në tre kategori klinikat ku përfundojnë opozitarët. Më e mjerueshmja është “Belye Stolby”, rreth 50 kilometra larg nga Moska, e rrethuar me mure të lartë dhe tela me gjemba. Përshkruan me detaje metodat shtypëse, që ai vetë vëzhgoi nga afër. Të burgosurve u injektohet aminazinë edhe me forcë, me raste dhe në rrugë rektale, duke bërë kështu që personi për muaj të tërë nuk mundej të qëndronte dot ulur. Tarsis pohon se numri më i lartë i të burgosurve përbëhej nga të rinj që protestonin nëpër universitete. 70-75% e tyre nuk kalonin 23-24 vjeçët, megjithatë vijohej të thuhej se rinia përfaqësonte të ardhmen e vendit, se rinia do Leninin dhe mbështet komunistët. Kishte dhe nga ata profesorë, nga ata kokat e mëdhaja, që thoshin se disa sëmundje psikike përhapen më shumë mes të rinjve. Nga ana tjetër një numër i madh i këtyre të rinjve tenton vetëvrasjen. Tarsis flet edhe për privilegjet e mëdha të nomenklaturës komuniste. Përmend raste si ai i një udhëheqësi lokal që shkoi me pushime në Soçi por harroi macen në vilë, e kështu dërgoi një avion ti sillnin macen.
Në dokumente të tjera vihet re një ngjashmëri e madhe mes metodave represive të komunistëve sovjetikë dhe SS-ve të nazistëve; vetëm se nazistët dolën përpara gjyqit ndërsa për komunistët ende presim ngritjen e një gjykate, përpara se të jetë shumë vonë.

Domenico Bonvenga

Përkthimi MVSK

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s