Home

Intervistë me Magdolna Rorh, botuar në “Magyar Nemzet” 9-I-2001.

Nga viti 1940 deri në 1950 rreth 12 milionë persona u burgosën në mbi 40 000 kampet e përqendrimit sovjetike, të cilat ishin të shpërndarë në një territor të gjerë që niste nga Gadishulli i Kolës deri në Kaukaz. Shumë milionë, për shkak të urisë dhe të ftohtit, vdiqën pa mundur të shikonin edhe një herë atdheun e tyre. Të tjerët, që patën fatin të mbijetonin dhe të ktheheshin në vendlindje nuk mundën kurrë të integroheshin, të veçuar mbaheshin nën kontroll të rreptë nga autoritetet komuniste. Një ndër ta është dhe Magdolna Rorh, sot [në 2001] pensioniste dhe një nga anëtarët më veprues të Fondacionit të të Burgosurve në Gulag, fondacion që përpiqet për të drejtat e ish të dënuarve hungarezë.

Ishit shtatëmbëdhjetë vjeçe kur në 23 shtator 1945 u arrestuat nga dy ushtarë të ushtrisë ruse.
– U shfaqën në shtëpinë tonë, në Budapest. Në atë çast unë, sigurisht, nuk e kuptova pse. Prindërit nuk ishin në shtëpi. Në shtëpi ishte vetëm gjyshja. I pashë përsëri vetëm pas 8 vitesh. Rusët më morën bizhuteritë dhe nuk mi kthyen më. Duhet të dini që disa muaj më herët unë dhe shoqja ime B. Marczin njohëm dy djem të rinj, I. Herczeg dhe K. Tiefenbeck. Gjatë verës së 1945, njëri prej tyre, I. Herczeg u përpoq të arratisej nga Hungaria, por e kapën. Më vonë mësova se ai kishte shënuar në bllok emrat dhe adresat e ne tre të tjerëve. Ushtarakët sovjetikë kishin “zbuluar” kështu “komplotin e të katërtëve”, në bazë të së cilit, më tej, u ngritën akuzat për spiunazh, tradhti e lartë dhe agjitacion e propagandë antisovjetike.

-Besoj se ju në atë kohë nuk merreshit me politikë.
– Sigurisht që jo. As armë nuk kisha prekur kurrë me dorë megjithëse sipas akuzës kisha marrë pjesë në qëndresën e armatosur antisovjetike.

Ç’projekte profesionale kishit?
– Studioja në Institutin Teknik Tregtar, por, për shkak të luftës kisha ndjekur vetë vitin e parë. Nuk e dija si do të vazhdoja me studimet. Gjithsesi në vend të një shkolle të lartë përfundova “një shkollë” të Bashkimit Sovjetik, në Gulag.

– U morët në pyetje, pas arrestimit?
– Më merrnin në pyetje vetëm gjatë natës. Më lëviznin nga një burg në tjetrin. Fillimisht më burgosën në një kazermë në Budapest, më tej më zhvendosën në Szombathely, në të ashtuquajturën “kështjella e qyqes”. Pak ditë më vonë ju nënshtrova një hetimi në Eisenstad, në Austri. Përkthyesi nuk e dinte mirë hungarishten, i mjaftonte vetëm të më bënte të firmosja një dokument të gjatë shkruar me alfabet cirilik.

– Ju firmosët?
– Firmosa çdo gjë sepse nuk kuptoja asnjë fjalë në rusisht dhe e vetmja gjë që më thoshin vazhdimisht ishte se pasi të firmosja procesi do të mbyllej dhe do të më linin të kthehesha në shtëpi.

– Ju rrihnin?
– Vetëm në periudhën e parë. Pas arrestimit, gjatë fazës së parë të marrjes në pyetje, një oficer më gjuante me pistoletë në kokë. Sipas përkthyesit ai thoshte: “Fol sepse unë mund edhe të të shtijë dhe askush nuk ka për ta marrë vesh ku ke përfunduar.

– Ju ishit ende e re, e kuptuat ç’po ndodhte? Kishit frikë?
– Kisha pasur dhe më parë një përvojë të tmerrshme: gjatë pushtimit sovjetik të Budapestit, ushtarët rusë më përdhunuan. Kisha shumë frikë. Ndoshta edhe për këtë arsye vendosa të nënshkruaj çdo gjë.

– Megjithatë nuk ju liruan.
– Jo. Nga Austria, mua dhe të arrestuarit e tjerë na kthyen përsëri në Hungari, në Balaltonfüred, ku më 31 janar të vitit 1946 gjykata ushtarake e Ushtrisë së Rojës Sovjetike na dënoi me 10 vite punë të detyruar në kampet riedukative. Ngaqë nuk kishte përkthyes, përmbajtjen e dënimit na e shpjeguan duke “bërë 10” me gishta. Ende sot nuk e dimë me saktësi se ç’akuza u ngritën kundër nesh. Pastaj na zbritën në podrum ku bënte shumë ftohtë. Vetëm aty, në ato çaste, bashkë me shoqen time kuptuam që çështja ishte serioze.

– Më tej ç’ndodhi?
– Na çuan në Sopronköhida (në kufirin perëndimor), ku na futën 15 veta në një qeli, as frymë nuk merrje dot. Pak ditë më vonë, mes një të ftohti të llahtarshëm, së bashku me mijëra hungarezë të tjerë na hipën në tren dhe na nisën për në Bashkimin Sovjetik.

– Sa zgjati udhëtimi?
– Pas tre javë e gjysmë arritëm në ndalesën e parë, në Lemberg.

– Si pastroheshit gjatë udhëtimit?
– Nuk pastroheshim. Vagoni ishte i ndarë, me tela me gjemba, në tre pjesë. Në zonën e hyrjes së vagonit rrinte roja, në dy të tjerat të burgosurit. Në fund të vagonit kishin hapur dy vrima dhe ne duhet të kryenim nevojat tona aty, në sy të të gjithë të burgosurve dhe rojës. Nuk ishte e mundur të laheshe: të gjithë zumë morra. Nuk humbitnin rast për të na poshtëruar. Sapo arritëm në Lemberg na çuan te banjat: duhet të zhvisheshim komplet, më pas na rruan trupin – ne gratë nga burrat ndërsa burrat u rruan nga gratë. E gjitha e shoqëruar me batutat dhe të qeshurat e ushtarëve rusë. Dy javë më vonë na çuan në lagerin e parë, në Donbass, në Ukrainë.

– Ç’farë hanit?
– Me mua rusët bënin ç’të donin. Na jepnin për të ngrënë patate ose lakra, por meqenëse të rriturit merrnin ç’të mundnin mua shpesh nuk më ngelej gjë. Më kishin vjedhur teshat dhe këpucët, kështu që për të punuar nëpër fusha duhet të shkoja zbathur. Këmbët i kisha të gjakosura dhe qaja vazhdimisht, deri sa dikush pati mëshirë dhe më ktheu teshat dhe këpucët. Me shirat që binin shpesh zhyteshim në baltë deri te gjunjët.

– Sa kohë qëndruat aty?
– Vetëm disa javë, pastaj na hipën përsëri në trena dhe na dërguan në Siberi. Nuk e kishim idenë ku shkonim. Përsëri në vagonë e njëjta skenë: roja i ulur në mes, të burgosurit ngjeshur në të dy krahët, vrimat e hapura në fund; dukej sikur udhëtimi nuk do të mbaronte kurrë. Duhet të ketë zgjatur një muaj e gjysmë dhe u bënë 10 000 kilometra. Sa më shumë i afroheshim Siberisë, aq më ftohtë bënte. Për me keq, unë isha afër vrimës së nevojave, kështu që i ftohti që hynte më godiste menjëherë. Përsëri na mbuluan morrat. U sëmura. As nuk e mbaj mënd si zbrita nga treni. U zgjova, plotësisht e rruar, në Siberi, në lagerin Tajshet, kur dikush më godiste lehtazi në faqe. Më kuroi një mjek gjeorgjian, të cilit i kishte kaluar afati i burgimit.

– Ishit në Gulag, tashmë?
– Po. GULAG është një fjalë e përbërë që nënkupton Autoritetin Shtetëror të Kampeve, por në të vërtetë i gjithë Bashkimi Sovjetik ishte një Gulag, sepse ishte një seri e pafund kampesh përqendrimi. Ai i Tajshetit ishte një lager shpërndarës: ndaheshin të burgosurit politik nga ata të zakonshmit. Unë isha një e burgosur politike. Na vunë nga një numër: që nga ai çast nuk ishim më njerëz, por numra. Nga Tajsheti nga shpërndanë nëpër lagera të tjerë, në kantierin për ndërtimin e hekurudhës Bajkal – Amur. Kush dilte nga rreshti, vritej.

– Arritët të shëroheshit?
– Shumë ngadalë. Isha aq e pafuqishme sa fillimisht më caktuan për të punuar në një rrobaqepësi. Aty kushtet ishin pak më të favorshme, pasi në barake bënte relativisht ngrohtë. Por zgjati shumë pak: sapo e mora veten, më dërguan në lagerin e Bratsk-ut, për të punuar në ndërtimin e hekurudhës. Atje çdo gjë u ndërtua nga të burgosurit: barakat kishin filluar t’i ndërtonin robërit e luftës japonez dhe ne vazhduam punën.

– Edhe gratë caktoheshin në punë të rënda?
– Si jo! Nga punimet në rrugë deri te nxjerrja e gurëve, na vinin të bënim çdo gjë. Në pyjet kënetorë nxirrnim pemë 6 metra e gjysmë të larta, diametri i tyre ishte i atillë sa në një kamion të madh nuk mund të ngarkoheshin më shumë se dy apo tre. Zgjoheshim në agim dhe punonim 12 orë në ditë. Ju mund ta imagjinoni si mund të lahesh me një gotë ujë? Aq na jepnin në ditë për t’u larë. Dimrit laheshim me dëborë. I ftohti ishte i padurueshëm! Lageri ishte i rrethuar nga pyje e megjithatë shpesh nga mungonin drutë për zjarr.

– Vdiqën shumë?
– Shumë fare. Që gjatë udhëtimit, klima e Siberisë shkaktoi shumë viktima. Për të ngrënë ja jepnin dy herë në ditë: në mëngjes na jepnin pak bukë dhe kush plotësonte planin e punës merrte 750 gr. bukë, që ishte si mastiç dhe pjekur keq por që gjithsesi e hanim shpejt e shpejt sepse ndryshe na e vidhnin. Në darkë na jepnin një farë supe të hollë, e ngrirë dhe e ringrohur, pothuajse e vakët, me të cilën mezi mbahej shpirti gjallë. Kush nuk plotësonte planin merrte vetëm 400 gr. bukë për gjithë ditën.

– Kishit shpresë se do të ktheheshit në shtëpi?
– Pothuajse kishim humbur çdo shpresë por ende nuk ishim dorëzuar plotësisht. Periudha me e vështirë qe nga fundi, në lagerin e fundit, në Zajarsk. Na çuan të punonim në brigjet përballë lumit Angara. Në atë kohë nuk kishte ende një urë, por dimrit lumi mbulohej nga një shtresë akulli tre metra e trashë, kështu që të burgosurit kalonin nga një breg te tjetri mbi një hekurudhë provizore mbi akull. Punonim në një gurore: tmerr! Shpërthenim gurët me eksploziv dhe i nxirrnim, një javë gjatë ditës dhe tjetrën gjatë natës. Na përdornin për çdo lloj pune, saktësisht njësoj si burrat. Verës, me lopatë, pastronim gropat septike, dimrit, me temperaturat nën 50 gradë, punonim me kazmë. Qelbeshim erë, nuk mund të na afroheshe!

– Në 3 dhjetor të vitit 1953 ju më në fund u kthyet në shtëpi, në Hungari. Pse ju lanë?
– Kishte vdekur Stalini. Ne punonim në ndërtimin e hekurudhave. Po na numëronin, si zakonisht. Duhet ta dini që gjithmonë na numëronin: në mëngjes kur zgjoheshim, kur dilnim nga gardhi, ndërsa ishim duke punuar dhe kështu me radhë deri në mbrëmje kur ktheheshim te barakat. Roja përgjegjës kur na dorëzonte te roja tjetër thoshte: “Po dorëzoj armiqtë e popullit”. Kush na merrte, përgjigje: “Pranoj armiqtë e popullit”. Kush largohej nga rreshti, vritej. Një mbrëmje, pasi na kishin numëruar, filluan të lexonin një listë me emra: ishte e çuditshme sepse deri atëherë nuk ka kishin thirrur kurrë me emër, në fund të fundit nuk ishim veçse numra. Filluan të lexonin emrat hungarez dhe gjerman. “Tani do të na çojnë në ndonjë lager tjetër” – thoshim me vete. Përkundrazi, hyri një oficer dhe na tha se do të ktheheshim në shtëpi. Fillimisht nuk e besuam, pasi shumë herë të tjera na kishin gënjyer. Duke nisur nga e nesërmja nuk na çuan më për të punuar dhe filluan të na ushqenin pak më mirë; filluan të sillnin dhe gra nga lagerat e tjerë. Filluam të shpresonin… Më në fund, një ditë erdhi treni dhe u nisëm për Lemberg.

– Prej andej u nisët për në Hungari?
– Kështu kujtova, se do të mund të ktheheshim shpejtë. Por nuk ishte bash ashtu. Në Lemberg vazhdonin të vinin qindra trena me të burgosur nga të gjithë cepat e Bashkimit Sovjetik. Ata të kombësive të tjera vazhdonin menjëherë për në atdhe, por ne hungarezët pritëm 6 muaj, sepse Mátyás Rákosi [udhëheqësi i Partisë Komuniste në Hungari nga viti 1945 deri në 1956. Shën. MVSK] nuk donte të na pranonte. Më në fund në dhjetor, me vendim zyrtar sovjetik, na kthyen në shtëpi. Në kufi na dorëzuan te autoritet hungareze: kaluam nga shiu në breshër. Ramë në duart e AVO-s [policia famëkeqe sekrete e Hungarisë. Shën. MVSK], të cilët na dërguan – 22 gra dhe 1 200 burra – në një kamp afër Sóstó-s (në kufirin lindor). Pas një jave, një oficer na kumtoi se duhet ta mbanim mend që rikthimi ynë në atdhe ishte meritë e shokut Mátyás Rákosi-t, por edhe që nuk duhet të flisnim me njeri për ato që kishim përjetuar, përndryshe do të na dërgonin përsëri andej nga kishim ardhur. Pas kësaj na lejuan të ktheheshim në shtëpi.

– Duke rikujtuar tetë vitet që kaluat në Gulag, cila ishte përvoja më tronditëse?
– Nuk di ta them; çdo gjë ishte tronditëse. Ende sot nuk arrij të kuptoj atë që kam përjetuar. Gjithmonë pyes veten përse pikërisht unë, duke qenë se nuk kisha bërë gjë, kundër ndokujt.

– Duke vlerësuar krimet kundër njerëzimit, mendoni se ka ndonjë ndryshim midis nazizmit dhe komunizmit dhe ndërmjet viktimave të të dy diktaturave totalitare?
– Nuk ka ndonjë ndryshim. Megjithatë ne trajtohemi ndryshe. Flitet më shumë për viktimat e nazizmit se për ne. Atyre ju njihen shumë gjëra, neve jo. Për ne as nuk flitet edhe pse në Gulag vuajtën dhe vdiqën qindra mijëra hungarezë.

– I keni falur?
– Personat e veçantë: po. Komunizmin dhe pushtetin sovjetik nuk mund ti fal, më rrënuan jetën.

Intervistuar nga István Stefka.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s