Amik Kasoruho.
Politika e agregimit mbas Bashkimit Sovjetik, aleati i turnit i Shqipërisë, do të çonte në pranimin e të gjitha rregullave të luftës së ftohtë, që po zhvillonte BRSS në kontekstin europian dhe botëror. Nga kjo gjë pësuan shumë dinjiteti dhe shpirti kombëtar. Flitej për popull, për shtet, për parti, por heshtej për kombin. Kjo i përgjigjej një arsyeje fortë të përcaktuar: kombi shqiptar nuk ishte i përfshirë tërësisht brenda kufijve shtetërorë. Gati gjysma e popullsisë kishte mbetur jashtë tyre, në Jugosllavi, dhe më shumë se një milion shqiptarë ishin shpërndarë (me kohë) në Greqi, në Itali, në Turqi dhe në Shtetet e Bashkuara. Por nyja kryesore ishte Kosova. Për nga madhësia dhe për nga zhvillimi kulturor, popullsia kosovare ishte aty-aty me atë të tokës amë. Pra si mund të flitet për komb shqiptar, pa fyer prestigjin dhe politikën e Federatës jugosllave, shtet socialist, internacionalist dhe mik? Koncepti i kombit efektivisht presupozon ruajtjen dhe kultivimin e ndërgjegjes Kombëtare, të pasurisë shpirtërore dhe kulturore të një vendi. Në realitet politika e qeverisë synonte krejt të kundërtën, në mënyrë që të mund ta integronte tërësisht Shqipërinë në botën komuniste. Në praktikën mohimit të gjithçkaje që ishte Kombëtare, punët u shtynë pak si tepër larg. Në periudhën 1945-1948, për çdo festë, edhe për ato krejt Kombëtare, krahas flamurit shqiptar do të valëvitej ai jugosllav, i cili pastaj u zëvendësua, nga 1948-a në 1961-në, nga ai sovjetik. Në çdo zyrë dhe në të gjitha klasat e shkollave, krahas fotografisë së Enver Hoxhës (që në fakt ishte konsideruar kryetar shteti, edhe pse nuk i kishte atributet ligjore) do të dukej portreti i Titos dhe mbas tij i erdhi radha atij të Stalinit. Shqiptare, si dikur zviceranët në kohë të Wilhelm Tell-it, duhej të nderonin shenjat qe ishin të huaja për ndjenjat e tyre.
Dalja në shesh dhe haptas e PPSH-së, me sa duket, u diktua sovjetikët, të cilët ishin të mendimit se klandestiniteti, duke e larguar partinë nga masat, do të dëmtonte rolin e saj drejtues. Edhe anonimatit të periudhës së mëparshme iu gjet një justifikim: e kishte pas imponuar Tito Në atë kohë (edhe më vonë) u parapëlqye të heshteshin ato konsideracione simbas të cilave, në vitet e ardhme, nuk do të mund të ndryshonte një parti që vetë lindjen e saj ia detyronte një situate mungese sinqeriteti, që kishte mbijetuar falë mungesës së qartësisë. Ndërkohë kishte filluar rusizimi dhe sovjetizimi i Shqipërisë. U arkivua një pjesë e historisë shqiptare. Kështu, për shembull, nuk thuhej gjë për periudhën e shtetit shqiptar në vitet menjëherë mbas shpalljes se Pamvarësisë së 1912-ës, flitej pa shumë qartësi për qeverinë demokratike të Fan Nolit. E njëjta gjë u bë edhe për lirinë e shtypit dhe për të drejtat parlamentare të lejuara nga mbreti Zog. Aq më pak për principatat feudale të Bushatllinjve në veri të vendit dhe të guvernatoratit të Ali Pashë Tepelenës. E ndoshta aspak për periudhën e Ballshajve. Ishin të gjitha kushtet për kalimin e menjëhershëm në vartësi të BRSS.
Ekonomia ishte përtokë për shkak të lëvrimeve pa mend në drejtim të Jugosllavisë, bujqësia ishte rrënuar, sepse me kolektivizimin e saj rendimentet kishin rënë në nivele shumë të ulëta. Rrafshinat e plleshme perëndimore, fushat e krahinës se Myzeqesë, nuk ishin në gjendje të përballonin as nevojën e brendshme për drithë. Në të vërtetë, me kërkesë të jugosllavëve, në vend të grurit ishte kultivuar lulja e diellit që përpunohej në Jugosllavi, vaji i të cilës pastaj eksportohej edhe në Shqipëri. Shqipëria ishte e detyruar t’i drejtohej Bashkimit Sovjetik edhe për kafshatën e gojës. Gruri rus, traktorët me zinxhirë, kamionët e vjetër ZIS dhe fabrika e tekstileve në Tiranë u pritën nga Shqiptarët si dhuratë nga qielli. Teknikët rusë paguheshin gjashtë deri dhjetë herë më shumë se kolegët tyre shqiptarë. Të gjitha stolitë dhe arturinat që gratë shqiptare detyroheshin t’i shitnin për të mbijetuar, bliheshin nga ruset. Nëpër shkolla serbo-kroatishtja u zëvendësua me rusishten. Njohuritë e nxënësve zunë të ngatërroheshin: si të gjithë fëmijët e botës deri atëherë kishin mësuar se radio ishte shpikur nga Marconi. Që nga ai çast do të mësonin se ajo ishte shpikur nga Popovi, ashtu sikundër do t’u duhej të zëvendësonin Lavoisier-in me Mihail Llomonosovin. Kultura letrare po ngushtohej gjithnjë e më shumë. Nga letërsia angleze studioheshin vetëm Shakespeare-i, Byron-i dhe Dickens-i; nga ajo gjermane Goethe, Schiller dhe Heine; nga ajo Franceze Moliére, Hugo dhe Balzac; nga ajo italiane vetëm Dante dhe Bocacio. Të gjithë autorët e tjerë, edhe bashkëkohës, ishin reaksionarë që nuk inkuadroheshin në suazën e filozofisë dhe të etikës socialiste. Historia u zëvendësua me interpretimin marksist të ngjarjeve. Nuk studiohej historia e Romës por kryengritja e Spartacus-it. Figurat e mëdha të lashtësisë greke u lanë mbas dore. Erasmi i Roterdamit qe thuajse i panjohur; historia e Tetëqindës përmblidhej në Komunën e Parisit, në përpjekjet e Guesde dhe Lafargue për të ngritur një parti punëtore frënge dhe në dënimin e politikës së Napoleonit. Fillimet e shekullit XX nxirrnin në pah Karl Liebknecht-in dhe Rosa Luxemburg-un, lëvizjen sociale gjermane dhe revolucionin rus të 1917 -ës. Filozofia u reduktua në ekonominë politike të Marksit dhe të Engelsit. Aristoteli, Platoni dhe Kanti (modernët as që përmendeshin) kujtoheshin vetëm si njerëz që kishin shpalosur ide filozofike reaksionare. Ishte e ndaluar të përmendje Freud-in, Nietzsche-n, James-in dhe Croce-n. Ekzistonte vetëm Lenini. Nëpër shkollat pedagogjike nuk njihej vepra e Maria Montessori-t, por këmbëngulej deri edhe në detajet me të parëndësishme të jetës së Makarenkos, ndërsa jepeshin vetëm disa të dhëna sipërfaqësore mbi Jean- Jacques Rousseau-në. Andej nga gjysma e viteve Shtatëdhjetë në një kongres gjuhëtarësh u vendos që emrat e përveçëm të të huajve, në shqip, do të shkruheshin sipas parimit të shqiptimit. Një sistem i tillë ishte adaptuar nga ortografia ruse, e cila ishte e detyruar të vepronte kështu, për shkak të alfabetit të saj cirilik, Nga ana tjetër shumica e studiuesve që morën pjesë në kongres kishin kryer studimet në shkollat e larta sovjetike. Por ndoshta kishte edhe një arsye tjetër më të mprehtë: po qe se këta emra do të shkruheshin me grafinë e gjuhës së tyre, si do të mund t’i shqiptonte drejt një shqiptar pa njohur gjuhët? Si do të mund ta bënte, në një kohë kur e gjithë letërsia e huaj ishte e ndaluar? Imitimi arriti deri në atë pikë sa të shkruhej Europë me V në vend të U-se, pikërisht siç shkruhet dhe shqiptohet në rusisht. Ndoshta nga një pikëpamje ngushtësisht teknike kjo zgjidhje mund të ishte e pranueshme po si mund të mos i japësh të drejtë atij që këtë qëndrim e konsideronte një gjest tjetër nënshtrimi ndaj BRSS?
Edhe studimet historike morën ngjyrën e partisë. Shqipëria, që qe e pushtuar për një kohë të gjatë nga Turqia, mund të thuhet se nuk i njohu revoltat shoqërore, tipike ndër vende të tjera. Në të vërtetë kryengritjet që shpërthyen nga shekulli XVII deri në të XIX-in patën të gjitha një karakter nacionalist, kundër shtypësit të huaj. Vendi nuk e njohu skllavërinë e glebës, siç që për shembull rasti i Rusisë, sepse turqit kishin zbatuar një politike agrare që, në një farë mase, ua njihte fshatarëve të drejtën mbi tokën. Por partia deshi që edhe në këtë gjë Shqipëria të mos ndryshonte nga Rusia. Në qoftë se aty kishte ekzistuar një Stepan Pugaçov, që kishte dalë në krye të fshatarëve kryengritës, i duhej gjetur se s’bën një koleg shqiptar. I pari që e «zbuloi» këtë «personalitet historik» qe Enver Hoxha. Në vitet e para të këtij shekulli, në Shqipërinë e Mesme kishte plasur një rebelim i kryesuar nga një farë Haxhi Qamili, një fshatar që, me flamurin turk përpara, kishte ngritur krye kundër gjithë atyre që, prej pak kohësh, kishin filluar të ngrinin lart flamurin kombëtar shqiptar. Këta të fundit njihnin e pranonin autoritetin e Plakut të nderuar Ismail Qemali, të cilin e përkrahnin të gjithë shqiptarët, mes të cilëve edhe shumë pronarë tokash. Kundër tyre u përplas mëria e Haxhi Qamilit, i cili u plaçkiti dhe u dogji shtëpitë, duke shkretuar tërë krahinën. Sipas Enver Hoxhës kjo ngjarje duhej interpretuar si provë e karakterit shoqëror të rebelimit të Haxhi Qamilit dhe nuk i bëhej aspak vonë bandat e tij vepronin nën flamurin turk. Enver Hoxha kishte gjetur një Pugaçov shqiptar: kaq mjaftonte. Kusuri nuk qe i vështirë për historianët konformistë, edhe për ndonjë historian të shquar apo akademik.
Emri i Stalinit filloi të ishte një obsesion për shqiptarët: e vetmja fabrike e rëndësishme e vendit, ajo e tekstileve të Tiranës, mori emrin e burrit të shtetit sovjetik. Qyteti i Kuçovës, qendër e prodhimit të naftës, u ripagëzua Qyteti Stalin. Muzeu më i madh i vendit i qe kushtuar Leninit dhe Stalinit (i barabartë me të ishte vetëm ai i luftës Nacional-Çlirimtare). I vetmi personalitet, të cilit i ishte ngritur një shtatore në Tiranë ishte Stalini (kur nuk kishte një të tillë për heroin Kombëtar Skënderbej, apo për babanë dhe themeluesin e Shqipërisë moderne, Ismail Qemalin). Në të gjitha qytetet e Shqipërisë rrugët kryesore mbanin emrin e tij. Edhe e para kooperativë bujqësore u pagëzua me emrin Stalin.
Nëse për njerëzit Zoti është në qiell, për Enver Hoxhën dhe për e tij, ishte në Moskë. Po dhe në Tiranë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, në Shqipëri filluan të gëlonin emrat rusë për të sapolindurit: ishte kjo një shenjë tjetër nënshtrimi. Shqipëria kishte mbetur jashtë lëvizjes kulturore të botës mbarë.
“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, UetPress, Tiranë.