Home

Ismet Toto.
Frangar Non Flectar

Na të rinjtë e kësaj epoke, s’po jemi në gjendje të kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë! Prandaj, para të gjithave, të përpiqemi në këtë drejtim, “të kuptohemi në mes tonë”, të kthjellojmë pak kaosin dhe mjegullën e trashë që pështjell rrethin tonë. Dhe brënda në këtë rreth, nuk janë doemos dhe eksklusivisht të rinjtë nga mosha, siç e kemi përsëritur dëndur, por i gjithë ai element i pastër nacionalist shqipar, që para çdo gjëje, vë Atdheun, mendon dhe dëshiron evropanikisht, që d.m.th. brenda vijave të mprehta të llogjikës së re të popujve trima e përparimtarë dhe me pasionet dhe hovet shpirtërore me të cilat dallohen këta popuj në këtë shekull. Mbas këtij përkufizimi nuk mbetet, besoj, nevojë të zëmë në gojë atë grumbull njerëzish, që është jashtë këtij rrethi, ose më mirë, në luftë të vazhdueshme me të.

Flas, pra, me miqtë e mi. Nëse këtë artikull, rastësisht, do ta këndojnë dhe njerëz që s’na janë miq, prapë mirë: ne s’kemi asgjë për të mbajtur “rezervat”.

Të dashur miq!

Unë propozoj Kryelartësinë Morale. Ju e ndieni brenda në gjakun tuaj këtë Kryelartësi. Është e vërtetë, që s’kemi kohë për fjalë, po është gjithaq e vërtetë, se per të rrahur mendime, kemi e do të kemi kohë gjithmonë. Mendimet janë prindërit e veprave. Këtë duhet ta dimë mirë tashti më na shqiptarët, që kemi punuar shumë herë pa mend! Ëshët e vërtetë, miqtë e mi, se këto janë kohë nervoze, në të cilat shumë njerëz qe pandehen se kanë fakultetin e të menduarit mirë, refuzojnë kategorikisht, të mendojnë dhe të bisedojnë mbi probleme, që s’kanë të bëjnë aty për aty e drejtpërsëdrejti me jetën dhe financën e tyre private! Kjo pjesë, që është gjëja më mizerabël, që ekziston në mes te shoqërisë sonë, duket rehat dhe e kënaqur me politiken e saj. Sidoqoftë ata mbeteshin në qetësinë e tyre dhe na në mes të qetësimeve tona të vazhdueshme dhe të rrezikshme. Kurrë në botë nuk lindi ndonje gjë e mirë dhe e bukur, që të mos kish prind një trim te shqetësuar. Kurrë ndonjëherë në botë nuk lindi ndonje gjë e shëmtuar dhe e ndytë, që të mos kish prind nje frikacak gjysmë të vdekur.

Kryelartësi morale?

Ta zëm pak shtruar punën. Të mos lëmë gropa udhës. Të kuptohemi katërcipërisht, ashtu siç e do temperamenti dhe mëndësia jonë. Ti vemë shpatullat murit dhe të bëjmë atë që na përket. Edhe disfata mund të jetë e bukur. Na do të jemi nga ata, që preferojnë madhërinë morale të disfatës së helenit Leonidhë përpara triumfit material të barbarit persian.

Kjo është e para shkëndi e kryelartësisë morale.

Miqtë e mi!

Ju e dini se shumica e shqiptarëve, që mbahen për të mençur; predikojnë se krijimi i Shqipërisë së lirë ishte një nevojë politike e fuqive të mëdha. Na e refuzojmë kryekëput këtë përfundim të llogjikës së politikanëve tanë. Na themi haptas dhe me bindje të patundur se Shqipëria u bë, sepse pat shqiptarë. Dhe gjersa pat të tillë, Shqipëria do të bëhej medoemos, pro ose kundra le të ishin rrethanat politike. Shqipëria u bë, sepse pat shqiptarë trima dhe, sepse u derdh gjak. Nëse na të sotmit s’duam të dimë për heronjtë tanë dhe për gjakun heroik me të cilin u mbruajt Shqipëria, aq më keq për mizerjen shpirtërore në të cilën dashas po zhytemi. Nuk janë vetëm ata pesë a gjashtë emra që zëmë në gojë nëpër festat tona zhurmëmëdha e pa lezet. Regjistri i heronjve tanë është i madh. Një ditë do të dalë në shesh për tmerrin e patriotëve barkmëdhenj të sotëm! Ata na dhanë jetë e liri!

Kjo është kryefjala, të dashur miq, e kryelartësisë morale që fola. Shqipërinë e bëmë na. E zotërojmë na. S’i jemi mirënjohës kurrkujt. Për gjithë ç’kemi fituar ose humbur gjer tashti, është për t’u gjykuar vetëm e vetëm zotësia dhe trimëria jonë si popull.

Nga kjo premisë e mbështetur, jo vetëm në një vetbindje pasionale, por edhe mbas shqyrtimit të ftohtë te gjithë përpjekjeve të Rilindjes sonë Kombëtare, vjen dhe një e vërtetë akoma më e madhe, që është në kundërshtim të hapët me mentalitetin e shumicës së sotme: Shqipërinë nuk e mbajnë më këmbë rrethanat politike. As që do të mund ta mbajnë edhe në të ardhmen. Shqipëri do të ketë, gjersa të ketë mbi këtë Dhé Shqiptarë të vërtetë trima. Kur të mos ketë më të këtillë, s’do të ketë më Shqipëri, ashtu siç e kuptojmë na.

Me këtë mentalitet të prerë dhe guximtar na do të jemi të zotët e vetes sonë dhe të vendit tonë. Thyhemi po s’përkulemi, është një fjalë e vjetër klasike. Kjo do të jetë motua e Kryelartësisë sonë morale me të gjitha konsekuencat e saj, si në jetën politike të shtetit, ashtu edhe në rregullimin tonë shoqëror të brëndshëm.

Gjithë ai koncept që duhet të sundojë për punën sesi u krijua Shqipëria dhe sesi do të mbahet më këmbë, gjithë ajo mendësi e prerë dhe guximtare duhet të ekzistojë edhe brenda në jetën dhe rregullimin tonë shoqëror. Këtë gjë nuk mund ta pretendojmë nga ajo klasë nështetasish, që ka rrojtur nën njëzet mbretër dhe sundime të ndryshme dhe që u është adoptuar që të gjithave me të njëjtën ëndje dhe qëllim: Ha e hesht!

Këtë gjë e pretendojnë nga brezi i ri shqiptar, të cilit nuk i mungon as forca morale, as ndjenja e sakrificës dhe as kurajua e duhur për të jetuar në jetë për qëllime dhe me kryelartësi.

Problemi shqiptar është, në themel të tij, një problem moral. Na kemi nevojë të jemi krenare për të shkuarën tonë, të jemi të vendosur për të sotmen dhe të jemi të sigurtë e të besojmë për të nesërmen. E kjo nuk mund të bëhet, veçse duke organizuar atë klasë njerzish, që ka vulën dhe tempon e shekullit, që e njeh botën në të cilën jeton, dua të them Djalërinë. Djalëria Eshtë plot energji, ajo energji kërkon të shfryhet. Dhe kur nuk i jepet mundësi të shfryhet nëpër kanalet e nje organizimi kombëtar, ajo mundet të shfrytëzojë nëpër drejtime të tjera që s’janë as pak të dobishme.

Bota ka ndërruar dhe po ndërron fizionomi rrëmbimthi. Qindra shekuj kaluan dhe njerëzimi përdori gjithmonë për mjete transporti devenë, kalin dhe së fundi qerren! Brenda një shekulli dolli treni, automobili, aeroplani etj. Dhe Bota u bë e vogël, sa një portokall! Koha që rrojmë, është një epokë lëvizjeje, krijimi, sistemimi shkencor. Jo vetëm në sheshin e mjeteve materiale, por edhe në atë të ideve dhe koncepteve.

Kryelartësia jonë morale si individë dhe si pjesëtarë të kolektivitetit, ka për qëllim të sintetizojë pikat konvergjente, pikat që na bashkojnë, dhe të bëjë prej nesh jo më njerëz që pëlqejnë jetë dhe rehati, epikureanë, por të bëjë missionare të shqiptarizmës dhe të qytetërimit në këtë vend.


“Arbënia”, 1936.
Ismet Toto, “Bota e një djali kryengritës”, Toena, 1997.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s