Propaganda e Partisë nuk kishte reshtur kurrë së pohuari, pas mbarimit të viteve njëzet, se Stalini qe jo vetëm «Korifeu i të gjitha shkencave» dhe njeri tepër i qartë në çështje politike, por një ushtar i paarritshëm për gjithë shekujt dhe për gjithë popujt. E vërteta qëndron ndryshe. Kur Hitleri pushtoi BRSS-në, Stalini humbi gjithë gatishmërinë e veprimit dhe iu nënshtrua panikut, madje në këtë rast ai u shfaq një dezertor i vërteta në kuptimin e plotë të fjalës. Pasi kishte organizuar kundër gjithë popujve të vet inkuizicionin më të madh të të gjithë kohëve dhe shkatërruar gjithë aparatin drejtues të Partisë, të Shtetit dhe të Ushtrisë së Kuqe, Stalini kish te nënshkruar me Hitlerin paktin e tij antiperëndimor, Për militantët e Partisë, Stalini e përligjte paktin me një politikë me vështrim të gjatë. Ai thoshte se Hitleri dhe Perëndimi, nga një luftë e ndërsjelltë do të dobësoheshin, kështu që do të jemi «ne dhe jo Hitleri që do t’i diktoj më atëherë Evropës «rendin e ri». Këto llogari fatkeqësisht dolën të gabuara, sepse tani ishte Hitleri ai që kish te hapur një front të gjerë në Lindje, duke lëvizur kundër Rusisë.
Në mbrëmjen e 22 qershorit të vitit 1941, Stalini shkoi në Ministrinë e Mbrojtjes të BRSS-së dhe lëshoi sulme nga më të rëndat njëra prej tjetrës për Ushtrinë e Kuqe, duke e quajtur një grumbulluese tradhtarësh dhe mashtruesish.
Pas kësaj, ai u struk në fortesën e tij në periferi të Moskës. Disa orë pas fillimit të luftës, u thirr një mbledh je e jashtëzakonshme e Byrosë Politike, e Këshillit të Ministrave dhe e Sovjetit Suprem: ai nuk pranoi të merrte pjesë në të.
I mbetej tani armatës «së shokëve dhe nxënësve të Stalinit» që së bashku me Shtatmadhorinë e Përgjithshme të shkonin në daçën e tij të Kuntsevos. Një seancë e sajuar aty për aty e Byrosë Politike dhe e qeverisë i kërkoi Stalinit që ai t’i drejtohej popullit, partisë dhe ushtrisë që të organizonin mbrojtjen kundër agresorëve hitlerianë. Stalini e kundërshtoi brutalisht këtë. Kjo përkujdesje iu besua Molotovit. Më pas iu propozua që si kryetar i qeverisë të vihej në krye të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes. Një mospranim i ri, gjithashtu kategorik: qe marshalli Timoshenko ai që u ngarkua me këtë detyrë.
Kur anëtarët e Byrosë Politike filluan t’i kujtojnë Stalinit përgjegjësinë e tij vetjake në rast të një katastrofe, ai u hodh në kundërsulm. «Fajin» e kishte Molotovi, sepse kishte firmosur tradhtisht paktin e marrëveshjes me Ribentropin, ndërkohë që Voroshillovi dhe Zhdanovi ishin fajtorë që kishin sabotuar, para ardhjes së Ribentropit, perspektivat e marrëveshjes me misionet ushtarake anglo-franceze. Kur atij iu vu në dukje se çdo gjë ishte bërë sipas udhëzimeve të tij, Stalini u hodh nga vendi me një gjallëri të pazakontë për të, sulmoi gjithë folësit me sharje poshtëruese dhe u zhduk në një nga birucat e tij të fshehta, daljet e së cilës nuk i dinin as edhe pjesëtarët e gardës së tij personale. Shokët nuk guxuan atëherë që të vihen në kërkim të tij dhe pa e pritur shkuan në Moskë, ku u vunë të studiojnë masat që duhej të merrnin me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
Në kryeqytetet e aleatëve të tij të ardhshëm, ambasadorët e Bashkimit Sovjetik nuk po merrnin asnjë udhëzim, ndërkohë që në Moskë askush nuk kërkonte të presë ambasadorët e këtyre shteteve. Përfaqësuesi sovjetik në Londër, Maiski, në Kujtimet e tij të botuara pas rënies së Hrushovit, ka treguar se si janë zhvilluar këto ditë:
«Dita e dytë e luftës erdhi: asnjë zhurmë nga Moska. Pastaj erdhi dita e tretë, e katërt: Moska vazhdonte të heshtte. Prisja me padurim një udhëzim minimal të qeverisë sovjetike dhe kryesisht ato që kishin të bënin me përgatitjen eventuale, nën kujdesin tim, të një marrëveshjeje në parim që të parashikonte një aleancë ushtarake anglo-sovjetike. Por as Molotovi, as Stalini nuk po bëheshin të gjallë. Nuk e dija atëherë që Stalini ishte mbyllur që në fillim të pushtimit të vendit tonë, ai nuk shihte njeri dhe nuk merrte pjese në drejtimin e çështjeve të shtetit. Ja pra, arsyeja pse ishte Molotovi dhe jo Stalini, ai që bëri një deklaratë në radio, ndërkohë që ambasadorët sovjetikë jashtë vendit, nuk merrnin asnjë udhëzim nga qendra në një çast kaq kritik»[1].
Kur situata në frontet e ndryshme filloi të merrte një kthesë më të favorshme, Stalini filloi të luajë rolin e heroit. Ja se çfarë shkruan Hrushovi për këtë:
«Unë e di se ç’hero qe ai. E kam parë të paralizuar nga tmerri para Hitlerit, si një lepur të hipnotizuar nga një gjarpër. Gjatë fazës së parë të luftës nuk kam parë asnjë letër zyrtare, asnjë urdhër të nënshkruar nga dora e Stalinit. «Komanda e Lartë Supreme», «Shtatmadhoria e Përgjithshme», të tilla ishin nënshkrimet që mbanin shkresat zyrtare dhe urdhrat e luftës, pa asnjë firmë personale të Stalinit Edhe atëherë kur i hodhëm gjermanët larg Moskës dhe kur Stalini erdhi në vete pak e nga pak, asnjë ndryshim nuk pati në praktikën e firmave. Sigurisht kjo nuk qe një rastësi… »[2].
Ja dhe dëshmia e Hrushovit në emër të Komitetit Qendror, në Kongresin XX të PKBS.
«Do të jetë gabim të harrohet që pas zmbrapsjeve serioze, pas humbjeve të para, pas shpartallimeve të para të ushtrisë sonë, Stalini mendoi që ky ishte fundi. Në një fjalim që mbajti para nesh në atë kohë, ai na tha pikërisht: “Gjithçka që ka ndërtuar Lenini, tani ne e humbëm përgjithmonë”. Pas kësaj kaloi një kohë e gjatë, gjatë së cilës Stalini nuk mori fare pjesë në drejtimin e veprimeve ushtarake dhe braktisi çdo lloj veprimtarie. Ai erdhi në drejtimin efektiv të punëve kur shumë anëtarë të Byrosë Politike e vizituan dhe e bindën atë se ishte e domosdoshme të merrte pa e zgjatur disa iniciativa, me qëllim që të përmirësohej gjendja e frontit. »[3]
Ishte e pamundur t’i bëhej e qartë Stalinit se taktika hitleriane e Blitzkrieg-ut (luftës rrufe), e shkëlqyer në vendet pa shtrirje të thellë territoriale, ishte absurde në një vend kaq gjigand sa BRSS.
Në radhët e mareshalëve dhe të gjeneralëve sovjetikë ka ndodhur një metamorfozë e madhe në lidhje me vlerësimin për Stalinin në fazën e parë të luftës. Nën Hrushovin, ata ishin të një mendjeje se nuk duhej cilësuar ai si «gjeni ushtarak», sidomos kur theksohej paniku i madh që e kish përfshirë atë në atë kohë. Të njëjtët mareshalë e gjeneralë, nën Brezhnjevin, janë vënë në mbrojtje të Stalinit. Por disa herë, përmes tymit të lëvdatave që ata përhapin për kujtimin e Shefit Suprem, shkëlqejnë shkëndija vërtetësie. Ja një pjesë e marrë nga Bloku i A. Tçakovskit, partizan i madh i Stalinit:
«Me një zë të mbytur Molotovi tha: Qeveria gjermane na ka deklaruar luftë». Këto fjalë e befasuan Stalinin që po drejtohej në një skaj të largët të dhomës. Ai u kthye me vrull. Dhe të gjithë vunë re në atë çast se tek ai kishte ndodhur një ndryshim i pakuptueshëm, por i sigurtë. Mund të mendoje se Stalini kishte humbur rrugën, ishte çoroditur, se ai nuk shihte më… Më në fund, Stalini u thotë (ushtarakëve që ndodheshin aty): Jepni urdhrat që forcat tona të zmbrapsin sulmin e kundërshtarit! Nuk është e dobishme që në këtë çast që ato të kalojnë kufirin. Dhe të gjithë anëtarët e Byrosë Politike) ndien diçka të hidhur në gojë të tyre, si një ndjenjë frike: këtë radhë zëri i Stalinit kishte një kumbim që nuk dukej të ishte i natyrshëm. Stalini ishte i shtypur, i dërrmuar nga ngjarja dhe për këtë të gjithë qenë të ndërgjegjshëm».[4]
Tçakovski shton: kur në vigjiljen e pushtimit mareshali Timoshenko, ministër i Mbrojtjes, dhe gjenerali Zhukov që ishte aso kohe shef i Shtatmadhorisë së Përgjithshme, erdhën të takojnë Stalinin për ta lajmëruar se sipas të gjitha raportimeve, Gjermania po përgatitej që të sulmonte, Stalini i akuzoi ata se po mbillnin panik të kotë. Pas kësaj i nxori nga zyra e tij pa marrë ndonjë masë të veçantë dhe i ndaloi që ta venë ushtrinë në gatishmëri luftarake.
Ja që tani thëniet e Timoshenkos dhe të Zhukovit ishin realizuar:
«… Vonë në mbrëmje, – vazhdon autori, – Stalini dhe disa anëtarë të Byrosë Politike, u paraqiten në Komisariatin e Popullit për Mbrojtjen… Zakonisht i qetë në paraqitje, i ngadaltë në mënyrën e të shprehurit, dhe të lëvizjeve të tij, Stalini kësaj here nuk përmbahej. Ai përdori ndaj shefave Komisariatit dhe të Shtatmadhorisë sharje të forta dhe ta ndyra. Ishte i përkulur, kokën poshtë, gati nuk njihej, i tillë doli nga ndërtesa dhe i tillë ishte në Shtëpinë e tij të Kuntsevos… Asnjeri nuk e pa më. Ai nuk vinte në Kremlin. Asnjeri nuk dëgjonte zërin e tij në telefon. Ai nuk thërriste më njeri. Dhe askush nga ata që pritnin të thërriteshin prej tij nga çasti në çast, nuk guxonte të shkonte te Stalini pa kërkesën e tij. Me mijëra detyrime të vogla e te mëdha, të lidhura me vendimet ushtarake që duhej të merreshin për vendin e frontin, peshonin në shpatullat e anëtarëve të Byrosë, të komisarëve, shefave të Mbrojtjes, Shtatmadhorisë dhe të Drejtorisë Politike të ushtrisë. Kështu, tepër të zënë me punë gjatë pothuaj 24 orëve, ata nuk pushonin së pyeturi: Ku është pra Stalini?»[5].
Stalini kish ikur nga posti i tij, duke lënë vendin dhe ushtrinë e tij pa drejtim të lartë, në mëshirën e Hitlerit. Veç kësaj, në qoftë se Tçakovski do të ishte deri në fund besnik i së vërtetës historike, ai duhej të kish shtuar këtë: i vetmi njeri që pati guximin të shkojë te Stalini dhe të kërkojë që ai të dalë nga ankthi për ta parë të vërtetën në fytyrë dhe që si pasojë të merrte drejtimin e luftës, qe Beria. Hrushovi ka raportuar se çfarë i ka kallëzuar atij Beria për vizitën që i pat bërë Stalinit. Në përgjigje të kërkesës këmbëngulëse të Berias që ai të merrte drejtimin e vendit, Stalini iu përgjigj: «Gjithçka mbaroi. Unë dorëzohem»[6].
Përsa u përket prijësave të rinj siç janë Zhukovi, Govorovi, Jeriomenko, Tçnikovi edhe ata që u prunë apostafat nga kampet e përqendrimit për t’u dhënë komandën e ndonjë efektivi, si Gorbatovi, Meretskovi ose Rokosovski, ishin aq tepër të hipnotizuar nga miti i madhështisë së Stalinit, sa askujt s’i shkonte ndër mend që duhej të ndëshkonin dezertorin numër 1 të vendit të tyre, Veç kësaj, ata e njihnin keq funksionimin e makinës kriminale që siguronte pushtetin e Stalinit dhe qëndronin larg “politikës së lartë”, sipas formulës tradicionale “Ne jemi ushtarakë dhe jo politikanë”.
Ishin ata dhe jo Stalini, ata që fituan luftimet, betejat, fushatat dhe tërë luftën. Por duhet të theksojmë edhe faktin e mëposhtëm: menjëherë pas fitores, ata ishin të parët që meritat e strategjisë së tyre dhe të vetë operacioneve luftarake të tyre t’ia detyrojnë Shefit Suprem (legjenda e «dhjetë ofensivave staliniane») Si rrjedhojë e kësaj, drejtimi i tij i përgjithshëm i veprimeve luftarake në betejën e Stalingradit, duket se s’është gjë tjetër veçse një mashtrim, truk i realizuesve të kinemasë. Ja dhe kjo dëshmi: “Vlerësohet që Stalini përvetëson plotësisht format dhe metodat e drejtimit të luftimeve veçse gjatë betejës që njihet si «harku i Kurskut»[7].
Pra, popujt e BRSS e fituan luftën pa Stalinin, por me çfarë çmimi? Ja se ç’shkruan Mikojani në shtatëdhjetë vjetorin e Stalinit: «Drejtimi i luftës nga shoku Stalin i siguroi popullit tonë fitore të mëdha, të realizuara me humbje minimale»[8].
Këto «humbje minimale» shprehen me shifrat e mëposhtme: 20 milion viktima vetëm të vrarët, dy herë më shumë po të shtohen të plagosurit dhe invalidët e mbetur.
Abdurahman Avtarkhanov, Vrasja e Stalinit – Komploti i Berias, Dituria, Tiranë, 1992.
[1] Shih: Novij mir, shkurt 1965.
[2] Kujtimet e Hrushovit, 1971, f. 180-181.
[3] Hrushov, Raporti sekret ne Kongresin XX, bot rus. f. 35-36. Kronika familjare dëshmon gjithashtu panikun që kishte kapur Stalinin, çka duket në letrën që Evgent Alilueva i shkruan mbesës së saj Svetllana, bijës së Stalinit.
[4] Znania, nëntor 1968, f. 48.
[5] Znania, nëntor 1968, f. 51.
[6] Kujtimet e Hrushovit, 1971, vëll. 2, f. 7.
[7] Shih: Marshall Vasilievski, «Puna e një jete», Moskë, 1973, f. 127.
[8] «Pravda», 21 dhjetor 1949.