Matteo Picconi.
Scornicesti deri në vitin 1989 ishte një qytezë e famshme. Fshati i vogël me origjinë tartare, i vendosur në rajonin e Vllahisë, ishte vendlindja e një prej figurave më emblematike të historisë rumune: Nikolai Çausheskut. Fillimisht fshati as nuk quhej ashtu, por Tătărăi, të paktën deri në vitin 1965, kur “gjeniu i Karpateve”, u bë Sekretar i Parë i Partisë Komuniste Rumune. Duke dashur të fshinte çdo gjurmë të së shkuarës së vet, prej fshatari të varfër, që në vitet e para të mandatit, Çaushesku e transformoi plotësisht qytezën e re. Banesat e bujqëve u zëvendësuan me shtëpi për klasën punëtore dhe fushat u lanë vendin fabrikave të industrisë së lehtë tekstile dhe mekanike. Mbetën në këmbë vetëm pak nga shtëpitë e vjetra, mes tyre ajo e diktatorit, që ende sot është vend pelegrinazhi për nostalgjikët dhe simpatizantët e regjimit të vjetër komunist. I paramenduar si model për fshatin socialist, Scornicesti u kthye në një mbretëri të vogël feudale, i lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin qendror dhe i administruar nga e motra e “konduktorit”: Helena Çaushesku dhe i shoqi Vasile Barbulescu, shkurt Lica.
Në botën e ndarë në dy blloqe, përdorimi i sportit si mjet politik në fushën e propagandës dhe diplomacisë ishte gjë e zakonshme, sidomos në lindje të Berlinit e më shumë në Republikën Popullore Rumune. Mjafton të kujtosh dy klubet e Bukureshtit, që historikisht kanë rivalizuar për titullin: Steauan, që u administrua deri në rënien e regjimit nga Valentine Çaushesku, i birësuari i Nikolaes, që dhe ende sot vijon të përfaqësojë ushtrinë rumune; dhe Dinamon që për dekada ishte në vartësi të Ministrisë së Brendshme dhe policisë politike, Securitate.
Në 1972 nis aventura e Viitorul Scornicesti-t, skuadrës së tmerrshme të xha Nikut, e paramenduar të bëhej një skuadër e madhe në rang kombëtar por që u kthye në simbol korrupsionit dhe pisllëqeve të futbollit rumun. E dëshiruar nga koloneli Valeriu Sturza, drejtues i vjetër i Steauas dhe nga kunati i “konduktorit”, ecuria e skuadrës nuk përbënte shqetësim për Çausheskun; ose të paktën kështu ka deklaruar në një intervistë për faqen rumune evz.ro, Aurel Mincu, mesfushor krahu që u bë pjesë e ekipit rreth fundit të viteve ’70:
“Atë e kam parë vetëm një herë, kur përuruan një fabrikë veshjesh dhe nxorën gjithë fshatin, përfshirë dhe futbollistët, për ta takuar. Të afërmit e tij që kishin mbetur në fshat, merreshin gjithmonë me ekipin”.
Ekipi i xha Nikut për katër vite ngjiti katër kategori, duke dalë në kategorinë superiore në sezonin 1981/82. Një rezultat që Lica Barbulescu kishte vendosur që të arrihej me çdo kusht. Në sezonin 1977/78 Scornicesti luante në kategorinë e tretë. E përbërë nga të rinj që kryenin shërbimin ushtarak, e ndihmuar nga gjyqtarët dhe nga frika e ekipeve e kundërshtare, që shpesh ndeshjen e kishin të humbur pa zbritur në fushë, ekipi i Çausheskut gjendej në vendet e para të renditjes. Më 21 qershor 1978 luhej ndeshja e parafundit e kampionatit. Java parashikohej vendimtare për kualifikimin në kategorinë e dytë. Scornicesti gjendej në vendin e parë por me pikë të barabarta me Floraca Moreni, ekip që mbante emrin e qytetit antik Moreni dhe që ishte dhe djepi i industrisë rumune të naftës. Për Scornicest-in kualifikimi dukej i lehtë, i duhej të lozte me Electrodul Slatina. Një ekip që ndërkohë kishte rënë nga kategoria. Përfundimi i derbit dukej i lehtë për tu parashikuar. Por kishte nja dy probleme; diferenca e nja dy golave kualifikonte Flocara-n, që drejtohej nga një farë Tudor Postelnicu, shefi i Securitate-s. Pra, edhe pse ishte një ndeshje e kategorisë së tretë, interesat ishin shumë të larta.
Nga ana e tyre Lica Barbulescu dhe presidenti i ekipit, Dimitru Dragomir, kishin marrë masa, që sot të bëjnë të buzëqeshësh. Duke mos pasur lidhje telefonike për një rreze më të gjerë se 30 km. Lica vendos të ngrejë postblloqe policore përgjatë gjithë 150 kilometrave që ndanin Scornicesti-n nga qyteti i Moreni-t. Kuptohet, arsyet nuk lidheshin me rendin publik; përditësimet e rezultatit të ndeshjes së Flocara-s do të mësoheshin nga “telefoni i prishur” i policëve. Për çdo gjë tjetër do të kujdesej Lica, golat nuk do të mungonin.
Nga ajo ndeshje, që ende sot kujtohet si një nga skandalet më të turpshme në historinë e futbollit rumun, kanë mbetur pak gjurmë. Shtypi i kohës thjesht lavdëroi goleadën e pabesueshme të vendasve. Dihet formacioni bazë i ekipit, trajner ishte Dimitru Macri (futbollisti i parë rumun kandidat për Topin e Artë) dhe yjet e ekipit ishin kapiteni Martinescu dhe sulmuesi Şoarece, që e kishin marrë pak muaj më parë nga Dinamo Slatina. Ky i fundit në një intervistë dhënë në 2004 për Jornanul National foli për transferimin “e detyruar” te ekipi i Çausheskut: “Luaja te Slatina, që ishte ekip i kategorisë së dytë dhe qyteti ishte qendra e rajonit. Ndërsa Scornicesti ishte një fshat i vogël dhe ekipi luante në kategori të dytë. Edhe pse nuk e kisha me qejf, nuk mund të refuzoja kështu që vajta. Më dhanë 5 000 lei dhe një shishe, filloi të më pëlqente.
Sa i përket Electrodul-it, nuk mund të thuhet që ambienti ishte shumë entuziast: disa lojtarë u nxorën me forcë nga shtëpitë dhe i detyruan të loznin.
Sipas dëshmive më të besueshme, pjesa e parë mbaroi 8 me 0 për Scornicesti-n. Gjatë pushimit erdhi përditësimi i rezultatit të Flocara-s. Këtu ka dy versione. Sipas njërit, mesazhi që arriti në postbllokun e fundit ishte “në Moreni 11”; versionin e dytë, ndoshta më të besueshmin, e ka treguar presidenti Dragomir, në një dokumentar për El Mundo: “Gjatë pushimit një polic injorant erdhi dhe na tha se rezultati ishte 2-0, por tanët e kuptuan 9-0 dhe filluan të bënin gola të tjerë. Në kategoritë e ulëta nuk kishte vëzhgues dhe kështu që ishte e pamundur të kontrolloje”.
Farsa u kthye në komedi. Në vend që të interpretonin mesazhin në mënyrë të logjikshme dhe të mendonin për rezultat banal, 1-1 apo 2-0, trajnerit dhe presidentit mendja u shkoi te më e keqja, pra menduan se Flocara kishte realizuar një goleadë. Kështu që ndeshja “e mbaruar” u “rindez” duke u shënuar mesatarisht 1 gol çdo 5 minuta. Ndeshja u mbyll 18 me 0 për ekipin e Çausheskut. Paçka rezultatit, pas fishkëllimës së trefishtë, ekipet nuk u lejuan të linin fushën, duke pritur rezultatin përfundimtar të Flocara-s, që në të vërtetë përfundoi me rezultatin modest 2-1 për të vendasit.
Gazeta vendase Oltul publikoi turbullt listën e golashënuesve: binin në sy 7 golat e Martinescu-t, trigolëshi i Şoarece-s, dygolëshat e Pana-s dhe Culea-s. Këtyre u shtoheshin dhe 4 autogola “shënuar” nga skuadra mike, e cila sigurisht ndihmoi për të mos u hapur probleme familjarëve të xha Nikut. Pas fitores së lehtë, 0 me 2, fushën e Petrolul Videle-s, Scornicesti e mbylli kampionatin në vendin e parë me 47 pikë, 95 gola të shënuar dhe vetëm 22 të pësuar. Lica mund të rehatohej: Viitorul-i i tij e “fitoi” ngjitjen në kategori të dytë.
Ngjitja drejt majave të futbollit rumun u realizuar brenda dy viteve, falë gjyqtarëve, kundërshtarëve “dashamirës”, por falë edhe lojtarë të nivelit si Victor Piturca, që pas tre vitesh te Scornicesti u transferua te Steaua ku u kthye në idhull të tifozëve (138 gola në 175 ndeshje zyrtare).
Nuk munguan edhe raste të tjera “të bujshme” favorizimi të ekipit të konduktorit. “Ka pasur disa vendime gjyqësore të turpshme” pohonte Aurel Mincu në intervistën e sipërpërmendur, duke ju referuar ndeshjes së kategorisë së dytë kundër Metalul Bucuresti, gjatë të cilës presidenti Dragomir detyroi gjyqtarin të anulonte një gol për pozicion jashtëloje inekzistent. Kundërshtarët filluan të qeshnin dhe në aksionin pasardhës i kthyen shpinën topit duke i lejuar Aurel-it me shokë të shënonin golin e fitores. Gjyqtari i trembur nga prezenca e Dragomir-it në buzë të fushës, vendosi mbylljen e ndeshjes minutën e 82-të. Vijon Mincu: “Të nesërmen gazetat nuk shkruan gjë për ça kishte ndodhur”.
Fillimi i viteve ’80 ishin periudha e artë e Scornicesti-t: në edicionin 1981/82 u rendit i katërti në kategorinë e parë, duke ju afruar kështu kualifikimit në Kupën UEFA. Por janë vitet kur regjimi i Çausheskut, në peshën e borxheve që arrinin 12 miliardë USD, do të fillonte të kërrusej. Megjithëkëtë Lica vijonte të thurte plane të mëdha, në 1982 nisën punimet për stadiumin e ri, një impiant me 20 000 vende, ndërkohë që qyteza numëronte 10 000 banorë. Punimet përfunduan në 1989, pak muaj përpara rrëzimit të regjimit. Kur në mëngjesin e krishtlindjes së 1989, konduktori dhe bashkëshortja e tij u gjykuan dhe dënuan, ish fshati tartar, që prej pak muajsh kishte fituar statusin e qytetit, kishte filluar të shkërmoqej. Ashtu edhe skuadra e tij e futbollit.
Skuadrën e Lica-s e dërguan automatikisht në kategoritë e ulëta, nga të cilat nuk u ngrit më. Aktualisht luan në kategorinë e katërt. Scornicesti u kthye në qytezën fantazmë që shohim edhe sot, fabrikat u çmontuan dhe u zaptuan ndërsa tribunat e stadiumit aq shumë të kërkuar nga Barbulescu janë kthyer në strehë për endacakët. Nga këto bëma ngeli vetëm një faqe e pistë, pak e zverdhur dhe njëkohësisht emblematike e një regjimi, atij të Çausheskut që thërmua nën peshën e vet.
Rivista Contrasti
Përkthimi MVSK