Home

Botuar në “Zani i Atdheut”, Shkodër, 19 nëntor 1944.


Asht e kotë qi të merremi me nji pyetje të tillë, mbassi në ditën e sot shme kemi çashtje të tjera ma të randësishme e vitale për Kombin t’onë pse tue fillue prej ma të vjetrit te ma i i riu, prej qytetarit te malsori ma i largët, gati të gjithë e dijnë se cilët janë komunistat t’onë, por ma tepër deshta të përshkruej në pak rreshta e shkurtazi historin e atyne kryetarve të Nacional Çlirimtares qi kanë marrë në dorë bajrakun e Rusis, n’ emën të popullit shqiptarë, e veprojnë bash si nji druvar qi pret dru në nji pyll të pa zot.
Partija Komuniste në Shqipni zhvillon veprimtarin e sajë prej ma se 15 vjet, veprimtari qi shtrihej vetëm nëpër çelulet e ngrehuna në qendra të ndryshme të qyteteve tona. Unë, qi po ju shkruej këto rreshta, kamë pasë nderin (!) me ba pjesë në nji nga kto çelule së cilës i isha besnik pse isha i lithun kambë e duer, isha shndrrue me nji makinë lëvizëse, heshtëse e qorre dhe vazhdojsha punën e caktueme me sekretecën ma të madhe tue pasun gjithnji pas veshit koburen e kryetarit t’em. Kët punë e vazhdova deri ditën qi gjeta rastin me i thanë kësajë partije lamtumirë nji herë e për gjithmonë, deri ditën q’i dhashë shqelmin terrorit të kuq. Përpara vitit 1940, partija komuniste mvarej direkt nga Komiteti Qendruer Komunist Frances, prej të cilit, merrte urdhna herë mbas here me anë të nji ndërlidhsi shqiptar qi sot ndodhet në Marseilles i mshefun, Komiteti Frances ishte nën urdhnat direkte të Zyrës Informacjonit Sovjetik për Evropë Perndimore qi e kishte qendrën në L’Aja të Hollandës dhe drejtohej nga i mirënjoftuni komunist rus Gjeneral Walter Krivitski, tash i largue nga radhët e partis komuniste dhe i emigrue n’ Amerikë, kurse si kryetar i komunizmës në Shqipni ishte Profesori i pa diplomë Enver Hoxha, sot kryetar i Qeveris Sovjetike Shqiptare, titull q’i a dha vet-vetes në Mbledhjen e Përmetit, pa pasë pëlqimin e popullit shqiptar.
Me kapitullimin e Francës, komunizma në Shqipni u lidhë, për sa i përket veprimeve qi do të zhvillonte, me Moskën dhe kët veprim e lehtësoj ardhja e shokut Sejfulla Maleshova, sot ministër i Propandës në Gabinetin e Enver Hoxhës, i cili në kët kohë u nis prej Moske, tue ndjekun rrugën Turqi-Shqipni, tue qenë i pajisun prej Dimitroff-it me pashaportë diplomatike e dukumenta falls dhe me urdhnat e rastit.
Me ardhjen e Sejfulla Maleshoves filloj nji propagandë e hapët në popullin e në rinin e pa fajshme n’emën të lëvizjes për liri e për hesap të të huejve. E kjo vazhdojti deri në mbledhjen e Mukajt ku merrshin pjesë të gjithë përfaqsuesit e nacionalizmës shqiptare. Në kët mbledhje, komunistat tue pà se rreshtat e tyne ishin forcue prej nji pjese të madhe rinis shqiptare dhe se propaganda e tyne kishte ba efekt të madh moral në popull, deklaruen haptazi se nuk mund të bashkoheshin me pjesën nacjonaliste për arsye se kështu kishte urdhnue Moska. Prej kësajë date filloj terrori komunist, filluen kërcnimet, rekrutimet me forcë në të gjitha anët e Shqipnis sikurse i din çdo shqiptar.
Popull Shkodranë! Deshta me të tregue haptazi se kryetarët e komunizmit janë njerëz të shitun tek Moska e cila synon sovjetizimin jo vetëm të Ballkanit por të tanë Evropës e ma vone të botës mbarë. Sot, gadi në të gjithë Shqipnin, asht shtri si nji rè e zezë hija e vdekjes sovjetike; por Zoti nuk e ka thanë qi Shqipnija të zhduket përgjithmonë tue u shkri në kallepin komunist, pse komunizma nuk asht petk për nè shqiptarët dhe aq e vërtetë asht sa Ingliterra e ka deklarue zonë t’ influencës se sajë.
Popull Shkodranë! Duhet ta dijsh nji herë e mirë se Shqipnija nuk sovjetizohet, por për mos me ra kohësisht nën thikën e katilave si Enver Hoxha; Mehmet Shehu etj. qi duen të marrin pushtetin në dorë me forcë pa vullnet të popullit, tregou ashtu si të ka hije kryenaltë e ruejtës i traditave shekullore, shpëtoje vendin t’and, votrën t’ ande nga kulçedra komuniste. Çou në kambë e i bashkuem dore me dorë; rrok armët e drejtohu aty ku e lyp interesi i Atdheut e nderi i Shqipnis, pse Zoti asht me nè e na do t’a fitojmë! Forcò rreshtat e Ushtris t’ane Kombëtare, ndihmoe këtè moralisht e materjalisht për të luftue të gjithë si nji trup i vetëm nën hijen e Flamurit Kuq e Zi e nëpër gjurmat e të parvet t’onë, për deri sa Shqipnija të jetë definitivisht e Shqiptarve.

KUNORA

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s