Home

Një ndër krimet më të urryera dhe sistematike kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore janë përdhunimet në masë të femrave gjermane nga ushtritë Aleate.
Një statistikë numëron rreth 2 milion gra të përdhunuara, pjesa më e madhe nga rusët, por nuk munguan dhe shumë raste nga ushtritë e tjera.
Territoret më të goditura, nga shpërnguljet dhe përdhunimet ruse, ishin ato të Gjermanisë Lindore, territore të cilat më tej u aneksuan nga Aleatët.
Dokumenti i mëposhtëm është dëshmia e një të mbijetuare.Dëshmitë janë të përmbledhura në “Ost Dokumentation” në arkivin federal të Bayreuth-it.

Kujtimet e Frau C., Ost Dok 2/53 West Preussen, Korridorkreise, kreis Graudenz, f. 61-64.

Fëmijët e mi u sëmurën gjatë arratisë nga bolshevikët. Djali im i vetëm vdiq dhe kështu ngela vetëm me vjehrrën. Për të mos vënë në rrezik jetën e tre vajzave vendosa të rija te motra në Gletkau, afër Danznig-ut. Këtu i mbijetova ardhjes së rusëve. Zoppot-i ishte mbrojtur nga vetëm pak ushtarë gjerman. Midis Zoppot-it dhe Danznig-ut kishte vetëm një mitraloz. Pa pritur gjatë natës dëgjuam nga altoparlantët këto fjalë: “Ju flet Radio Moska, sapo hymë në Zoppot dhe marshojmë drejt Danznig-ut dhe Gotenhafen-it, dorëzoni armët dhe mendoni për jetën e grave dhe fëmijëve tuaj. Ju garantojmë jetën dhe lirinë!”. Pamë nga dritaret që bolshevikët, qetësisht, pa hasur rezistencë kishin pushtuar Zoppot-in. Në mëngjes bolshevikët bombarduan Gletkau-n edhe pse pala gjermane nuk kishte hapur zjarr. Disa granata goditën shtëpinë tonë duke e shkatërruar plotësisht. Dola jashtë nëpërmjet dritares së qilarit dhe pashë aty përpara rreth 100 tanke: u bërtita bolshevikëve se aty gjendeshin vetëm gra dhe fëmijë. Disa bolshevikë dolën nga tanket dhe të armatosur me sëpata ju drejtuan shtëpisë. U zvarrita mbrapsht dhe thërrita: “Po vijnë rusët”. Rusët shqyen derën me sëpata dhe hynë brenda duke bërtitur disa herë “Vodka”; ngelëm në një cep si të shushatura ndërkaq që rusët po shkatërronin arkat dhe valixhet tona. Morën çdo gjë me vlerë dhe ato që nuk i pëlqyen i shkelën me këmbë.

Një natë më parë, një fqinje na ishte lutur që të kujdeseshim për të, prandaj shkuam në shtëpinë e zonjës F. Arritëm në çastin kur rusët po hapnin garazhin e vilës; aty ishte fshehur një mitraljer gjerman i cili doli jashtë me duart lartë: rusi që ishte më afër tij e gjuajti në kokë me kondakun e karabinës. I gjori ra në tokë pa ndjenja. Rusët e tjerë e eliminuan me disa goditje.
Në qilarin e vilës gjetëm zonjën F., një mjek të moshuar dhe shërbëtoren e tij tridhjetëvjeçare; në dysheme, rrethuar nga një pellg gjaku, gjendej kufoma e një të reje, të cilës rusët i kishin prerë barkun. Ishte mbrojtur kur rusët ishin përpjekur ta përdhunonin. E tmerruar , shërbëtorja e mjekut ishte detyruar të vuante dhunën e ushtarëve; rreth 25 burra kishin abuzuar me të. Sapo ne, ende të tronditur, filluam të kuptonim ç’kishte ndodhur, u shfaqën përsëri ushtarët rusë dhe më urdhëruan t’i ndiqja. Mora vajzën e vogël dhjetëmuajshe dhe shkova pas ushtarëve. Pasi u larguam disi nga qilari vura re një oficer që rinte ulur në karrige dhe një ushtar i shërbente raki me lugë. Ushtari që më kishte marrë më urdhëroi t’i ulesha oficerit në prehër, ndërsa një ushtar tjetër u përpoq të më merrte nga duart fëmijën. U përleshëm por unë nuk e lëshova fëmijën: i thashë oficerit, në polonisht, që ishte i poshtër dhe duhet t’i vinte turp për gradat që mbante sepse përpara syve të tij ushtarët po bënin ç’të donin. Duket se fjalët e prekën në sedër dhe urdhëroi që të më lëshonin.

Sapo u ktheva në qilar u shfaqën përsëri rusët. Në dorë mbanin disa spaleta oficeri gjerman, më bërtitën: “Burri yt është oficer”. Për fat dallova që pjesa e poshtme e spaletave nuk kishte ngjyrën e verdhë të Kavalerisë por të verdhën e zbehtë të Ndërlidhjes. Kjo më dha forcë. Kuptova që ushtarët donin vetëm të hakmerreshin sepse i kisha poshtëruar. Më urdhëruan t’i ndiqja. Mora të tre fëmijët përdore dhe dola e shoqëruar nga ushtarët. Jashtë më shpjeguan se duhet të më vrisni. Dy fëmijët më të rritur e kuptuan dhe filluan të luteshin që të përshpejtohej pushkatimi kështu që dhe vuajtjet të merrnin fund; u bërtita rusëve se ishin barktharë dhe jo ushtarë dhe që fshehurazi i kishin vendosur vetë spaletat brenda karrocës së fëmijës. E kisha kuptuar që vetëm ai ton zëri dhe ato lloj akuzash kishin ndikim mbi rusët. Erdhën rusë të tjerë dhe u thanë shokëve se unë isha polake, pasi banorët e Daznig-ut nuk flasin polonisht. “Lëreni pra”, shtuan, dhe xhelatët më lanë duke mallkuar.

Megjithëkëtë nuk mund të rrinim të qeta. Oficeri i sipërpërmendur hyri, pa që vjehrra ime kishte të veshur një xhaketë lëkure dhe urdhëroi që ta hiqte menjëherë; mua më urdhëroi që mbi atë xhaketë të qepja gradat e tij. Ju përgjigja se nuk kisha me ç’të qepja. Kështu thërriti një ushtar për t’i qepur.

Pak më vonë rusët  nisën përsëri marshimin dhe ne përfituam nga ai moment qetësie për tu larguar nga ai vend, pasi i druheshim hakmarrjeve ruse. Menduam se mund të ishim më të sigurta në vende më të populluara, si Zoppot-i. Përgjatë rrugës së shkurtër nga Gletkau në Zoppot gjendeshin disa kufoma grash me fundet e ngritura. Vjehrra ju afrua një kufome dhe i rregulloi teshat: plumba fishkëllyen në drejtimin tonë. Duket se vrasësit nuk duronin dot që t’ju afroheshe viktimave të tyre. Kështu që vazhduam me nxitim për në Zoppot, por duhet të pranoj që kaluam nga shiu në breshër. Disa herë, ushtarë të veçuar të Ushtrisë së Kuqe, u përpoqën të na fusnin nëpër banesa, por meqenëse ishim shumë persona bashkë dhe të druajtur nga drita e diellit e të qarat e fëmijëve, hiqnin dorë. Arritëm në shtëpinë ku banonte ime motër. Ishte e mbushur  me gra të tjera; hareja për ardhjen tonë ishte e madhe sepse krijoi një ndjesi sigurie.

Sapo mbërritëm efektivë të NKVD-së arrestuan një mjek të moshuar dhe çdo burrë që shikonin. Natën pasardhëse hyri një oficer dhe kërkoi një grua. Pasi, sigurisht, asnjëra nuk lëvizi nga vendi, ai kërcënoi se do të dërgonte ushtarët dhe më tej e vuri në jetë kërcënimin. Pas pak në banesë hynë shtatë ushtarë me pantallonat e ulura, vërvitnin armët për të na detyruar që të çoheshim; në këtë çast kritik hyri një njeri që fliste shumë mirë gjermanishten, një rus biond, i pashëm, i cili menjëherë i ndoqi ushtarët. Banda shkoi në dhomën ngjitur, ku banonte bashkë me të shoqen dhe gjashtë fëmijët, një ushtar gjerman në lirim, të cilit i kishin prerë të dyja këmbët. Të gjorin, pasi nuk donte ta linte të shoqen, e goditën deri sa e lanë pa ndenja. Hordhia çnjerëzore e kapi gruan dhe e nxori jashtë duke e tërhequr zvarrë për këmbësh. Të shkretës i përplasej koka në shesh. Gjysmë e pavetëdijshme u përdhunua në fillim nga oficeri i grupit dhe pastaj nga të gjithë ushtarët.

Falënderuam shpëtimtarin tonë i cili nuk kërkoi asgjë për atë që kishte bërë. Shikonim me sy të mirë zhvillimin e një marrëdhënie intime mes tij dhe një vejushe të re, që ishte në grupin tonë. Kështu  i riu rus ndenji me ne dhe në periudhën në vazhdim dhe na mbrojti. Nuk e kuptuam kurrë arsyen pse ushtarët rus kushtëzoheshin nga një njeri i vetëm. Unë besoj se nuk ishte gjë tjetër veçse nënshtrimi i sllavëve përpara një paraqitje të fortë, energjike.

Ditën më pas erdhi një e njohura jonë e cila na tregoi se vajzën e saj të madhe e kishin vrarë. Rreth 70 rusë e kishin përdhunuar njëri pas tjetrit, kur më në fund ishin larguar, vajza u përpoq të gjente strehë në kishë. Një rus e kishte parë dhe i ishte vënë pas. Duke menduar se ajo donte t’i ikte, nga marazi e kishte masakruar. Më vonë, të pangopur, rusët donin ti lëshoheshin vajzës së vogël, dhjetëvjeçare: i kishin grisur teshat kur nëna ju ofrua; të degjeneruarit, më në fund, e kishin pranuar shkëmbimin. Po atë ditë pashë një tjetër skenë të frikshme: në një cep të shtëpisë ishte një vajzë me duart dhe këmbët e gjakosura; pasi e pyeta disa herë, mësova nga fatkeqja mizoritë më rrëqethëse. E reja ishte përpjekur të mbrohej me të gjitha forcat dhe për këtë e kishin shtrirë në dysheme druri dhe e kishin gozhduar, duar dhe këmbë. Duke qeshur dhe kënduar bishat djallëzore, ishin treguar më “miqësor” me të kryqëzuarën dhe kishin ikur duke e lënë aty. E kishte liruar, disa orë më vonë, një e moshuar.

Nga të gjitha anët, pothuajse në çdo orë, vinin gra që tregonin të zeza të tilla. (Kur arrita në Danzing, një pediatër i njohur, Dr. S., shpëtoi vajzën time të dytë nga fati që kishte pësuar i vëllai, vdekjen. E takova disa ditë përpara se të vinin rusët; ishte në mëdyshje të madhe: të merrte arratinë së bashku me familjen apo të rinte aty ku do të ishte i dobishëm, i nevojshëm. Qëndroi për të kryer detyrën. Edhe për këto lajmi se ishte helmuar, me gjithë familjen, më tronditi. Kjo më shtyu të drejt banesës së tij, dhe e pashë skenën e frikshme; njëri mbi tjetrin, ngatërruar njëri me tjetrin ishin kufomat e dy prindërve dhe katër fëmijëve. Fëmijë që vetëm pak ditë më parë i kisha parë duke lozur në rrugë. Një grua më tregoi si ishte zhvilluar tragjedia. Ushtarët rusë ishin futur dhe donin të përdhunonin të shoqen e mjekut; ai kishte rezistuar, e kishin lidhur dhe paturpësisht e përdhunuan gruan para syve të tij. Të mbërthyer nga dëshpërimi më i thellë kishin vendosur të helmoheshin).

Në të njëjtën kohë me përdhunimet sistematike bëhej dhe zjarr vënia e lagjeve; mahnitësja Seestrasse në Zoppot u dogj pothuajse e gjitha. Më dhembte në shpirt kur pashë një nga këto ekspedita zjarr vënëse: një grup ushtarësh futej shtëpi më shtëpi dhe linin pas flakë që ngjiteshin në qiell. Në fund dogjën dhe llixhat.
Dalë nga dalë dukej se marrëdhëniet po normalizoheshin disi, por përsëri ushtarët rusë silleshin si një hordhi e harbuar. Duket si ndjenin një kënaqësi fëmijërore kur maskoheshin dhe dilnin në rrugë me kapele zonjash, uniforma të partisë naziste apo me pizhame. Pastaj një ditë, të habitura hapëm dritaret sepse dëgjuam hapin e kolonave ushtarake në marshim. Ishte një skenë mbresëlënëse. Të rreshtuar, me një rregull të përkryer, ecnin kolonat e pafundme të Wehrmacht-it, robër të rusëve. Ishin 70 mijë burra që në Hela duhet të hipnin nëpër anije, por që ishin dorëzuar sepse nuk kishte më anije. Në atë kohë vuajtëm urie dhe me siguri kjo gjë dallohej sepse ushtarët sovjetik për mëshirë na hidhnin ndonjë gjë për të ngrënë, dhe ne, me mirënjohje, pranonim.

Rusët u kishin bërë ushtarëve gjermanë premtime të mëdha në nëse dorëzoheshin vetë: një trajtim të mirë, respektimin e pronës private dhe lirimin brenda një kohe të shkurtër. Por ne i dinim rusët: pjesa më e madhe e tyre nuk do ta shihte më atdheun. Për fat të keq nuk gabuam; në kampin e Narvik-ut ku i grumbulluan, i grabitën dhe teshat e trupit duke i lënë në të mbathuara; disa ditë më vonë, kur pashë disa ushtarë, mezi njiheshin: ishin vetëm figura të leckosura, të përthyer, deformuar, me faqet e groposura, të lënë pas dore, pa asnjë besim se mund të mbijetonin.
Pak muaj më vonë më shumë se 70% e tyre duhet të ketë vdekur. Kjo duket të jetë mënyra për të vrarë njerëzit.

Shënime:  a) Mbiemrat e personave nuk shfaqen në respekt të rregullave arkivistike lidhur me përdorimin e dëshmive. b) Qyteti  Danznig u shkatërrua plotësisht gjatë Luftës dhe me vendim të Konferencës së Potsadimit kaloi në administrim të Polonisë. c) Titulli është i MVSK.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s