Dëshmia e Dr. Tenzin Choedrak për House International Relations Committe, Subcommittee on International Operations and Human Rights, 8 maj 1996.
“Viktimat e torturave kineze në Tibet”.
Falënderoj z. Kryetar dhe anëtarët e Nën-komisionit që më dhanë mundësinë të dëshmoj.
Unë jam Tenzin Choedrak dhe jam ushtrues i mjekësisë tradicionale tibetiane. Për 17 vite kam vuajtur forma të ndryshme të torturës nga ana e forcave pushtuese kineze të Tibetit. Arrita të mbijetoj dhe të tregoj historinë time jo se torturat që pësova ishin të lehta, por vetëm fal praktikës dhe njohurive të mia mjekësore, që më ndihmuan të tejkaloj vuajtjet.
Tashmë ka 20 vite që kam rifituar lirinë, por kujtimet e ditëve të burgut janë ende të freskëta në mendjen time. Edhe pse tani jetoj i lirë dhe me dinjitet, jam shumë i vëmendshëm për faktin që vuajtjet që përjetova unë, ende sot i rëndojnë mbi mijëra tibetianë të tjerë.
Disa shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe International Campaign for Tibet, kanë dokumentuar se torturat ndaj të burgosurve politikë tibetianë vazhdojnë të jenë një rutinë. Teknikat e zakonshme përfshijnë rrahjet e vazhdueshme, prangosjen me dryna dhe përdorimin e elektrodave në pjesë të ndjeshme të trupit, përfshirë gojën dhe organet gjenetale.
Keqtrajtimi i tibetianëve fillon qysh përpara se të përfundojnë në burg apo në qendrat e izolimit. Zakonisht rrahjet dhe torturat fillojnë që në komisariatin e policisë ku dërgohet i burgosuri. Tani po përdoren dhe teknika të reja, teknika që nuk lënë shenja në trup. Këto metoda përfshijnë lënien në ambiente me temperatura shumë të ulëta dhe më tej kalimin në ambiente me temperatura të larta, qëndrimin në këmbë për mbi 24 orë dhe marrjen në pyetje për 12 apo 24 orë, duke i lënë pa ujë apo ushqim.
Në vitet e fundit janë regjistruar 12 raste vdekjesh për shkak të keqtrajtimit dhe mungesës së kujdesit mjekësor në burgje apo qendrat e izolimit, por dyshohet se ka me dhjetëra raste të tjera. Një nga rastet e fundit është ai murgeshës 24 vjeçare, Gyaltsen Kelsang, që vdiq në vitin 1995 për shkak të torturave, punës së rëndë të detyruar dhe mungesës së kujdesit mjekësor.
Unë vetë kam kuruar viktima të torturave, ku përfshihej edhe një murgeshë 24 vjeçare nga Lhasa, kryeqyteti i Tibetit, që arriti të arratisej në vitin 1989, e cila gjatë burgosjes vuajti depërtimin me forcë të shkopinjve në organet gjenitale. Një tjetër murgeshe, Soyang, që është dhe mbesa ime, pasi ja doli të emigronte, pati nevojë për trajtime kardiologjike, pasi kinezet e kishin torturuar duke i vërsulur qentë. Këtë vit kurova një murg që kishte dëmtuar shpinën për shkak të rrahjeve që i kishin bërë në burgjet e Tibetit. Gjithashtu kam kuruar edhe Palden Gyatso-n, që vitin e kaluar dëshmoi përpara këtij Nën-komisioni mbi torturat kineze. Për më tepër, njoh shumë nga gratë e manastireve në Dharamsala, ku ka selinë qeveria tibetiane në emigracion, që kanë vuajtur tortura të shumta. Në repartin e shtrimeve të institutit mjekësor në Dharamsala, ku unë punoj, mesatarisht kemi 5 pacientë të shtruar që kanë nevojë për kura mjekësore për shkak të plagëve të marra gjatë torturimit.
Kalvari im nisi më 10 mars të 1959, kur populli i Lhasa-s ngriti krye kundër pushtimit dhjetëvjeçar të Tibetit. Kjo kryengritje u shtyp dhunshëm nga forcat kineze. Ditët që vijuan dëgjoheshin vetëm oshtimat e bombardimeve të artilerisë kineze. Duke qenë se isha një nga mjekët personal të Hirësisë së Tij, Dalai Lamës, unë banoja në kompleksin rezidencial të familjarëve të Dalai Lamës. Në pasditen e 22 marsit, në banesat tona erdhën trupat kineze. Ata hapën zjarr pa paralajmërim, 4 njerëz nga tanët që dolën për ti pritur u vranë në vend. Ushtarët, të armatosur me automatikë, mësynë ndërtesën duke shtënë dhe plaçkitur. Të gjithë banorët, përfshirë dhe mua, i grumbulluan në një dhomë pa dritare në katin e parë. Më pas na njoftuan se do të përzgjidheshim për “studime”, term që mendoja se ishte një eufemizëm për ekzekutimin. Na çuan në një ndërtesë të vogël në periferi të qytetit. Në dy ditët që pasuan nuk na dhanë as ujë dhe as ushqim. Natën e dytë na transferuan pranë shtabit vendor të Ushtrisë Popullore Çlirimtare, dhe na mbyllën në një burg të sigurisë së lartë. Më prangosën kokë e këmbë, sa herë që lëvizja hekurat më shkakton dhimbje.
Ndërsa ditët kalonin, pashë me sytë e mi seancat e tmerrshme të “thamzing”, që ishin metodat e marrjes së pyetje me forcë, tipike të zyrtarëve komunist kinez. Një prej këtyre metodave ishte lidhja e të burgosurit për ti shkaktuar sa më shumë vuajtje. Për shembull, fillimisht litari lidhej në kraharorin e të burgosurit dhe më tej në formë spirale zbriste rreth krahëve. Kyçet lidheshin bashkë dhe tërhiqeshin mbrapssh mbi kokë, më pas litari kalonte poshtë sqetullave, lidhej në kraharor dhe tërhiqej poshtë me forcë. Shpatullat përdridheshin, duke bërë që i burgosuri të deformohej. Dhimbja ishte aq e madhe sa njeriut humbiste kontrollin e zorrës dhe të fshikëzës.
Pak muaj pas arrestimit më nxorën në gjyq me akuzën për bashkëpunim në kryengritjen kundër pushtuesve kinezë. Ndërkaq që gjyqi vazhdonte kuptova se po më veçonin për një qëllim të caktuar: baltosjen e Hirësisë së Tij, Dalai Lamës. Për shembull, hetuesi më tha se mund ta shmangja thamzing-un nëse pohoja se Dalai Lama ishte një hajdut dhe një vrasës, që shtirej si njeri fetar, dhe që kishte një marrëdhënie inçestuoze me motrën e vet.
Më morën në pyetje për disa ditë dhe më pas më kaluan në seancat e thamzing-ut. Filluan një mëngjes kur komandanti UPÇ u kërkoi bashkëvuajtësve të mi: “pyeteni me shumë kujdes Tenzin Choedrak-un. Ju duhet të zbuloni të vërtetën”. Një nga të burgosurit më kërkoi të rrëfej çdo gjë, ndërsa të tjerët më kapën, më lidhën dhe shtrënguan nga krahët sipas një nga metodave që përdoreshin. Më kërkuan të kallëzoja Dalai Lamën. Pasi refuzova, të burgosurit nën këqyrjen e kujdesshme të rojeve, filluan të më rrihnin, më shkulnin flokët dhe veshët, më pështynin në fytyrë dhe gjuanin me grushte në kokë. Dhimbjet nga krahët ishin aq të forta sa fillova të bërtisja dhe vetëm pasi rashë, rojet i urdhëruan të burgosurit të ndalonin. Sidoqoftë rrahjet rifilluan pas një pushimi të shkurtër dhe kjo gjë vazhdoi gjatë gjithë paradites. Në total ajo seancë zgjati 4 orë.
Pas kësaj më hoqën nga qelia dhe më mbyllën në izolim. Kuptohet isha aq i drobitur sa fillimisht nuk e vura re gjendjen e dhomës, vetëm pasi mblodha pak veten kuptova që ishte një dhomë 1.2 me 1 metër e gjysmë, me një dritare të vogël me hekura në majë të murit dhe me me një vrimë 40 cm2 ku fusnin ushqimin. Mbi dyshemenë me baltë të ngjeshur kishin shtruar kashtë dhe një pallto të vjetër ushtarake, kishte dhe një kovë për nevojat personale. Aty kalova katër muaj.
Rutina ime e përditshme përfshinte meditimin “për krimet” e mia. Derëza e ushqimit (për të ngrënë më jepnin vetëm një herë në ditë pak bukë me oriz dhe perime) hapej me intervale të rregullta për të më kontrolluar nëse isha duke medituar. I vetmi moment qetësie ishte kur mund të vështroja qiellin për ndonjë çast dhe të nuhasja ajrin e pastër të mbrëmjes, kur më shoqëronin për në tualet. Ditën e fundit të çdo jave, më nxirrnin nga qelia për të pyetur se për çfarë kisha menduar gjatë javës.
Nga mesi i korrikut pësova një tjetër seancë thamzing-u. Edhe atë herë më rrahën paq, më shkaktuan dëmtime të syrit. Kur më kthyen në qeli kuptova se më ishte shkolitur retina e syrit të majtë, vetë kokërdhoku i syrit kishte lëvizur dhe nuk shikoja dot drejt përballë. Zbulova edhe që më kishin rënë të gjithë dhëmbët e sipërm. Brenda muajit humba të gjithë dhëmbët, duke mbetur me mishrat gjakosur. Goja ime e gjymtuar dhe syri i dëmtuar janë një kujtim nga ajo seancë thamzing-u. Në gusht të atij viti pësova seanca edhe më të dhunshme.
Nuk do ju bezdis më gjatë me hollësitë e torturave. Sidoqoftë, në fund kisha humbur plotësisht ndjesinë e dhimbjes. Ndjesia e vetme që kisha isha një thatësi në gojë. Kur thatësia rritej, humbisja ndjenjat. Kur përmendesha vazhdoja të përfytyroja se po më rrihnin; në të vërtetë gjendesha në birucë dhe sapo më kishin hedhur në fytyrë një kovë me ujë të ftohtë. Kur rojet kuptonin se isha përmendur më çonin me forcë në këmbë dhe më hidhnin prangat. Muaj më vonë, nga bashkëvuajtësit mësova se kur humbisja ndjenjat një doktor ushtarak vinte dhe më vizitonte. Kjo nuk ndodhte me të burgosurit e tjerë. Doktori kishte thënë se isha në prag të vdekjes, kështu që nuk do të mbante më përgjegjësi për rastin tim. Pak më vonë, i ndalën seancat e thamzing-ut.
Në tetor të 1959 isha një nga 79 të burgosurit që u transferuan në Kinë. Udhëtimi ynë filloi në nëntor, kur na hipën nëpër kamionë, 38 veta në një kamion. Na detyruan të qëndronim në këmbë gjatë gjithë rrugës, rrugë që zgjati 10 ditë. Ditën e 11 arritëm në liqenin Kokonor, në verilindje të Tibetit, ku na nisën me tren për në Lanzhou. Aty na ndanë në dy grupe, grupin tim e dërguan për në veri, drejt shkretëtirës së Gobit. Më në fund arritëm në destinacion, që ishte burgu Jiuzhen, pjesë e gulagëve të frikshëm që Kina kishte ngritur në atë rajon. Na ngjeshën në qeli ku të burgosurit kishin vetëm 45 cm hapësirë në dispozicion.
Çdo ditë na nxirrnin për të punuar nëpër fusha. Ruheshim nga ushtarë të cilët ishin gati ti shtinin kujtdo që do të shkelte perimetrin e fushës. Na duhej të thyenim gurë dhe të hapnim kanale ujitëse për grurin. Kishte një sistem shpërblimi për ata që realizonin planin, por atë plan dhe një njeri i fuqishëm do e kishte të vështirë për ta realizuar. Ata që nuk realizonin planin ndëshkoheshin. Pasi ktheheshim nga puna duhet të ndiqnim leksione politike që zgjasnin deri në orën 10 të natës. Për më shumë, të burgosurit, duke i zgjedhur në mënyrë të rastësishme, i merrnin në pyetje gjithë ditën, me qëllim nënshtrimin e tyre.
Në maj të 1960, 6 muaj pasi kishim mbërritur në burgun e Jiuzhen-it, racionet ushqimore na i ulën nga 7.5 kg në 3.8 kg në muaj. Për të kursyer edhe më grurin, autoritet filluan të na e përzienin ushqimin me rrënjishte dhe lëvore të pangrënshme. Uria mbizotëronte çdo mendim. Me fillimin e verës u shfaqën dhe shenjat e para të kequshqyerjes: pafuqi ekstreme. Në korrik ishim skelete që ecnin. Na numëroheshin brinjët dhe kockat, kraharori dukej si i futur brenda, sytë e ënjtur dhe dhëmbët (për ata që ende i kishin) filluan të binin. Flokët dhe vetullat, dikur të zeza me shkëlqim, morën ngjyrë kafe, më pas bezhë dhe pastaj filluan të na binin, mjaftonte një fërkim i vogël dhe binin. Askush nuk ecte dot drejt. Kyçet dukeshin si të salduar, këmbët i zvarrisnim, ishte shumë e mundimshme ti ngrije. Kur ktheheshim nga puna, plandoseshim përdhe.
Vdekja e parë, si pritej, ndodhi pas një viti e gjysmë. Nuk mbajtëm zi, kishim humbur çdo ndjeshmëri, veç asaj për tu grindur për ushqimin. Vetëm tani e kuptoj se ne ishim të dënuar me vdekje, jo me pushkatim por me punë të detyruar, kështu që dhe autoritetet dilnin të pafajshme. Pak ditë më vonë, vdiq dhe një tjetër. Nga ai çast patëm mesatarisht 2 apo 3 vdekje në javë dhe periudha më e gjatë pa vdekje nuk i kalonte dy javët.
Vdekja e një bashkëvuajtësi na siguronte rritjen e racioneve ushqimore, të paktën për një ditë. Humbja mund të mbahej e fshehtë dhe kështu përfitonim racionin e të ndjerit. Me këtë metodë edhe unë ndava me një tjetër të burgosur racionin e dikujt që një mëngjes e gjetëm të vdekur. Nga uria filluam të hanim teshat tona. Lëkurën dhe litarët që përdoreshin për të lidhur pakot që na vinin nga Tibeti, filluam ti prisnim në copa të vogla dhe ti përtypnim ngadalë gjatë punës, me shpresën mos na jepte forcë. Unë kisha një xhaketë me jakë gëzofi, që gjatë dimrit kishte qenë e paçmueshme, por në verë u detyrova ta ha. E nisa me gëzofin, dhe ndërkaq që erdhi përsëri dimri, copë pas cope e poqa në zjarr pjesën tjetër dhe e hëngra. Unë dhe të burgosurit e tjerë, kur shkonim e vinim nga fushat, mblidhnim dhe bimë të ndryshme – luleradhiqet ishin të parapëlqyerat. Gjithashtu gjuanim bretkosa apo insekte, si dhe gërmonim tokën për krimba.
Burim ushqimi më i sigurt ishin mbeturinat e rojeve kineze, turma të burgosurish mblidheshin rreth kockave apo zhapave që flakeshin buzë rrugës. Në mbyllje të vitit të parë, rashë fare dhe më shtruan tre muaj në spital. U shërova më shpejtë se të tjerët pasi isha në gjendje të vetëkurohesha. Kur u ktheva në Jiuzhen mësova se bilanci i vdekjeve ishte rënduar, në tetor të 1962 vetëm 21 tibetianë kishim mbetur gjallë. Atë muaj na njoftuan se do të na lejonin të ktheheshim në Tibet.
Na transferuan në Drapchi, burgu kryesor tibetian në Lhasa. Më vunë në një qeli 4.8 me 3.6 metra, ku rrinin 14 veta. Ishte aq e vogël sa flinim kokë më kokë, në dy rreshta, dhe me gjunjët e mbledhur. Na detyronin ti kalonim ditët duke studiuar, pranuar fajet dhe spiunuar bashkëvuajtësit. Aty filluan krizat mendore, depresioni dhe sjelljet vetëvrasëse.
Ndërkohë që po bëheshin vite që isha burgosur, ende nuk ishte formuluar ndonjë padi ndaj meje dhe aq më pak të ishte dhënë ndonjë vendim dënimi. Vetëm në 1972 – thuajse 13 vite pas arrestimit – më komunikuan vendimin. Paçka se nuk pati aktakuzë, cilësohesha si pjesë e inteligjencës së lartë të lidhur me ish qeverinë tibetiane, më dënuan me 17 vite.
Për të kryer dënimin më transferuan në burgun e Sangyib, i sigurisë më të ulët, po në Lhasa. Pasi riedukimi im i cilësua si i plotë, më caktuan me punë të rënda në guroren e burgut. Çdo ditë duhet të thyeja me daltë blloqe gurësh nga mali aty afër. Mezi e kapja normën.
Vitin pasardhës, një doktor burgu kinez, që kishte dëgjuar për njohuritë e mia mjekësore, u konsultua mbi një sëmundje të vetën. Doktori kinez u shërua duke përdorur kurën time dhe mua më hoqën nga qelia dhe më dërguan të punoja në spitalin e Sangyib-it. Në 1976, pasi shleva dënimin, më vendosën jashtë burgut të Sangyib-it pasi ende cilësohesha si “armik i popullit”. Aty pata mundësinë të ushtroja profesionin dhe të përfitoja një pagë të vogël për punën time në spital.
Ndërkohë kishin filluar kontaktet e para midis Qeverisë në emigracion të Tibetit dhe Qeverisë kineze, si pasojë një delegacion fakt-mbledhës nga Dharamsala vizitoi Tibetin në vitin 1979. Në atë delegacion ishte dhe z. Lobsang Samten, një nga vëllezërit e Hirësisë së Tij, Dalai Lamës. Ai ja paraqiti rastin tim Qeverisë kineze dhe kërkoi që të lejohesha të vizitoja Indinë. U desh thuajse një vit dhe kështu në tetor të 1980 u nisa për në Indi. Arrita në Dharamsala në nëntor të 1980. Më në fund isha një njeri i lirë.
Sot Qeveria kineze kërkon ti bashkohet komunitetit ndërkombëtar por njëkohësisht vazhdon të mohojë se torturat dhe keqtrajtimet kineze mbi të burgosurit politikë tibetian janë të përhapura gjerësisht. Si një viktimë e torturave kineze do të nxisja Qeverinë e Shteteve të Bashkuara që të përdorte ndikimin e saj të madh për të përmirësuar sjelljen e Kinës ndaj kinezëve dhe tibetianëve. Gjithashtu do të kërkoja që Shtetet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet e Hirësisë së Tij, Dalai Lamës për një zgjidhje paqësore të çështjes tibetiane.
Jam shumë mirënjohës që më krijuat mundësinë t’i drejtohem këtij Nën-komisioni, edhe pse për mua është e dhimbshme të sjell ndër mend këto kujtime, e kuptoj se duhet të flas, me shpresën se jetesa e atyre tibetianëve që vuajnë ende në burgjet kineze, mund të përmirësohet.
Faleminderit z. Kryetar dhe z. Tashi Delek.
Shkëputur nga Victims of Torture, Hearing before the Subcommittee on International Operations and Human Rights of the Committee on International Relations, House of Representatives, U.S. Goverment Printing Office, Washington, 1996.
Përkthimi MVSK.