Home

Kryengritja kundërkomuniste e Zhapokikës, Tepelenë.

Krahasuar me kryengritjet e mëparshme antikomuniste në Shqipëri, Lëvizja e Zhapokikës ishte një lëvizje lokale, që shpërtheu spontanisht brenda vetes për një kohë të shkurtër: shtator-tetor 1948 dhe pa ndonjë lidhje direkte me lëvizjet e tjera politike dhe luftarake. Megjithatë, ajo që e bashkon me ato, qe fryma antikomuniste, pakënaqësia ndaj qeverisjes dhe përpjekja me armë kundër regjimit.
Zhapokika, nga e cila e mori emrin kryengritja, është një fshat i njohur në rrethin e Tepelenës.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe fitores së komunistëve, edhe në këtë rreth nisën arrestimet, pushkatimet e burgimet masive, ndërkohë që në Tepelenë u ngrit kampi më i tmerrshëm i internimit të familjeve “reaksionare” nga e gjithë Shqipëria. Tepelena e njohur për atdhetarinë dhe mikpritjen, u kthye në një geto famëkeqe të komunizmit.
U goditën familjet e pasura, intelektualët e klerikët e njohur, ithtarët e Ballit Kombëtar, më pas edhe mjaft nga ata që kishin marrë pjesë në Lëvizjen NÇ, por ishin zhgënjyer, si edhe fshatarë të pakënaqur nga reforma agrare, tatimet apo diferencimi politik. U pushkatuan me gjyq e pa gjyq: Syrja bej Vasjari, nga një familje e madhe atdhetare, intelektual me universitet mbaruar në Francë, ish-komandant i një çete të Ballit Kombëtar, i tërhequr në jetën private pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes; Baba Ali Tomori, atdhetar, poet, historian, eseist, përkthyes; At Gjergj Suli, klerik ortodoks; Baba Shefqet Mahmutaj i Koshtanit, klerik bektashi; Zenel Shehu, ish-komisar batalioni partizan, klerik e pronar tokash; Kristaq Peshtani, ish-fanolist, komandant i një njësiti partizan e të tjerë.
Persekutimi i këtyre intelektualëve, por edhe i dhjetëra të tjerëve, kishte për qëllim asgjësimin e këtyre figurave që konsideroheshin “armiq , tradhtarë e kundërshtarë politikë”, por edhe nënshtrimin e plotë të popullit. Por, nuk ndodhi menjëherë ashtu. Terrori i paparë pati edhe reagime, jo vetëm në sferat intelektuale, por edhe në ato fshatare.
Xhemal Brahimi dhe Bajram Kamberi, drejtuesit e saj, qenë fshatarë të pakënaqur.
Xhemali thotë në një mbledhje: “Poshtë komunizmi nga i cili e pësuam të gjithë!”(1) (sipas deponimit në hetuesi të Bajram Kamberit.(2)
Beg Veizi, një nga fshatarët kryengritës, dëshmon në hetuesi: “Gjendja e sotme ekonomike është e mjerueshme. Ky pushtet na rropi të gjallë me tatim-fitimet dhe na la lakuriq”.(3)
Sefer Yzeiri, edhe ai bujk nga Zhapokika, deklaron në gjyq: ” Unë kisha pakënaqësi ndaj pushtetit dhe kam biseduar me Safet Kamberin dhe Xhemal Brahimin, të cilët më kanë folur kundër pushtetit. Se ky pushtet na mori tokën, na mori pasurinë dhe na la në të keq”.(4)

Nga këto dy-tri pasazhe, del qartazi edhe shkaku kryesor i kryengritjes fshatare të Zhapokikës: gjendja e mjerueshme ekonomike e fshatarësisë, por edhe urrejtja për regjimin komunist, që i zhveshi nga liria dhe nga toka.
Ishte ajo fshatarësi mbi të cilën u mbështet kryesisht Lufta Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga komunistët, që luftoi dhe u sakrifikua në luftën për çlirim, së cilës iu premtua se do të ishte zot i fateve të veta, se s’do të kishte më shfrytëzues dhe do të hante me lugë të florinjtë. Mirëpo ajo fshatarësi u kthye në raja’ të pushtetit, që u bë shfrytëzuesi më i madh i saj.
Xhemal Brahimi, fshatar i mesëm, ish-partizan dhe nga fundi i luftës ballist, komandant i një njësiti të Ballit Kombëtar, i pakënaqur nga reforma agrare që i kishte marrë tokat, i zhgënjyer tërësisht nga pushteti komunist, vendosi të organizonte një kundërshtim me armë. Fillimisht ai doli në arrati, pa i humbur kontaktet me banorët e fshatrave, bëri për vete dhe u lidh me fshatarët e pakënaqur të krahinës së tij, mandej edhe të krahinave për rreth. Këtë e realizoi nëpërmjet propagandës antipushtet, nëpër takimet individuale, por edhe nëpër mbledhjet e organizuara në Zhapokikë, Luftinjë, Kamçisht, Dukaj, Salari, Plashnik, Levan, Gllavë etj.
Sipas dëshmive të të arrestuarve të kësaj lëvizjeje, Xhemal Brahimi u fliste fshatarëve për gjendjen e mjeruar të tyre, u thoshte se pushteti i kishte ditët të numëruara, se lëvizja e tyre kundër kishte mbështetje brenda rrethit të Tepelenës, por edhe te një pjesë e qeverisë, se Veriu i Shqipërisë ishte në kryengritje, se ishte krijuar një qeveri demokratike në mërgim dhe se miqtë anglo-amerikanë do të ndërhynin.
Sipas dokumenteve arkivore, Xhemal Brahimi u mbështet nga pjesa më e ndërgjegjësuar dhe më e guximshme e fshatarëve të Zhapokikës, mandej edhe të disa fshatrave të Beratit, Mallakastrës, Fierit dhe Gjirokastrës, duke i dhënë lëvizjes një shtrirje disi më të gjerë, por gjithsesi të lokalizuar dhe me përbërje shoqërore vetëm fshatare.
Kështu, në kontaktet personale, por edhe në mbledhjet e fshehta, ai u lidh dhe bashkëpunoi fillimisht me Bajram Kamberin, ish-xhandar, bujk i varfër që ishte ndihmuar nga reformat e pushtetit, por nuk e pëlqente regjimin, Mehmet Yzeirin, i cili kishte 2-3 përgjegjësi në fshat (kryetar fronti në Zhapokikë dhe këshilltar komune në Buz), por që ishte i pakënaqur dhe propagandonte kundër pushtetit, Salo Kaso, këshilltar dhe funksionar policie i komunës Buz, Sefer Yzeirin, bujk nga Zhapokika, Xhelal Begaj nga Zhapokika, bujk, ish-anëtar i Ballit Kombëtar, Safet Kamberin, bujk nga Zhapokika, një nga organizatorët e lëvizjes, Skënder Alikon, nga Plashniku i Beratit, Sulo Zaimin, ish-major i ushtrisë mbretërore, që punonte në fshehtësi kundër regjimit e të tjerë.
Korierët Mehmet Didaj, Mehmet Veseli, Hajri Mahmutaj, Balil Veliu, çonin e sillnin letra, merrnin pjesë në mbledhje konspirative në Mallakastër, Gjirokastër e Berat. Kërkohej përkrahje tek njerëz të një mendimi, kërkohej që të rrëmbeheshin armët.
Xhemali Brahimi dhe grupi i tij i afërt u mbështetën në veçanti në fshatrat e Zhapokikës, Luftinjës dhe Kamçishtit, ku arritën të siguronin e mblidhnin rreth 25 njerëz të gatshëm për kryengritje.
Kështu, në 20 shtator të vitit 1948 u formua çeta e Xhemal Brahimit, i cili dëshmoi përvojë, kur çetës në fjalë i dha pamjen e një formacioni ushtarak me simbolet, shtabin, komandën dhe detyrat luftarake.
Simbolet ishin: Flamuri i çetës me shqiponjë e pa yllin e kuq. Çeta mori emrin “Baba Shefqet”, klerik në zë i krahinës, i pushkatuar më 14 janar 1948. Himni i çetës u bë “Kënga e Baba Tomorit”. Krijimi i vargjeve të kësaj kënge i atribuohen Baba Shefqetit. Kënga u këndua ditën e krijimit të çetës dhe në vazhdim:

Ejani, o popull, mblidhuni me ne,
O Baba Tomori, lësho një rrufe!
Armët ne i kemi, fshehur nënë dhe
Do të bëjmë luftë,flakë e batare.

Betimi: sipas ritualit të zonës, secili i përbetuar kalon 100 lekë midis buzëve dhe thotë me zë të fortë formulën: “Zoti më vraftë po të tradhtoj”. Me këto lekë më pas blihen qirinj e ndizen në faltore, në tyrbe, për të shenjtëruar betimin. Armatimi: pushkë nga të fshehurat nën dhé mbetur pas çarmatimit, bomba dore, një mitraloz “Breda”. Shtabi e komanda zgjidhen me votim më 28 shtator 1948: komisar politik Xhemal Brahimi, komandant Bajram Kamberi, nënkomandant Mehmet Yzeiri, Salo Kaso anëtar shtabi, Sefer Yzeiri caktohet kryetar i skuadrës së atentatorëve me emrin “Dora e zezë”. Detyra e çetës: Të luftojë me armë qeverinë, të vihet në lidhje me çeta të tjera derisa në Shqipëri të krijohet një qeveri nacionaliste, demokratike. Deponimi në gjyq: “Na kërkoi si ushtarë Xhemal Brahimi që të bëjë qeveri demokratike. Jemi ushtarë, jo rebelë” (5)
Këta malësorë, këtë lloj organizimi e pëlqejnë. Ata e marrin seriozisht se ky lloj organizimi i shndërron ata në ushtarë e jo në rebelë. Prapavija që siguronte ushqimin dhe bazat në tërheqje, përbëhej nga Tefik Aliu, Muharem Shabani, Teme Mehmeti. Nga origjina, 25 kryengritësit janë: 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Maliq Dervishi 58 vjeçar, ish kryeplak tërhiqet nga arratia. Demo Aliun, Myfit Islamin dhe Adem Memën nga fshati Salari i arrestojnë para se të bashkohen me çetën. Mosha mesatare e tyre është rreth 40 vjeç. Më i riu është 19 vjeç, më i moshuari, Bajram Kamberi 59 vjeç. Të gjithë janë familjarë të rregullt, me fëmijë e të padënuar më parë nga gjykata, veç Sefer Yzeirit, i dënuar për motive ordinere. Nga dosja hetimore del se vetëm gjashtë kryengritës kanë qenë ballistë me armë në dorë.(6)
Në akuzën e prokurorit ushtarak, Mustafa Beqo, dt.4.06.1949, thuhet: “Pjesa më e madhe e kësaj bande ka qenë e inkuadruar në organizatën e Ballit Kombëtar dhe e kanë luftuar Lëvizjen NÇ… Janë prekur nga reformat e pushtetit popullor dhe i kanë kundërshtuar ato. Kanë bërë mbledhje të fshatarëve nën drejtimin e Xhemal Brahimit dhe Bajram Kamberit te Lodha e Madhe në Zhapokikë, në fermën e Zolcit, etj. për t’u organizuar nën drejtimin e Komitetit Nacional të Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit… Qëllimi: të hidheshin në arrati, të formonin çeta dhe të fillonin veprimet kundër pushtetit.
Ata krijuan bandën nën drejtimin e Xhemal Brahimit dhe Bajram Kamberit”.(7)
Komandanti i çetës rrëfen në hetuesi: “Mbledhjen e parë e kemi bërë në Ledhin e Madh, me iniciativën e Mehmet Yzeirit dhe mermin pjesë unë, Bajram Bamberi, Sefer Yzeiri, Shaqo Limja dhe Salo Kasoja. Të nesërmen u bë mbledhja në malin e Zhapokikës, ku erdhi edhe Xhemal Brahimi, që ishte në arrati… Xhemali në fjalën e tij tha se kishte lidhje me personalitetet e larta të shtetit dhe ato lokale, si edhe me të arratisurit Dilaver Çerogjafin, Abaz Ermenjin… në mbledhjen tjetër që bëmë në Kamçisht morën pjesë edhe kamçishtasit: Bilal Fetahu, Halit Sulo, Sefte Xhemali, Gani Karjolli, Teme Bajrami dhe Qamil Asllani. Edhe këtu foli Xhemali, që e mbylli me fjalët: Poshtë komunizmi, nga i cili e pësuam të gjithë”.(8)
Çeta kryengritëse erdhi duke u rritur, ndërkohë që krijoi një shqetësim të madh në qeveri. Raportet e Sigurimit të Shtetit për Tepelenën, si edhe të dhënat për kryengritësit, e tregojnë këtë shqetësim, por edhe angazhimin e plotë të pushtetit për ta shtypur, në mënyrë të veçantë forcat policore dhe ushtarake të Tepelenës e të Beratit.
Gani Kojdheli dëshmon: “Ka ardhur çeta në shtëpinë e Halil Muços dhe më thirrën edhe mua të veja. Në këtë mbledhje folën Xhemal Brahimi dhe Bajram Kamberi. Më thanë të veja në çetë, por unë nuk vajta. Të nesërmen erdhi policia, që të më arrestonte tek punonja në arë. U thashë që të lëshoja qetë , por ata më shtytën me automatik. Në këtë kohë, Bajram kamberi dhe shokët e tjerë të çetës qëlluan mbi policinë dhe më shpëtuan. Që atëherë shkova në çetë.”(9)
Në datën 2 tetor 1948 çeta ra në luftim në fshatin Kamçisht me forcat e Sigurimit e të policisë, që kishin ndaluar tre nga kryengritësit e këtij fshati. Çeta i liroi të ndaluarit, pasi sprapsi forcat qeveritare, duke qëlluar në ajër. Ndërkohë, çeta kapi dy fshatarët spiunë, që kishin kallëzuar bashkëfshatarët e tyre dhe i kërcënoi me vrasje. Madje, Sefer Yzeiri mëtoi t’i qëllonte me armë, por e ndalën. Nuk kemi ardhur të vrasim njëri-tjetrin, i thanë dhe i lëshuan.
Çeta ishte vijimisht në survejimin dhe ndjekjen e Sigurimit dhe të ushtrisë së Tepelenës dhe asaj që kishte ardhur nga rrethi i Beratit. Për t’i shpëtuar asgjësimit, çeta çau rrethimin në Plashnik e Molisht dhe mori drejtimin e Beratit, po në Gllavë u rrethua sërish. Në përpjekjen me armë të datës 8 tetor 1948 në u vranë dy policë të forcave qeveritare, nga ana tjetër nënkomandanti i çetës kryengritëse Mehmet Yzeiri, si dhe anëtari i shtabit të saj, Salo Kaso. Në këtë luftim, forcat kryengritëse u shpartalluan dhe, disa kryengritës u dorëzuan vullnetarisht, disa u arrestuan dhe të tjerë morën arratinë, por u kapën dhe u asgjësuan. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistuan më gjatë. I fundit, Bajram Kamberi, u arrestua pas disa rrethimeve në muajin janar 1949. U vra edhe vëllai i tij, Safet Kamberi, njëri ndër organizatorët e kryengritjes.
Sefer Yzeiri, një nga drejtuesit e çetës, dëshmon në hetuesi: “Unë kisha pakënaqësi ndaj pushtetit dhe kam biseduar me Safet Kamberin dhe Xhemal Brahimin, të cilët më folën kundër pushtetit, se ky pushtet na mori tokën, na mori pasuritë dhe na la në të keq. Kemi bërë tri mbledhje, ku foli Xhemal Brahimi. Njerëzit erdhën vullnetarisht. Mua më bindi vëllai im Mehmeti, që kishte 3-4 përgjegjësi në pushtet dhe unë e besova… Në Kamçisht i qëlluam në hava policët që kishin ardhur të na arrestonin, se kishte popull. Policët u kthyen nga kishin ardhur… Në Gllavë na rrethuan ushtria. Unë kam dalë nga rrethimi”.(10)
Siç shihet edhe nga këto dëshmi, kryengritësit nuk kishin asnjë qëllim të vrisnin policët, apo ushtarët e popullit. Në Kamçisht gjuajtën në ajër, po ashtu sa herë që kishin rënë në përpjekje, u ishin shmangur vrasjeve. Vetëm në pyllin e Gllavës, ku u rrethuan për t’u asgjësuar, u vranë në përpjekje dy policë. Pra, synimi i tyre nuk ishin vrasjet apo atentatet, por ngritja e popullit për të përmbysur pushtetin komunist, me shpresë se do të bashkoheshin me krahinat e tjera, që ta bënin lëvizjen më të përgjithshme, si edhe me shpresën e ndërhyrjes anglo-amerikane. Mirëpo, kjo ishte e pamundur në atë kohë, ndaj edhe kryengritësit e Zhapokikës dështuan dhe u kthyen në viktima të ndëshkueshmërisë komuniste.
Thuhet se në këto përpjekje me forcat kryengritëse është vrarë edhe shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi. Kjo vrasje është e dyshimtë, sepse nuk përmendet fare gjatë hetuesisë, nuk akuzohet dhe nuk pyetet asnjë i pandehur për vrasjen e togerit, nuk është pjesë e akuzës së prokurorit dhe as në proces-verbalet e Sigurimit të Shtetit. Përmendet vetëm në parashtrimin e gjykimit të gjykatës ushtarake të Gjirokastrës dhe në fjalën e fundit të Bajram Kamberit para pushkatimit, kur ai e mohon vrasjen e Makashit nga ana e çetës. Edhe në gjykimin e çështjes në Gjykatën e Lartë nuk përmendet fare. Mendoj që shefi i Sigurimit mund të jetë vrarë në rrethana misterioze, ndoshta e ka likuiduar vetë Sigurimi për mossyçelësi, ose është vrarë në ndonjë përpjekje dhe nuk e kanë zënë në gojë për të mos bërë bujë.
Kryengritësit dhe mbështetësit e tyre u burgosën dhe u gjykuan nga gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës. Prokurori ushtarak Mustafa Beqo i akuzoi në grup (akuzë kolektive) Për faje kundër shtetit dhe popullit. Kanë marrë pjesë në bandën kriminale terroriste të Tepelenës. Kanë bërë propagandë kundër pushtetit popullor dhe kanë paraqitur gjendjen e brendshme kritike dhe rrëzimin e shpejtë të saj. Kanë propaganduar ngritjen e një qeverie nacionale me ndihmën e imperializmit anglo-amerikan.

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar:
1. Në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor.
2. Kanë marrë pjesë në luftimet ndaj organeve të pushtetit popullor, si në fshatin Kamçisht të Tepelenës, në Gllavë të Beratit dhe gjetkë.
3. Gjatë luftimeve kanë vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Punëve të Brendshme të Tepelenës.
4. Kanë lidhur dhe rrahur fshatarët Shefit Myslimin, Hajredin e Qerim Asllanin, të cilët kanë dashur t’i ekzekutonin.

Gjykata ushtarake vendosi:
1. Bajram Kamberi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Zhapokikë, bujk, i arrestuar në janar 1949, dënohet me vdekje, si drejtues i kësaj bande, për pjesëmarrjen në gjithë luftimet, për qëndrimin e tij në arrati deri sa është arrestuar, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.
2. Sefer Yzeiri, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, i arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me vdekje.
3. Shaqo Muçodemaj, 29 vjeç, nga fshati Luftinjë, bujk, i arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 20 vjet burg dhe punë të detyruar.
4. Xhemil Asllani, 21 vjeç, nga fshati Luftinjë, bujk, i arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
5. Xhelal Begaj, 35 vjeç, nga Zhapokika, bujk, i arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
6. Mete Kalo Didaj, 36 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 19 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
7. Balil Ahmetaj Veliu, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
8. Xhelal Begaj, 35 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
9. Gani Kojdheli, 36 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
10. Mehmet Muçodemaj, nga Lufinja, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
11. Hajri Mahmutaj, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948,, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
12. Selfo Xhemali, 49 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
13. Beg Veizi, 49 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
14. Nuredin Xhaferri Rrodhaj, 29 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 16 tetot 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
15. Hajredin Alushi, nga Zhapokika, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
16. Mehmet Kalemaj, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
17. Teme Pajo, 49 vjeç, nga Zhapokika, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
18. Shefqet Didaj, 19 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
19. Sehit Çaushaj, 34 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
20. Jashar Canaj, 44 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 16 tetot 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
21. Maliq Dervishi, Didaj, 57 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
22. Demo Aliu, nga Salaria, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
23. Riza Çaushi, 49 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
24. Myfit Islami, nga fshati Dukaj, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
25 Adem Memaj, 21 vjeç, nga Salaria, punëtor, arrestuar më 10 tetor, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
Të gjithë të dënuarve u sekuestrohet pasuria dhe humbasin të drejtën elektorale.

Siç shihet, të dënuarit ishin 24 bujq dhe një punëtor: Adem Memaj, ish-mësues, që ishte pushuar nga puna si i deklasuar, u ridënua disa herë dhe vdiq në burg. Hajri Mahmutaj, korieri i çetës vdiq në burg, i goditur nga gardianët, dy ditë para se të plotësonte dënimin.
Arrestimet dhe dënimet vazhduan: mëse 30 burra nga Zhapokika, Luftinja dhe Gllava, të akuzuar si mbështetës të kryengritjes. E gjithë krahina u vesh në zi.
Xhemal Brahimi, drejtuesi kryesor i Lëvizjes, u arratis në Greqi e mandej në SHBA. Sa qe në Evropë, hyri disa herë si diversant në Shqipëri, por nuk bëri dëm e nuk u hakmor me njeri. Vdiq në SHBA në vitet ’70. Vëllai i tij, kryengritësi Xhemil Bajrami, u dënua me burg, ndërsa familja e tij dhe e Xhemalit, si edhe gjithë familjet e të dënuarve politikë, u internuan në kampet e përqendrimit për mëse 40 vjet rresht, deri sa erdhi demokracia.

“Revolta e Zhapokikës” ishte tipike fshatare, ishte grahma e fundit e një lirie që dha shpirt. Ajo ishte dëshpërimisht antikomuniste, se u drejtua kundër një shteti komunist, nën të cilin duroi e vuajti plot katër vjet. Me fjalët e tyre “jemi ushtarë e jo banditë”, “do bëjmë qeveri demokratike”, shprehin përgjegjësinë për të ndryshuar fatin, ndjenjën e dinjitetit dhe kërkesën për një jetë më të drejtë. Ata ushtarin e njihnin se ç’ishte, ushtari merr një detyrë dhe vdes me nder për të.(11)

(1) Arkivi i MB, dosja 1466
(2) Po aty
(3) Po aty
(4) Po aty
(5) S.Bejko, Kryengritja e Zhapokikës .
(6) Po aty
(7) Arkivi i MB, dosja gjyqësore 1466
(8) Po aty
(9) Po aty
(10) Po aty
(11) S.Bejko, Kryengritja e Zhapokikës.

Uran Butka.

Kryengritjet e para kundërkomuniste, Tiranë, 2013.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s