Robert Service
Në Hungari, pas daljes nga skena të Kádár-it, gjendja politike ishte e nderë dhe në evolucion. Pikërisht aty ndodhën ndryshime të tjera të mëdha. Më 16 qershor, as dy javë pas zgjedhjeve në Poloni, Imre Nagy u rivarros me një ceremonial dinjitoz ku morën pjesë 200.000 patriotë. Udhëheqja komuniste u përpoq të ndiqte gjurmët e tij, por ngjarjet u rrëshqitën prej duarve. Në shtator kishin pranuar një marrëveshje me opozitën, ku përfshiheshin të gjitha grupimet politike kundërshtare të regjimit, për mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve. Komunistët e Partisë Socialiste Punëtore hungareze u ndanë në dy grupime. Tensioni i provokuar nga autoreforma kishte qenë shumë i lartë. Qeveria komuniste bëri lëshime të njëpasnjëshme, modifikoi emërtimin e Shtetit dhe reformoi Kushtetutën. Fundi nuk do të ishte i largët. Komunistët ranë në gjysmën e tetorit, pasi kishin humbur kontrollin e institucioneve, të politikës e të çështjeve administrative. Gjëja e çuditshme ishte se pak prej drejtuesve komunistë dukeshin të hidhëruar për ato që po ndodhnin. Republika Popullore hungareze thjesht u bë Republika hungareze. Për paradoks, heqja e referimit të popullit shënonte pikërisht respektimin, më në fund, të vullnetit popullor. Një tjetër revolucion i zhurmshëm por pa gjakderdhje.
Ndërkohë në RDGJ, problemet po shtoheshin muaj pas muaji. Vetë Gorbaçovi kontribuoi në rëndimin e situatës. Më 7 tetor, gjatë festimeve për dyzetë vjetorin e themelimit të Shtetit, në Berlin deklaroi: «Vetë jeta ndëshkon ata që vonohen». Honecker-i nuk ja vuri veshin. Mënyra e jetesës së gjermanëve të tij ishte pikërisht palëvizshmëria. Nuk mundej të perceptonte që populli hidhte slogane si «Ne jemi populli». Shokët e tij, më të rinj e më të kapshëm, nuk e mendonin njësoj. E kuptonin se vetëm një represion masiv mund të ndalonte ndryshimet radikale, por e dinin edhe që kjo do të hiqte mundësinë e çdo ndihme nga jashtë. Vetë Bashkimi Sovjetik po shtynte opozitën të hidhej në veprim. Shokët e Honecker-it refuzuan ti jepnin leje policisë të hapte zjarr mbi demonstruesit në Lajpcig, zbuan Honecker-in dhe pushtetin ja dorëzuan Egon Krenz-it. Turma të mëdha njerëzish kaluan kufirin për në Hungari, e cila ndërkohë kishte hapur kufirin me Austrinë. Drejtuesit e RDGJ-së ranë në gjendje kaosi dhe dëshpërimi. Për habinë e të gjithëve, në 9 nëntor u vendos heqja e postblloqeve nga muri i Berlinit. Shpërthimi i haresë ishte i menjëhershëm. Të nesërmen një lumë gjermanësh, si nga Lindja dhe nga Perëndimi, vërshoi duke kaluar murin nga të dyja anët dhe duke festuar. Të rinjtë e ty dy anëve filluan të rrëzonin tullat e murit famëkeq. Qeveria komuniste qëndroi në pushtet por pa autoritet, madje dhe pa vullnet për ta ushtruar.
Pastaj ishte radha e Todor Zivkov-it në Bullgari, që kishte dominuar vendin që prej 1954. Askush tjetër në Evropë nuk kishte qëndruar aq gjatë në pushtet. Krejt pa pritur, në 10 nëntor, reformatorët e Politbyrosë të udhëhequr nga Petar Mladenov, e larguan nga pushteti. Të gjithë ishin njerëz të emëruar nga Zivkov-i dhe që me vonesë ishin rreshtuar në linjën politike të çelur nga Gorbaçovi. Por, zmadhimi i demonstratave antikomuniste rrugëve të Sofjes i kishte tronditur. Ashtu si Krenz-i në Gjermaninë Lindore, Mladenov-i ra nga pushteti kur gjendja tashmë ishte jashtë kontrollit. Demonstratat kishin nisur për problematika të tipit ekologjik dhe më pas vëmendja ishte zhvendosur te tema e mohimit të të drejtave civile. Mladenov-i premtoi reformimin e Partisë dhe të sistemit qeverisës, premtoi që kjo do të pasohej nga reforma politike, sociale dhe ekonomike. Kjo bëri që të mënjanonte rrëzimin e menjëhershëm. Kundërshtarët e kuptuan që komunistët ishin shumë të pavendosur. Në shkurt të 1990, Partia u detyrua të hiqte dorë nga pretendimi për pushtet të përjetshëm. Reformatorët lanë Partinë komuniste dhe krijuan Partinë Socialiste bullgare, që fitoi zgjedhjet e para që u mbajtën në vend që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Bëhej fjalë për një revolucion popullor kundër komunizmit, të kryer nga ish drejtues komunistë. Lenini do ta quante oportunizëm.
Çfarë tjetër mund të ndodhte përpara se të mbyllej viti 1989? Në Jugosllavi perspektiva e komunizmit ishte e mjerë dhe, çuditërisht, pak e ndikuar nga ngjarjet në vendet e tjera të rajonit. Në Beograd, Zagreb e Lubjanë, njerëzit pak e vrisnin mendjen për deklaratat e fundit të Gorbaçovit apo për zërat mbi manovrat e fundit të ushtrisë sovjetike. Me vdekjen e Titos në 1980, stabiliteti i Jugosllavisë ishte luhatur, gjendja u përkeqësua në vitet që vijuan me hapjen e një serie konfliktesh mes republikave dhe grupeve të ndryshme etnike.
Kishte probleme të theksuara në Bosnjë-Hercegovinë, ku serbët e kroatët jetonin shpinë më shpinë – e ku myslimanët ankoheshin për të dy. Probleme kishte dhe mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Për rrjedhojë u intensifikuan konfliktet në nivel lokal. Dobësimi i lidhjeve federale lejoi grupet drejtuese të republikave të ndryshme të pohonin pretendimet e tyre kombëtare. Serbët të parët. Paçka se nën Titon autoriteteve serbe u kishte ecur mbroth, qejf mbetja nuk ishte zhdukur asnjëherë. Nga ana tjetër, komunizmi në Beograd nuk kishte shumë peshë. Lejohej letërsia nacionaliste, po rritej një sektor sipërmarrjesh private dhe Kisha ortodokse gjithmonë e më shumë pretendonte të luante një rol me peshë në çështjet serbe. Në të gjithë republikën situata ishte shpërthyese. Shkëndija u ndez në 1987, kur presidenti serb Ivan Stambolic mbështeti kandidaturën e delfinit të tij, Sllobodan Milosheviçit, për drejtimin e Partisë. Ky ushqeu për vete figurën e mbrojtësit të serbëve, kudo që këta ndodheshin. «Askush nuk duhet t’ju godasë», u tha në Kosovë. Milosheviçi e hoqi shpejt qafe Stambolic-in duke marrë në vitin 1989 presidencën e republikës. Ushqeu lëvizjet e serbëve që jetonin në republikat e tjera, abrogoi statusin e provincave autonome për Kosovën dhe Vojvodinën dhe nisi persekutimin e popullsisë jo serbe në ato territore. Brenda Jugosllavisë sillej si një imperialist, duke u mbështetur mbi idenë se forca e Serbisë do ti trembte republikat e tjera duke i shtyrë të nënshtroheshin.
Në Kroaci dhe Slloveni, reagimet ndaj ndryshimeve në Serbi, nuk do të vononin. Me intensifikimin e retorikës nacionaliste, politika jugosllave u ashpërsua edhe më, duke rënë në një rreth vicioz. Shpërthimi i dhunës mes grupeve të ndryshme etnike u bë një fenomen i zakonshëm. Presidentët e republikave të ndryshme kishin vështirësi të merreshin vesh dhe Milosheviçi nuk shfaqte ndonjë interes për negociata të mundshme: donte të gjithë pushtetin për vete dhe për Serbinë. Në Republikën serbe ndaloi çdo organizatë politike kroate dhe shqiptare, dhe nga ana tjetër lejoi krijimin e formacioneve të reja serbe, mes të cilave parti me prirje nacionaliste; i dha shtysa ekonomisë së tregut dhe mbylli një sy për korrupsionin, bandat kriminale dhe dhunën që ushtronin grupet paraushtarake. Serbia nuk ishte më një republike monopartiake, në korrik të 1990 Milosheviçi i ndërroi emrin formacionit të tij politik duke e quajtur Partia Socialiste serbe. Sistemi komunist kishte vdekur kohë përpara se Jugosllavia të digjej në flakët e luftërave të saj dhe të spastrimit etnik të viteve ’90. E gjitha kjo ndodhi pa një denoncim të hapur të komunizmit apo largimin e udhëheqjes së vjetër. Fotografitë e Titos vijonin të ekspozoheshin në zyrat publike. Milosheviçi i kreu ndryshimet me dinakëri, duke zëvendësuar, pa u vënë re, doktrinën marksiste me nacionalizmin. Turbullirat e ndodhura në Varshavë, Berlin e Bukuresht nuk u përsëritën në Beograd.
Duke u kthyer te 1989, në ditët e fundit të atij vitit kishin mbetur vetëm dy vende, Shqipëria dhe Rumania, në të cilat dukej se udhëheqja mund ta mbante ende në këmbë komunizmin. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 1985, drejtimin e Shqipërisë e mori Ramiz Alia. Për një çast u duk se ishte i orientuar drejt disa reformave minimale. Regjimi i tij, që tashmë kishte humbur mbështetjen e Republikës Popullore kineze, nuk kishte miq në asnjë vend të botës; i vetmi element ku mund të mbështetej ishte fakti që kritikuesit e tij në Bashkimin Sovjetik dhe në Perëndim nuk dukej se ishin të interesuar për ndonjë lloj ndërhyrjeje. Alia skicoi disa ndryshime të vogla në politikën ekonomike, por në përgjithësi situatën e mbajti të pandryshuar, duke shpresuar që përtej çdo prove, shpejt rrjedha e historisë të ndryshonte.
Çaushesku në Rumani, ashtu si dhe Alia, nuk pranonte të kryente reforma. Më 21 dhjetor, duke përfituar nga një prej rasteve të shumta për të pozuar përpara publikut entuziast, u shfaq në ballkonin e ndërtesës madhështore të Komitetit Qendror në Bukuresht. Turma kishte kaluar në filtrat e zakonshëm dhe policia ishte e rreshtuar si përherë. Çaushesku, me në krah të shoqen dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, u përgatit ti drejtohej «masave» që zakonisht mbanin një qëndrim servilësh. Sapo nisi të fliste u dëgjuan thirrjet e para. Conducator-i, si i pëlqente ta thërrisnin në atë kohë, duke sjell ndërmend në mënyrë të pakëndshme diktatorët fashistë, nuk ishte mësuar me një gjë të tillë. Në mënyrë instiktive ju drejtuar kundërshtuesve. Turma u bë e papërmbajtshme. Dukeshin si skena nga një film për Romën antike (krahasimi nuk është i rastësishëm, duke parë që Çaushesku gjithmonë ishte përpjekur të krahasonte veprën e tij me madhështinë e Perandorisë). Njerëzit protestonin, përparonin, bërtisnin, kanosnin. Forcat e sigurisë as nuk u përpoqën të rivendosnin rendin. Çaushesku e kuptoi se përpara ç’rreziku gjendej. I tmerruar doli nga skena, hipi në helikopter dhe për një çast u përpoq të mblidhte rreth vetes besnikët. Askush nuk shkoi ta ndihmonte. Mes atyre që dolën përpara për të shpallur rrëzimin e pushtetit komunist – më i paprituri dhe i lavdishmi i atyre muajve të ngarkuar me rrëzime të tilla – kishte edhe disa komunistë të rëndësishëm. Për çiftin Çaushesku nuk pati mëshirë. Autoritetet e reja nuk donin që ata të jetonin dhe të tregonin historinë e rolit që pasardhësit e tyre kishin pasur në mbajtjen e komunizmit përpara 1989. Më 25 dhjetor i pushkatuan.
Nëse teoria amerikane e dominimit ka pasur ndonjë konfirmim në praktikë, kjo ka ndodhur me ngjarjet e Evropës Lindore në muajt e fundit të 1998, edhe pse me kah të kundërt nga sa ishte parashikuar. Efekti domino nuk shkaktoi rritjen e numrit të shteteve komuniste, por çrrënjosjen e vetë komunizmit. Në atë periudhë të shkurtër dhuna u shfaq me hope, por qeveritarët u treguan të kujdesshëm në përdorimin e të gjitha mjeteve represive që kishin në dispozicion; shikonin vështirësitë që hasnin autoritetet e vendeve fqinje dhe askush nuk donte të akuzohej se qeveriste pa miratimin popullor.
Viti 1989 ishte katastrofë për komunistët reformator. Ramiz Alia vijoi të pohonte se Shqipëria mund t’i bënte ballë ngjarjeve dhe ishte i mendimit se një komunizëm i reformuar mund të mbijetonte dhe të begatonte. Por në mars të 1991, përballë kërcënimit të demonstratave, u detyrua të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve shumë partiake. Partia e Punës së Shqipërisë fitoi shumicën, por fundi ishte i afërt. Në 1992 komunistët u mposhtën nga Partia Demokratike dhe humbën qeverinë; kështu ra dhe guri i fundit i dominosë. Alia ishte paraqitur si reformator me shumë vonesë. Të tjerë në Evropën lindore kishin shpresuar me dekada rresht të largonin komunistët konservatorë dhe të ngrinin sistemin komunist prej tyre të ëndërruar. Reformatorët hungarezë ishin përpjekur në vitin 1956, ata çekosllovakë në 1968, të dy ishin shtypur nga pushtimi ushtarak. Shpresa e përhershme ishte që duke aplikuar një variant të tillë të komunizmit do të mundeshin të fitonin mbështetjen në rang vendi, por në kohën kur reformatorët patën mundësinë të përpiqeshin këto ide ishin jo realiste dhe ndoshta nuk patën asnjëherë ndonjë mundësi konkrete. Programi i komunizmit reformator ishte tejkaluar me shpejtësi nga revolta popullore hungareze e 1956. Në Evropën perëndimore, eurokomunistët kuptuan që njerëzit donin ruajtjen e një sistemi shumë partiak dhe të një shoqërie me kulturë pluraliste. Nga ana tjetër, në fund të viteve dyzetë, komunistët në asnjë vend të Evropës lindore nuk kishin marrë pushtetin mbi bazën e një shumice elektorale.
Është e vërtetë që në vitet ’90, në disa vende të rajonit, komunistët fituan zgjedhjet, por për t’ia arritur ju desh të ndryshonin në mënyrë drastike vijën e tyre të reformizmit komunist. Ju desh të bëheshin – ose të paktën të hiqeshin – si socialistë apo socialdemokratë. Në 1989 komunizmi në lindje të Elbës ra sepse Moska liroi lakun dhe vendet e ndryshme, në një mënyrë apo tjetrën, shfaqën rezistencë ndaj qeveritarëve të tyre komunistë. Klima e padurimit, fshikullimit dhe inatit ishte rritur me kalimin e viteve. Në vitin 1989 u arrit një shumësi e jashtëzakonshme kushtesh, por është e dyshimtë se nëse në kushte më të favorshme komunistët reformatorë, do të ishin mbrojtur më mirë.
Camrades. A history of world communism.
Përkthimi MVSK