Home

Prof. Sergio Ricossa

 

Të dallosh një intelektual “të majtë” nuk është aspak e zorshme, pasi ai shpaloset gjithandej dhe lidhet vetëm me ata që janë shpallur të tillë. Për të, çdo intelektual tjetër është një qenie e ulët, madje nuk është aspak intelektual: është “një shërbëtor i padronëve” apo edhe më keq. Megjithëse bëhen vetëm me njëri tjetrin, intelektualët “e majtë” duket se nuk duhen. I japin vlerësime njeri-tjetrit, por është një do ut des, pra vetëm një shkëmbim dekoratash bujare: “Më jep një nderi i…” të të jap një emër rruge. Kjo, në të vërtetë, nuk i pengon aspak që të shahen mes tyre. Si fisnikët e dikurshëm sfidoheshin vazhdimisht në duel; por duke mos pranuar të ndesheshin me një plebe, pasi e cilësonin si të pahijshme, ashtu dhe intelektualët “e majtë” nuk denjojnë të debatojnë me një njeri të damkosur si i djathtë. Duket se këta nuk duan askënd përtej vetes së tyre, si Narcizi. E duan popullin por si koncept dhe me të gjitha gjasat e urrejnë si një bashkësi njerëzish të gjallë, pra të zhurmshëm, të djersitur, të pasjellshëm, vulgar. Populli i gjallë bëhet i durueshëm vetëm nëse soditet nga lartësia e një podiumi, mjaftueshëm të lartë dhe të veçuar. Rreshtimi i popullit në aradhe, komandimi i tij, përkujdesja, por përkujdesje si për të miturit, dhe në fund vjelja e duartrokitjeve e tij: kjo e tërheq atë që vendoset “majtas”. Tërheqje që bëhet edhe më fortë sa më të largët këta intelektualë ta kenë origjinën nga populli. Në këtë rast mund të interesohen për shoqërinë, ashtu një anëtarë i organizatës për mbrojtjen e kafshëve, interesohet për kafshët: me intensitet dhe shkëputje. Borgjezi përgjithësisht nuk mundet: ose është ende mes popullit apo sapo ka dalë në sipërfaqe dhe nuk e mohon. Populizmi i intelektualit “të majtë” nuk është shenjë e origjinës popullore, përkundrazi. Që të kuptohemi, edhe “majtas” ka persona që i rezistojnë kësaj tërheqjeje. Edhe pse intelektualët “e majtë” vetëkënaqen duke u cilësuar si një rreth homogjen dhe ekskluziv (“unitar”), edhe pse përpiqen t’ju ngjasojnë atyre teologëve që Huygens-i i krahasonte me derrat që “nëse i shkul bishtin njërit, hungërijnë të gjithë”, borgjezi, duke rrezikuar edhe t’ju prishë qejfin, duhet të bëjë dallimet dhe t’i ndajë njëri nga tjetri. Duke bërë kështu, do të zbulojë se në mes të këtij kolektivi ka dhe ndonjë borgjez të vërtetë, që nuk e di se është i tillë, apo e di shumë mirë dhe përpiqet ta fshehë. Mes tyre që ngërdheshen kundër borgjezisë do të zbulojë njerëz të sinqertë dhe mashtrues, të lexuar dhe injorantë. Ajo që borgjezi nuk duhet të lejojë në asnjë rast është që intelektualët “e majtë” të kenë më shumë autoritet moral apo shkencor, apo të çdo lloji tjetër, për të diskutuar rreth drejtësisë, demokracisë, ngritjes së shtresës së ulët, zhvillimin shoqëror apo lirinë. Nuk e kanë këtë autoritet, aq më shumë kur e pretendojnë dhe kalojnë në mburrje apo hipokrizi. Intelektualët “e majtë” kanë zhvilluar një fjalor të tyrin, të veçantë, i errët dhe sugjestionues, për të dhënë mend mbi ato tema.

Në format e tij më të larta, gjuha “e majtë” është një mjet i rrezikshëm dhe poshtërisht efikas. Falë saj, u desh më shumë se një shekull, u deshën shumë vajtime, për të kuptuar që pothuajse e gjithë ekonomia e Marksit është thjesht një lojë fjalësh: jo aq një kështjellë letre sa një kështjellë zërash të fjalorit. Më të mprehtët e kuptuan qysh në krye të herës, megjithatë ende sot nuk kemi një metodë të plotë për të demaskuar çdo llafemadhi të këtij lloji. Kemi disa shënime të shpërndara, si në rastin e sistemeve socialiste të borgjezit Vifredo Pareto, ekonomisti më i mirë italian, në të cilat ju hiqet maska rregullave “të majta”. “Përdorimi në dobi të tezës së mbrojtur vetëm i termave që lidhen me një ide të miratueshme”. Qasja e ideve vlen më shumë se deduktimi logjik.

“Përkufizimet më të errëta janë më të mirat. Duken si jashtëzakonisht të thella dhe shumë veta besojnë se shohin gjëra të mrekullueshme, që në të vërtetë ekzistojnë veçse në imagjinatën e tyre. Është thjesht një rast vetësugjestionimi dhe halucinacioni.” Termat abstrakt preferohen ndaj atyre konkret: të parët pranojnë perfeksionin, të dytët jo. Kundërthëniet janë të ligjëruara në emër të dialektikës. Mënyra më e mirë për t’u mos u përgënjeshtruar është të pohosh çka nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit. Irracionalja, asaj që i mungon kuptimi, është një nga elementët e pakundërshtueshëm të intelektualitetit.
Sigurisht, arti i mashtrimit me anë të fjalëve është i vjetër dhe përgjithësisht i respektuar nga njerëzimi. Në të vërtetë nuk ka arsye për të mos admiruar artistët e mëdhenj të çdo fushe, në rastet kur nuk hiqen si shkencëtarë apo filozofë të mëdhenj. Hilet retorike të sofistëve i argëtonin grekët, me kusht që të ishin të ndershme dhe haptazi, apo të nënkuptuara, të pafajshme njësoj si ato të iluzionistëve apo prestigjatorëve në teatër. Protagora u kërkonte studentëve të vet, të thurnin elozhe për diçka që sapo e kishin denigruar: u mësonte kështu, të vaksinoheshin kundër naivitetit, ndaj tërheqjes së fjalës aq të ngjashme me tërheqjen e muzikës, por shumë më e rrezikshme. Sot duhet ti tutemi artit që përdoret për qëllime jo të drejta dhe të cilin nuk guxohet të denoncohet pasi është art i madh. Pareto citon disa pjesë nga Hegeli, si kjo: “Shteti është realiteti i Idesë morale, shpirti moral për sa vullnet thelbësor, i dukshëm, i qartë ndaj vetvetes, që mendohet dhe dihet, dhe që kryen atë që di, në masën që di”. Pareto është Pareto dhe nuk druhet të thotë: “E gjitha kjo është pa kuptim dhe ngjan me halucinacionet e një ëndrre”. Shumë të tjerë nuk e kanë këtë guxim ndërsa disa të tjerëve u volit të imitojnë stilin hegelian, që ndërkaq është kthyer në stilin universal të atij që me kosto të ulët, do të hiqet si i kulturuar. Nëpërmjet tij jo vetëm që trafikohet çdo ide, por më keq, bëhet “kulturë” pa ide. Mjafton të mësosh përmendësh gjuhën e posaçme intelektuale, t’i frysh asaj, gjë që, në ndryshim nga gjenialiteti apo dhe vetëm inteligjenca, çdo kush mund ta bëjë. “Idioti i majtë ka një prirje të theksuar për çdo gjë që është e vështirë. Beson se vështirësia është thellësi” (Leonardo Shasha).

Joidiotit “të majtë” i pëlqen që të tjerët të mendojnë kështu, e nga kjo përfiton. Si të gjithë dogmatikët pëlqen sofizmat. Borgjezi, që do të mbrohet apo më mirë të sulmojë, do të bënte mirë t’ia linte artin e llomotitjes kundërshtarit. Nuk bën për të. Në karakterin e borgjezit ka një parapëlqim të patjetërsueshëm për gjërat konkrete, që e shtyn të marrë seriozisht individin (realitetin) dhe jo kolektivin (abstrakten). Le të ndjekë, pra, këtë parapëlqim dhe të mos marrë seriozisht llafazanërinë e intelektualëve “të majtë”, të mos përfshihet në të. Kur i has, të qeshë me koleksionin e idiotësive. Ti studiojë me qëllim që të shprehet bash me stilin sa më të kundërt të mundshëm. Të synojë qartësinë, të sakrifikojë kinkalerirat; të synojë thjeshtësinë edhe duke rrezikuar thjeshtësimin. Të ndjekë gjuhën e Makiavelit, që në veprën e tij pohonte se, ndryshe nga të tjerët, nuk kishte dashur ta zbukuronte apo ta mbushte me formulime të gjera, fjalë të mrekullueshme apo garnitura të tjera. Të admirojë urtësinë e Royal Society, që në një shekull përgatitjesh të revolucionit, shumë borgjez, industrial, përpiqej të krijonte një gjuhë të shpejtë dhe të saktë, këshillonte pakësimin e një teksti prej dhjetë faqesh në pak rreshta.

Borgjezi i mirë di të kursejë fjalët, madje dhe rrokjet, ashtu si këshillonte Herbert Spencer (ai i privatizimit të monedhës), që në Philosophy of Style, për këtë arsye quante fjalët saksone më të mira se ato latine (sot do të doja të shtoja: ato latine më të mira se gjermanet). Spencer-i parapëlqente fjalët specifike kundrejt atyre të përgjithshme (“shishja” më mirë se “të pirët”), dhe lavdëronte sinekdokën (pjesën ndaj të gjithës), gjithmonë në kërkim të asaj që mund të kapet më lehtë dhe me më siguri. Pse duhet të shkojmë larg, kur afër nesh kemi gjuhën e Makiavelit? Qartësia mendore çon borgjezin në qartësinë e llogarive. “Për të pasur një siguri vlen më shumë masa sesa një sistem filozofik”, pohonte borgjezi Vittorio G. Rossi, që dhe ai vetë, në mënyrën e tij ishte filozof. Pra, mund të duash më shumë numrat se fjalët, me kusht që të jenë të dhëna të verifikueshme dhe jo shpikje të imagjinatës. Borgjezia nuk i shpik numrat, i mjafton që e ka shpikur si koncept shumë shekuj më parë, në Mesopotami, për të lehtësuar tregtimin e gjësë së gjallë dhe grurit. Që atëherë, epokat e mëdha borgjeze kanë qenë epoka kontabiliteti dhe statistike, matematike dhe shkence. Të matësh për të njohur është objektivi i përbashkët i borgjezit dhe shkencëtarit. Italia dhe Britania e Madhe japin shembujt më të mirë. Në shekullin XIII, tregtari nga Piza, Loenardo Fibonacci futi në Perëndim numrat dhjetorë dhe disa lojëra numrash. Kontabiliteti modern u shpalos nga tregtarët italianë të Rilindjes, ata që Alberti këshillonte “kishin gjithmonë duart me bojë shkrimi”. Kontabilitet i teorizuar nga Luca Pacioli në 1494 si pjesë e matematikës dhe e gjeometrisë. Të kujtohen ata që përçmojnë llogaritarin se miku i Paciolit, Leonardo da Vinçi, vizatoi dhe figurat. Më vonë, në shekujt XV dhe XVI, Britania e Madhe, ajo e tregtarëve, që lindi revolucionin industrial, u përshkrua e gjitha nga mania e sipërmarrjes dhe matematikës. Vetë Njutoni, pasi e ktheu universin në numra, ju dha spekulimit, në kuptimin e lojës në bursë: një projekt jo solid, por liria dhe opinioni botor krijonin hapësira për të gjithë ata që kishin një projekt. Askush nuk dënonte nismën dhe ndjenjën e sipërmarrjes, guximin dhe dëshirën për t’u pasuruar. Për krahasim duhet themi që në Italinë e sotme, ku shpirti borgjez është mekur, shumë studentë të ekonomi-biznesit nuk dinë as të llogarisin një përqindje, të mos flasim pastaj për sipërmarrësit të cilët “e majta” mezi pret që ti pështyjë. Këta studentë të ekonomi-biznesit dhe ca intelektualë “të majtë” sa më pak e njohin matematikën apo statistikën, aq më shumë e përçmojnë. Në mos e përçmojnë, e përdorin në mënyrë jo të drejtë sa herë që të shtyrë nga kolektivizmi i hyjnë një beteje antiborgjeze, ku nuk përjashtojnë edhe goditjet poshtë brezit. Ka një “terrorizëm matematik”, në të cilin trembet kundërshtari duke i qëlluar me një breshëri ekuacionesh, derivatesh, integralesh, logaritmesh, matricash, teorish e të ngjashme. Ekonomistët e dinë. Gabime të llahtarshme dhe sofizma ekonomikë e politikë, fshihen pas pyllit të dendur të formulave, pyll që nuk mund të depërtohet nëse lexuesi nuk është i pajisur me durim, kohë dhe njohuri; por kush njollos fletët me dordolecë matematike mbështetet pikërisht mbi faktin që lexuesi nuk do të ketë durim, kohë dhe njohuri, për të mundësuar kështu gëlltitjen e përfundimeve më të papërtypshme, thua se i ka nxjerrë Anjshtanji. Megjithatë, borgjezit të mirë nuk i bëjnë përshtypje këto dhe i vijnë ndër mend “rregullat” e Alfred Marshall-it: “Së pari, matematikën përdore më shumë si gjuhë stenografike sesa si shtysë për kërkimin; së dyti, bëj kujdes me matematikën deri sa arrihet rezultati; së treti, rezultatin përktheje në gjuhë të kuptueshme; së katërti, ilustroje me shembuj që kanë rëndësi dhe që i përkasin jetës së vërtetë; së pesti, digje matematikën; së gjashti, nëse nuk e arrin pikën e katërt, digji të gjitha”. Duhet të shikonim më shumë nga këto zjarre.

Vlerësime të ngjashme vlejnë edhe për statistikën, që disa e gjykojnë si të ishte një mallkim. Nuk ka dyshim që me numrat, ashtu si dhe me fjalët, mund të gënjehet, ose në mos, të turbullohet shumëllojshmëria e vlefshme e borgjezisë, për këtë është mirë të bëhet kujdes me të ashtuquajturën makroekonomi, në të cilën me të njomin laget dhe i thati: borgjezi i mirë parapëlqen mikroekonominë, e cila nuk e harron kurrë individin që qëndron në bazë të çdo fakti social. Përdorimi më i keq i statistikës është kur ja përkushtojnë retorikës apo propagandës, jo për njohuri, por të t’ju mbushur mendjen njerëzve të thjeshtë. Në atë rast, shifrat shkëputen nga realiteti dhe vijnë vërdallë si fantazma. Mirë t’ju bëhet atyre që besojnë në fantazma: borgjezët nuk besojnë, ata duan gjithmonë të prekin me dorë. Borgjezëve u intereson fizika, nuk kanë më kohë për metafizikën, me ndonjë përjashtim të jashtëzakonshëm. Përkundrazi, intelektualët “e majtë” shqepen me metafizikë, pa e vrarë mendjen për cilësinë. […] Popper-i lidhur me teorinë marksiste të vlerës, pohonte se “thelbi platonik ishte shkëputur plotësisht nga përvoja”, e megjithatë përralla që doli, verboi gjenerata të tëra intelektualësh “të majtë”: ajo që më shumë i lidh, që njëkohësisht është dhe pikërisht ajo që borgjezët refuzojnë, është legjendarja, mitikja, magjikja. Ndërsa borgjezët janë për vështrimin, intelektualët ekzistencialistë janë për vështrueshmërinë. Pasi arrihet te “thelbi”, bëhet përshkrimi me fjalë të bukura, sugjestionuese, kërcënuese e më tej teorizohet me një sistem të gjerë dhe të ndërlikuar, me sa më shumë pohime apo teori matematikore. Fabrika e hiçit prodhon vetëm kuti bosh, por të vështira për t’u hapur, me forma mburrëse dhe artificiale, të mbivendosura në mënyrë të atillë sa formojnë arkitektura të shtrira deri sa të pushtojnë çdo cep të kulturës. Borgjezi që rastis, mund ta ndjejë veten si i burgosuri që në muret ciklopik të burgut lexon dënimin e vet. Në rast se ai u përmbahet, pa u lëkundur, parimeve të veta do të vërejë që muret në të vërtetë janë prej allçie, të afta për të burgosur vetëm atë që do burgun. Kështu është: ka një industri të fuqishme kulturore “të majtë” në gjendje të mbrojë me sukses atë arkitekturë, sigurisht me më shumë sukses sesa e sulmon industria kulturore borgjeze. Veçanërisht në Itali mund të ndodhë që borgjezia e shpërqendruar dhe e topitur të kalojë, drejtpërsëdrejti nga shtypshkronja te remainders një vepër të madhe të mendimit liberal si The Constitution of Liberty të Hayek-ut, apo të presë tridhjetë vite për të përkthyer The Open Society and Its Enemies të Popper-it, që është një tjetër kryevepër e gjinisë, e që asnjë prej botuesve të mëdhenj nuk ka ditur “ta zbulojë”. Kjo është arsyeja pse borgjezi i mirë mendon se botuesi dhe tirazhi i madh është i tillë për shkak të konformizmit dhe që për në bibliotekën e tij, edhe pa qenë dandy, ka pikë të dobët të rrallën, të veçuarën, surprizuesen. Edhe “zbulimet” di ti bëjë vetë.
Sergio Ricossa (1927 – 2016), cilësohet si një nga elementët më të spikatur të liberalizmit italian.
Përkthimi MVSK.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s