Sipas modelit bolshevik, në kërthizë të Myzeqesë, në Krutje, më 1946 u ngrit kooperativa e parë bujqësore. “U bashkuan” jo vetëm tokat që u dha “komandanti”, por edhe buajt, kotorrët, dhitë, kecat, bile edhe pulat. Kjo nuk i kishte shkuar askujt në mend. Në vend të një beu, që vinte një herë në vit në fshatin myzeqar, u krijuan me qindra bejlerë të vegjël, që i rrinin fshatit si çekan mbi kokë dhe i thithnin gjakun si ushunjzat e Tërbufit. Kryetarë, sekretarë partie, përgjegjës sektorësh, brigadierë, karrocierë, kuzhinierë dhjamoseshin me punën e myzeqarit të mjerë, që shata dhe lopata nuk i ndahej nga dora nga lindja në perëndim të diellit.
Në shumë fshatra të Myzeqesë u kundërshtua ashpër kolektivizimi. “Jetën mund të na i merrni, por tokën jo!” thoshin fshatarët e Stankarbunarës. “Do të qisim edhe pushkë, po të na detyroni të dorëzojmë tokën!”- bërtisnin me të madhe fshatarët e Gurzit. Në Bubullimë, fshatarët i mbajtën 7 ditë e 7 net, të ulur në një livadh për t’i marrë fjalën për kolektivizimin. Askush, në gjithë Shqipërinë, nuk e kundërshtoi marrjen e tokave, sa Myzeqeja. Partia Komuniste dërgoi në Lushnje emisarin e saj të posaçëm, Mihal Bishën. Bisha, e kishte mbiemrin dhe si bishë veproi. Arrestohen me qindra vetë, midis tyre edhe ish-komandanti i Brigadës së 16 partizane, Rrahman Ruçi. Vritet Xhavit Kurti, kryetari i këshillit të Gurzit. Kush e vrau? Disa thoshin se e kishin vrarë Petro Daja dhe Asllan Guberja. Të tjerët pëshpërisnin, se e kishin vrarë forcat e Sigurimit për të justifikuar terrorin komunist, të përgatitur me aq kujdes nga Mihal Bisha. Në Stankarbunarë vriten sekretari i partisë dhe kryetari i këshillit. Për hakmarrje, shteti i vret vëllanë dhe babanë e Petro Dajës. Në mes të Lushnjës vranë mësuesin shembullor, Fuat Kurti, bashke me katër fshatarë nga Gurzi. Myzeqeja kolektivizohej me terror dhe gjak. Poeti i Realizmit socialist, Aleks Çaçi, botoi poemën “Ashtu Myzeqe”.
“Po punojnë së bashku 20 pendë qe ashtu Myzeqe..”
Petro Daja vazhdonte të endej i armatosur nëpër Myzeqe. Ai u shpëton pritave, iu shmanget kurtheve dhe bëhet tmerr për kuadrot komunistë. Nuk vazhdon gjatë dhe ai bie, duke luftuar, në tetor të 1951-shit, në afërsi të Lushnjës. Simboli i fundit i rezistencës myzeqare u shua. Lajmi u trumbetua me hare në gjithë Myzeqenë. Kufomën e tij e hipin mbi një fuçi dhe e lidhin me kavo çeliku në degët e një mani. Me mijëra myzeqarë i sjellin me forcë në Lushnje për të parë kufomën e Petro Dajës. Atë e lënë ashtu, me ditë të tëra, derisa dekompozohet dhe era e kufomës mbyt Lushnjen. Kjo është historia e tokës “së dhuruar”, e tokës së përdhunuar myzeqare.
Agim Musta, “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, GEER, Tiranë.