Në vitin 1950 Tibeti, një shtet i pavarur dhe sovran dhe me një identitet të vetin kulturor, etnik dhe gjuhësor, u pushtua nga ushtria e Republikës Popullore Kineze.
Pushtimi ushtarak përfaqësonte një akt të pastër agresioni dhe shkeljeje të të drejtës ndërkombëtare. Dalai Lama, udhëheqësi politik dhe shpirtëror i tibetianëve, për një kohë të gjatë u përpoq për bashkëjetesën me pushtuesit, por synimet kolonialiste kineze sa vinin e bëheshin më të qarta. Më 10 mars të 1959, të dëshpëruar nga shtypjet dhe keqtrajtimet, tibetian ngritën krye dhe shpërthyen në rebelim kombëtar. Një tubim madhështor u mbajt përpara Norbulinkas, Pallatit Veror, ku gjendej Dalai Lama. Të gjendur përballë arrogancës kineze, që shtypte dhunshëm çdo formë qëndrese, që keqtrajtonte popullsinë civile dhe që faktikisht kishte zhveshur Dalai Lamën nga çdo pushtet, njerëzit haptazi i kërkuan qeverisë të mos pranonte asnjë kompromis të kotë me Pekinin, dhe me vendosmëri u kërkuan kinezëve të linin Tibetit. Britma ishte “Liri, Pavarësi”. Shtypje qe e egër.
Ushtria Çlirimtare Popullore e shtypi me një egërsi ekstreme duke vrarë, nga marsi deri në tetor të atij viti, vetëm në Tibetin qendror, më shumë se 87 000 civilë. Dalai Lama u largua nga vendi dhe kërkoi azil politik në Indinë fqinje. Bashkë me të u larguan më shumë se 100 000 tibetian të tjerë; ishin vetëm grupi i parë i atij fluksi që ende sot, në përpjekje për të ruajtur traditat dhe për ti shpëtuar persekutimeve dhe diktaturës kineze, nuk është ndaluar. Gjeneralët kinezë, fill pas pushtimit, kuptuan se mbi 90% e tibetanëve ishin besnikë të Dalai Lamës, dhe kështu që për të detyruar njerëzit të pranojnë “reformat demokratike, vendosën se ishin të nevojshme “sesionet e luftës” kolektive, famëkeqit “thamzing”; linçimi publik i elementëve “kundërrevolucionarë”, në të cilat duhet të merrnin pjesë të gjithë. Kush nuk merrte pjesë, apo nuk përfshihej me entuziazmin e nevojshëm, rrezikonte të kalonte menjëherë nga akuzues në të akuzuar. Veç këtyre “sesioneve të luftës”, për të shtyrë popullin tibetian të respektonte autoritetet e Pekinit dhe të hiqte dorë nga “kultura prapanike”, u mbyllën dhe u shkatërruan manastiret, murgjit u shpërndanë, u ndalua dhe u përndoq çdo shfaqje (publike dhe private) e besimit fetar. Çdo shprehje, qoftë dhe më e padëmshmja, e disidencës u shtyp me forcë dhe disidentët u internuan në kampet e punës së detyruar që u hapën në të gjithë vendin. Kësaj drame ju shtua dhe zija e bukës e viteve 1958-1962, që erdhi si pasojë e “hapit të madh përpara”, vënë në jetë nga Mao për të marrë kontrollin e plotë të Partisë Komuniste. Përballë këtyre ngjarjeve tragjike, Panchen Lama, pas Dalai Lamës autoriteti i dytë fetar tibetian, që kishte qëndruar në Tibet me shpresën mos ndërmjetësonte midis popullit dhe autoriteteve kineze, i dërgoi Maos një letër të gjatë në të cilën kritikohej ashpër veprimtaria kineze në Tibet dhe kërkohej të ndryshohej menjëherë kursi. Përgjigjja nga Pekini, nuk vonoi. Panchen Lama u arrestua menjëherë dhe së bashku me mentorin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë u nxor përpara “thamzing-ut”. Nuk i kursyen poshtërimet dhe fill pas procesit u përpi nga burgjet kineze, nga të cilat doli vetëm në vitin 1978. Për të plotësuar zhdukjen e kulturës tibetiane, në vitin 1967 nisi dhe Revolucioni Kulturor, me dhunën, shkatërrime dhe delirin që e shoqëronte. Të rinj fanatikë u vërsulën në Çatinë e Botës duke sulmuar dhe thyer çdo simbol të “kulturës prapanike” të Tibetit. Nga thuajse 6 000 manastire dhe tempuj, shpëtuan vetëm 13. Rojet e Kuqe, të verbuara nga furia ikonoklaste shkatërruan statuja, piktura, afreske, ndërtesa qindra dhe ndonjëherë mijëra vjeçare, duke i shkaktuar një plagë të pashërueshme qytetërimit tibetian. Kuptohet që furia e maoistëve të rinj nuk u përqëndrua vetëm te sendet, por edhe te njerëzit: tibetianët ranë në një skëterrë të atillë që vështirë të përshkruhet me fjalë. Geshe Jampel Senge, murg dhe aktivist politik, në një artikull të 2004 do të shkruante: “Për të krijuar një alibi për pushtimin e Tibetit, kinezët stigmatizuan stilin e jetesës së tibetianëve, duke e quajtur të prapambetur dhe obskurantist. As nuk e vranë mendjen për të verifikuar në ishte e vërtetë kjo gjë: thjesht e përdorën si pretekst për të zgjeruar kufijtë e tyre, dhe për të legjitimuar pushtimin, shpikën një slogan propagande që përdoret ende. Murgjit dhe murgeshat i quajtën parazitë që i pinë gjakun njerëzve të thjeshtë dhe tulku-t (të ri mishëruarit sipas traditës budiste) i quajtën hajdutë që zhvatnin tibetianët e pafajshëm”. Edhe sot në tekstet kineze shkruhet se “Tibeti ishte një shoqëri feudale bujkrobërish, drejtuar nga një teokraci, një shoqëri me e prapambetur dhe obskurantiste se sa ato të Evropës mesjetare”. Për të lëmuar pendët e perëndimit, kinezët e quajtën Tibetin një vend të prapambetur dhe obskurantist, dhe pushtimin e shitën si një veprim dashamirës kryer për të ndihmuar tibetianët. Në të vërtetë, epoka më e errët e historisë tonë mijëravjeçare, nisi me pushtimin kinez: tibetianët u katandisën të ushqeheshin me mish njeriu dhe të kërkonin kokrra grupi të patretura, në jashtëqitjet e kolonëve kinezë dhe të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare. Fëmijët u detyruan të ndiqnin vrasjen e prindërve, të akuzuar, sipas terminologjisë kineze, si “reaksionarë”. Për ti poshtëruar dhe për të përqeshur besimin e tyre, të cilësuar si besëtytni, murgjit dhe murgeshat i detyruan të kryenin marrëdhënie seksuale në publik. Për shkak të përndjekjeve, u vetëvranë familje të tëra, duke u hedhur një lumenj apo nga çatitë e banesave. Lamat i vranë, në stil nazist, duke i gjuajtur me pistoletë pas koke dhe varrosur në gropat që ata vetë kishin hapur, e gjitha me gjakftohtësinë më të madhe. Lista e mizorive nuk ka fund dhe vazhdon deri në ditët tona. Ky është i ashtuquajturi “çlirim” që vuajtën tibetianët, të cilët, paçka rreziqeve dhe frikës se mos kapen nga kufitarët kinezë dhe nepalezë, që kanë shitur shpirtin në Pekin, çdo vit braktisin atdheun e tyre të dashur, për të gjetur strehim në vendet fqinjë si India. Anët më të këqija të komunizmit, atë që kërcënuan botën e qytetëruar, janë zbutur kudo, përveç se në Tibet, ku kinezët po zhdukin një qytetërim jo të dhunshëm antik dhe një racë të tërë që dëshiron vetëm të jetojë në paqe dhe harmoni me pjesën tjetër të botës. Me marrinë dhe arrogancën e tyre imperialiste, pushtuesit shkatërruan manastiret e mëdhenj dhe antikë, zemrën e jetës tibetiane. Shkatërruan dhe plaçkitën tempujt e shenjtë që populli ynë i ka respektuar prej shekujsh. Rrafshuan më shumë 6 000 manastire dhe biblioteka që ruanin trashëgiminë e paçmuar kulturore dhe fetare të vendit. Ata që u përpoqën të ndalonin këtë plaçkitje u etiketuan si “reaksionarë” dhe u vranë, kokat e tyre i varën nëpër pemë apo u ngulën në hunj, për të frikësuar patriotët e tyre. Familjarët e viktimave detyroheshin të kërcenin rreth kufomave, si formë “gëzimi për eliminimin e reaksionarëve”. Pasojat e kësaj politike janë shkatërrimtare: 1 200 000 tibetianë, një e gjashta e gjithë popullsisë, u vra me metoda që krahasohen vetëm me ato të nazistëve ndaj hebrenjve, apo thjesht u zhdukën, pasi, ashtu si ndodhte në Rusinë staliniste, dikush trokiste natën në derën e tyre. Popullsia e Tibetit u dhjetua dhe u detyrua të gjente ushqim si bëjnë kafshët e egra, të hante bar, zhapinj, të hante shollat e këpucëve të vjetra, të përtypte kocka si qentë. Këto janë rrëfimet që dëgjojmë nga ata që kanë mundur të arratisen nga Tibeti, duke përfshirë edhe ata që pjesën më të madhe të jetës e kaluan në burg, në kushte të tmerrshme që krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.
Në ditët tona, në shkelje të hapur të të drejtave më elementare të njeriut, fjala e lirë shtypet. Nëpër burgje, të burgosurit politikë, fajtor vetëm se kanë shprehur paqësisht mendimin e tyre, torturohen, si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht, në mënyrën më brutale. Thjesht mbajtja e një fotografie të Dalai Lamës cilësohet si akt politik subversiv dhe si i tillë ndëshkohet me burgim. Besimi fetar pengohet dhe besimtarët, murgjit dhe murgeshat, i nënshtrohen sesioneve të riedukimit patriotik, ku detyrohen të padisin Dalai Lamën dhe të deklarojnë besnikërinë ndaj Partisë Komuniste. Kjo qasje ndaj besimit dhe manastireve ka arsye të qarta politike: duke qenë budizmi një nga anët kryesore të kulturës tibetiane, pushtuesit kanë frikë se mos rreth tij forcohet ndjesia kombëtare e banorëve. Problemi fetar, bëhet kështu një problem politik dhe institucionet fetare cilësohen si qendra rebelimi që duhen mbajtur nën kontroll dhe që duhen shtypur. Paçka dhunës dhe shtypjes, në Tibet qëndresa vijon. Provë për këtë janë qindra mijëra heronjtë tibetianë që sakrifikuan jetët e tyre, dhe që vazhdojnë ti vënë rrezik, për të mbrojtur në mënyrë paqësore të drejtën për liri dhe për të vendosur mbi fatet e veta. Janë gra dhe burra trima që sfidojnë haptazi një tiran të pamëshirshëm që nuk heziton të burgosi, torturojë dhe, ndonjëherë të dënojë me vdekje ata ngjisin një trakt, valëvisin një flamur por që mbajnë fotografi të Dalai Lamës. Ndër ta kumtojmë artistin Ngawang Choephel, murgeshën Ngawang Sangdrol dhe shoqet e saj të qelisë në burgun e Drapchi-t, lamat Palden Gyatso, Tenzin Delek Rinpoche, Chadrel Rinpoche dhe deri te dy tibetanët e rinj që u masakruan nga kufitarët kinezë më 30 shtator të 2006, teksa po përpiqeshin të arratiseshin nga vendi. Mes tyre nuk mund të harrojmë Gedhun Choekyi Nyima, Panchen Laman e XI, që u rrëmbye nga kinezët në vitin 1995, kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Për fat të keq, as sakrifica e aq shumë dëshmorëve dhe as përpjekejet e pandalshme të Dalai Lamës, për dialog me autoritetet kineze, nuk e kanë zbutur Pekinin. Si në Tibet ashtu edhe në emigracion po rritet fshikullimi dhe dëshira për çlirimin e vendit, gjithmonë e më shumë të rrënuar nga procesi I kolonizimit. Ballafaqimi me fuqinë gjeopolitike, ekonomike dhe ushtarake të Kinës është absolutisht i pabarabartë, por tibetianët nuk kanë ndërmend të përulen. Të sigurt se një ditë e vërteta historike dhe drejtësia do të triumfojnë, nuk i druhen ballafaqimit, paqësor, me një kundërshtar aq të fuqishëm. Dekada pas kryengritjes së Lhasa-s, motoja e tyre mbetet e njëjta “Liri, Pavarësi”.
Komuniteti tibetian në Itali
Përkthimi MVSK