Viktor Sazlavsky.
Vështirësitë që ndeshnin historianët bashkëkohorë gjatë Luftës së Ftohtë, duke qenë se kishin në dispozicion dokumentet e vetëm një prej palëve në konflikt (shpesh edhe ato të cunguara), janë analizuar shpesh dhe nuk kërkojnë shtjellim të mëtejshëm. Pas rënies së regjimeve totalitare historianët u gjendën përballë vështirësive të mëtejshme, të lidhura si me trashëgiminë e historisë së politizuar, “të përfshirë” apo qëllimisht të falsifikuar, ashtu dhe me fshirjen e kujtesës historike. […] Vështirësitë kryesore për historianin bashkëkohor, sidomos për atë që merren me Bashkimin Sovjetik, varen nga falsifikimi masiv i kryer nga regjimi stalinist që as historiografia ndërkombëtare dhe as ajo ruse nuk mundeshin ta korrigjonin, e para për shkak të pamundësisë së konsultimit të arkivave e dyta për shkak të vartësisë të plotë të shkencës së historisë nga pushteti politik dhe shoqëria totalitare. Dhe në fakt, në Rusi, ndërgjegjja historike e brezave të tërë është manipuluar plotësisht, e mbizotëruar nga imazhi i një lufte të përhershme, “ne kundër atyre”, nga imazhi i një komploti të madh një kërcënimi të përhershëm ndaj integritetit territorial të vendit dhe ndaj ekzistencës së vetë kombit. Popullsia ruse që sot është mbi 30 vjeç [botimi është i 2004. Shën. Përkth.] është rritur e kushtëzuar nga propaganda sovjetike, me ideologjizimin dhe mitizimin që ajo i bëri historisë bashkëkohore. Është domethënës fakti që në vitet nëntëdhjetë një prej hapave të parë rëndësishëm të tranzicionit rus drejt demokracisë ishte heqja e provimeve të historisë, si në shkolla ashtu edhe në universitete, pasi i gjithë sistemi i edukimit historik bazohej mbi deformimin dhe falsifikimin, e organizuar nga stalinizmi dhe pasardhësit e tij, të fakteve.
Po jap një shembull, duke ju referuar një prej dokumenteve më mbresëlënës lidhur me teknikën e organizimit dhe mbështetjes së mashtrimit në historinë bashkëkohore. Mes dokumenteve tepët sekret të Arkivit special të Komitetit Qendror të PK(b)BS është gjendur një letër e drejtorit të KGB-së Shelepin drejtuar Hrushovit më 3 mars të 1959. Shelepini i propozon Sekretarit të parë të PK(b)BS-së asgjësimin e dosjeve personale të 21 857 të burgosurve polakë të pushkatuar në Katin dhe në disa lokalitete të tjera të BS-së, me urdhër të Politbyrosë. Arsyetimi i Shelepinit meriton një analizë të kujdesshme. Para së gjithash, sipas drejtorit të KGB-së, dosjet “nuk paraqesin ndonjë interes operativ dhe as vlerë historike”, madje nuk mund të kenë “ndonjë interes efektiv për miqtë tanë polakë”. Pastaj, “vetëm rastësia mund të sjellë zbulimin e operacionit, me gjithë pasojat e pakëndshme për shtetin tonë”. Për më shumë, si argument kryesor, Shelepini i kujton Hrushovit se në fund të luftës Komisioni sovjetik i ngritur për të hetuar varret e përbashkëta në Katin, së bashku me aparatin e propagandës, përfaqësojnë “versionin tonë zyrtar” për masakrën e Katinit. Ky version “ka hedhur rrënjë të forta në opinionin publik ndërkombëtar”. Drejtori KGB-së e formuluar pikën kyç të argumentimit, pa lënë hapësira për diskutim “të gjithë polakët e eliminuar [nga sigurimi ynë] quhen si të eliminuar nga pushtuesit gjermanë”. Pra, djegia e dokumenteve do të ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur versionin zyrtar. Hrushovi, që vetë kishte qenë një ndër përgjegjësit e krimeve në Katin, e pranoi menjëherë propozimin e Shelepinit. Dosjet personale të oficerëve polakë u dogjën të gjitha. Letra e drejtorit të KGB-së do të duhej të hynte në manualet e metodologjisë si paralajmërim për historianët, që të mos aftësinë kritike përballë “versioneve zyrtare” të ngjarjeve.
Zakonisht puna e historianit fillon nga konsultimi i dokumenteve dhe dëshmive me qëllim verifikimin e fakteve dhe për të caktuar atë që Ranke e quante “si vajtën vërtet gjërat”. Për historiografinë e shekullit XX verifikimi i fakteve merr një rëndësi të veçantë pikërisht sepse duhet të çbëjë falsifikimin historik, fryt i punës së gjithë aparatit të propagandës dhe të “shërbime të disinformacionit” të regjimeve totalitare.
“Stalinizmi dhe e majta italiane”
Përkthimi MVSK