Home

Luan Dode.


Me përparësi orientimin drejt Jugosllavisë, qeveritarët e tregonin qartë edhe tendencën drejt bashkësisë së shteteve sllave. Në projektidenë sovjetike që u cek më sipër – «Ndërtimi i Ballkanit pas lufte (Jugosllavi, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri)» -, në vazhdim të politikës tradicionale ruse, e cila gjithnjë i ka anashkaluar shqiptarët, në pjesën ku flitej për Maqedoninë, popullsia e saj quhej “popullsi sllave”. Pas LDB-së, pansllavizmi, këtë herë i kuq, e tejkaloi ëndrrën e vjetër cariste për të dalë në arenën evropiane deri në brigjet e Adriatikut. Nëpërmjet futjes në dorë të Shqipërisë, u krijua mundësia për të lënë anash ngushticën e Otrantos e për të dalë në brigjet e Jonit, pra në Mesdhe.
Sipas Gjilasit, Stalini nuk e fshihte se “ideja sllave” i duhej për sundimin e Bashkimit Sovjetik në botë. Në prill të 1945-s, në Moskë, duke shpalosur atë politikë, Stalini internacionalist i deklaronte Titos: “Në qoftë se sllavët qëndrojnë të bashkuar dhe e ruajnë solidaritetin e tyre, kurrkush në të ardhmen nuk mund të lozë gishtin. Qoftë dhe një gisht!”. Në qershor gazeta Pravda e Moskës shkruante se “detyrën historike” për bashkimin e popujve sllavë, “që nuk mund të kryhej nga fuqitë e Rusisë Cariste”, “e zgjidhi Bashkimi i madh Sovjetik“.
Në 1946 Kremlini po ia besonte Titos përparësinë për propagandën pansllaviste. Pas Kongresit Pansllav të mbajtur me nismën sovjetike më 1945 në Sofje“, në dhjetor 1946 u mbajt në Beograd Kongresi Sllav, që kërkonte të dëshmonte fitoren e mbizotërimit të Moskës mbi botën sllave, se Kremlini, më në fund, e kishte “paralizuar tendencën që pansllavizmi ruante kundër Rusisë Sovjetike”. Në këtë Kongres Titoja u rizgjodh president i Komitetit Pansllav me seli në kryeqytetin e Jugosllavisë. Në fjalën përshëndetëse ky internacionalist deklaroi: “Ne mblidhemi këtu me qëllim që të vendosim në mënyrë të përhershme se sllavët nuk do t’i shërbejnë kurrë interesave të huaja, cilatdo qofshin ato, por vetëm interesave të tyre”.
Tirana zyrtare i përgjigjej komunizmit pansllavist me një propagandë entuziaste intensive. Bashkimi i 9 qershorit botonte në plan të parë një fjalim që Titoja kishte mbajtur në pritjen që i rezervoi Komiteti Pansllav në Moskë. Fjalimi i gjatë që mbajti Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe shef i Sigurimit të Shtetit, në një konferencë në Tiranë më 29 nëntor 1946, me rastin e përvjetorit të festës së Jugosllavisë, kishte për temë: «Jugosllavia e Mareshalit Tito, shtyllë e shëndoshë për vëllazërimin, paqen, demoracinë në Ballkan e në botë». Veç të tjerash, u botuan artikuj të 3 shkruar nga akademikë të Bashkimit Sovjetik, ku shprehej hapur e vrazhdë urrejtja e komunizmit sllav për Perëndimin e përparuar. Nga fundi i janarit 1947 në Tiranë u hap ekspozita «Kongresi i popujve sllavë». Në një intervistë që Titoja dha në fillim të qershorit 1947, duke theksuar se “popujt sllavë të Ballkanit janë të bashkuar”, shtoi: “Po kështu ngjet edhe me Shqipërinë. Shqiptarët nuk janë sllavë, por ata janë duke jetuar me ne prej shekujsh. Në të kaluarën ata u përdorën gjithnjë për të krijuar grindje në Ballkan. Tani kjo ka marrë fund. Tani në Shqipëri ka një sistem socialist të brendshëm të tillë që lejon vendosjen e lidhjeve të ngushta me popullin shqiptar”.
Enver Hoxha, duke ndjekur Titon – njëherazi dhe Stalinin -, me zell të madh kërkonte të detyronte Shqipërinë drejt integrimit në botën sllave. Ky këmbëngulte: “Populli ynë duhet ta ndiejë thellë në zemër dhe duhet ta kuptojë se miqësia me popujt sllavë, me në krye Bashkimin Sovjetik, është garancia më e madhe për lulëzimin dhe lumturinë e vendit tonë … miqësia dhe aleanca e popullit tonë me popujt sllavë duhet të jetë guri themeltar i të gjitha përpjekjeve tona, sepse ata janë popujt më përparimtarë të botës”.
Para se të largohej nga Konferenca e Paqes në Paris, në një deklaratë shtypi Hoxha pati thënë: “Populli shqiptar s’ka për ta harruar kurrë dhe do tu jetë gjithnjë mirënjohës Bashkimit Sovjetik, Jugosllavisë dhe shteteve të tjera sllave”. Gjatë vizitës në Bullgari në mes të dhjetorit 1947, në dy mitingje popullore, në Sofje dhe në Plovdiv, deklaronte: “Populli ynë nuk një popull sllav, por ai është i lidhur si mishi me thonjtë me popujt sllavë” Pas 1948-s, komunizmi pansllavist u rishkërmoq për shkak të “tradhtisë” jugosllave brenda “familjes së kombësive” sllave. Hoxha do t’i freskojë formulat e propagandës së vet, me faktorin “popujt sovjetikë”. Ky shkruan: “Miqësia e popullit tonë me popujt e Bashkimit Sovjetik nuk ishte një gjë e rastit. Ajo ekzistonte që në kohët e lashta. Në luftërat ruso-turke të shekullit XVIII, kryengritës shqiptarë, që shihnin te populli i madh rus mikun e tyre, luftuan me turmën krah për krah së bashku me marinarët rusë në tokë dhe në det kundër turqve. Populli shqiptar, i qartë dhe i ndërgjegjshëm, e konsideronte popullin sovjetik si një vëlla të tij të madh. Shumë e lashtë, me rrënjë të thella në historinë e popullit tonë, është miqësia që lidh popullin tonë me popujt sovjetike. Qysh akoma kur luftohej për çlirimin nga zgjedha turke, populli ynë disa herë i është drejtuar për ndihmë popullit rus si mikut të tij dhe me luftërat e tij, populli rus e ka ndihmuar shpeshherë vendin tonë.”
E para shoqatë e përbashkët ishte Shoqëria për Bashkëpunim Kulturor Shqipëri-Jugosllavi që u krijua më 10 tetor 1945. Kjo nxori revistën Shqipëri-Jugosllavi si dhe ngriti kurse për mësimin e serbokroatishtes. Shoqata simotër Shqipëri-Bashkimi Sovjetik u ngrit pas një muaji. Kur tashmë ishte errësuar horizonti me Jugosllavinë, më 22 mars 1948 u krijua ajo Shqipëri-Bullgari.

Luan Dode, “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, Instituti i Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë, 2014.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s