Retorika e rezistencës dhe ajo, në kuptimin më të gjerë, antifashiste, ushqehen nga një varg rrenash të vogla, përgjithësisht tip anekdotash, shuma e të cilave synon të krijojë një pamje të përgjithshme mashtruese. Por, herë pas here një e krisur shfaqet në mur. Ndonjëherë, duke nisur edhe nga shtypi “zyrtar”. I tillë është rasti i një shkrimi kushtuar Antonio Gramshit, botuar në gazetën [italiane] “Corriere della Sera”, nga profesori i filozofisë të Universitetit të Palermos, Franco Lo Piparo.
Studiuesi e nis nga shprehja e famshme e Prokurorit (por, që në kujtesën popullore, ndonjëherë i vishet vetë Musolinit): “Për njëzetë vite duhet të pengojmë funksionimin e këtij truri”. Bukur, sa për fillim: në të gjitha aktet e procesit, publikuar në formë të plotë në vitin 1961, nuk ka shenja të frazës së mësipërme, e cila në të vërtetë do të hidhet “në treg” nga Togliatti* dhe që menjëherë u cilësua si të ishte e vërtetë. Ishte po Togliatti që tregoi sesi kunata e Gramshit, duke përfituar nga rrëmuja e krijuar ditën e vdekjes së mendimtarit komunist, arriti të nxirrte nga qelia “Fletoret e burgut”. Gjynah që Gramshi nuk vdiq në burg, por në Quisiana, një prej klinikave më të shtrenjta në Romë. Teza e Lo Piparo-s është që vetë Musolini, pas një arrestimi formalisht të jashtëligjshëm (Gramshi gëzonte imunitet parlamentar), ngriti një “lloj rrjete mbrojtëse” kundrejt të burgosurit të veçantë.
Në të vërtetë, Gramshi në letrat e tij, përshkruan një qeli shumë të madhe dhe të pajisur mirë, në të cilën jetonte vetëm. Duke nisur nga shkurti i vitit 1929 mund të përdorë dhe letër e laps, madje edhe të ketë në përdorim libra që nuk gjendeshin në bibliotekën e burgut. Kur drejtori nuk e lejon këtë gjë (bëhej fjalë për veprat të Marksit, Trockit, etj.) ai i shkruan “Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Qeverisë”, duke i kërkuar autorizimin përkatës. Autorizim që i jepet. Prej dhjetorit të vitit 1933 dhe deri sa vdiq në vitin 1937, Gramshi nuk ka jetuar në burg.
Fillimisht u shtrua në klinikën e Formia-s e më tej në Quisiana. Dymbëdhjetë prej 33 Fletoreve, janë përpiluar në klinika, aq sa dhe Lo Piparo ironizon: “Saktësia filologjike kërkon që të quheshin Fletoret e burgut dhe të klinikave”. Në Quisiana mbikëqyrja është shumë e zbehtë, aq sa çdokush hyn e del nga klinika. Duhet thënë se një pjesë e shpenzimeve u paguan edhe nga Banka Tregtare.
Është e qartë se nëse fashizmi synonte “të pengonte funksionimin e atij truri”, ka gabuar plotësisht, duke bërë të mundur që “Fletoret e burgut” të shkruheshin në kushtet më të mira, në kushte shumë më të mira nga çdo të mund të kishte sot një i burgosur akuzuar për atentat ndaj sigurisë së Shtetit. Ndoshta ka ardhur koha që dikush të pengojë mos funksionimin e trurit të historianëve.
* Pasardhës i Gramshit në krye të komunistëve në Itali. Qëndroi në atë detyrë prej vitit 1927, deri sa vdiq në vitin 1964. (Shën. MVSK)
Giorgio Nigra
Il Primato Nazionale
Përkthimi MVSK